Zhvillime elektorale dhe transformim politik në Kamëz

0

ANALIZË E ZGJEDHJEVE VENDORE 2007–2023

EDISON LIKA DHE VILSON BLLOSHMI

1. Hyrje

Bashkia Kamëz, një nga njësitë më të mëdha urbane në periferi të Tiranës, përbën një rast domethënës për të kuptuar ndryshimet në sjelljen elektorale dhe transformimet politike në nivel lokal në Shqipëri. E konsideruar për një kohë të gjatë si një bastion i së djathtës, Kamza ka përjetuar një zhvendosje të ndjeshme në balancën politike sidomos gjatë dy dekadave të fundit, me një tranzicion të plotë të pushtetit vendor nga Partia Demokratike drejt Partisë Socialiste në vitin 2019, i konsoliduar më tej në vitin 2023.
Kjo analizë synon të ndriçojë shkaqet e këtij ndryshimi përmes një shqyrtimi të thelluar të rezultateve zgjedhore nga viti 2007 deri në vitin 2023, duke e kontekstualizuar evolucionin politik në dritën e faktorëve institucionalë, demografikë dhe socio-ekonomikë që kanë ndikuar në sjelljen e votuesve. Në fokus të veçantë janë marrë elementë si politikat e punësimit dhe investimeve publike, programet e rindërtimit, praktikat e faljes së gjobave e taksave, përbërja organizative e partive politike dhe ndikimi i emigracionit, të cilat janë trajtuar si faktorë të mundshëm që kanë ndikuar në rezultatin elektoral.
Analiza është ndërtuar mbi një kombinim burimesh: të dhëna zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), të dhëna të mbledhura përmes kërkesave për informacion (FOI) pranë Bashkisë Kamëz dhe institucioneve zbatuese të projekteve publike, si dhe kontributi i një fokus grupi të organizuar nga Qendra ATA me pjesëmarrjen e aktivistëve lokalë dhe qytetarëve të angazhuar. Ky qasje metodologjike e kombinuar ka mundësuar ndërtimin e një panorame të detajuar dhe të shumëdimensionuar për të kuptuar marrëdhënien midis qeverisjes vendore dhe orientimeve zgjedhore të qytetarëve.
Kjo punë nuk synon të ofrojë një përfundim të vetëm, por të kontribuojë në një analizë më të thellë mbi mekanizmat që formësojnë dinamikën politike lokale dhe të nxisë reflektim për praktikën demokratike dhe përdorimin e burimeve publike në funksion të qeverisjes së mirë.

2. Kamza: Ndryshimi Demografik dhe Shndërrimi Urban

Kamza përfaqëson ndoshta rastin më domethënës në Shqipëri për mënyrën se si migrimi i brendshëm, urbanizimi i pakontrolluar dhe mungesa e politikave të qëndrueshme urbane kanë gjeneruar një realitet krejt të ri social dhe elektoral. Nga një zonë me karakter të theksuar bujqësor në fund të viteve ’80, Kamza është kthyer në një bashki me dendësi shumë të lartë popullsie, ndërtime informale në shkallë masive dhe një profil shoqëror të formuar mbi flukset migratore të pas ‘90-ës.
Që nga fillimi i viteve ’90, kur ligji e lejoi për herë të parë lëvizjen e lirë të brendshme, Kamza u bë një ndër destinacionet më të kërkuara për mijëra qytetarë që linin pas zonat rurale të varfra, veçanërisht ato në veriun dhe verilindjen e Shqipërisë. Ndryshe nga Tirana, ku çmimet e larta dhe mungesa e tokës së lirë kufizonin vendosjen e re, Kamza ofronte një hapësirë gjeografike të aksesueshme dhe me kosto shumë më të ulët, për shkak të statusit të saj periferik dhe të tokave të lira të ish-kooperativave bujqësore.
Sipas Censusit të vitit 2001, territori i asaj që më vonë do të përfshihej në Bashkinë Kamëz numëronte 65,498 banorë. Në vetëm një dekadë, popullsia u rrit me mbi 55 për qind, duke arritur në mbi 104 mijë banorë në Censusin e vitit 2011 (INSTAT, 2011) . Ndërkohë, si rezultat i valës emigratore, në Censusin e vitit 2023 , në territorin e bashkisë u deklaruan 96,137 banorë, duke shënuar rënien e parë të banorëve në vitet e tranzicionit.Sërish, ky ritëm rritjeje e ka bërë Kamzën një nga bashkitë me dendësinë më të lartë të popullsisë në vend, duke kapërcyer në disa zona edhe mesataren e vetë Tiranës.

Migrimi nuk ndryshoi vetëm numrin, por edhe përbërjen sociale dhe ekonomike të qytetit. Në vitin 2011, mbi 70 për qind e banorëve të Kamzës deklaronin se ishin të lindur jashtë territorit të bashkisë, me shumicën që vinin nga qarqet e Shkodrës, Kukësit dhe Dibrës . Në të njëjtin Census, Kamza shënonte ndër përqindjet më të larta në vend për banorë që kishin migruar brenda pesë viteve të fundit, një tregues i qartë i zhvendosjes së vazhdueshme dhe të pasfiduar demografike.

