Integrimi Europian: Në kërkim të armikut

0

Nga ALBERT RAKIPI

Shpresat për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian kanë marrë një goditje të rëndë, madje edhe për më realistët dhe skeptikët, për të cilët ka qenë e qartë se kjo nuk do të ndodhte brenda vitit 2017. Në skenarin më të mirë të mundshëm, çështja e hapjes së bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Europian të Shqipërisë mund të diskutohet në gjysmën e parë të vitit 2018, ndërsa brenda këtij skenari një datë për çeljen e negociatave ndoshta mund të merret në fund të vitit 2018, për të shpresuar se këto bisedime do të fillojnë në pranverë të vitit 2019. Është bërë e qartë se për vitin 2017 nuk do të ketë një raport – ky i fundit ka qenë prej vitesh një instrument i rëndësishëm i Bashkimit Europian për t’i nxitur, monitoruar dhe mbështetur reformat transformuese në Shqipëri dhe në vende të tjera aspirante. Gjërat duken edhe më keq se sa realisht janë, për shkak të pritshmërive të mëdha që krijoi qeveria por edhe zyrtarë lokalë të Bashkimit Europian.

Por skenarë të tjerë më (pak) të favorshëm nuk janë të pamundshëm dhe janë të lidhur së pari me zhvillimet e brendshme në Shqipëri:

Me stabilitetin politik dhe sigurinë e vendit, dhe në këtë kontekst, vendimtar do të jetë respektimi i plotë i standardeve ndërkombëtare në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, jashtë ndikimit të botës së krimit, parasë, frikësimit, përdorimit të shtetit dhe burimeve shtetërore, blerjes dhe  kontrollit të mediave.

Me shkallën e funksionimit të shtetit ligjor, (ku do të shihet edhe impakti praktik nga zbatimi i reformës në drejtësi për të cilën janë krijuar pritshmëri tejet të larta.)

Përcaktuese do të jetë ndalimi i degradimit të standardeve demokratike në qeverisje, dhe zbatimin e  rregullave të lojës demokratike, zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm dhe ndarja nga ekonomia kriminale (droga por edhe veprimtari të tjera kriminale) dhe ndikimi i saj në  qeverisje.

Por këta skenarë më (pak) të favorshëm në mënyrë të barabartë do të kushtëzohen nga zhvillimet brenda Bashkimit Europian dhe në mënyrë të veçantë nga  zhvillimet brenda vendeve anëtare.

Përpara Bashkimit Europian qëndrojnë aktualisht sfida mjaft themelore për një numër faktorësh të lidhur bashkë: Brexit, marshimi i lëvizjeve populiste, rritja e mbështetjes për partitë e ekstremit të djathtë, përfshirë rritjen e kërcënimeve terroriste, krizën e emigrantëve, pa harruar stanjacionin ekonomik dhe në disa vende të BE, krizën ekonomike ende të pakapërcyer. Këto ndoshta janë sfidat më të mëdha me të cilat është ballafaquar ndonjëherë Bashkimi Europian.

Zhvillimet negative nën këtë skenar do të kishin mjaft implikime negative për përpjekjet dhe shpresat e shqiptarëve për ta parë vendin e tyre në Europë. Dhe ndoshta për herë të parë do të ballafaqoheshim me një pyetje shumë thelbësore: “A është e mundshme një e ardhme europiane për Shqipërinë, pa Bashkimin Europian?” Ose më qartë “A është e mundshme ndërtimi i një shoqërie demokratike, i një shteti funksionues dhe të drejtë që bazohet tek respektimi i lirive dhe të drejtave të njeriut, dhe i një ekonomie funksionuese pa Bashkimin Europian?”

Ndonëse e parakohshm, dhe sigurisht hipotetike, kjo pyetje është e lidhur me thelbin e integrimit europian.

Vetëm një Shqipëri demokratike, ku respektohen ligjet, vlerat dhe të drejtat e njeriut mund të jetë anëtare e BE. Sepse anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk do e shndërrojë si me magji Shqipërinë në një vend demokratik ku sundojnë ligjet dhe vlerat e lirisë e të drejtave të njeriut. E kundërta është e vërtetë.

Shqipëria apo vende të ngjashme nuk kanë asnjë mundësi për të ndikuar në zhvillimet, dhe aq më pak në të ardhmen e Bashkimit Europian, por shoqëria shqiptare dhe elitat udhëheqëse kanë në dorë, jo vetëm të ndikojnë, por të zgjidhin sfidat me të cilat ballafaqohet vendi, tani kur procesi i integrimit ka marrë një goditje të rëndë.

A është i mundshëm një reflektim, së pari i udhëheqësve politikë në vend, reflektim që duhej të fillonte me pranimin e faktit se pavarësisht rrethanave jo-shumë të favorshme në BE dhe në vendet anëtare, përparimi që Shqipëria ka bërë, nuk është i mjaftueshëm për të hapur bisedimet për anëtarësim.

