Nga dobësimi i Evropës, Shqipëria do të vuajë. Perceptimi i një vendi që refuzohet disa herë do t’i bëjë më skeptikë investitorët evropianë, të cilët, edhe gjatë dhjetë viteve të fundit, kanë gjetur shumë pak arsye të investojnë në Shqipëri. Tregu është i vogël, shteti shumë i dobët dhe cilësia e fuqisë punëtore akoma më e ulët.
Për rrjedhojë, në Shqipëri do të vijë duke u zbehur entuziazmi pro-evropian. Në kushtet kur ekonomitë e Evropës do të vazhdojnë të rriten shumë ngadalë, kur emigrantët shqiptarë do kenë më pak punë dhe kur fuqia e Evropës në botë do të tkurret, shqiptarët do kenë më pak arsye të jenë eurofilët më të zellshëm në botë, siç edhe kanë qenë dy dekadat e fundit. Kjo klimë e rënduar dhe depresive në Evropë, sigurisht, do të ndikojë edhe këtu. Madje, unë them se më shumë nga sa besojmë sot, pavarësisht se Shqipëria është e vogël për të vuajtur nga sëmundje të mëdha. Por duke pasur sëmundjet e veta, ndoshta do vuajë edhe më shumë, si çdo trup i lodhur që pëson kolaps edhe nga një grip i huaj.
Ndikimi në Shqipëri do jetë ekonomik, por gradualisht edhe politik. Pakënaqësia për klasën politike do të rritet. Shqiptarët do bëhen edhe më skeptikë për partitë e tyre, duke besuar se mungesa e refomave, rënia ekonomike, borxhet, papunësia dhe korrupsioni kanë përgjegjës ata që kanë zgjedhur. Dhe, në fakt, do kenë të drejtë, sepse ekstremistët evropianë që kanë lulëzuar vitet e fundit nuk janë përgjegjës as për mungesën e reformave, as për borxhet dhe, as për pabarazinë marramendëse të popullsisë së Shqipërisë. Ekstremistët hollandezë nuk kanë dështuar të vendosin rendin në Shqipëri dhe aq më pak partia antievropiane angleze UKIP që aktualisht është e treta në sondazhet lokale nuk mbajnë përgjegjësi për rrënimet e vitit 1997, ose për vrasjet e 21 janarit, ose për dështimin e drejtësisë në vendosjen e ligjit dhe të kulturës së ndëshkueshmërisë. Ekstremistët grekë mund të jenë përgjegjës për frikësimin dhe kthimin e disa qindra emigrantëve shqiptarë në Greqi, por nuk janë ata shkaktarë të emigracionit masiv të njëzet viteve të fundit. Ekstremistët evropianë do vijnë duke u shtuar dhe forcuar, duke bërë ciklin e tyre historik edhe për të paktën dhjetë apo njëzet vitet e ardhshme në parlamentet e të gjitha vendeve, me përjashtim të Gjermanisë të cilës i drejtohet ky ekstremizëm.
Siç ndodh zakonisht, kur Shqipëria imiton fenomenet më të shëmtuara dhe më të dëmshme të Evropës, nga komunizmi tek korrupsioni, do të ndodhë edhe në të ardhmen. Në Shqipëri do shtohen antievropianët. Në elitën politike dhe financiare. Pa dyshim. Ndoshta Shqipëria, për të gjitha arsyet që thashë do hyjë në një izolim të ri. Të panjohur. Por duke parë historinë e saj kjo është shqisa që ka përsosur më shumë sa herë ka pasur një problem. Dhe meqë problemet do të shtohen dhe zgjidhjet janë larg, izolatrikët do të lulëzojnë dhe do të shtohen. Ata do kthehen në një shtresë të rëndësishme dhe të fortë financiarisht, sepse do jenë të pasur. Kur flas për izolatrikë kam parasysh një njeri i cili mendon se jeton mirë në habitatin e vet dhe arsyet për ta ndryshuar atë janë të vogla, për të mos thënë të panevojshme.
Izolatriku nuk bën përpjekje për ta zgjeruar territorin ku ushtron fuqinë e vet dhe, aq mëpak, për të ftuar njerëz të tjerë të cilët mendon se mund t’ja kufizojnë lirinë për të fituar. Sepse fitimet e tij janë të mjaftueshme dhe të bollshme.
