Shqipëria nën ujë

Ndërsa përmbytjet e kohëve të fundit janë një dukuri e natyrës, reflektimi i Leviathianit shqiptar, që ose ka munguar, ose ka qenë aq i dobët sa nuk ka mundur ta ndryshojë shumë jetën e njerëzve në ‘gjendjen primitive’ është i vlefshëm dhe i domosdoshëm

0

Gjysma e Shqipërisë ka përfunduar … nën ujë. Për herë të parë në këtë çerek shekulli gjysma nën ujë është Shqipëria e Jugut. Pjesa e Shqipërisë që përmbytet zakonisht është në veri. Të paktën kështu ka ndodhur gjatë më shumë se dy dekadave.

Disa dhjetëra mijëra banorë në veri, përfshirë edhe Shkodrën, pothuajse çdo vit, çdo dimër, jetojnë pothuajse me frikë nga reshjet që mund t’i përmbytin. Mirëpo nëse në veri mungojnë reshjet, jo vetëm disa dhjetëra mijëra, por të gjithë banorët e republikës jetojnë me frikën e mungesës së energjisë. Kështu ka mbretëruar një gjendje pothuajse natyrore e ngjashme me “gjendjen primitive” (“state of nature”) nëse do të përdornim konceptin themelor të Thomas Hobsit.

Për Hobsin, që ishte një njeri që u lind bashkë me frikën, gjendja natyrore e njerëzimit është ajo që ekziston nëse nuk do të kishte qeveri, qytetërim, ligje. Jeta në “gjendjen primitive” thotë Hobsi është “e keqe, shtazarake dhe e shkurtër”.

Me qëllim për t’iu shmangur gjendjes natyrore ku jeta është keqe, shtazarake dhe e shkurtër, Hobsi propozon krijimin e Leviathianit, që në fakt është një metaforë e shtetit, pra, propozon krijimin e shtetit. Ndërsa përmbytjet e kohëve të fundit janë një dukuri e natyrës, reflektimi i Leviathianit shqiptar, që ose ka munguar, ose ka qenë aq i dobët sa nuk ka mundur ta ndryshojë shumë jetën e njerëzve në “gjendjen primitive” është i vlefshëm dhe i domosdoshëm.

Përmbytjet u kthyen këtë vit me shumë egërsi, duke përmbytur një pjesë të madhe të Shqipërisë Jugore. Fatmirësisht nuk janë raportuar raste vdekjesh. Kurse humbjet e gjësë së gjallë, dëmtimet e shtëpive dhe tokave bujqësore janë gjithsesi shumë të mëdha.
Ndryshe nga vitet e kaluara, kur Shqipëria Veriore zinte lajmet kryesore për përmbytjet, në këtë vit dëme të mëdha janë shkaktuar në rajonet jugperëndimore. Ajo pjesë e vendit nuk ishte mësuar me kësi lloj përmbytjesh dhe është kapur e papërgatitur.

Një pjesë e kësaj historie buron nga ndryshimet klimaterike dhe forcat e verbra të natyrës, siç janë shirat e rrëmbyeshme. Megjithatë, në rastin e Shqipërisë duhej fajësuar edhe faktorët njerëzorë. Në Shqipërinë paskomuniste, në mungesë të rregullave, mungesa e zbatimit të ligjit dhe lëvizjet masive demografike kanë bërë që njerëzit t’i ndërtojnë shtëpitë dhe bizneset në zona që përmbyten. Infrastruktura kundër përmbytjeve, e ndërtuar në kohën e komunizmit, është e pa mirëmbajtur ose është shkatërruar qëllimisht. Bumi i ndërtimeve në periudhën paskomuniste u mbështet me lëndë të para që merreshin nga basenet e lumenjve, që e dëmtoi akoma më shumë gjendjen e tyre natyrore për të përballuar përmbytjet. Si rezultat, përmbytjet tani shkaktojnë më shumë dëme se sa tridhjetë vjet më parë.

Përveç se një histori njerëzore, përmbytjesh janë edhe një fatkeqësi ekonomike. Pasojat e dëmeve ekonomike do të jenë të shumta. Shqipëria është një vend malor dhe fatkeqësisht shumica e njerëzve jetojnë në rrjedhat e lumenjve, atje ku ndodhin përmbytje. Zonat e përmbytura janë edhe toka me vlera bujqësore dhe blegtorale dhe llogaritja e plotë e dëmeve financiare do të bëhet e njohur vetëm pas disa javësh. Duke gjykuar mbi dëmet që ne shohim tani, ekspertët thonë se këto dëme do të ndikojnë në uljen e përqindjes të rritjes ekonomike të vendit, ashtu siç ndodhi me vendet tona fqinje, Serbinë dhe Bosnjën vitin e kaluar.

Autoritetet duhet të tregohen të kujdesshme në vlerësimin e humbjeve ekonomike dhe dëmet në infrastrukturë dhe të kërkojnë ndihmë e BE-së për të zbutur dëmet, ashtu siç kërkoi Serbia dhe mori ndihma pas dëmtimeve shkatërrimtare nga përmbytjet në vitin e kaluar.

Këtë javë nga përmbytjet duhen paguar dy fatura — pagesa e menjëhershme e faturave për pagesat e situatës së jashtëzakonshme dhe një faturë afatgjatë për të mbuluar dëmet në infrastrukturë, si dhe në shtëpitë e njerëzve.

Qeveria ka premtuar t’i paguajë dëmet, por shpesh programe të tilla kompensimi nuk funksionojnë plotësisht për ata që duhet të përfitojnë dhe një qeveri që ka një borxh të madh publik, e ka të vështirë për të mbuluar shpenzimet. Ndaj duhen krijuar sisteme më të mira – -si sigurimet në rastin e përmbytjeve dhe fatkeqësive të tjera natyrore — që t’i trajtojnë këto fatkeqësi.

Ndërsa përmbytjet vazhdojnë, nevojitet edhe një solidaritet më i madh që i bashkon shqiptarët dhe i ndihmon viktimat e përmbytjeve, si dhe punonjës të emergjencave që punojnë në zonat e përmbytura.

Politika duhet të zërë vendin e duhur kur vjen puna për fatkeqësi të tilla. Është më mirë që në raste urgjencash kombëtare si përmbytjet, vendin e debateve politike duhet ta zërë bashkëpunimi. Përndryshe tregohesh dritëshkurtër.

Ajo që duhet të bëjnë politikanët dhe ekspertët është të përqendrohen për të zbatuar planet afatmesme dhe afatgjata për të ndryshuar elementët e shkaktuara nga njerëzit në dëmet e përmbytjeve dhe pastaj të veprojnë sipas planeve.

Ekspertët, për shëmbull, kërkojnë zhvendosjen e fshatrave të tëra, sepse ata janë ndërtuar në zona që janë pre e përmbytjeve.

Si përfundim, megjithëse përmbytjet e kohëve të fundit janë qartësisht një tekë e fortë e natyrës që mund të mos parandalohej dot as nga shtete më të përgatitura, Shqipëria duhet të bëjë më shumë për të mbrojtur veten nga kjo dhe fatkeqësi të tjera natyrore.

SHPËRNDAJE