Miti dhe Historia e Shqipërisë – me një fokus mbi Luftën e Dytë Botërore

0

Bernd J. Fischer 

Ndoshta duhet të nisim një diskutim mbi mitin dhe historinë e Shqipërisë me një përcaktim të përgjithshëm. Studiuesi britanik Xhorxh Shopflin (George Schopflin), që ka punuar intensivisht për këtë temë, ka argumentuar se në kuptimin më të thjeshtë mitet janë rrëfime, imagjinare, mjaft metafizike dhe simbolike, të riprodhuara si një tërësi referimesh të përbashkëta nga pjesëtarët e një grupi me qëllim që të përcaktojnë karakteristikat e grupit dhe të shënojnë kufijtë e atij grupi. Duket qartë se përmbajtja, e vërteta apo faktet janë dytësore në përdorimin aktual të mitit si një mjet për ndërtimin e identitetit. Këto janë rrëfenja të shenjta që mishërojnë pasqyrime të idealizuara të një të kaluare, të tashmeje dhe të ardhmeje kolektive.

Natyrisht dihet që ato i kanë të gjitha vendet dhe ne në Shtetet e Bashkuara natyrisht që nuk jemi të imunizuar. Nëse më lejoni të shpreh një mendim personal, unë kohët e fundit u bëra qytetar i Shteteve të Bashkuara (megjithëse kam jetuar atje pesëdhjetë vjet) dhe m’u kërkua të kaloja provimin e shtetësisë, duke lexuar një libër. Libri ishte një histori e SHBA-së me 100 faqe, që përfshinte shumicën e miteve të lidhura me krijimin e Shteteve të Bashkuara dhe rolin e tyre në botë që prej krijimit. Faqet që lexova ishin mbushur me përralla mbi heronjtë amerikanë dhe Shtetet e Bashkuara si shpëtimtare dhe fuqi globale për stabilitet. Askund nuk gjeta ide të tilla subversive si ideja që shtetet veprojnë sipas interesave të tyre vetjake. Ai kishte edhe disa gabime trashanike. Megjithatë unë e kuptova se ajo që po më prezantohej nuk ishte një përpjekje për të dhënë një vështrim të shkurtër, objektiv të historisë amerikane. Përkundrazi, libri dukej qartë se ishte pjesë e një procesi shoqërizimi. Synimi ishte krijimi i qytetarëve të devotshëm. Jo domosdoshmërisht qytetarë të arsimuar mirë, por qytetarë të devotshëm.

Ja, pra, ne të gjithë jemi subjekt të miteve dhe ato mbeten mjaft të përhapura për shumë arsye, disa të qarta dhe disa më pak të qarta. Ato duket sheshit se i shërbejnë një qëllimi të caktuar. Mitet sigurojnë kohezionin shoqëror, ato janë një mjet i zgjedhur për ata që dëshirojnë t’i thjeshtëzojnë realitetet komplekse me qëllim që të kontrollojnë veprimet e një grupi. Ato janë instrumente pushteti, të shpikura, të zgjedhura, të përkrahura dhe të caktuara nga elitat, që shpresojnë t’i përdorin për të bashkuar individët me grupin me an1n e lidhjeve emocionale. Qëllimi është krijimi i mburrjes me përkatësinë dhe kundërshtimi i të jashtmit, “i tjetrit”, që është i përcaktuar mjaft qartë. Në këtë botë të pastruar rrallë ka vend për mendimin ndryshe. Me anën e përdorimit të mitit elitat legjitimojnë pabarazitë me privilegjet dhe statusin. Pra, mitet krijojnë një identitet kolektiv, por shërbejnë edhe si justifikim dhe shenjtërim të rregullave dhe udhëheqjes ekzistuese.

