Alba Çela
Të ballafaquar me dy krahë politikë që gjithnjë e më shumë po i ngjasojnë bandave të rrugës, shqiptarët po shprehin vendimin e tyre për t’i qëndruar larg kutisë së votimit më 30 qershor.
Opozita nuk ka levizur as një fije nga kërkesat e saj për të rrëzuar qeverinë. Presidenti pohon se vendimi i tij për anullimin e zgjedhjeve është akoma i vlefshëm edhe pasi Kolegji Zgjedhor e hodhi poshtë atë. Maxhoranca po vazhdon me kalendarin e takimeve të fushatës së “orkestrës së dasmës”. Tre palë të cilat nuk e kuptojnë njëra tjetrën apo realitetin. Secila duke inkurajuar destabilitet me një shkelje të syrit mizore dhe të papërgjegjshme.
“A jemi ngadhënjyer kaq thellësisht në absurditet?” – pyesin veten qytetarët duke shfryrë në qetësi. Ndihen të pafuqishëm për të ndryshuar mënyrën sesi është ndërtuar sistemi dhe manovrat dinake të “strategëve politikë”, kështu që gjejnë mënyrën e vetme se si të kundërpërgjigjen. Mospjesëmarrjen në këtë proçes.
Vendimi për bojkot duhet lexuar me kujdes. Opozita mund të ndihet sikur e ka fituar hakmarrjen dhe të nisë të festojë këtë si rezultat i veprimeve të tyre. Megjithatë, mosvajtja për të votuar është një refuzim i veprimeve të të gjitha palëve, pozicioneve ekstreme dhe refuzimit për kompromis. Mosvatja në kutitë e votimit nuk do të thotë për asnjë moment se shumica e këtyre njerëzve përputhen me kauzën e opozitës, por më tepër se ata dëshirojnë fundin e gjithë këtij rivaliteti politik të pafund dhe të pamëshirshëm.
Shumë votues veteranë, njerëz të cilët kanë votuar në mënyrë të rregullt përgjatë gjithë jetës së tyre, njerëz që vazhdimisht nxitojnë për të votuar qysh në 7 kur hapen dhe qëndrat e votimit, po thonë hapur se këtë herë nuk do të shkojnë. Njerëz që kanë simpati për të gjitha palët, që kanë rrënjosur prej kohësh pozicionet e tyre politike, këtë herë ndihen krejtësisht të zhgënjyer. Ata ndjejnë marrëzine, armiqësinë paralizuese dhe pakuptimësinë.
Niveli i përgjithshëm i pjesëmarrjes në këto zgjedhje, nëse ato ende do bëhen, do të jetë mesazhi i fundit që qytetarët e këtij vendi do tu dërgojnë politikanëve. Se ata janë tashmë të ngopur!