Izolatriku shqiptar është i pasur. Nëse do ta krahasoja me dikë, ky do ishte personazhi i nënprefektit tek filmi “Koncert në vitin 1936”. Një burrë i majmur dhe i kënaqur deri në plogështi me jetën që bën dhe po aq i ngopur me autoritetin që i jep pasuria, ligji, forca dhe mjerimi i të tjerëve. Ai e nis ditën njëlloj, pavarësisht se çfarë ndodh përreth tij, në Shqipëri ose në botë dhe e mbaron duke llomotitur të njëjtat thashetheme të detajuara çdo mbrëmje. Mëngjesi fillon tek berberi dhe mbaron duke ecur, në sheshin e qytetit. Gjatë ditës ka marrë shumë vendime, sipas tij të rëndësishme, për fatin e dhjetëra të varfërve apo të mjerëve, për të cilët mendon se do ishin edhe më të varfër dhe edhe më të mjerë në kushtet kur ai mungon. Zakonisht e dallon ky tipar: është po aq i prapambetur sa të tjerët, por pasuria dhe fuqia që ka, e bën të besojë se është duke e harxhuar jetën në batakun e një vendi që nuk ka aftësi të evropianizohet. Ai është një e mesme e feudalëve orientalë të përzier me borgjezët e rinj kapitalistë.
Sot, nënprefekti i Koncertit 36’ do ishte me celular në dorë nga mëngjesi në darkë, duke ndarë shumicën e kohës dhe të çështjeve me shoferin e vet, bindja dhe nënshtrimi i të cilit e mbushin me admirim për veten. Ka një batutë të paharrueshme ai film. Me besimin se përpjekja e tij për oksidentalizimin e shoqërisë shqiptare është e kotë, pasi shqiptarët, pavarësisht mundit që ai harxhon, nuk bëhen dot oksidentalë, nënprefekti vendos të përshëndesë arstisten që viziton provincën me një tufë lulesh të freskëta. Por, gjatë porosisë, kujtohet se është në Shqipëri dhe jo në Paris, prandaj pendohet, tërheq monedhën që i ka dhënë shegertit të vet dhe i thotë këtë frazë: në Shqipëri lulet i hanë gomerët. Pra, nuk ia vlen t’i blesh për t’ia dhuruar një zonje. Ky është izolatriku par excellence shqiptar. Një njeri i cili mendon si evropian, por sillet si oriental. Ai do të bëjë mirë, por së pari nuk di dhe së dyti, edhe nëse di, ka frikë, sepse mirësia do t’i merrej për dobësi. Ai ëndërron të jetë xhentëllmen, por pastaj kujtohet se, duke u sjellë si feudal, mund të jetë shumë më tërheqës dhe i pushtetshëm. Izolatriku e di se mund ta humbë pushtetin duke ndryshuar.
Shqipëria e sotme është e mbushur me nënprefektë. Burra të pasur dhe të fuqishëm që drejtojnë provincat dhe qytetet njëlloj si nënprefekti i 80 viteve më parë. Këta njerëz do të shtohen. Ata kanë fuqinë për të ndikuar mbi vendimet politike; ata presin dhe përcjellin udhëheqësit e lartë, u bëjnë konak, i darovisin dhe marrin prej tyre konçesione ose marrëveshje që çojnë në devijim fondesh publike, natyrisht, në këmbim të devijimit të votave sa herë ka zgjedhje. Kjo është dhe do të jetë forca e tyre. Kam parë në këto vite me dhjetëra nënprefektë dhe është e kotë të them se ata po pakësohen. Ata po shtohen. Dhe e keqja e tyre është se janë epidemikë. Janë ngjitës. Ata janë një model karriere që lulëzon në lagje, fshatra dhe qytete. Shumë shpesh nënprefektët kthehen në baronët e krimit. Ata mbajnë lidhje me krimin lokal, u sigurojnë çadër dhe ushqehen prej tyre. Shpejt, tipari kryesor me të cilin do mund të identifikohen, do jetë izolimi. Ata nuk do duan të afrohemi me Evropën, sepse e ndjejnë se Evropa nuk është një vend ku mund të jetojnë duke konsumuar të gjitha zakonet e ditës, nga takimi me berberin në mëngjes e deri tek shëtitja me shoferin në mbrëmje. T’i bindësh ata për të kundërtën është njëlloj si të bindësh një hipopotam të kërcejë në një pistë akulli. Këta janë izolatrikët e Shqipërisë.