Rritja e papritur e popullsisë nuk u shoqërua me investime strukturore, plane urbanistike apo politika sociale të mirëkoordinuara. Zona të tëra si Bathorja, Paskuqani, Laknasi apo Valiasi u zhvilluan në mënyrë informale, pa rrjete kanalizimesh, pa ndriçim rrugor, pa sistem të ujësjellësit dhe me shkolla të mbingarkuara përtej kapacitetit. Në raportin mbi kushtet e banimit të vitit 2021, INSTAT raportonte se vetëm 67 për qind e banesave në Kamëz ishin të lidhura me sistemin e kanalizimeve, krahasuar me mbi 86 për qind në Tiranë (INSTAT, 2021).
Ky zhvillim informal nuk ishte vetëm pasojë e mungesës së kontrollit shtetëror, por edhe reflektim i një marrëdhënieje të re midis qytetarëve dhe shtetit. Mungesa e certifikatave të pronësisë, legalizimi i vonuar dhe aksesimi informal i shërbimeve bazike e kthyen Kamzën në një hapësirë të ndërmjetme, ku zyrtariteti dhe ligjshmëria funksiononin në mënyrë të pjesshme, por ku edhe rezistenca qytetare u shfaq me forcë – përmes protestave, vetë-organizimit dhe kërkesave të vazhdueshme për përfshirje.
Ky realitet i krijuar nga poshtë lindi edhe një model të ri përfaqësimi politik. Gjatë dy dekadave të para të tranzicionit, Partia Demokratike përfitoi nga mbështetja e këtij komuniteti të ri të ardhurish, që shihnin tek ajo një përfaqësim më të afërt të nevojave të tyre, veçanërisht në betejën për legalizim dhe përmirësim të kushteve të jetesës. Por me kalimin e viteve dhe ndryshimin e dinamikës lokale, balanca politike filloi të lëkundet. Nga njëra anë, fragmentimi i opozitës dhe largimi i një pjese të strukturave të saj për shkak të emigracionit krijuan një boshllëk përfaqësimi. Nga ana tjetër, Partia Socialiste nisi të shfrytëzonte në mënyrë strategjike instrumentet e pushtetit vendor për të siguruar mbështetje: përmes punësimeve në administratë, investimeve në infrastrukturë dhe programeve të legalizimit dhe rindërtimit.
Në këtë mënyrë, Kamza është shndërruar nga një periferi në një laborator politik ku shfaqen të gjitha tensionet e tranzicionit shqiptar: ndërmjet informalitetit dhe institucionalizimit, ndërmjet migrimit dhe përfaqësimit, ndërmjet kërkesës për shërbime dhe përdorimit të tyre si mjet elektoral. Vetëm duke kuptuar këtë sfond shoqëror dhe demografik mund të shpjegojmë më qartë se si dhe pse Kamza ndryshoi politikisht gjatë viteve 2015–2023.
3. Evolucioni Elektoral në Kamëz (2007–2023)
Përgjatë dy dekadave të fundit, Kamza ka qenë një ndër zonat më të qëndrueshme politikisht në mbështetje të Partisë Demokratike (PD), e cila ka dominuar vazhdimisht garat për qeverisjen vendore dhe përfaqësimin parlamentar. Për vite me radhë, kjo bashki konsiderohej si një bastion i padiskutueshëm i së djathtës. Megjithatë, nga viti 2015 e në vijim, kanë filluar të shfaqen shenja të qarta të erozionit elektoral dhe fragmentimit opozitar, që u thelluan ndjeshëm pas vitit 2019. Përballë një opozite të përçarë dhe një strukture të brishtë organizative, Partia Socialiste arriti jo vetëm të thyejë dominimin historik të PD-së, por të shndërrojë Kamzën në një zonë kontrolli të majtë në zgjedhjet e fundit vendore të vitit 2023.

*Të dhënat për vitet 2007 dhe 2011 përfshijnë rezultatet për kryetar të njësive Kamëz dhe Paskuqan