Po a janë mitet e Shqipërisë të ndryshme nga ato të të tjerëve apo të paktën nga ato në vendet e Ballkanit? Në një kuptim të përgjithshëm nuk janë vërtet – ata janë të paktën të ngjashme me mjaft mite standarde sidomos të Europës Qendrore dhe Lindore. Schopflin ka identifikuar tetë mite të përgjithshme, mjaft të ngjashme e të lidhura ngushtë, përfshi:

  1. Mitet e territorit, me të cilin bëhen përpjekje t’i jepet përgjigje pyetjes se kujt i përket ai. Kjo natyrisht që është një çështje kritike për Ballkanin në përgjithësi, për shkak se administrimit fetar otoman, që e ndërlikoi dhe vazhdon ta ndërlikojë krijimin e kufijve të drejtë etnikë.
  2. Mitet e vuajtjes dhe shpëtimit.
  3.  Mitet e trajtimit të padrejtë, që natyrisht i drejtohen kulturës së viktimizimit, që është përsëri një tipar i përhapur i peizazhit historik ballkanik.
  4.  Mitet, dikur hyjnore, por jo profane, të zgjedhjes në lidhje me epërsinë morale.
  5. Mitet e trimërisë ushtarake, sidomos të lëvizjeve luftarake, një temë që do të shtjellohet më tej më poshtë.
  6. Mitet e themelimit, që përcaktojnë kush ishte atje i pari.
  7. Mitet e etnogjenezës dhe antikitetit.
  8. Mitet e farefisnisë dhe prejardhjes së përbashkët.

Natyrisht që ka edhe të tjera, por këto ndoshta janë më të përhapura.

Fjala mit është bota e heronjve ahe e antiheronjve apo armiqtë, që në Shqipëri, siç na thotë Fatos Lubonja, lidhen kryesisht me katër momente kryesore: luftërat ilire, Skënderbeun, Rilindjen Shqiptare dhe luftën partizane. Secili kishte heronjtë e vet, që u bënë personazhet kryesore të veprave letrare dhe artistike, ku më të shquarit janë Skënderbeu dhe Hoxha. Armiqtë ndryshojnë që nga romakët, te turqit, serbët, grekët dhe pastaj nazistët dhe bashkëpunëtorët e tyre. Bota e errët e armiqve përfshinte edhe fenë dhe pasuesit e saj, sidomos katolikët. Nacionalistët e shohin fenë si përçarëse, ndaj mbrojnë idenë se feja e shqiptarit është shqiptaria, kurse komunistët e shihnin fenë si përfaqësuese të botës së vjetër konservatore. Lidhur me këtë karakteristikë, Shqipëria në një farë mënyre është unike në Ballkan për shkak të përbërjes multi-fetare.

Megjithëse edhe të tjerët, natyrisht, që kanë dhënë kontributin e tyre, unë do të argumentoj se komunistët ishin shpikësit më të mëdhenj të miteve në Shqipëri. Krijimi i mitit ishte pjesa thelbësore e projektit totalitar – nëse kjo gjë vihet në diskutim atëherë je armik i popullit. Në botën e Hoxhës, izolimi i jashtëm dhe totalitarizmi i brendshëm ishin të dyja një strategji politike për të bashkuar grupet e brendshme divergjente me qëllim që të krijohej uniteti kombëtar. Mitet tradicionale të shekullit të nëntëmbëdhjetë u standardizuan dhe u transformuan, por u shtua edhe krijimi i një miti të ri, miti i luftës partizane.

Metoda kryesore e popullarizimit të këtyre miteve ishte me anën e teksteve, një proces që u ndihmua shumë nga zhdukja e analfabetizmit në vitet 1950 dhe 1960. Në këtë mënyrë mitet u standardizuan dhe u përhapën gjerësisht me shpejtësi. Në një botë normale këto mite do të kishin rënë pre e historianëve modernë, që përpiqen të gjejnë kuptimin shkencor, racional apo linear, apo të vërtetën, nëse një gjë e tillë ekziston. Por në botën e Hoxhës ky problem potencial u trajtua përfundimisht me kujdes nga frika e sigurimit të shtetit dhe dënimeve që mund të jepeshin. Krijuesit e miteve gjendeshin shpesh në momente të sikletshme, kur figura kryesore, si Mehmet Shehu, spastroheshin nga regjimi. Por regjimi totalitar lejonte shkatërrimin e shpejtë të teksteve të vjetra dhe prodhimin e shpejtë të teksteve të reja.