Ata janë pjesa kryesore e elitës financiare e cila është në pakt të fortë me elitën politike. Ndërsa të dytët do dështojnë të japin rezultate të ndjeshme reformash, të parët do ta financojnë këtë dështim, duke bindur komunitetet dhe provincat e tyre se dështimi është progres, por edhe nëse nuk është krejtësisht i tillë, është vetëm një cikël që do të kapërcehet. Dështimin e brendshëm do ta shesin si dështim të jashtëm. Si një dështim evropian. Dhe në dobësinë e riciklueshme të Evropës do të gjejnë shumicën e arsyeve për t’i qëndruar asaj larg. Kështu ka ndodhur dhe po ndodh në gjithë këta vite, sepse izolatrikët, përveç se nënprefektë, janë edhe investitorë. Investimet evropiane dhe, sidomos, vendosja e ligjit dhe e drejtësisë, do të kërcënonte seriozisht shumë investitorë shqiptarë, të cilët e shohin të ardhmen e monopoleve dhe të fitimeve të tyre të lidhura kryesisht, me klasën politike dhe fatin e saj. Hapja e Shqipërisë ndaj Evropës do krijonte rregulla të reja tregu, konkurrence dhe drejtësie. Edhe sot, ato pak investime evropiane në telekomunikacion ose hidrokarbure i kanë bërë të dështojnë të gjithë shqiptarët që i kanë hyrë kësaj rruge. Si financues të të gjithë klasës politike deri sot, izolatrikët shqiptarë do t’i imponojnë asaj një rrugë tjetër. Kjo do të jetë epoka e tretë e izolimit të Shqipërisë nga Evropa, së cilës po i afrohemi me shpejtesi, si për shkaqe kulturore, ashtu edhe financiare.
Izolimi i parë i Shqipërisë ndodhi gjatë pushtimit otoman. Ky ishte një izolim fetar me shkaqe politike. Izolimi i dytë erdhi gjatë regjimit komunist. Ky ishte një izolim politik me themel ideologjik. I treti sapo ka nisur. Ky është një izolim kulturor me bazë financiare. Por, nëse në dy rastet e para ka pasur fuqi politike, ose ideologji që kanë imponuar izolimin, në rastin e tretë do jetë pamundësia për të bërë refoma ajo që do prodhojë këto pasoja. Për arsye kulturore dhe financiare Shqipëria e ka dhe do ta ketë të vështirë t’i afrohet Evropës. Evropa po na jep arsye dështimi, të cilat Shqipëria do t’i shfrytëzojë me sukses.
Kjo fazë izolimi ndoshta do të vazhdojë disa vjet, derisa në Evropë të krijohen kushte të tjera, derisa kontinenti të ketë gjetur një ekuilibër më të natyrshëm politik mes fuqive që e përbëjnë atë dhe, sigurisht, derisa forcat jashtë saj, si ShBA, Rusia dhe Kina të kenë prodhuar ide dhe tekonologji të cilat mund ta çojnë në një fazë të re rendin botëror, duke i hapur njerëzimit rrugën e një progresi më të qëndrueshëm dhe më të merituar. Shqipëria do të mbetet një territor që pjell izolatrikë dhe nënprefektë, të cilët po e ndajnë Shqipërinë në feude të vogla, por të rehatshme. This is freedom, do më thoshte një këngëtar i njohur italian para disa kohësh duke pirë cigare dhe puro në një restorant të Tiranës dhe duke paguar cash kudo dhe këdo. Kjo liri shijon dyfish kur mendon se Shqipëria ka një ligj që e ndalon duhanin në ambientet publike. Në Itali kjo është e pamundur. Nuk pi dot cigare askund, bankat nuk japin cash dhe taksat të marrin frymen. Ju nuk e njihni Evropën, më tha. As ia vlen ta provoni. Të njëjtën fjali më tha një nënprefekt pak javë më parë. Natyrisht në shqip. E pse duhet të hyjmë në Evropë, për ta humbur këtë liri!