Të dhënat e periudhës 2007-2023 tregojnë se popullsia votuese është rritur në mënyrë dramatike nga 68 mijë që ishte në vitin 2007 për njësitë Kamëz dhe Paskuqan, në gati 109 mijë në zgjedhjet e vitit 2023. Rritja e popullsisë votuese vërehet në të gjithë vendin përgjatë kësaj periudhe, por në shkallë më të lartë në këtë bashki për shkak të prurjeve migratore të brendshme.
Analiza e mëposhtme ndjek në mënyrë kronologjike rezultatet zgjedhore në Kamëz, për të ndërtuar një pamje më të qartë mbi luhatjet në pjesëmarrje, mbështetjen për palët kryesore dhe ndryshimin e sjelljes elektorale.
3.1 Zgjedhjet e vitit 2007 – Konsolidimi i dominimit të PD-së
Zgjedhjet e vitit 2007 e gjetën Kamzën ende si një njësi e përbërë nga dy komuna të ndara, Kamza dhe Paskuqani, të cilat në atë kohë funksiononin me struktura administrative të pavarura, deri në reformën territorial të vitit 2015.
Zgjedhjet vendore të mbajtura më 18 shkurt 2007 shënuan një moment vendimtar për konsolidimin e kontrollit të Partisë Demokratike mbi pushtetin vendor në Kamëz. Gjatë kësaj gare për postin e kryetarit të bashkisë (atëherë ende në formën e komunës Kamëz dhe njësisë së Paskuqanit), garuan tre kandidatë: Xhelal Mziu nga Partia Demokratike në pozitë, Sul Cara nga një koalicion i majtë përbërë nga PS, LSI, PSD, PDS dhe AD, si dhe Remzi Tota, kandidat i pavarur.
Xhelal Mziu fitoi zgjedhjet me 8129 vota, që përfaqësonin 51.7% të votave të vlefshme, duke marrë drejtimin e Kamzës për herë të parë. Koalicioni i majtë i përfaqësuar nga Sul Cara mori 5796 vota (36.8%), ndërsa kandidati i pavarur Remzi Tota mori 1797 vota (11.4%). Ky rezultat jo vetëm që dëshmonte për një fitore të qartë të kandidatit të djathtë, por konfirmonte dhe fuqinë e rrjetit të strukturave të PD-së në këtë fazë, në një qytet që po zgjerohej me ritme të shpejta për shkak të migrimit të brendshëm.

Ndërkohë, zgjedhjet për Këshillin Bashkiak u karakterizuan nga një fragmentim ekstrem politik dhe një garë me shumë subjekte, çka është tipike për “parlamentet vendore” në Shqipëri. Plot 17 parti dhe koalicione garuan për 35 vendet në këshillin bashkiak, duke prodhuar një ndarje mandate që i dha përfaqësim edhe partive të vogla, ndonëse me ndikim të kufizuar real.
Partia Demokratike rezultoi fituese me 4662 vota, që përfaqësonin 29.17% të totalit, duke marrë 10 mandate. Pas saj, Partia Socialiste arriti të sigurojë 3169 vota ose 19.83%, duke fituar 7 mandate. Subjektet që ndoqën në rezultat ishin Lëvizja Socialiste për Integrim (7.6%, 3 mandate), Partia Agrare Ambientaliste (8.2%, 3 mandate) dhe Partia Demokristiane (9.46%, 3 mandate).
Pjesa tjetër e mandateve u shpërnda ndërmjet partive të vogla që morën nga 1 deri në 2 për qind të votave, si Aleanca Demokratike, BLD, Balli Kombëtar, LZHK, PLL, PR, PBDNj dhe të tjera, shumica prej të cilave arritën të sigurojnë nga një mandat falë ndarjes proporcionale.

Kjo përbërje e këshillit pasqyronte jo vetëm pluralizmin e stërzgjatur në nivel lokal, por edhe tendencën e partive të vogla për të negociuar në mënyrë të fragmentuar ndikimin e tyre në administratën vendore.
Pjesëmarrja, megjithatë, mbeti e ulët – vetëm 36% e votuesve të regjistruar morën pjesë. Kjo përqindje reflektonte jo vetëm apatinë politike që shoqëronte shumë zgjedhje të viteve të para të tranzicionit, por edhe vështirësitë reale në përfshirjen administrative të migrantëve të brendshëm që ende nuk ishin të regjistruar zyrtarisht në listat zgjedhore.
3.2 Zgjedhjet e vitit 2011 – Rritje pjesëmarrjeje dhe garë më e ngushtë
Zgjedhjet vendore të vitit 2011 u zhvilluan në një kontekst të rëndësishëm politik dhe institucional. Ishin zgjedhjet e para që pasuan miratimin e Kodit të ri Zgjedhor në dhjetor 2008 dhe të fundit përpara reformës administrativo-territoriale të vitit 2014. Në atë kohë, Shqipëria kishte një ndarje administrative me 65 bashki, 309 komuna dhe 12 qarqe. Në pushtetin qendror bashkëqeverisnin Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, një aleancë e cila ndikoi ndjeshëm në strukturimin e fushatës në nivel vendor.
Në Kamëz, zgjedhjet për kryetar bashkie përballën dy koalicione të mëdha: “Aleanca për Qytetarin” e djathtë, e cila kandidoi Xhelal Mziun për një mandat të dytë, dhe “Aleanca për të Ardhmen” e majtë, me kandidat Rakip Sulin, një figurë e re në atë kohë për garën lokale. Ishte kjo përballja e parë mes dy kandidatëve që më vonë do të përfaqësonin palët përballë në disa cikle elektorale të ardhshme.
Rezultatet ishin të qarta, por me një diferencë më të ngushtë se në vitin 2007: Xhelal Mziu fitoi me 16,028 vota ose 55.14%, ndërsa Rakip Suli mori 13,042 vota ose 44.86%. Këto shifra përfaqësonin jo vetëm rritjen e ndjeshme të pjesëmarrjes (nga 36% në 53%), por edhe një konsolidim të profilit të majtë në një qytet tradicionalisht të djathtë. Kandidatura e Rakip Sulit, ndonëse humbëse në këtë garë, krijoi një bazë të qëndrueshme elektorale që do të materializohej më vonë në fitoren e tij të vitit 2019.