Pra, lufta, lufta në Shqipëri, u bë jo vetëm themeli, por edhe miti themelor për shtetin e Enver Hoxhës dhe vazhdon të ketë një mbështetje të fortë në shumë drejtime të botës shqiptare bashkëkohore. Zor se ka një ngjarje që ka dominuar kaq shumë psikikën kombëtare për një periudhë kaq të gjatë kohe, sidomos kur edhe fqinjët e Shqipërisë përjetuan shumë nga shembuj të njëjtë bashkëpunimi, rezistence dhe vuajtjesh.

Përvoja e kohës së luftës e futi forcërisht Shqipërinë në kontakt me grupe të ndryshme të të huajve, me idetë dhe armët e tyre. Por ndërsa shqiptarët u ekspozuan ndaj botës së jashtme ndoshta si kurrë më parë, përvoja e luftës ndihmoi edhe për përforcuar dyshimet nga ngatërresat e të huajve, një ide që u fuqizua dhe u shfrytëzua nga regjimi komunist i Hoxhës në periudhën e pasluftës. Enver Hoxha konstatoi se përvoja e Shqipërisë gjatë luftës ishte një nga mjetet e tij më të dobishme për të arritur objektivat e tij hera-herës të zhurmshme. Lufta u përdor nga Hoxha edhe për legjitimimin dhe ruajtjen e pushtetit të bazuar në një ideologji deri diku të huaj për një pjesë të mirë të shqiptarëve. Hoxha arriti në përfundimin se qëllimet mund të arriheshin vetëm me anën e shtrirjes së luftës së mëparshme duke krijuar mendësinë e gjendjes në rrethim apo si garnizon ushtarak, duke e vënë theksin te rreziqet e vazhdueshme dhe në rritje nga të huajt.

Lufta, pra, krijoi Hoxhën dhe lëvizjen e tij dhe do të ndikonte shumë për t’i mbajtur të dy si një mit themelor, parësor. Lufta do të bëhej një nga pikat qendrore për pjesën më të madhe të kulturës shqiptare të pasluftës dhe përfundimisht do të kishte një ndikim të thellë turbullues. Shkrimtarët e përdorën luftën si një temë kryesore të shumë prej veprave të tyre: arti, drama, filmi, muzika dhe natyrisht edukimi – tekstet shkollore, historitë tradicionale, madje edhe letërsia për fëmijë nuk u lejuan kurrë të shkëputeshin plotësisht nga lufta antifashiste.

Roli i historianëve komunistë në këtë proces ishte mjaft i qartë. Mitet ekzistonin me paqartësi dhe ishte detyra e historianëve ta shtonin suksesin e mitit duke i hequr paqartësitë e nevojshme, për ta bërë sa më të thjeshtë dhe të qartë. Akademikët komunistë, që shpesh ishin historianë shumë të mirë, por që nuk e shkruanin gjithmonë mirë historinë, e përfshinë luftën brenda ideologjisë, që mund të quhej marksizëm-nacionalizëm, por e një lloji jo-tradicional, nëse dikush ka mendimin se nacionalizmi tradicional ballkanik përfshin edhe irredentizmin.

Natyrisht, kishte shumë tema të kohës së luftës që kërkonin një farë pastrimi dhe shumica e tyre janë të lidhura. Le të shohim shkurtimisht disa që më vijnë mua ndër mend. Para së gjithash është tema kryesore e rolit të Hoxhës dhe i partizanëve për rezistencën dhe pastaj për dëbimin e pushtuesve. Rezistenca është më e hershme – madje edhe para formimit të partisë. Kjo është një temë tradicionale e komunistëve në Europë, që akoma acarohen nga akuza se rezistenca nuk ekzistonte deri para fillimit të sulmit kundër Rusisë. Çka është më e rëndësishme, nuk duhej vënë në diskutim se gjermanët u tërhoqën nga Shqipëria pikërisht si rezultat i ngjarjeve diku gjetkë, megjithëse kjo natyrisht që është e vërtetë. Partizanët rrallë ishin të aftë të mbanin pozicione të caktuara, nëse këto pozicione rrezikonin linjat gjermane të komunikimit apo sigurinë e gjermanëve në përgjithësi.

