Bashkimi Europian më 28 qershor (2018) vendosi ta shtyjë vendimin mbi hapjen e negociatave me Shqipërinë – pa e mbështetur por dhe pa e refuzuar rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e pakushtëzuar të negociatave të anëtarësimit në BE.
Këshilli Europian, i përbërë nga krerët e qeverive dhe ministrat e jashtëm të vendeve anëtare, vendosi që çështja e hapjes së bisedimeve për anëtarësim në BE të Shqipërisë,( dhe Maqedonisë) të shqyrtohet në qershorin e vitit 2019. Kështu negociatat me Shqipërinë – dhe Maqedoninë, mund të hapen në qershor 2019, nëse dy shtetet përparojnë me reformat.
Nuk ka garanci për hapje automatike të negociatave vitin tjetër. Vendet anëtare të Bashkimit Europian vendosën një sërë kushtesh lidhur me vazhdimësinë e zbatimit të reformës në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar, reformën zgjedhore – të gjitha thelbësore në hapat e mëtejshëm të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit Europian.
Bashkimi Europian do të shqyrtojë si do të zbatohen këto kushte dhe do të vlerësojë një raport të ri, të përgatitur nga Komisioni Europian pranverën e ardhshme. Në këtë situatë, edhe në skenarin më optimist, vendimi do të merret vitin tjetër dhe negociatat ndoshta mund të fillojnë në pranverën e 2020.
Në pamje të parë, kjo situatë duket më e mirë se skenari më i keq i mundshëm: Një refuzim i plotë për hapjen e negociatave pa caktuar një afat për rishqyrtimin e çështjes. Në këtë sens, të paktën tani e dimë se BE do e konsiderojë çështjen e hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë vitin tjetër. Një vendim pozitiv vitin tjetër është i vështirë, por jo i pamundur.
Megjithatë, e ardhmja europiane e Shqipërisë dhe Maqedonisë ka marr tashmë një trajektore jo të sigurt, dhe aspak të parashikueshme. Kjo sepse pas zgjedhjeve të Parlamentit Europian vitin tjetër, të gjithë institucionet që do vlerësojnë hapat e ardhshëm për Shqipërinë mund të ristrukturohen për shkak të zgjedhjeve dhe rritjes së mundshme të forcave euroskeptike në Parlamentin Europian.
Vendimi për të mos vendosur mbi hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë është një gabim nga ana e Bashkimit Europian në kontekstin gjeopolitik, ndërkohë që ka shumë pak kuptim të ngadalësosh ose të shtysh anëtarësimin në BE të një grushti vendesh të cilat janë të rrethuara nga vendet anëtare. Rajoni që e emërtojmë Ballkani Perëndimor aktualisht është një ishull i rrethuar nga vendet anëtare të BE. Nga të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Mali i Zi kanë filluar negociatat, Shqipëria dhe Maqedonia ende kanë statusin e vendit kandidat. Kosova dhe Bosnja kanë ende rrugë të gjatë për të bërë.
Për shkak të politikës së zgjerimit dhe kontekstit gjeopolitik, Bashkimi Europian është bërë më i dobët dhe i pavendosur se kurrë, dhe përballet me shumë pasiguri të cilat do ndikojnë në shanset e Shqipërisë dhe kornizën kohore te anëtarësimit. Këto përfshijnë vetë të ardhmen e funksionimit dhe procesin e reformës së brendshme të BE. Perspektiva franceze për të ardhmen është gjithashtu thelbësore, për vetë rolin që Franca po përpiqet të fitojë brenda Bashkimit Europian.
Përveç kësaj, për shkak të çështjes së emigrimit, kohezioni Europian është në nivelet e tij më të ulëta. Ministri i brendshëm italian, udhëheqësi i partisë euroskeptike Lega Nord, tha këtë javë se BE mund të mos ekzistojë fare vitin tjetër nëse problemi i emigrimit vazhdon.
Për më tepër, partitë e djathta dhe euroskeptike po fuqizohen në të gjithë kontinentin, duke marrë shkas nga Brexit, kërcënimi i terrorizmit dhe problemet e emigrimit.
Pra, vendimi i BE për të mos vendosur e lë Shqipërinë në mëshirë të një publiku aspak mirëkuptues. Ç’është më shumë, korniza kohore prej një viti mund të mos jetë e mjaftueshme për të treguar përparime që do i bëjnë përshtypje institucioneve, qeverive dhe udhëheqësve të rinj të institucioneve të Bashkimit Europian, rinovimi i të cilave do të ndodhë përpara se të merret në shqyrtim hapja apo jo e negociatave me Shqipërinë.
Së fundi por jo e fundit për nga rëndësia: Si e ka kuptuar dhe si po reflekton Shqipëria politike ndaj vendimit të Brukselit për mos hapjen e negociatave sikundër kishte rekomanduar Komisioni Europian. Festimi i humbjes, dështimit nuk e ka origjinën në mitologjinë greke, por s’ka dyshim që lidhet me kulturën politike të modernitetit në Ballkan. Përveçse Tirana po “feston” humbjen ka gjithsesi zyra më racionale që arsyet e mos hapjes së negociatave i kërkojnë tek zhvillimet jashtë Shqipërisë, duke fajësuar faktorë dhe aktorë jashtë Shqipërisë: Franca me politikat e saj për të reformuar Unionin përpara se të flitet për zgjerim dhe të tjera arsye më pak principale deri tek arsyet vërtetë banale, si kërkimi me domosdo i armiqve të jashtëm. Edhe kjo kulturë e fajësimit dhe gjetjes së armikut të jashtëm nuk është e panjohur në Ballkanin e vjetër dhe të ri.
Ndërsa ideja që qeveria duhet të kishte lobuar bashkë me opozitën në vendet anëtare për të hapur negociatat dhe duhet ta bëjnë këtë gjatë këtij viti, ngjan krejt njëlloj me idenë e deputetëve polakë që për t’i shpëtuar thatësirës së vitit 2006 vendosën të shkonin në Kishë dhe të luteshin për të rënë shi.
Në një sistem demokratik qeveria dhe opozita kanë detyra për të kryer në mënyrë që sistemi të funksionojë.