Ndërkohë, në zgjedhjet për këshillin bashkiak u vërejt një diferencë më e thelluar në favor të së djathtës. Koalicioni “Aleanca për Qytetarin” mori 17,959 vota ose 61.05% të totalit dhe fitoi 22 mandate nga 35 të mundshme. Koalicioni i majtë “Aleanca për të Ardhmen” mori 10,549 vota (35.86%) dhe fitoi 13 mandate, ndërsa partitë jashtë koalicioneve morën vetëm 911 vota (3.1%) dhe nuk siguruan mandate.

3.3 Zgjedhjet e vitit 2015 – Shenjat e para të erozionit
Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, zgjedhjet e vitit 2015 u zhvilluan në kuadër të ndarjes së re administrativo-territoriale të miratuar me ligjin nr. 115/2014. Kjo reformë solli shkrirjen e njësive të vogla administrative dhe krijimin e bashkive më të mëdha, duke ndryshuar në mënyrë të ndjeshme hartën vendore të Shqipërisë. Në rastin e Kamzës, kjo solli përfshirjen e disa zonave periferike dhe ish-komunave brenda një strukture të vetme bashkiake.
Si rezultat i kësaj rritjeje territoriale dhe demografike, numri i mandateve në këshillin bashkiak të Kamzës u rrit nga 35 në 41, në përputhje me përllogaritjet ligjore të bazuara në popullsinë e bashkisë. Ky zgjerim ndikoi edhe në strategjitë e partive politike për shpërndarjen e votave dhe ndërtimin e listave shumëemërore.
Zgjedhjet për kryetar prezantuan një garë klasike mes Partisë Demokratike, e cila drejtonte bashkinë prej dymandatesh nën Xhelal Mziun, dhe Partisë Socialiste, e cila propozoi si kandidat për herë të parë Safet Gjicin.
Në këto zgjedhje, Xhelal Mziu arriti të ruajë për një mandat të tretë drejtimin e bashkisë Kamëz, duke marrë 24,323 vota nga 45,945 të vlefshme, që përfaqësonin 52.9% të totalit. Kandidati socialist Safet Gjici mori 21,622 vota (47.1%). Diferenca prej rreth 2,700 votash ishte dukshëm më e vogël se në zgjedhjet e mëparshme, duke sinjalizuar një ngushtim të mbështetjes tradicionale të PD-së në këtë zonë dhe një rritje të qartë të konkurrencës nga ana e majtë.
Ky rezultat e konfirmoi edhe njëherë identitetin politik të Kamzës si bastion i së djathtës, por me fraktura të brendshme të qarta, që do të shfaqeshin më thellësisht në zgjedhjet pasuese.

Megjithëse PD fitoi garën për kryetar bashkie, përbërja e këshillit bashkiak dha një rezultat të ndryshëm. Koalicioni i majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane (ASE)”, i cili përfshinte Partinë Socialiste, Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe aleatë të tjerë të qeverisë qendrore, mori shumicën në këshill me 22 mandate nga gjithsej 41. Nga ana tjetër, koalicioni i djathtë “Aleanca për Punë dhe Dinjitet (APPD)”, i drejtuar nga PD, mori 19 mandate.

Ky rezultat reflekton një rast ku kontrolli i ekzekutivit vendor nuk korrespondonte me shumicën politike në këshillin bashkiak.
3.4 Zgjedhjet e vitit 2019 – Pjesëmarrje minimale dhe garë pa opozitë
Zgjedhjet vendore të vitit 2019 përfaqësojnë një anomalí institucionale dhe demokratike, si në nivel kombëtar ashtu edhe në rastin e Bashkisë Kamëz. Në këto zgjedhje, opozita bojkotoi procesin elektoral, duke tërhequr kandidatët e saj dhe duke mos marrë pjesë në garën për pushtetin vendor. Si rrjedhojë, Partia Socialiste u përball në shumë bashki – përfshirë Kamzën – me kandidatë të pavarur ose nga parti shumë të vogla, shpesh pa njohje publike.
Në Bashkinë Kamëz, pjesëmarrja ra në vetëm 11.1%, një nga më të ulëtat në rang kombëtar dhe një tregues i drejtpërdrejtë i mungesës së konkurrencës politike. Të dhënat për njësitë përbërëse tregojnë se edhe në Paskuqan (11.24%) dhe Kamëz (11.06%) trendi ishte i ngjashëm.
Rakip Suli, kandidati i Partisë Socialiste, fitoi bindshëm me 10,102 vota, ose 96.7% të totalit. I vetmi kundërkandidat, Ylber Gjeta, një emër i panjohur për opinionin lokal, mori vetëm 344 vota (3.3%).

Zgjedhjet për Këshillin Bashkiak pasuan të njëjtin trend. Partia Socialiste mori 9,108 vota, që përfaqësonin 87.63% të totalit të votave të vlefshme. Votat e mbetura u shpërndanë mes partive të vogla, shumica e të cilave nuk arritën të kalojnë pragun përfaqësues.
Në aspektin e ndarjes së mandateve, PS fitoi 36 nga 41 vende, duke siguruar një shumicë absolute në këshill. Vetëm 5 mandate u shpërndanë për partitë e vogla, duke krijuar një dominim të plotë institucional të Partisë Socialiste në pushtetin vendor në Kamëz për periudhën 2019–2023.