Por ky, natyrisht që nuk ishte një interpretim i pranueshëm, ndaj u krijua një më i thjeshtë dhe më i qartë, që përmbante atë që mund të quhet vetëm një ekzagjerim i habitshëm. Partizanët, që siç na kanë treguar, ishin të gjithë luftëtarë të talentuar, i mundën gjermanët dhe i përzunë nga Shqipëria. Më tej na thuhet se “çdo partizan ishte një qitës i shkëlqyer” dhe se “ushtria jonë nacionalçlirimtare ishte në gjendje, vetëm duke u mbështetur në forcat e veta, të çlironte të gjithë vendin nga pushtuesit italianë dhe gjermanë dhe nga sundimi i klasave shfrytëzuese, që e kishin vënë veten në shërbim të pushtuesit të huaj.” Kjo ishte e thjeshtë dhe e qartë dhe mbi të gjitha e dobishme.

Një temë tjetër kryesore, e lidhur shumë me temën e mësipërme, lidhej me natyrën e luftës në gjirin e shqiptarëve. Gjatë luftës, në komunikatat e forcave aleate dhe të boshtit, lufta konsiderohej si luftë civile – luftë midis partizanëve, nga njëra anë dhe Ballit Kombëtar, zogistëve dhe bajraktarëve të pavarur, nga ana tjetër. Me të mbaruar lufta, historianët komunistë duhej të krijonin një formulë tjetër, meqenëse koncepti i luftës civile tregonte të paktën një element të barazisë proporcionale dhe në një farë mënyre i legjitimonte të dyja palët. Kjo natyrisht që ishte e papranueshme, ndaj të gjithë ata që iu kundërvunë partizanëve u quajtën tradhtarë, qoftë kur kishin bashkëpunuar apo nuk kishin bashkëpunuar me forcat e boshtit.

Po ashtu, kishte rëndësi që të gjitha fitoret e partizanëve të ishin arritur vetëm nga partizanët – “Ushtria jonë nacionalçlirimtare, e mbështetur vetëm në forcat e veta…”, etj. Kjo natyrisht që vlente shumë për të legjitimuar regjimin dhe bëhej akoma më e rëndësishme menjëherë pasi marrëdhëniet me aleatët e dikurshëm nisën të prishen. Kjo prishje fillimisht u bë me britanikët, ndaj dhe roli  tyre për furnizimin e partizanëve me materiale lufte duhej minimizuar. Partizanët kishin fituar vetë. Kjo duhej të ishte e vërtetë edhe në lidhje me jugosllavët, sidomos pas prishjes sovjeto-jugosllave më 1948. Megjithëse në lidhje me jugosllavët kishte një sërë çështjesh të rëndësishme, një nga më të rëndësishmet ishte roli i jugosllavëve në themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare. Që jugosllavët luajtën një rol shumë aktiv, kjo është e qartë, por papërshtatshme. Në shumicën e rasteve, historiografia komuniste shqiptare në përgjithësi nuk arrin t’i përmendë jugosllavët apo edhe kur përmenden, ata përshkruhen si gangsterë dhe që i fusnin hundët kudo, duke ia dhënë të gjitha meritat Hoxhës de udhëheqjes shqiptare, që u nxitën për veprim nga nevoja për të kundërshtuar italianët dhe nga pushtimi gjerman i Bashkimit Sovjetik. Ndërsa spastrimi i partizanëve të vjetër u bë një gjë e zakonshme, Hoxha përvetësonte sukseset e atyre që spastronte.

