Në foto tregohet shkolla fillore që mban emrin e heroit shqiptar Feti Vogli në fshatin e tij të lindjes.

Dikush, edhe po të përpiqet, nuk mund të mbivlerësojë e as të nënçmojë rëndësinë si simbolike, ashtu edhe reale të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Pas pesë dekadave të izolimit më agresiv dhe absurd të ushtruar nga regjimi stalinist i Hoxhës, Shqipërisë i nevojitej dëshpërimisht të rivendoste pozitën e saj mes anëtarëve të botës së Perëndimit, të integrohej në strukturat Euro-Atlantike, të ankorohej në një pjesë të botës e cila aspiron dhe vazhdimisht punon për të arritur standardet më të mira të demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe të zhvillimit.

Kur Shqipëria, një shtet aq komunist sa i kish qëndruar larg edhe vetë Traktatit të Varshavës pasi nuk e konsideronte të mjaftueshëm, u ftua zyrtarisht të bëhej pjesë e NATO-s, historia e vendit mori drejtim krejt të ri. Një tjetër perspektivë e vërtetë u çel për brezin e të rinjve shqiptarë të cilët lindën e u rritën në liri dhe siguri në sajë të premtimit të Aleancës për paqe dhe siguri.

Anëtarësimi në NATO sinjalizoi largimin përfundimtar nga trashëgimia e regjimit komunist, duke përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme imazhin e Shqipërisë, duke rritur sigurinë dhe qasjen ndaj botës dhe duke konsoliduar profilin strategjik si eksportues i sigurisë në tërë rajonin e Ballkanit.

Tashmë, një dekadë më pas, Shqipëria ka shënuar në rrugëtimin e saj pjesëmarrje në shumë misione paqeruajtëse të përbashkëta, performancë të mirë me prezencën e saj modeste por edhe mjaft simbolike. Për fat të keq, ajo ka paguar gjithashtu edhe çmimin që vjen me angazhimin për të siguruar mbrojtje jo vetëm për veten: duke humbur heroin Feti Vogli në Afganistan. Sakrifica e tij dhe e gjithë ushtarëve shqiptarë, të cilët punojnë tashmë krah për krah me kolegë nga e gjithë bota nën ombrellën e NATO-s, duhet kujtuar dhe nderuar çdo ditë por edhe më shumë në këtë përvjetor të veçantë.

Megjithatë ky është një moment i dyfishtë si festimi, ashtu edhe reflektimi. Shqipëria ka shumë punë për të bërë që të përmbushë profilin e përgjithshëm të shteteve të denja anëtare. Ndërkohë që standardet në ushtri, sajë ndihmës ndërkombëtare, po përmirësohen ngadalë por në mënyrë konsistente, për fat të keq nuk mund të thuhet e njëjta gjë për standardet demokratike dhe qeverisëse. Në mënyrë ironike, Shqipëria e gjen veten në këtë përvjetor të dhjetë në një nga momentet më kritike kur bëhet fjalë për cilësinë e vërtetë të sistemit dhe institucioneve të saj demokratike. Anëtarësimi në NATO është njëkohësisht privilegj dhe përgjegjësi për të mos e ulur kurrë vigjilencën, por për të punuar në mënyrë konsistente për arritjen e parametrave të botës demokratike.

Ndërkohë kur marrëdhëniet transatlantike janë në një fazë të re të vështirë dhe kontroverse, kur debatohet roli dhe e ardhmja e NATO-s si aleancë e paqes, ia vlen të kujtojmë historinë e një vendi të vogël si Shqipëria dhe të rrugës që ka ndjekur ajo. Ky shembull do të hedhë një dritë të re mbi rolin strategjik që ka patur e vazhdon të ketë NATO për të bërë bashkë një komunitet shtetesh që ndajnë vlera dhe angazhime unike të çmuara për të mbrojtur njëri-tjetrin.

 

Përktheu: Nora Muçi

SHPËRNDAJE