Ky vit shënon një pikë kthese jo vetëm politike, por edhe institucionale, pasi për herë të parë PS mori në dorë drejtimin e një bashkie që për gati dy dekada kishte qenë e lidhur fort me opozitën.
3.5 Zgjedhjet e vitit 2023 – Përçarja e opozitës dhe konsolidimi i së majtës në Kamëz
Zgjedhjet vendore të vitit 2023 në Kamëz u zhvilluan në një kontekst të thelluar fragmentimi të opozitës, me Partinë Demokratike të ndarë praktikisht në dy fronte elektorale. Njëra pjesë, e udhëhequr nga Lulzim Basha, garoi nën siglën tradicionale të Partisë Demokratike; ndërkohë që krahu tjetër i opozitës, i mbështetur nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, krijoi koalicionin “Bashkë Fitojmë”, në aleancë me Partinë e Lirisë dhe disa parti të tjera të djathta. Të dy formacionet zhvilluan një fushatë agresive ndaj njëri-tjetrit, duke çoroditur elektoratin e djathtë dhe duke lejuar që vota opozitare të ndahej në mënyrë jo strategjike.
Kjo përçarje rezultoi fatale për garën në Kamëz, një bashki me një histori elektorale të qartë në favor të Partisë Demokratike. Partia Socialiste, përmes kandidatit të saj në detyrë Rakip Suli, fitoi bindshëm me 27,837 vota, që përbëjnë 60.35% të totalit të votave të vlefshme. Koalicioni “Bashkë Fitojmë” arriti të marrë 16,294 vota (35.33%), ndërsa Partia Demokratike zyrtare mori vetëm 1,994 vota, që përbëjnë 4.32% të totalit.

Në zgjedhjet për Këshillin Bashkiak, rezultati ishte gjithashtu në favor të Partisë Socialiste, e cila mori 20,189 vota (43%) dhe fitoi 19 nga 41 mandatet. Koalicioni “Bashkë Fitojmë” siguroi 11,415 vota (24%) dhe 11 mandate, ndërsa Partia Demokratike, me një rezultat relativisht më të lartë sesa në garën për kryetar, mori 3,536 vota (7.55%) dhe fitoi 3 mandate.
Pjesa tjetër e mandateve – gjithsej 8 vende – u shpërnda ndërmjet partive më të vogla si Partia Agrare Ambientaliste, Partia Republikane, Lëvizja e Legalitetit, Aleanca Liberale e Djathtë, Fryma e Re Demokratike, Partia Socialdemokrate dhe të tjera.

4. Faktorët e transformimit politik të Kamzës
Transformimi i rezultatit elektoral në Bashkinë Kamëz në zgjedhjet vendore të vitit 2023 nuk përfaqëson një devijim të rastësishëm. Ai pasqyron një cikël të gjatë ndryshimesh në strukturën e qeverisjes vendore, në raportin mes qytetarëve dhe shërbimeve, si dhe në kapacitetin organizativ të partive politike në terren. Të dhënat e mbledhura përmes kërkesave për informacion (FOI), si dhe diskutimet e zhvilluara me qytetarë dhe aktivistë të Qendrës ATA, ndihmojnë në shpjegimin e këtij ndryshimi.
4.1 Punësimet në administratën vendore si faktor ndikues në rezultatin elektoral
Një nga faktorët më të përmendur nga qytetarët në fokus grupin e zhvilluar me aktivistët e Qendrës ATA në Kamëz është roli i punësimeve në administratën vendore në fitoren e kandidatit të Partisë Socialiste, Rakip Suli, në zgjedhjet vendore të vitit 2023. Sipas tyre, punësimet e reja nuk ishin të karakterit masiv e të menjëhershëm, por të shtrira dhe të kontrolluara, duke krijuar një ndjenjë stabiliteti dhe besnikërie ndaj pushtetit vendor.
“Gjatë katërvjeçarit të parë të qeverisjes së tij kemi vënë re nga kontaktet që kemi në terren dhe në administratë, që ka qenë deri diku qeverisje e ‘kujdesshme’. Në kuptimin që nuk ka bërë shkarkime masive të punonjësve të bashkisë; ka huazuar metoda të një propagande virtuale (të ngjashme me kryebashkiakun e Tiranës); ka punësuar në pozicione të rëndësishme drejtuese të rinj të angazhuar me FRESH-in prej vitesh; ka shpërblyer me punësime elektoratin besnik të PS-së.” – pjesëmarrës në fokus grup, Kamëz
Të dhënat zyrtare të përftuara përmes kërkesës për informacion drejtuar Bashkisë Kamëz më 16 tetor 2024 konfirmojnë trendin në rritje të punësimeve në administratën vendore. Sipas tyre, numri i të punësuarve është rritur nga 175 punonjës në vitin 2017 në 333 punonjës në vitin 2023, me një kulm të ri të arritur në vitin elektoral.