Roli i gjermanëve ka çuar natyrisht edhe në ngritjen e një vargu çështjesh, që duhen zgjidhur. Një nga çështjet më delikate ka t bëjë me rolin që luajtën gjermanët në lehtësimin e ardhjes në pushtet të partizanëve. Duket qartë se gjermanët, natyrisht pa e pasur si synim, bënë shumë për të garantuar suksesin e komunistëve duke kooptuar në një shkallë të madhe apo të vogël të gjithë rivalët e tjerë kryesorë për pushtet, një proces që nuk ishte unik vetëm në Shqipëri. Meqenëse Balli Kombëtar, zogistët dhe bajraktarët e pavarur përfaqësonin struktura shoqërore të paraluftës, kishte pak shpresa se me fillimin e luftës ata do të garantonin sigurinë e popullit të tyre. kur rezistenca çoi në reprezalje, në shumicën e rasteve rezistenca u pezullua dhe armik kryesor u bënë komunistët. Kjo ndoshta e detyroi në mënyrë të pashmangshme një pjesë të rezistencës jo-komuniste të bashkëpunonte heshtazi apo drejtpërsëdrejti me pushtuesit, duke i larguara ta përfundimisht si rivalë seriozë për pushtet në Shqipërinë e pasluftës. Gjermanët pastaj, padashur, iu bënë partizanëve një shërbim të madh. Meqenëse edhe kjo vinte në kundërshtim me pohimin e pasluftës se “ushtria nacionalçlirimtare duke u mbështetur në forcat e veta çliroi…” etj, etj, kjo nuk mund të bëhej dhe nuk u bë një çështje për t’u diskutuar në bashkësinë e historianëve.

Roli i gjermanëve ka shkaktuar edhe një nga debatet më të zgjatura, që lidhet me luftën, një gjë deri diku sipërfaqësore, por me rëndësi të madhe, sepse merret me simbolet – dhe kjo është data e çlirimit dhe tërheqja e gjermanëve nga Shqipëria. Megjithëse është gati e pamundur të thuhet se kur iku vërtet gjermani i fundit nga Shqipëria, gjatë periudhës komuniste u vendos 29 nëntori 1944, pjesërisht se kjo datë korrespondonte me çlirimin e Jugosllavisë. Prandaj 29 nëntori u bë data e çlirimit të Shqipërisë dhe një festë e shënuar e vendit, që paraprihej nga 28 nëntori, data kur shqiptarët kanë festuar tradicionalisht pavarësinë e tyre. Kjo ka mbetur një temë delikate dhe ka shërbyer deri diku për ndezjen e debateve midis historiografisë komuniste dhe asaj paskomuniste.

Në gjithë këtë spastrim historik nga regjimi i Hoxhës, synimi ishte natyrisht të krijohej perceptimi mbi luftën e komunistëve kundër pushtuesve të huaj të mëdhenj dhe tradhtarëve të brendshëm, se ata e siguruan fitoren vetë nën udhëheqjen e partisë me në krye Enver Hoxhën. Këto tema ritheksoheshin vazhdimisht duke kujtuar në mënyrë konstante se armiqtë ishin ende te pragu i derës, për të krijuar një mendësi lidhur me gjendjen e rrethimit dhe përfundimisht një strategji partizane mbi luftën popullore – mobilizimin e masave për luftën kundër pushtuesit. Këto tema mbetën deri diku të gjalla të paktën deri sa vdiq Hoxha më 1985.

Gjithsesi, me rënien e komunizmit në vitet 1991-1992, nisi edhe rishikimi i disa prej këtyre miteve themelore, një proces që po vazhdon akoma dhe mund të jetë krejt pozitiv. Mbi të gjitha, në lidhje me historinë nuk ka ungjill, nuk ka vepra përfundimtare apo fjala e fundit, ndaj të gjithë ne historianët mund të shpresojmë të japim kontributin tonë. Megjithëse rishikimi është një punë e rëndësishme, po aq i rëndësishëm është edhe motivi. A duhet ta bëjmë këtë me qëllim që të japim një tablo më të qartë të së kaluarës apo duhet ta bëjmë atë për qëllime politike si Hoxha?

