Grabitjet hollivudiane dhe siguria kombëtare

0

Është një skenë vulgare dhe e përsëritur nëpër filmat aksion. Një makinë thyen perimetrin rrethues, në dukje të sigurt, të një aeroporti. I afrohet një mjeti që transporton shuma të mëdha parash dhe vjedh miliona. Policët nuk i kapin. “Hajdutët” djegin makinën për të zhdukur gjurmët e tyre. Audienca ekzaltohet dhe argëtohet. Kjo skenë u kthye në realitet javën e shkuar në Aeroportin e Rinasit, aeroporti i vetëm në vendin tonë që i shërben fluturimeve ndërkombëtare. Vetëm se kësaj here askush nuk u argëtua. Në film, do t’u ishin dashur regjisorëve ndoshta orë të tëra filmim për të kapur skenën perfekte. Në realitet, grabitësve iu deshën përafërsisht 3 minuta për të ekzekutuar me përsosmëri dhe lëvizje precise ҫdo gjë që kishin ndërmend të bënin dhe t’ia hidhnin paq. Pak ditë përpara kësaj grabitjeje aeroporti supozohej të ishte bërë edhe më i sigurt nga shtimi i kontrolleve që prej sulmeve terroriste në Stamboll që morën shumë jetë. Një aeroport që nuk është i sigurt për disa miliona euro, nuk mund të jetë i sigurt për njerëzit që udhëtojnë në të. Skandali i kësaj grabitjeje u thellua edhe më tej në ditët që pasuan nga zbulimi se disa teste sigurie që ishin kryer në vendngjarje pak kohë më parë kishin identifikuar probleme të rënda.

Loja e ping pong-ut me përgjegjësitë vijon edhe në ditët e sotme. Policia fajëson firmën private të sigurisë, të punësuar nga konsortiumi i aeroportit. Aeroporti fajëson policinë. Firma private pretendon se nuk mund të ndërhyjë me armë. Qytetarët ndihen edhe më të pasigurtë tani që e dinë se asnjë vend nuk mund të jetë i sigurt: as terminali, as pista, as qendra e grumbullimit të bagazheve.

Shqipëria është në një gjendje sigurie të ngritur si pasojë e mjedisit të sigurisë të testuar nga kërcënime të shpeshta terrorizmi, radikalizmi dhe krimi, qoftë brenda vendit ose në rajon. Ajo është një vatër luftëtarësh të huaj, pavarësisht se fenomeni është zbehur. Ajo merr pjesë në beteja dhe misione ushtarake jahstë vendit. Të flasim për rëndësinë e Aeroportit ndërkombëtar të Rinasit sin j ëpikë startegjike e sigurisë kombëtare do të ishte një përpjekje e kotë për të nxjerrë në pah atë që është evidente. Shumëkush mund të jetë duke pyetur veten se ҫfarë tjetër do t’i duhej autoriteteve për t’u angazhuar më seriozisht për të hedhur dritë mbi këtë krim të rëndë dhe për të marrë përgjegjësi.

Fakti që një krim i tillë mund të ndodhe në mënyrë spektakolare mbi të njëjtën pistë dhe aeroport ku udhëtojnë miliona njerëz, nga ku nisen dhe mbërrijnë personalitete të huaj të nivelit të lartë, dhe ku siguria duhet të jetë maksimale, thotë shumë për mungesën e seriozitetit me të cilën trajtohen siguria dhe mbrojtja. Megjithatë, mungesa e qartësisë dhe përgjegjshmërisë thotë akoma dhe më shumë. Përveҫ disa të njerëzve të arrestuar dhe të marrë me pyetje nga firma private nuk ka asnjë përgjigje për pyetjet më të rëndësishme. Nuk ka asnjë plan të mirëfilltë për masat që duhen marrë në mënyrë që diҫka e tillë të mos përsëritet në të ardhmen. A do ta ruajë policia ose ndoshta ushtria aeroportin nga sot e tutje? A do t’i hiqet kontrata firmës së sigurimit? Si do t’i arsyetojë (justifikojë?) konsortiumi dështimet e tyre për t’iu përgjgijur testeve të sigurisë?

Për këtë ҫështje nevojiten përgjigje serioze dhe askush nuk po i jep.

Duke rrezikuar për të tingëlluar patetike, mbase është koha për t’i kujtuar të gjithëve: ky nuk është Hollivud, ky është realiteti.

SHPËRNDAJE