Partneriteti franko-gjerman dhe mësimet për Ballkanin Perëndimor

0

Fragmente nga një intervistë e përbashkët e Ambasadores Susanne Schütz dhe Ambasadorit Bernard Fitoussi në Tirana Times.

1 – Kjo intervistë përkon me përvjetorin e Traktatit të Elizesë, një traktat miqësie mes Francës dhe Gjermanisë nënshkruar nga Presidentit Charles de Gaulle dhe Kancelari Konrad Adenauer më 22 janar 1963 në  Paris. Çfarë i solli kjo marrëveshje Evropës për sa i përket çimentimit të paqes, pajtimit dhe rindërtimit?

Ambasadori Fitoussi:

Më pak se 20 vjet pasi Franca dhe Gjermania kishin humbur miliona njerëz në katastrofën më të tmerrshme të historisë së tyre, dy heronj skicuan një plan të paimagjinueshëm pikërisht me qëllimin që miqësia franko-gjermane të shndërrohej në atë që do të çimentonte pajtimin mes dy kombeve tona dhe në motorin e shpresës evropiane. Traktati i Elizesë simbolizon konsolidimin e paqes dhe një gjenerator prosperiteti.

Një prej fryteve të këtij Traktati është Zyra Rinore Franko-Gjermane (FGYO). Thënë konkretisht, më shumë se tetë milionë të rinj gjermanë dhe francezë kanë kaluar Rinin që prej vitit 1963 për të jetuar disa javë në vendin fqinj. Edhe fëmijët e mi e kanë përjetuar një aventurë të tillë. Ky është padyshim rast unik në histori, kur një traktat ndryshon realisht dhe në thellësi mentalitetet e brezave të tërë. Ballkani Perëndimor  ka vendosur tanimë të ndërmarrë një eksperiment të ngjashëm me krijimin e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor  të Ballkanit Perëndimor (RYCO). Kjo është një mundësi historike.

Për më shumë se 50 vjet Traktati i Elizesë u ka rezistuar të gjitha tensioneve dhe ndryshimeve. Gjatë gjithë kohës një president francez dhe një kancelar gjerman kanë punuar në krah të njëri-tjetrit. Miqësia gjermano-franceze ka qenë kësisoj në gjendje t’u bënte ballë sfidave më të mëdha pas rënies së Murit të Berlinit. Ribashkimi i Gjermanisë dhe rindërtimi i Evropës janë bërë gradualisht të mundshme falë fuqisë së këtij bashkëpunimi.

Ambasadorja Schütz:

Në gjykimin tim është një traditë mjaft e mirë përkujtimi i përvjetorit të Traktatit të Elizesë, i cili na ofron një mundësi për të reflektuar rreth asa, që ka qenë e mundshme të bëhet dhe se çfarë arritjesh madhështore janë shënuar në dekadat e shkuara. Sekreti i forcës së motorit franko-gjerman brenda Bashkimit Evropian është bashkëpunimi mjaft  i ngushtë mes dy qeverive tona në përcaktimin e pozicioneve të përbashkëta, të cilat shpeshherë shërbejnë si bazë për pozicionet e Bashkimit Evropian, dhe ndahen prej të gjitha shteteve anëtare të BE-së. Fakti që Franca dhe Gjermania, të njohura për një kohë të gjatë si “armiq të betuar”, kanë qenë në gjendje të zhvillojnë një miqësi dhe partneritet të tillë kaq të ngushtë tregon se përmes diplomacisë dhe vullnetit për të kapërcyer pengesat dhe paragjykimet është e mundshme të arrihet pothuajse gjithçka.

 

2 – Në thelb, ky partneritet franko-gjerman vazhdon të jetë motori që mban në lëvizje Bashkimin Evropian aktualisht. Por si duket ky partneritet sot?

Ambasadorja Schütz:

Partneriteti ynë është i fortë, dinamik dhe vibrues. Dhe është e nevojshme të jetë kështu, pasi sot jemi duke u përballur me shumë sfida në botë. Traktati i Elizesë është shndërruar në bazën e një bashkëpunimi intensiv dypalësh në politikë, ekonomi, kulturë dhe shoqëri. Bashkëpunimi ynë ka aspekte të ndryshme dhe është mjaft konkret në formën e takimeve periodike qeveritare në kuadër të Ministerialit Franko-Gjerman si dhe të vendimmarrjeve të përbashkëta në çështje me rëndësi thelbësore për vendet tona.