Rishikimi i historisë nën pushtetin e demokratëve çoi në krijimin e problemeve të reja historike dhe të dilemave të reja në lidhje me luftën. Në kuptimin më të thjeshtë, hoxhizmi po zëvendësohej me shpejtësi nga nacionalizmi dhe antikomunizmi. Megjithëse hoxhizmi kishte një element nacionalizmi të fortë, në periudhën paskomuniste u duk lindja e një nacionalizmi të ri (ose të paktën i ri për Shqipërinë e periudhës së pasluftës), i cli përmbante elementë të atij që mund të quhet nacionalizëm tradicional apo irredentist, që fokusohej te heronjtë historikë dhe militonte shpesh për një Shqipëri etnike.

Ashtu si me shumicën e institucioneve në Shqipëri, kur demokratët erdhën në pushtet më 1992, në komunitetin akademik doli një udhëheqje e re, e emëruar politikisht, e cila nisi një lloj spastrimi masiv. Këto ndryshime, mes të tjerash, ndezën një debat të ri që diskreditonte të kaluarën dhe premtohej një epokë e re në fushën e studimeve, e cila e konsideronte historiografinë e periudhës komuniste si “jo-shkencore”. Për të hedhur poshtë Hoxhën duheshin hedhur poshtë shtyllat historike mbi të cilat ai ngriti pushtetin e tij. Ky proces përfshinte rehabilitimin e figurave dhe ngjarjeve historike e në veçanti ato nga Lufta e Dytë Botërore, sepse kjo periudhë konsiderohej si një nga më të politizuarat. Në përgjithësi kjo nënkuptonte një sulm mbi një historiografi të bazuar kryesisht në materializmin dialektik, për t’u zëvendësuar me një që drejtohej kundër marksizëm-leninizmit dhe komunizmit në Shqipëri. Kjo përfshinte një rishikim të periodizimit të historisë, larg nga zhvillimet ekonomike si një çelës kryesor. Nacionalizmi i ri apo në një farë mase tradicional doli në pah dhe Kosova u bë një temë e rëndësishme për të cilën historianët ishin kritikë ndaj Partisë së Punës, që nuk kishte treguar vëmendjen e mjaftueshme ndaj Kosovës – dhe për pranimin e saj pasiv lidhur me përfshirjen e Kosovës në Jugosllavinë e pasluftës. Disa historianë rehabilituan Ballin Kombëtar duke i atribuuar atij një rol të rëndësishëm në luftën antifashiste të vendit.

Data e çlirimit të Shqipërisë natyrisht që u rishikua përsëri dhe politika ndërhyri me vendosmëri. Presidenti Sali Berisha emëroi një komision me dymbëdhjetë anëtarë për të përcaktuar “datën e vërtetë” të tërheqjes së gjermanëve. Komisioni, siç pritej, arriti në përfundimin se komunistët kishin qenë nën presionin e jugosllavëve për të pranuar 29 nëntorin si datën e çlirimit. Njëzet e tetë nëntori u përcaktua si data e vërtetë e çlirimit, me sa duket kryesisht për rëndësinë që ka ajo datë në historinë e Shqipërisë – ngritja e flamurit nga Skënderbeu në Krujë dhe natyrisht ngritja e flamurit nga Ismail Qemali në Vlorë. Komisioni arriti në përfundimin se ’28 nëntori 1944 qëndron i rrënjosur së bashku me ngjarjet e mësipërme dhe dëshmon për patriotizmin e thellë që ka karakterizuar shqiptarët dhe gatishmërinë e tyre masive për të luftuar me vetëmohim kundër pushtuesve të huaj, sado të fortë të ishin ata. …Le të shpresojmë për të pasur 28 nëntorë të tjerë në të ardhmen.” Por kërkimet e mia në dokumentet gjermane tregojnë se gjermanët, në të vërtetë, ikën më 4 dhjetor, gjë që hedh dyshime lidhur me variantin zyrtar. Me besim te historianët shqiptarë, disa natyrisht që pyesnin lidhur me motivet që gjendeshin pas këtij revizionimi, kurse disa të tjerë ishin mjaft kritikë ndaj teksteve që u krijuan bazuar mbi programin e ri historik.

