Perspektiva Europiane është akt historik për Shqipërinë

0

Intervistë me z. Genc Pollo, ish-Ministër dhe Deputet

Intervistoi: Ani Ruci, Deutsche Welle

20 maj 2021

DW: Po e fillojmë intervistën me lajmin e papritur: Qeveria amerikane e shpalli Sali Berishën person të padëshiruar për arsye abuzimi e korrupsioni. A keni koment?

Genc Pollo: Ky lajm ka qenë i papritur e tronditës për shumëkënd. Nuk i di detajet e faktet që mund të kenë shërbyer për bazë. Palët mund t’i sqarojnë. Por më bën përshtypje se ndryshe nga tre personat që së fundmi janë shpallur “non-grata” Sali Berisha është prej tetë vjetësh larg nga çdo ofiq pushteti. Ai ka denoncuar rregullisht paudhësitë e qeverisë Rama, të cilat, me një gjuhë tjetër por me thelb të njëjtë, denoncohen edhe nga raportet ndërkombëtare. Dhe ndryshe nga këta tre persona e shumë të tjerë z. Berisha ka merita historike edhe në marrëdheniet tona me SHBA. Po kështu nuk kam arritur të kuptoj se si gjyqtari Dvorani, i provuar nga Këshilli i Europës si korruptues i proçesit të emërimeve në Gjykatën Kushtetutese, arriti të shpallej Kampion i Antikorrupsionit. Mbase kur të hapen letrat do të shohim më qartë.

DW: A është ndryshimi ose jo i kryetarit të PD instrumenti kyç në procesin e ringritjes së kësaj partie pas tre humbjeve rradhazi të zgjedhjeve parlamentare dhe zërave në strukturat e saj drejtuese për dorëheqjen e kryetarit aktual Basha? Në 13 qershor kjo parti zhvillon zgjedhjet për kryetarin e saj, ku kryetari aktual Basha rikandidon pa dhënë më parë dorëheqjen.

Genc Pollo: PD ka nevojë për një projekt të ri që do të ngjallë besim e shpresë, një projekt i cili të zhvillojë gradualisht konsensuse mazhoritarë në shoqëri. Por, më duket se proçesi i filluar po shkon drejt ngurtësimit të status quo-së. Në Këshill objekti i vetëm i vendimmarrjes ishte komisioni elektoral partiak. Por pati debate dhe disa gjëra u thanë.

DW: Pra ka një një status-quo në PD? Çfarë përfitimesh dhe rreziqesh ka PD nëse ai ekziston dhe vazhdon? 

Genc Pollo: Demokratët janë të zhgënjyer e të shqetësuar përballë konfirmimit të një pushteti abuziv. Kjo sjell edhe refleksin e vetë-ruajtjes e më tej, mos pëlqimin e polemikave publike mes titullarëve të partisë, si dhe bezdinë ndaj të vërtetave të hidhura kur këto shpallen zyrtarisht. Në këto rrethana do të ishte përgjegjësi e udhëheqjes partiake të kapërcente mbi veten e të tregonte dritë në fund të tunelit.

DW: Çfarë përmban projekti i ri i ringritjes së PD, ide e publikuar prej jush edhe kohët e fundit?

Genc Pollo: Mendoja se nevojitej një debat i hapur e i papenguar nga interesat personale pasi u krijua një preçedent negativ me mosndryshimin politik pas dy katër-vjeçarëve. Idetë janë të ndryshme, mund të debatohen në publik por duhen peshuar brenda partisë. Jo të pengohen me fakte të kryera.

DW: A janë të shëndetshme zërat brenda strukturave drejtuese të PD për dorëheqjen e kryetarit Basha dhe mos rikandimin e tij?

Genc Pollo: Çdo zë i motivuar sinqerisht për shëndetin e Partisë Demokratike e sidomos për shëndetin e demokracisë shqiptare duhej të ishte dëgjuar; duhet të dëgjohet.

DW: Çfarë lipsej të kishte bërë ndryshe PD që të mos mbeste 12 vjet në opozitë?

Genc Pollo: Po përgjigjem me nëse. Nëse Rama nuk do të ndryshonte Kodin Zgjedhor sipas qejfit e interesit në mungesë të opozitës mandat-djegur, nëse nuk do të kontrollonte gati të gjitha bashkitë për shkak të bojkotit opozitar por vetëm gjysmën, koalicioni opozitar do të ishtë të paktën me po aq deputetë sa dhe PS. Do të kishte me siguri rotacion sikur  PS të mos abuzonte me shtetin, por kjo e fundit është ëndërr me sy hapur.

DW: A ia doli mbanë PD të tërhiqte segmente të konsiderueshme të elektoratit gri dhe a pati një baticë votash të elektoratit të djathtë në favor të saj? Nga përvojat zgjedhjeve parlamentare në këto 30 vjet post-komuniste, kur kjo ndodh, përpjekjet për manipulim të zgjedhjeve nga forca politike në pushtet dështojnë.