Duke kultivuar dhe përhapur lirinë e mosbindjes ndaj ligjit, izolatrikët do arrijnë me sukses t’i shtyjnë të gjitha reformat e domosdoshme në Shqipëri. Në fakt, reformat do të bëhen, por ato do të vonohen ose do të deformohen deri në pikën që kur të bëhen, të jenë të paefektshme. Vonesa e reformave do të rrisë demotivimin dhe do të ulë optimizmin për mundësinë e vendit për të ndryshuar. Kjo ndjesi do të shtojë shanset e izolimit. Nga izolimi, regjimet lokale fillimisht konsolidohen duke krijuar pak stabilitet, sidomos në rend, por pastaj kthehen në rrezik sepse mbysin çdo lloj progresi, konkurrence politike dhe frymëmarrje në sipërmarrje. Në këto raste çdo gjë duket e paravendosur. Dhe paragjykimi se asgjë nuk ndryshon, pavarësisht se çfarë bën, edhe kur nuk është real por vetëm iluzor, i vret idetë dhe ata që i kanë ato. E ardhmja kalbet nëse e tashmja perceptohet gabim, por në çdo rast ky nuk është faji i së ardhmes.
Shembulli më therës i regjimeve që përfitojnë nga izolimi është ai i Enver Hoxhës në pesëdhjetë vjet. Një regjim më i hapur ndaj Evropës nëse nuk do ishte rrëzuar më shpejt, të paktën, do ishte më i butë dhe më human. Ndërsa shembulli më i freskët i ditëve tona është rasti i regjimit të Erdoganit në Turqi. Është një sistem që prodhon progres ekonomik, por jo demokraci. Nëse Evropa do ta kishte afruar Turqinë më shpejt, harta politike e këtij vendi do të ishte ndryshe sot. Turqia do të ishte më laike dhe tani nuk do të ishim në kushtet kur proevropianët luftojnë për ambjentin, ndërsa proislamikët për pushtetin siç edhe po ndodh. Shembulli i Turqisë, në të vërtetë, është për t’u konsideruar sepse pavarësisht nga kushtet, pavarësisht nga madhësia, pavarësisht nga burimet ekonomike të pakrahasueshme, pavarësisht nga pozita kyçe mes perëndimit dhe lindjes, Turqia vazhdon të jetojë izolimin e vet simbolik që ushqen elita provinciale dhe udhëheqës autokratë. Jo në masën e Turqisë, por ndoshta për të njëjtat arsye të cilat lindin nga të njëjtat shkaqe edhe Shqipëria e ka shumë të vështirë të çajë izolimin e vet kulturor që e ndan nga Evropa.
Dhe për fat të keq Shqipëria është vetëm në fillim të kësaj rruge. Sepse ajo nuk është më një vend optimist dhe, ndoshta, nuk do të jetë për shumë dekada.
Të pasurit do të kundërshtojnë reformat
Shqipëria është një vend evropian, por hapi i saj është shumë kaukazian. Është postsovjetik. Të pasurit duan të merren me politikë dhe politikanët duan të merren me biznes. Kjo është tendenca që ka përcaktuar zhvillimin e vendit në këta njëzet vitet e fundit. Sot njëra palë nuk ndryshon shumë nga tjetra. Dhe shkrirja e të dy grupeve është vetëm
çështje kohe. Por të dyja grupet kanë një pengese: Evropën. Evropa nuk e pranon këtë stil. Në Evropë politikanët bëjnë ligje, të pasurit bëjnë parà. Ky parim është një nga të vetmit të cilin Evropa nuk e ka shkelur ende. Dhe prandaj mbetet një vend i jetueshëm dhe plot hapësirë, sepse nën diellin e saj të gjithë ngrohen nga pak. Edhe të pasurit, edhe të varfërit. Politikanët arbitrojnë, me radhë, interesat dhe antagonizmin e secilës palë.
Shqipëria nuk e pëlqen këtë model. Ajo po kthehet çdo ditë e më shumë në një vend që nuk i pranon të varfërit, por vetëm të pasurit. Politikanët pa dyshim, janë me të pasurit dhe, në disa raste, janë vetë ata. Kjo tendencë do ekzagjerohet shumë në të ardhmen. Binjakëzimi mes elitës politike dhe asaj financiare do të përsoset. Ndërvarësia, po ashtu.