Përqendrimi i punësimeve në sektorë si ndërmarrja e pastrimit, gjelbërimit, ujësjellës-kanalizime, si dhe në drejtori të rëndësishme si ato të urbanistikës, financës dhe shërbimeve sociale, shihet nga pjesëmarrësit në fokus grup si një mënyrë për të konsoliduar ndikimin elektoral të mazhorancës lokale, përmes krijimit të një baze besnike dhe të varur nga politika punësimi e bashkisë.
Në këtë mënyrë, punësimet nuk janë perceptuar thjesht si një shërbim social, por si një mjet për të ndikuar zgjedhjen politike të qytetarëve, duke u perceptuar si një ndër mekanizmat që ka kontribuar në ruajtjen e bazës elektorale të mazhorancës.
4.2 Rindërtimi dhe rikonstruktimi: ndihmë sociale apo strategji selektive?
Mandati i parë i Rakip Sulit si kryetar i Bashkisë Kamëz përkoi me dy nga krizat më të mëdha që kanë goditur vendin në dekadën e fundit: tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia Covid-19. Këto dy fenomene ndikuan jo vetëm në prioritetet e qeverisjes vendore, por edhe në perceptimet qytetare mbi drejtësinë dhe mënyrën e shpërndarjes së ndihmës shtetërore.
Në kërkesën për informacion drejtuar Bashkisë Kamëz, u pohua se gjatë periudhës 2020–2024 janë realizuar ndërhyrje të konsiderueshme përmes programeve të rindërtimit. Më konkretisht:
 270 apartamente janë ndërtuar nga e para në zonën e Valiasit (19 pallate), nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
 115 banesa individuale janë rindërtuar mbi truallin ekzistues.
 167 banesa të tjera janë rindërtuar përmes programeve të granteve të rindërtimit.
Përveç ndërtimeve të reja, janë ndërmarrë edhe rikonstruksione të rëndësishme në infrastrukturë publike dhe banesore:
 16 shkolla publike janë rikonstruktuar.
 24 njësi banimi në pallate ekzistuese në zonat Babrru, Paskuqan dhe Laknas kanë përfituar ndërhyrje rehabilituese.
Këto ndërhyrje përfaqësojnë një prej angazhimeve më të mëdha investuese të bashkisë gjatë periudhës pas tërmetit dhe u prezantuan nga autoritetet si dëshmi e aftësisë për të menaxhuar krizën dhe për të mbështetur qytetarët në nevojë.
Megjithatë, jo të gjithë qytetarët ndajnë këtë vlerësim. Në fokus grupin e zhvilluar me aktivistët e Qendrës ATA, u shprehën dyshime serioze mbi natyrën selektive të shpërndarjes së përfitimeve, si dhe dyshime për favorizime politike dhe klienteliste në përcaktimin e përfituesve të rindërtimit dhe rikonstruksionit.
“Kemi parasysh që periudha e parë e qeverisjes së Sulit përkon me tërmetin dhe pandeminë – dy momente kyçe këto; e para lidhet me ‘rindërtimin’ e disa prej lagjeve/njësive administrative më të rëndësishme të qytetit: Valiasi (është bërë nga e para) për ta sjellë si shembull. Shumë shkolla të ndërtuara rishtas gjatë qeverisjes së Mziut janë shembur dhe ndërtuar nga e para ose rindërtuar me ndërhyrje të dukshme.”
Të tjerë pjesëmarrës ngritën shqetësimin se në disa raste janë përfshirë në projekte për rindërtim edhe subjekte private që nuk rezultonin të dëmtuara nga tërmeti, por që kanë përfituar përmes lidhjeve me strukturat vendimmarrëse të bashkisë.
Megjithëse pohimet nuk janë të gjitha të mbështetura në dokumentacion zyrtar, ato përfaqësojnë shqetësime të përsëritura dhe të gjera në diskursin lokal.
4.3 Amnistia fiskale dhe lehtësirat administrative
Një tjetër masë me ndikim të gjerë në komunitetin e Kamzës lidhet me amnistinë e taksave dhe tarifave vendore, e cila u zbatua në disa faza gjatë mandatit të parë të kryebashkiakut Rakip Suli. Masa e parë e tillë u shpall publikisht në faqen zyrtare të bashkisë më 14 korrik 2020, duke përfshirë faljen e tarifave për 7638 familje për periudhën deri në vitin 2010. Kjo iniciativë u justifikua si pjesë e përgjigjes ndaj vështirësive të shkaktuara nga pandemia Covid-19.
Mirëpo, praktika e faljes së detyrimeve financiare nuk u ndal me këtë masë të hershme. Në kërkesat për informacion të drejtuara bashkisë, ajo konfirmon se gjatë viteve 2022–2024 janë miratuar paketa të reja të faljes dhe lehtësimit të taksave, si për familjet ashtu edhe për subjektet ekonomike aktive në territorin e bashkisë.