Për të përmendur disa shembuj: që prej vitit 2014 ne bashkëpunojmë ngushtë në kuadër të Formatit të Normandisë në funksion të zgjidhjes së krizës në Ukrainë. Iniciativa të tjera të përbashkëta të ndërmarra prej qeverive tona përfshijnë vizitën e ministrave tanë të jashtëm në Mali dhe Nigeri në kuadër të Partneritetit të BE-së për Migracionin për të trajtuar shkaqet bazë të migrimit. Dhe Ambasada e Parë Franko-Gjermane në botë, e cila do të shërbejë si një vend i përbashkët pune për diplomatë gjermanë dhe francezë, po ndërtohet ndërkohë në Bangladesh.

Përballë sulmeve terroriste, që kanë goditur të dy vendet tona, ne jemi duke u bashkërenduar dhe lidhur ngushtësisht për të luftuar kundër kërcënimit terrorist. Një ndërthurje e bukur ku ne shijojmë shkëmbimet në të gjitha nivelet është ajo në fushën e kulturës. Shënohen rreth 4300 partneritete franko-gjermane mes shkollash; rreth 2200 qytete janë të binjakëzuara. Dhe të mos harrojmë ARTE-n, kanalin televiziv franko-gjerman themeluar në vitin 1991! Të gjitha këto aktivitete dëshmojnë për cilësinë shumë të veçantë dhe gjithëpërfshirëse të bashkëpunimit tonë dypalësh.

Ambasadori Fitoussi:

Sikurse e përshkroi Susanne në terma konkretë, motori franko-gjerman është çdo ditë në punë. Kur në botë ndodh diçka, një diplomat francez reagon automatikisht duke pyetur: “Çfarë mendon Berlini për këtë?” Kjo do të thotë se diplomatët francezë dhe gjermanë mendojnë në mënyrë simultane lidhur me interesat e vendeve të tyre dhe të marrëdhënies franko-gjermane.

Përkundrejt zhvillimesh të rëndësishme, sikurse janë ato të jetës së përditshme diplomatike, ne kemi qasjen e një shkëmbimi të vazhdueshëm me njëri-tjetrin.

3 – Le të hidhemi tani tek disa pyetje, të cilat kanë në fokus kryesisht Ballkanin. Çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga historia Franko-Gjermane në këndvështrimin e avantazheve të kalimit nga antagonizmi në miqësi, sidomos duke mbajtur parasysh se ne jetojmë në Ballkan, ku vetëm dy dekada më parë pati një konflikt të armatosur?

Ambasadorja Schütz:

Unë mendoj se gjithçka çfarë thamë unë dhe kolegu im francez tregon se duhen nxjerrë mësime nga historia franko-gjermane. Ne besojmë fort se Bashkimi Evropian mbetet projekti më i madh dhe më i suksesshëm i paqes që prej Luftës së Dytë Botërore – e parë kjo gjithashtu edhe në lidhje me Ballkanin Perëndimor. Kjo është edhe arsyeja pse dy vendet tona janë shumë aktive në rajon, p.sh. nëpërmjet Procesit të Berlinit, i iniciuar ky në vitin 2014 nga Gjermania, Franca, Austria dhe Italia. Një nga iniciativat brenda këtij procesi ishte themelimi i RYCO, të cilin ne e mbështesim fort. Në këndvështrimin tonë, kjo ofron një mundësi unike për të sjellë bashkë dhe më pranë brezin e ri në rajon dhe për të kapërcyer paragjykimet dhe mosbesimin. Dy vitet e fundit kanë treguar gjithashtu avantazhet e një iniciative të tillë, ku të rinj nga gjashtë vendet pjesëmarrëse të Ballkanit Perëndimor duke punuar ngushtë bashkë në një grup pune krijojnë kushtet dhe objektivat për një bashkëpunim në të ardhmen. Në një të ardhme të afërt, një Sekretar i Përgjithshëm i zgjedhur do të fillojë  punën në zyrën e sapo hapur në Tiranë dhe kështu do të zbatohen projektet e para të shkëmbimit. I gjithë procesi është monitoruar dhe mbështetur nga ekspertët e FGYO dhe unë jam e lumtur të shoh se përvojat e shkëmbimit rinor franko-gjerman dhe puna për pajtimin kanë shërbyer për të frymëzuar procesin e Ballkanit Perëndimor.