Në kushtet kur Evropa do duket më larg, klasa politike do jetë edhe më e varur tek elita financiare, e cila nuk ka arsye të shtyjë përpara reformat dhe të ndryshojë mënyrën e administrimit të vendit. Por edhe kur reformat do të jenë të pashmangshme elita financiare do t’i dezinjojë ato sipas interesit të vet. Është pothuajse e pamundur sot që paketa të rëndësishme ligjore, ose nivele të caktuara taksash dhe kufizimesh, të mos lobohen dhe të ndikohen nga të pasurit. Kjo mënyrë administrimi që është kthyer në traditë e ka pasuruar, mjaftueshëm, elitën financiare.
Por, në njëzet vjet, nga korrupsioni, deformimi i drejtësisë, mungesa e konkurrencës së lirë, shkalla e ulët e arsimimit të punëtorëve dhe dekurajimi i investimeve të huaja, kanë fituar të dyja palët. Edhe elita financiare, edhe ajo politike. Njëra ka fituar konsumatorë dhe, tjetra, votues. Prandaj çdo reformë do vazhdojë të kundërshtohet nga klasa e biznesit me përjashtim të atyre pak reformave që nuk prekin atë, por kryesisht klasën e varfër të punëtorëve dhe shtresën e mesme që punon dhe do punojë për ta, siç edhe ndodhi me ndryshimet e fundit fiskale. Taksat direkte për të varfërit u ulën, por taksat indirekte për ta u rritën, ndërsa për të pasurit u rrit taksa mbi xhiron, por taksat mbi fitimin nuk ndryshuan. Në çdo rast, barra e rritjes së taksave indirekt i shkon atyre që blejnë, pra të varfërve.
Paniku i elitës financiare, momentalisht, vjen vetëm nga pasiguria e ndryshimit të administratës, për shkak të zgjedhjeve të vitit 2013, por jo nga ndryshimi i metodës së administrimit ç’ka ndoshta nuk do ndryshojë edhe për shumë vjet. Ndoshta edhe për dhjetë-njëzet vjet. Pasi të kalojë vala e parë e panikut nga ndryshimi i pushtetit, të pasurit, shumë shpejt do kthehen në izolatrikë aktivë. Ata do financojnë izolimin, sepse afrimi me Evropën i varfëron. Klasa politike do pajtohet dhe do ta shijojë këtë gjendje, duke e shitur refuzimin për pezullim, e bindur se afrimi me Evropën e fut në rrugën e panjohur të ndëshkimit dhe humbjes së pushtetit për shkak të reformave të thella. Ky mendim do të bashkojë shumë shpejt pushtetin dhe opozitën në Shqipëri, sepse të dyja kanë të njëjtin aleat dhe të njëjtin burim financimi: elitën e investitorëve vendas e cila, gradualisht, po kthehet në elitë politike.
Pas disa vitesh të dyja nuk do kenë më kufij, siç po bëhet çdo ditë e më e vërtetë në parlamentin e vendit. Nga një parlament në tjetrin numri i investitorëve dhe të pasurve shtohet. Administrimi politik do të vazhdojë të jetë një vendim i të pasurve, ç’ka do t’i kushtojë Shqipërisë në njëzet deri tridhjetë vitet e ardhshme, sepse fuqia dhe çelësi për të bërë pasuri do trashëgohet nga prindërit tek bijtë.
Duke ruajtur feudet politike që japin aq vota sa duhet për të qenë në pushtet, ose për të patur pushtetin e opozitës, klasa politike do largohet edhe më shumë nga metoda evropiane e lidershipit duke shfrytëzuar, me efikasitet frytet e izolimit. Nëse në Evropën e dy dekadave më parë liderët e vendeve të vogla ishin sidoqoftë të zëshëm, karizmatikë dhe të njohur, sot Evropa e vendeve të vogla nuk prodhon më lajm. Shumica e njerëzve në Evropë nuk e dinë më kush është kryeministri i Finlandës, Sllovakisë, Çekisë, Norvegjisë ose Lituanisë. Në Bashkimin e 28 shteteve lajm bën Kancelarja e Gjermanisë dhe, më pak, Presidenti i Francës, ose Kryeministri i Britanisë së Madhe. Nën dominimin gjerman, pra nën Evropën gjermanocentriste që po krijohet, klasat politike lokale jo vetëm po relativizohen, por më keq se kaq, po teknokratizohen, siç ndodhi me dy qeveritë e fundit italiane. Kjo është Evropa që do donte Gjermania dhe, për disa dekada, kjo do jetë Evropa që do kemi. Sigurisht, klasës politike shqiptare ky model nuk do t’i pëlqente dhe ajo do bëjë gjithshka për ta refuzuar dhe do ta bëjë me shumë këmbëngulje. Autonomia është dhe do jetë forca e saj.