Genc Pollo: Fatkeqsisht, megjithë fushatën e mirë të PD, nuk ndodhi mobilizimi masiv i elektoratit që do të duhej të mbushte gropat e mësipërme. Por lidhur me  manipulimet shihni dosjen 184 në Dibër. Mori mbulim mediatik botëror, arriti të bëhej kusht europian, një investigim i BIRN-it  para tre muajsh paraqiste detaje ngjethëse, e prapë pretenca e reduktoi në minimum absolut numrin e të pandehurve dhe zbuti në maksimum akuzat. Dhe përsëri rruga institucionale nuk lipset të bojkotohet.

Paditë mendoj se përmbajnë prova të shumta, por unë vetë kam parë pafund kandidatë rilindas që shpërndajnë letra legalizimi, inskenojnë inaugurime, etj. që i postojnë pa gajle në Facebook, madje edhe në tv lokale. Ato të ministrave të Ramës bllokuan edhe TV e mëdha. Për këto shkelje që u ndaluan specifikisht nga legjislacioni zgjedhor i miratuar vjet, KQZ mori tagra për t’i ndaluar e ndëshkuar dhe nuk e bëri këtë gjë. Nuk e luajti rolin parandalues që i ngarkoi ligji. Pra, sërish problemi kronik i moszbatimit të ligjeve të mira. Prandaj edhe lavdërimet ndaj KQZ më duken jo tërësisht të justifikuara. Deklaratat e OSBE, BE e SHBA fokusohen tek abuzimi partiak i resurseve shtetërore.

DW: A ka qenë në favor apo në dëm të PD aleanca e saj me LSI, sidomos në raport me elektoratin e saj të djathtë historik?

Genc Pollo: Elektorati i opozitës votoi kundër regjimit e pro rotacionit. Qefmbetjet e 2013-2017 si dhe diferencat ideologjike apo motivimet klienteliste kaluan në plan të dytë.

DW: Ditët e fundit, kryetari i PD, Basha, deklaroi se 59 deputetët demokratë do të zënë në shtator vendet e tyre në Parlamentin e ri, edhe pse ai nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve. Nga duhet ta fillojë PD rolin e saj si opozita e vetme në Parlament?

Genc Pollo: Në shtator do të shihni deputetët e opozitës në Kuvend. Është gjëja e duhur. Retorikat e vapës do të davariten. Roli i tyre si kontroll demokratik është qendror në demokraci, sidomos në kushtet e shtetkapjes është jetik. Prandaj uroj që edhe media si Deutsche Welle t’u japë atyre hapsirën e nevojshme.

DW: Herën e fundit bashkë kemi biseduar gjatë për integrimin europian. A besoni se Konferenca Ndërqeveritare do të mblidhet në qershor?

Genc Pollo: Këtë nuk e di, por shpresoj që po. Por është vetëm stacioni i radhës pastaj fillon negocimi i kapitujve dhe clustersave mes funksionarëve të Tiranës e Brukselit. Serbia po e bënte “shumë mirë ” këtë dhe megjithatë përfundoi me shtet të kapur e parlament monist. Dua të them se nuk lipset të presim mrekullira nga çelja e negociatave, mrekullira për problemet e shtetkapjes, krimit e korrupsionit në nivele të larta.

DW: A mos po tingëlloni si pesimist?

Genc Pollo: Jam realist e jo pesimist, e zgjidhjen e shoh së pari brenda shoqërisë shqiptare. Edhe pse tani kjo nuk duket qartë. Pastaj, në BE ka jo pak që e shohin zgjerimin në radhë të parë  pengesë për fuqitë jomiqësore, e pastaj si konsolidim vlerash europiane. Fatkeqësisht, ka edhe segmente në kohabitacion me stabilokracinë dhe me korruptokracinë, që kanë rezerva për bashkëpunimin me faktorët jashtëqeveritarë të cilët angazhohen për standarte europiane. Por  këto mangësi nuk ndyshojnë asgjë në atë që themi prej tridhjetë vjetësh, që perspektiva europiane është fat historik për Shqipërinë.

DW: Ekspertët e çeshtjeve europiane, ndryshe nga ju mendojnë se ekzaminimi gjatë negociatave do të jetë levë më e fortë në dorën e Brukselit për të gjitha problemet që ju listoni.

Genc Pollo: Ka shumë ekspertë që kërkojnë një rishikim të qasjes së deritanishme përballë shtetkapjes ballkanike dhe abuzimit me Europën për konsolidimin autokratik. Ata e kuptojnë se nuk është çështje negociatorësh profesionalë e vullnetmirë, por raport forcash e çështje pushteti. Shihni për shembull tek ne ligjin e medias, në mars 2020 BE vuri kusht që ligji të ndryshohej sipas Komisionit të Venecias, ky i fundit u shpreh në qershor 2020. Sot, pas një viti, Rama nuk e ka vënë ujin në zjarr për këtë gjë dhe dekreti i Presidentit dergjet i pavotuar në Kuvend. Megjithatë, ka eurodeputë të majtë dhe ndonjë funksionar në Bruksel të cilët, si në realitet magjik, deklarojnë se edhe kushti i ligjit të medias është përmbushur prandaj negociatat duhet të fillojnë. Negociatat mund të fillojnë vërtet, por a përfiton Shqipëria europiane nga kjo qasje? Kam dyshime.

SHPËRNDAJE