Përveç kësaj, bashkia ka zbatuar një politikë lehtësimi edhe për bizneset e hapura rishtazi, të cilat janë përjashtuar nga tarifat për shërbimin, pastrimin, gjelbërimin dhe ndriçimin. Po ashtu, është aplikuar një tarifë zero për kryefamiljaret femra, në përpjekje për të kombinuar politikat sociale me mbështetjen ndaj grupeve të margjinalizuara.
Ndërsa vetë vendimet janë prezantuar si masa për lehtësimin e barrës ekonomike në kushte krize, nuk mund të anashkalohet fakti se ato përputhen në mënyrë të dukshme me ritmin elektoral, me numrin më të lartë të përfituesve në vitin 2023. Ky përkon me vitin zgjedhor dhe me përpjekjen e qeverisjes lokale për të forcuar marrëdhëniet transaksionale me elektoratin përmes lehtësirave të drejtpërdrejta financiare.
Ndryshe nga politikat afatgjata të reformimit të sistemit tatimor vendor, kohëzgjatja dhe intensiteti i këtyre politikave në periudha zgjedhore është interpretuar si një përpjekje për të ndikuar pozitivisht mbështetjen elektorale të pushtetit vendor.
4.4 Votimi elektronik dhe sfidat për besueshmërinë e procesit zgjedhor
Nëse Shqipëria synon të përhapë më tej përdorimin e teknologjisë në zgjedhje, përvojat e deritanishme tregojnë se është e domosdoshme të shmanget çdo lloj instrumentalizimi i ndihmës teknike në mënyrë partiake, për të garantuar një proces të barabartë dhe gjithëpërfshirës për të gjithë qytetarët.
Edhe pse në zgjedhjet vendore të vitit 2023 në Bashkinë Kamëz nuk u aplikua votimi elektronik, debatet mbi funksionimin dhe ndikimin e tij në kontekste të tjera – si në rastin e qytetit të Elbasanit – kanë nxjerrë në pah problematika që prekin drejtpërdrejt besueshmërinë e procesit zgjedhor dhe integritetin e votës, veçanërisht për kategori të cenueshme të elektoratit.
Sipas analizës së prezantuar nga avokati Gentian Sejrani, një nga sfidat kryesore të votimit elektronik është mungesa e aftësive teknologjike te një pjesë e qytetarëve, veçanërisht moshat e treta, personat me pak arsim dhe komunitetet vulnerabël, të cilët shpesh kërkojnë ndihmë gjatë votimit. Kjo ka ngritur shqetësime të drejtpërdrejta për ndërhyrjen në vullnetin elektoral, sidomos kur ndihma ofrohet nga përfaqësues të një partie të caktuar.
Për më tepër, janë ngritur pretendime për devijim të votës, lidhur me moskonkordimin ndërmjet zgjedhjes së votuesit dhe fletës së printuar nga pajisja elektronike. Këto shqetësime janë përforcuar nga mungesa e mekanizmave të pavarur për monitorimin dhe garantimin e besueshmërisë së procesit.
Në këtë kontekst, është propozuar përmirësimi i kuadrit ligjor, duke garantuar që ndihma për qytetarët me vështirësi teknologjike të ofrohet nga persona të paanshëm dhe jo nga militantë partiakë. Po ashtu, janë sugjeruar masa teknike për rritjen e aksesueshmërisë dhe transparencës së procesit, si: thjeshtimi i ndërfaqes së pajisjeve, aplikacione testuese për votim, dhe përdorimi i sistemeve vokale për të përfshirë edhe votuesit me kufizime në shikim.
Aktualisht, neni 108 i Kodit Zgjedhor ofron ndihmë për votuesit me aftësi të kufizuara fizike, por nuk përfshin qartazi votuesit që nuk janë në gjendje të përdorin teknologjinë, duke e bërë të nevojshme një rishikim të legjislacionit zgjedhor në funksion të praktikave të reja si votimi elektronik.
4.5 Rritja e lejeve të ndërtimit dhe investimeve publike
Që prej zgjedhjeve vendore të vitit 2019, Bashkia Kamëz ka njohur një rritje të ndjeshme të aktivitetit ndërtimor dhe investimeve publike, sipas të dhënave zyrtare të përftuara përmes kërkesave për informacion. Këto zhvillime janë perceptuar nga një pjesë e qytetarëve të përfshirë në fokus grup si një faktor ndikues në rritjen e mbështetjes për kryebashkiakun Rakip Suli, për shkak të lidhjes së drejtpërdrejtë midis përfitimeve zhvillimore dhe preferencës elektorale.
Numri i lejeve të ndërtimit në Bashkinë Kamëz është rritur nga vetëm 12 në vitin 2015 në 212 në vitin 2023, duke reflektuar një rritje të vazhdueshme që përshpejtohet pas ardhjes në pushtet të Rakip Sulit. Rritja është veçanërisht e dukshme në vitin 2021 dhe në vitin zgjedhor 2023, çka ngre pyetje mbi kalendarizimin e vendimmarrjeve urbane në funksion të ciklit elektoral.

