Të rikthesh plotësisht sundimin e ligjit

0

Andi Balla

Nisma e qeverisë për të ngulitur ndjenjën e ligjit dhe rregullit në shoqëri duhet përshëndetur, por qeveria duhet ta bëjë procesin të pakthyeshëm dhe të ekuilibruar nëse do të fitojë besimin e popullit dhe t’i bëjë ndryshimet të qëndrueshme

 

Nëse ju ka ndodhur të hidhni sytë nga ekrani i ndonjë televizioni shqiptar këto javët e fundit, me siguri keni vënë re shkatërrime të vazhdueshme ndërtimesh. Nëse jetoni në Tiranë, ndoshta jeni ndeshur me ndonjë kapicë të madhe rrënojash aty pranë jush. Po ashtu ka pasur edhe dhjetëra arrestime dhe qindra ndërprerje te energjisë, pasi autoritetet po lëvizin për t’i ndëshkuar ata që vjedhin energjinë elektrike, një problem ky mjaft i përhapur në Shqipërinë paskomuniste.

 

Këto janë shenjat më të dukshme të asaj që qeveria e quan si një veprim në tre drejtime për të vendosur rendin e plotë ligjor në Shqipëri – administrimi duhur i territorit, dhënia fund e vjedhjeve të energjisë elektrike dhe masa më të rrepta ndaj drejtuesve të automjeteve në vend. Këto lëvizje vijnë edhe pasi qeveria zbatoi reforma të rëndësishme për të ndaluar pirjen e duhanit në mjediset e brendshme publike dhe për të frenuar ato që quheshin ‘piramidat e arsimit’ – universitetet private që lëshonin diploma për të cilat ekspertët e qeverisë thanë se kishin më pak vlerë se sa letra mbi të cilën ishin shtypur.

 

Le të jemi të qartë në një pikë: Vendosja e rendit dhe ligjit dhe zbatimi i rregullave me rreptësi është pikërisht ilaçi që i duhet Shqipërisë për t’u modernizuar në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. Qeveria duket se është nisur drejt kësaj rruge për të ngulitur ndjenjën e ligjit dhe rregullit në shoqëri dhe synimet e saj duhen përshëndetur. Por me qëllim që të arrihet suksesi, duhet që ky proces të jetë i pakthyeshëm dhe i ekuilibruar, nëse ajo dëshiron të fitojë besimin e popullit dhe t’i bëjë ndryshimet të qëndrueshme.

 

Qeveria dhe populli shqiptar duhet t’i pranojnë dhimbjet afatshkurtra dhe kostot politike që lidhen me to për të fituar një çmim më të madh në këtë rrugë – ndryshimin e kulturës së rendit ligjor në këtë vend.

 

Pjesë e dhimbjeve afatshkurtra janë humbja e vendeve të punës, si rezultat i prishjes së ndërtimeve pa leje apo prerjeve të energjisë elektrike për shumë biznese të vogla. Megjithatë, me kalimin e kohës, do të ketë më shumë vende pune dhe një klimë më të mirë biznesi, të çliruar nga konkurrenca e pandershme ku të gjithë paguajnë energjinë dhe marrin lejet e duhura për aktivitetet e tyre. Kjo do të çojë edhe në investime më serioze në të ardhmen.

 

Në përgjithësi, në Shqipëri gjithçka do të jetë më mirë nëse vendi krijon një kulturë dhe një imazh të një shteti që funksionon dhe bazohet mbi sundimin e ligjit. Për shembull, në rastin e ndalimit të pirjes së duhanit dhe të reformës arsimore, një brez i tërë shqiptarësh do të rriten më të shëndetshëm dhe të arsimuar më mirë.