Ambasadori Fitoussi:

Sikurse e shprehu shumë qartë edhe kolegia ime, ne besojmë se shembulli franko-gjerman mund të shërbejë si një model për miqtë tanë në Ballkanin Perëndimor. Në çdo kuptim të fjalës, ne ju kërkojmë të mos ndiqni shembullin e keq të marrëdhënieve midis Francës dhe Gjermanisë, të cilat u shkëputën shekuj të tërë nga njëra-tjetra, duke lënë pas vetëm varreza të mbushura plot! Në vend të kësaj, ju lutem të merrni shembullin e mirë të gjetjes së civilizuar siç ishte ndërtimi i miqësisë franko-gjermane, ashtu si askush nuk ka asgjë për të fituar nga urrejtja dhe rivaliteti.

Konferenca e Parisit midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, mbajtur korrikun e shkuar, duke ndjekur konferencat e Berlinit dhe Vjenës, ka çuar në rezultate konkrete: rrugë, hekurudha dhe rrjete energjetike po ndërtohen në këto momente falë procesit të Berlinit, i cili e ka zanafillën në një proces të iniciuar në Brdo-Brioni.

5 – Meqenëse jemi duke folur rreth ofertës për anëtarësimin e rajonit në BE, ekziston një shqetësim në rritje se, rajoni në vend që të bëjë hapa përpara është duke bërë hapa prapa dhe një BE në krizë do të thotë se anëtarësimi mund të ndodhë një ose dy dekada më pas, sigurisht nëse kjo do të ndodhë. E parë nga pozicioni i Gjermanisë ose Francës ky afat mund të ishte në rregull por mund të kishte një kosto të madhe për forcat progresive pro-BE në rajon. A është duke aplikuar BE-ja dhe anëtarët e saj kyç, të cilët ju përfaqësoni, kritere më të rrepta për Ballkanin Perëndimor se kriteret e aplikuara për Bullgarinë dhe Rumaninë, ashtu sikurse besojnë disa? A është e drejtë kjo?

Ambasadori Fitoussi:

Të paktën që prej vitit 2003 dhe konferencës së Selanikut, Franca dhe Gjermania kanë marrë një angazhim të vendosur të integrojnë vendet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Nuk ka ndodhur asnjë vit që prej asaj kohe që një politikan, qoftë ky gjerman ose francez, të mos ketë përsëritur dhe theksuar këtë angazhim. Procedura, ekspertë dhe shuma të konsiderueshme parash janë vënë në dispozicion për të ndihmuar këto vende në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.

Franca dhe Gjermania, të dyja këto vende, njohin përpjekjet e jashtëzakonshme të Shqipërisë, p.sh. në lidhje me progresin e bërë për implementimin e shtetit ligjor. Unë e di se e parë nga perspektiva e Tiranës rruga mund të duket e gjatë, por diktatura u rrëzua vetëm 26 vjet më parë. Nga një nga vendet më të varfra në botë Shqipëria është sot një ekonomi në zhvillim.

Unë e shoh padurimin e Shqipërisë si një shenjë të interesit të madh për të hyrë në BE, çka është ndoshta diçka që mungon hera-herës në Evropën e vjetër. Por unë u them miqve tanë shqiptarë se unë nuk besoj në mundësinë e një kthimi prapa. Ajo çfarë vlen nuk është data e mbërritjes, të cilën nuk e di askush, por më shumë se kjo vlen fakti se vendi po vazhdon të ecë përpara së bashku me miqtë gjermanë dhe francezë në krah të tij.

Ambasadorja Schütz:

Vendet tona po i përmbahen angazhimit të vendosur të perspektivës së anëtarësimit në BE për të gjitha Vendet e Ballkanit Perëndimor nëse ato e dëshirojnë këtë dhe nëse ato i plotësojnë parakushtet. Dhe ne e shohim shumë qartë se në Shqipëri perspektiva e anëtarësimit në BE ka qenë një shtysë e rëndësishme për zbatimin e reformave të guximshme por të nevojshme si p.sh. reforma në sistemin e drejtësisë. Vitet e fundit është bërë shumë progres. Shqipëria ka marrë statusin e vendit kandidat në vitin 2014 dhe tani po përpiqet të çelë negociatat e anëtarësimit. Por për të gjithë këta hapa duhet të përmbushen kriteret e përcaktuara qartë. Dhe ne mund t’ju sigurojë se Qeveria Federale Gjermane është e gatshme të mbështesë Shqipërinë dhe vendet e tjera në rajon për ndërmarrjen e hapave të nevojshëm për përafrimin në BE. Kjo është edhe në interesin tonë, ashtu si në interesin e Ballkanit Perëndimor të jetë një pjesë integrale e Evropës.

SHPËRNDAJE