Në fokus grupin me aktivistë lokalë, disa pjesëmarrës ngritën pikëpyetje mbi selektivitetin dhe përfitimet klienteliste nga dhënia e lejeve, sidomos në zonat me interes të lartë ndërtimor, si Valiasi, Babrruja apo Paskuqani. Ndërkohë, lejet e ndërtimit janë perceptuar edhe si simbol i “mundësisë” së lidhjes me pushtetin lokal, sidomos për bizneset dhe sipërmarrësit lokalë.
Në mënyrë të ngjashme, të dhënat mbi investimet publike tregojnë një rritje të ndjeshme pas vitit 2019, duke kulmuar në vitin 2020 me 150 projekte, si dhe duke ruajtur nivele të larta edhe në vitet 2022–2023.

Këto shifra përfaqësojnë një bilanc pozitiv zhvillimi, që përfshin rikonstruksione shkollash, rrugë, objekte sociale dhe investime në infrastrukturën e lagjeve periferike. Megjithatë, koha e realizimit të këtyre investimeve, shpesh në periudhën para zgjedhjeve, është interpretuar nga qytetarët si një përpjekje për të ndikuar favorizueshëm në vendimmarrjen e votuesve përmes rezultateve të prekshme në terren.
4.6 Emigrimi dhe zbrazja organizative e opozitës
Një nga faktorët më pak të dukshëm, por me ndikim të konsiderueshëm në rezultatin elektoral të zgjedhjeve vendore të vitit 2023 në Kamëz, lidhet me fragmentarizimin e opozitës, emigrimin e strukturës dhe zbrazjen graduale të infrastrukturës organizative të saj.
Sipas aktivistëve të Qendrës ATA, një pjesë jo e vogël e ish-funksionarëve lokalë të Partisë Demokratike, sidomos ata që kishin qenë pjesë e administratës gjatë qeverisjes së gjatë të së djathtës në bashki (2007–2019), kanë emigruar jashtë vendit gjatë viteve të fundit. Kjo tendencë është shoqëruar me një tkurrje të burimeve njerëzore politike, e cila ka krijuar boshllëqe në strukturat lokale të PD-së dhe ka ndikuar negativisht në aftësinë e saj për të organizuar një fushatë efektive apo për të mbajtur një kontakt të qëndrueshëm me elektoratin.
“Nuk duhet të nënvleftësohet fakti që Kamza ka përjetuar një emigracion masiv të të rinjve në 10 vitet e fundit, dhe ky emigracion mund të lidhet edhe me faktin që janë larguar ajo pjesë e qytetarëve të cilët kanë qenë më pranë PD-së sesa PS-së.”
Në këtë kuadër, fenomeni i emigrimit ekonomik dhe politik ndërthuret me dobësimin e memorjes organizative dhe mobilizuese të opozitës, duke e lënë PD-në dhe aleatët e saj në një pozitë të disfavorshme strukturore, përtej ndarjeve apo konflikteve të brendshme.
Përveç dobësimit të strukturave opozitare përmes emigrimit dhe zbrazjes organizative, një tjetër faktor vendimtar që ndikoi në rezultatin elektoral të Kamzës në vitin 2023 ishte fragmentimi i brendshëm i Partisë Demokratike. Ndarja ndërmjet Partisë Demokratike zyrtare të drejtuar nga Lulzim Basha dhe koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” të mbështetur nga Sali Berisha dhe Partia e Lirisë krijoi kandidatura paralele që ndanë votën tradicionale të së djathtës.
Sipas vlerësimeve të pjesëmarrësve në fokus grup, mungesa e kapaciteteve organizative ka ndikuar që fushata e opozitës të mos jetë konkurruese në mënyrë efektive me mazhorancën lokale.
Ky boshllëk organizativ është një nga faktorët kyç që shpjegon rënien historike të votës për Partinë Demokratike në Kamëz në vitin 2023, një nga rezultatet më të dobëta të saj në këtë zonë që tradicionalisht ka qenë bastion i së djathtës.

Konkluzione

Analiza e faktorëve që mund të kenë ndikuar në rezultatin elektoral të zgjedhjeve vendore të vitit 2023 në Bashkinë Kamëz nxjerr në pah një ndërthurje të dinamikave institucionale, sociale dhe politike, të cilat kanë favorizuar në mënyrë të ndjeshme mazhorancën vendore. Politikat e punësimit, programet e rindërtimit, amnistitë fiskale, rritja e lejeve të ndërtimit dhe investimet publike rezultojnë të kenë prodhuar jo vetëm ndikim material te qytetarët, por edhe perceptim për një administratë aktive dhe të orientuar drejt përfitimeve konkrete. Nga ana tjetër, opozita lokale është përballur me dobësim të strukturave, emigrim të burimeve njerëzore dhe mungesë kohezioni organizativ, duke e bërë më të vështirë ndërtimin e një alternative konkurruese. Ndikimet strukturore të këtyre faktorëve, të shoqëruara me elementë të perceptuar si selektivë apo klientelistë në shpërndarjen e resurseve publike, tregojnë për një zhvendosje të paradigmës elektorale në këtë bashki – nga një model tradicionalisht opozitar, në një konfigurim të ri ku avantazhet e të qenit në pushtet lokal kombinohen me mjete të ndryshme ndikimi mbi votuesin.

SHPËRNDAJE