 

Por qeveria duhet të jetë shumë e kujdesshme për t’u garantuar se zbatimi i ligjit është në vazhdimësi dhe i pakthyeshëm. Fushatat e mëparshme për t’u vënë fre kompanive të kumarit dhe përdorimit të furgonëve taksi pa licence pati rezultate të përziera. Dhe ndërsa në ditët e para pothuajse nuk pati njësi kumari dhe furgonash në operim, shumë prej tyre tani kanë filluar përsëri nga puna edhe pse jo të gjithë i plotësojnë kërkesat ligjore. Pirja e duhanit duket sikur tani po zbatohet në një farë mase, por njoftimet sa vinë e rriten se kjo gjë po shkelet në zonat rurale dhe rrethinat e qyteteve ku edhe vëzhgimi nga autoritetet është më i vogël.

 

Megjithatë, nga ana tjetër e ekuacionit ka mjaft probleme të dukshme lidhur me zbatimin e ligjit. Në media janë dhënë shumë shembuj të ekzagjerimit, të veprimeve arbitrare dhe mungesës së zbatimit të ligjit në mënyrë të njëllojtë për të gjithë.

 

Forca e ligjit duhet të veprojë njëlloj për të gjithë dhe rregullat nuk duhen mbajtur të hapura ndaj interpretimeve, se përndryshe këto fushata me qëllime të mira përfundimisht do të përfundojnë pa sukses për shkak të mungesës së besimit te autoritetet nga populli në përgjithësi.

 

Le të sjellim një shembull: Në rrugët e Tiranës shihet qartësisht se njësia shtetërore e ngarkuar me prishjet, INUK, duket se ka prishur dyqane dhe bare në mënyrë jo-uniformë, duke i lënë disa të vazhdojnë të zënë hapësirat publike dhe trotuaret, ndërsa të tjerë që janë ndërtuar tërësisht mbi pronë private janë shkatërruar. Kjo natyrisht i ka bërë njerëzit të dyshojnë se autoritetet kanë qenë selektivë, duke mbrojtur pronën e disave dhe përdorur gjithë forcën e ligjit ndaj pjesës tjetër. Nëse kjo gjë është e vërtetë dhe përsëritet kudo, atëherë ky lloj aksioni do të çojë në një lloj revolte jo vetëm ndaj partive në pushtet, por edhe ndaj shtetit, gjë që rrezikon të minojë vetë synimet pozitive të fushatës ligjzbatuese.

 

Një mungesë e ngjashme gjykimi, sipas metodës ‘bjeri-t’i biem’ po ndodh edhe në rrugët e vendit. Ka plot dëshmi që shoferët kërcënohen nga policia me heqjen e patentës kur nuk kanë kutinë e ndihmës së shpejtë, e përcaktuar me një klauzolë ligji të vitit 1998, që pak kush e dinte deri sa filluan të vihen gjobat. Kërcënimi me heqjen e patentës është arbitrar dhe nuk bazohet në ligj, por gjobat janë të caktuara në ligj. Kështu, pa paralajmërim, qindra shoferë e pësuan dhe tashmë presin në radhë të paguajnë gjoba që shkojnë tek 10,000 lek për një kuti mjekësore që kushton 600 lek në një farmaci. Shumë shpejt, shoferët e frikësuar filluan të blejnë masivisht këto kuti, por edhe jelekë fosforishentë, pavarësisht se policia u detyrua të deklarojë në televizor që jelekët nuk kërkohen nga ligji. Përsëri filluan thashethemet se tregtarët që i kishin magazinat plotë me këto mjete ishin të përfituarit e rradhës.

 

Po kështu, ndërkohë që policët rrugorë janë të zënë duke gërrmuar për kuti me jod a fasho, çdo këmbësor në Tiranë detyrohet të ecë në mes të rrugës sepse policia vazhdon të lejojë parkimin e makinave në trotuare.

 

Qeveria duket qartë se po kërkon të vendosë standarde të ndryshme, më të larta për shqiptarët, çka është një gjë pozitive, por nëse ka shenja të një zbatimi selektiv dhe të papërshtatshëm të ligjit, i gjithë qëllimi i fushatë do të dështojë. Pra, qeveria duhet përshëndetur lidhur me synimin për të sjellë ndryshime shoqërore, kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit, por objektivi i saj duhet t’i futet problemit me rrënjë që të këtë sukses dhe jo thjesht sa për dukje.

SHPËRNDAJE