Por pavarësisht gjuhës së thatë, burokratike, të sofistikuar dhe diplomatike, në raportin, si dhe në rekomandimin e Komisionit Europian, mund të lexohej qartësisht, (për ata që sigurisht duan të lexojnë) se vendi nuk ka bërë përparimet që kërkohen nga BE. Në vend të një reflektimi të thellë, ajo që po dallohet është ngulmimi për të fajësuar të tjerët, për të gjetur armikun. Në një rrafsh filozofik, gjithmonë është pretenduar se ekzistenca e një armiku na jep çelësin për të  kuptuar natyrën dhe thelbin e aktivitetit politik. Ka një pyetje  themelore në këtë kontekst: A po ndërton Shqipëria politika demokratike, a i ngjan, dhe sa i ngjan qeverisja në  Shqipëri  një regjimi demokratik?

Nuk ekziston sigurisht një ëndërr shqiptare, por ekziston  një ëndërr amerikane,  ekziston ëndrra e Perëndimit,sigurisht. Dhe ëndrra e Perëndimit është e pakonkurrueshme, por kjo nuk e shpjegon  pyetjen  se  përse nuk e  shikojnë dhe as nuk e dëshirojnë shqiptarët të ndërtojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre në   vendin e tyre?

Vetëm gjatë këtij viti të paktën 13 për qind e popullsisë, pjesa më vitale e saj ose lanë vendin, ose bënë të gjitha përpjekjet e mundshme ligjore për ta lënë atë.

Një përgjigje të thjeshtë dhe të menjëhershme ka për këto pyetje: Shpresat se  Shqipëria mund të transformohet  për  të shkuar  tek modeli i vendeve europiane   janë të pakta, dëshpëruese. Ose përndryshe, projekti politik i integrimit europian nuk po  përparon. Dhe në vend që të reflektohet për këtë, elita politike është  e përfshirë në një konflikt të ashpër, përçarës, në kërkim të  armiqve.

Në rastin e shoqërive nën frikë, të prapambetura, dhe ku demokracia është një fasadë, armiku shërben për të na mobilizuar “ne” kundër “atyre,” armiqve (us against them, the enemies).

Qeveria nxitoi ta shpallte si “historik” rekomandimin e kushtëzuar të Komisionit Europian për të hapur negociatat, ndërsa çështjen e “kushtëzimit” e reduktoi thjesht në miratimin e njërit prej ligjeve që lidhen me reformën në drejtësi, të ashtuquajturin ligjin e Vetingut, të cilin po e saboton opozita.

Gjatë këtij viti, në mënyrë të veçantë gjatë diskutimeve politike rreth reformës në drejtësi, armiku u projektua qartë në ekuacionin “qeveria dhe BE e SHBA nga njëra anë – dhe opozita si kundërshtare e Perëndimit nga ana tjetër”. Heshtja e zyrtarëve lokalë të BE për këtë ekuacion qesharak, natyrisht nuk e bën opozitën armike të Perëndimit, por thjesht mund të minojë/gërryejë besueshmërinë e BE në sytë e publikut shqiptar.

Në komunikimet publike të  zyrtarëve të BE përfshirë edhe progres-raportin, u përshëndet konsensusi politik për reformën në drejtësi dhe kjo u vlerësua si një përparim për shmangien e polarizimit të thellë. E vërteta është se nuk ka kurrfarë progresi në shmangien e polarizimit politik; përkundrazi, kemi një thellim të këtij polarizimi, ndërsa votimi 100 për qind pro i reformës në drejtësi vetëm nga konsensusi, nuk erdhi. Të fshehësh konfliktin e thellë politik, përçarjen dhe luftën e klasave sipas stilit stalinist, që shfaqet dhunshëm në Parlament, dhe në qeverisje  është si të mbulosh diellin me shoshë!

Shqipëria nuk ka bërë asnjë lloj përparimi në shmangien e polarizimit dhe konfliktit politik në vend. E kundërta është një gënjeshtër e madhe, madje me brirë.

Por ashtu sikundër në “kohët e arta” të komunizmit, armiku nuk ishte vetëm i brendshëm, por edhe i jashtëm. Nuk është vetëm opozita armike e integrimit, e Perëndimit, që pengoi integrimin, por grupe armiqësore u zbuluan edhe në Europë: anëtarë të rëndësishëm të parlamentit gjerman. Madje shtete anëtare të Bashkimit Europian u projektuan e u nënkuptuan si armiq të integrimit të Shqipërisë. (Greqia i ka të gjitha shanset për të qenë një armik i integrimit të Shqipërisë në BE. Përse të mos fajësojmë Greqinë?)

Së fundi, por jo e fundit për nga rëndësia, armiku po projektohet edhe në një kontekst gjeopolitik. Nëse Bashkimi Europian nuk e pranon Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor, atëherë Rusia apo fuqi të tjera do të zënë vendin e Bashkimit Europian.

Logjika dhe shpresa idiote është se me një armik të rrezikshëm gjeopolitik mund të shantazhohet BE apo vendet udhëheqëse të saj?! Kështu, brenda vendit, nga mëngjesi gjer në darkë, ndërtojmë një regjim gjithmonë e më të ngjashëm me Kremlin, Inc. – ndërkaq, jashtë vendit vëmë alarmin për rrezikun e imperalizmit rus në Ballkan që mund të kërcënojë Europën.

 

 

 

 

SHPËRNDAJE