Ndërsa hyri viti i ri 2020, realiteti shqiptar dhe qeveria e Shqipërisë nuk mund të ishin më larg nga njëri-tjetri, secili duke operuar në një dinamikë ekskluzive me fare pak – ose aspak – pika kontakti.

Të goditur nga një krizë politike paralizuese, një fasadë demokracie e cilësisë së dobët, me pak substancë institucionale, një ekonomi në amulli dhe tërheqje të fjetura investimesh te huaja, dhe të goditur nga një fatkeqësi natyrore që la me mijëra të pastrehë, Shqipëria është duke u zvarritur.

Dhe sikur të mos mjaftonin këto, Shqipëria u cilësua nga autoritetet iraniane si ‘një vend i vogël djallëzor’ ku opozita e tyre është e strehuar me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, duke bërë kështu që Shqipëria të shtohet si një objektiv vulnerabël në listën e Iranit.

Megjithatë, nëse do të mbështeteshit në mediat sociale qeveritare për të marrë të rejat më të fundit mbi aktualitetin e Shqipërisë, do të besonit se vendi po lulëzon. Do të besonit se po vihen në zbatim plane të mëdha për ndërtimin e aeroporteve në pika kyçe turistike, që nafta është gati të shpërthejë në fushat në jugperëndim të vendit dhe që receta e bashkëpunimit rajonal në kuadër të Mini-Schengen është pikërisht shpikja që na nevojitej për të sjellë mirëqenien dhe integrimin.

Por qershia mbi tortë e këtyre realiteteve paralele, e aftë për t’i shkaktuar kujtdo disonancë të rëndë konjitive, është festa për kryesinë e Shqipërisë së OSBE. Kjo arritje historike e politikës së jashtme supozohet t’i frymëzojë të gjithë shqiptarët anembanë të festojnë.

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë për fillimin e kryesisë, Kryeministri shqiptar mbuloi të gjitha temat, që nga përshirja e grave në agjendën e sigurisë, deri në zbatimin e Marrëveshjes së Minskut. Temat me interes global rrëshkasin natyrshëm në gojën e liderëve shqiptarë të të gjitha anëve që vazhdojnë të besojnë heshturazi, sikurse predikohej në kohën e komunizmit, që Shqipëria është në qendër të botës. Vetëm kur bëhet fjalë për çështjet e brendshme, ngecin punët.

Një vend që është tejet i pasigurt për qytetarët e vet ka marrë tashmë përgjegjsëinë për të promovuar paqen dhe sigurinë në mbarë hemisferën veriore. Krahasuar me këtë, krijesat e Botës së Çudirave të Lewis Carroll duken më pranë realitetit.

Në realitetet paralele, ku njerëzit hedhin granata dore në zyrat e bashkive dhe ku ka dhjetëra njerëz të vrarë që në javën e parë të 2020-ës, për motive që variojnë nga gjakmarrja në ujditë mafioze, sipas deklaratave zyrtare të agjencive ligjzbatuese për vrasjet e shumta të ditëve të para të vitit, këto nuk janë gjë tjetër veçse një glitch.

Në realitetet paralele, ku qeveria dhe kryetarët magjikë të bashkive po përgatisin terrenin për lagjje fringo të reja të shkëlqyeera që do ndërtohen për njerëzit e pastrehë të pas-tërmetit, afatit për të qëndruar në hotele i ka ardhur fundi dhe familjet në fjalë kanë mbetur duke u endur në qiell të hapur me gjithë fëmijët dhe ato çka u kanë mbetur nga gjërat personale.

Herë zemërlëshuar, herë pezmatuar nga realitetet paralele, lista vazhdon e vazhdon…

Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shpresojmë që brenda botës së magjisë të ekzistojë një pluhur magjik që do ta zgjojë një ditë qeverinë dhe ta bindë të kapërcejë pragun e realiteteve paralele, të fillojë të punojë mbi çështjet konkrete dhe të ndërmarrë një standard minimal modestie dhe përgjegjshmërie kundrejt zgjedhësve të saj.

Ndoshta dhe kjo është e mundshme në Botën e Çudirave.

SHPËRNDAJE