Kur socialistët erdhën përsëri në pushtet, në vitin 1997, pati përsëri një ndryshim të caktuar, megjithëse jo dhe aq i madh në krahasim me atë të vitit 1993. Megjithëse jo aq të dukshme sa në të kaluarën, disa tema tradicionale socialiste u ritheksuan e sidomos data e 29 nëntorit për festimin e çlirimit. Parlamenti i dominuar nga socialistët shpalli se ceremonitë zyrtare për festimin e Ditës së Çlirimit do të zhvilloheshin përsëri më 29 nëntor. Me t’u kthyer në pushtet në vitin 2005, Sali Berisha deklaroi se 28 nëntori do të festohej si dita e pavarësisë dhe e çlirimit. Opozita dhe Komiteti i Veteranëve të Luftës e dënoi shkeljen e simboleve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe ndjenjat e atyre që sakrifikuan gjakun për çlirimin dhe sugjeronte se vendimi qeverisë ishte në kundërshtim me historinë dhe ndjenjat e popullit shqiptar. Socialistët vazhdonin të festonin 29 nëntorin.

Ne kemi parë që mitet rregullohen dhe ndryshohen, kompromise midis të vjetërve dhe të rinjve dhe procesi vazhdon. Një nga mitet e reja të periudhës paskomuniste është ai që Fatos Lubonja e quan Miti i Perëndimit. Ai ka argumentuar se shembja e komunizmit çoi në një lloj krize identiteti. Heronjtë e vjetër ishin ende aty, por po krijohej një boshllëk. Boshllëku u mbush pjesërisht me Mitin e Perëndimit, me idenë se Shqipëria tani ishte përfundimisht përsëri në rrugën e Perëndimit (komunizmi kishte qenë vetëm një devijim). Miti i Perëndimit u integrua mirë me mitin e vjetër nacionalist të përparimit dhe qytetërimit para periudhës turke dhe krishterimi i shqiptarëve para pushtimit turk u trajtua si një tregues i identitetit perëndimor.

Periudha komuniste shihej si një tradhti ndaj rrugës së vërtetë të Shqipërisë. Komunistët e detyruan Shqipërinë të bëhej pjesë e një bote, të cilës nuk i përkiste më, botës lindore.

Por edhe Miti i Perëndimit ka nisur të zbehet – pjesërisht, siç thekson Lubonja, se ky mit bazohej mbi një tokë të premtuar, të largët e jo te ardhja e njjë shpëtimtari. Kështu që Shqipëria u fut në një periudhë ku nuk dëgjohej asnjë fjalë negative për Shtetet e Bashkuara apo Perëndimin në përgjithësi e deri më sot, kur ne shohim një qëndrim shumë më realist dhe një kritikë mjaft të shëndetshme. Unë e di se mund të duket çudi që kjo gjë thuhet nga unë, por unë isha i kënaqur kur fillova të dëgjoj kritika për Shtetet e bashkuara, sepse ajo tregonte një pjekuri të mendimit politik në Shqipëri.

Pra, ku jemi sot? Këtë përcaktim po ua lë të tjerëve, por sipas mendimit tim, këto dhe mite të tjera, të gjitha zgjatin – Skënderbeu, nacionalizmi romantik, lufta partizane, Perëndimi – dhe që feja e shqiptarëve është shqiptaria. Por ka edhe një skepticizëm të ri, një frymë të re kritike, që e shohim jo vetëm në shembujt e pjekurisë politike, por edhe në procesin e zbërthimit të miteve, të cilat unë mendoj se janë shenja të një shoqërie të zhvilluar.

SHPËRNDAJE