Dhe autonomia lind nga izolimi. Ja po jap një shembull që të kuptohem.
Shqipëria ka parashikuar të marrë 1 miliard dollarë borxh publik gjate vitit 2014. Nëse hipotetikisht Shqipëria do ishte anëtare e BE-së, kjo do ishte e pamundur. Evropa me insistimin gjerman ka përcaktuar limit për borxhin publik dhe, natyrisht, edhe për defiçitin. Ja pra një frut i pastër i autonomisë politike që lind nga izolimi, tendencë e cila do vazhdojë, sepse në vitet që vijnë shija e tij do jetë edhe më e ëmbël për elitën politike dhe atë financiare.
Edhe sikur tendenca që përshkrova më lart të realizohet vetëm pjesërisht, sërish Shqipëria do varfërohet në vitet që vijnë, duke i shkuar deri në fund ciklit të krizës në të cilën ka hyrë. Për pasojë, entuziazmi për një vend të begatë, të arsimuar dhe ekonomikisht të qëndrueshëm do të ulet. Efekti i dobësimit të ekonomisë mbi lindjet dhe rritjen e popullsisë është i drejtpërdrejtë, sepse nuk ka asgjë që ndikon më shumë mbi nevojën për të shtuar familjet sesa lumturia, që në rastin e popujve të vegjël lidhet me ekonominë dhe erën që fryn nga habitati ku jeton. Habitati ynë, ose Evropa në përgjithësi, do jetë një kontinent më i plakur dhe më i demotivuar në njëqind vitet që vijnë. Shqipëria është si një fshat që jeton në mes të qyteteve të mëdha. Pak a shumë ky është pozicioni gjeografik i Shqipërisë në mes të Italisë, Turqisë, Francës dhe Gjermanisë, të cilat janë vetëm një orë fluturimi larg. Nëse qytetet kanë nevojë për punë, fshati i furnizon duke eksportuar fuqi punëtore. Nuk e përjashtoj që, përveç rënies së lindshmërisë, një faktor që do ndikojë në uljen e popullsisë në Shqipëri do të jetë edhe emigracioni legal. Anëtarësimi në Evropë do bëjë të mundur atë që sot po ndodh në Bullgari dhe Rumani, ku krahu i punës po zhvendoset me shpejtësi duke përfituar nga liberalizmi i tregut të punës me vendet e Bashkimit Evropian. Çdo ditë, me qindra mjekë, infermierë, inxhinjerë, artistë, ekonomistë, zanatçinj dhe punëtorë krahu largohen për të punuar në Evropën Perëndimore. A ndikon ky eksod truri dhe krahu që Rumania dhe Bullgaria të varfërohen? Unë them se po. Përkohësisht eksodet e punës zgjidhin problemet e papunësisë, të pasigurisë dhe të kriminalitetit, por në një vështrim afatgjatë ato i varfërojnë vendet e tyre. Siç ka ndodhur edhe me Shqipërinë në njëzet vitet e fundit.
Emigracioni masiv e ndihmoi Shqipërinë të mbijetonte, duke i siguruar të ardhura të cilat ajo s’mund t’ua siguronte qytetarëve të vet. Por, sot, emigracioni që pësuam për njëzet vjet nuk është më një ilaç. Në fakt është një plagë. Shqiptarët e varfër jetojnë më keq, shqiptarët e pasur janë pakësuar, tregu është më i vogël, burimet e ekonomisë nuk shfrytëzohen siç duhet dhe papunësia sërish nuk është ulur. Përkundrazi, ka ardhur duke u rritur nga viti në vit. Duke marrë të mirëqenë që, pavarësisht nga vonesat në procesin e integrimit Shqipëria, në të paktën dy dekada do jetë pjesë e Bashkimit Evropian, mund të parashikohet lehtësisht se evropianizimi i Shqipërisë do ketë kostot e veta, njëra prej të cilave do të jetë zvogëlimi i popullsisë, që do të ndodhë për dy arsye: e para, ulja e lindjeve dhe e dyta, braktisja. Të dyja shkaqet kanë një pasojë: pakësimin e numrit të shqiptarëve që do jetojnë në Shqipëri.