Krizat shfaqen rregullisht në ditët tona. Shpesh ato çojnë në padrejtësi shoqërore të shkallës së gjerë, në kufizime të burimeve, në paqëndrueshmëri kulturore dhe ekonomike, çojnë në hidhërim. Por duhet thënë se, në shumë raste, indinjata e njerëzve është shndërruar në veprime pozitive dhe paqësore, që po krijojnë lëvizje të reja demokratike dhe shoqërore në botë, si dhe sipërmarrje biznesi krijuese dhe që u përshtaten ndryshimeve.
Vizionet alternative formësojnë zgjidhje të reja në çdo fushë. Brezi i ri i bërësve të ndryshimit mund të skicojë botën nga e para sipas një modeli ku fjala “eko” zëvendëson fjalën “ego”, ku “mirëqenia” mbështet “fitimin” dhe ku “ndërlidhja” tejkalon “individualizmin”. Mundësitë e reja sipërmarrëse për novatorizëm shoqëror mund të përfaqësojnë thelbin e rendit të ri shoqëror e ekonomik. Edhe ky rajon duhet të përfshihet dhe të gëzojë këtë kthesë kulturore të mbushur me shpresë dhe të mundësuar nga një brez i ri i gjallëruar dhe sipërmarrës.
Në këtë frymë, Zyra e Bashkërenduesit të Veprimtarive Ekonomike dhe Mjedisore të OSBE-së(OCEEA) ka prezantuar nismën rajonale parësore “Zhvilluesit dhe sipërmarrësit e rinj për avancimin e bizneseve start-up” (YDEAS). Kjo nismë po mbështetet nga Italia dhe Polonia. Si udhëheqëse në këtë fushë, OCEEA-ja qëndron krah më krah me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri për të mbështetur sipërmarrësit socialë të rinj të çojnë përpara zgjidhjet në ekonominë numerike dhe shoqërore.
Sot dhe nesër, falë partneritetit të shkëlqyer me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe me ekipin e tij, më shumë se 100 sipërmarrës të rinj nga i gjithë rajoni – nismëtarë të bizneseve të reja – do të mblidhen në Tiranë së bashku me zyrtarë të lartë bashkiakë të qyteteve kryesore nga vijnë. Ky takim do të ofrojë mundësinë për të diskutuar mësimet e marra nga kriza e COVID-19-s dhe mënyrat për të tejkaluar pengesat teknologjike për të shkuar drejt transformimit të shpejtë numerik të sektorit të arsimit dhe të klimës së biznesit në Ballkanin Perëndimor.
Brezi i ri sot po sheh një kthesë të fortë kulturore që njeh rëndësinë e marrëdhënieve ndërmjet shoqërive të botës si dhe ndërmjet njerëzve dhe ekosistemeve të tyre. Shenjë e prekshme e kësaj kthese është përhapja e shpejtë e formave të ndryshme të ekonomive që bazohen tek e ndërsjella, të cilat u ofrojnë bizneseve qëllim të ri në interes të komuniteteve, institucioneve, planetit, individëve, duke vijuar ndërkohë të kenë nivel të lartë fitimi.
Të dhënat flasin vetë. Ekonomia sociale – ato biznese, shoqata, fondacione, kooperativa, etj. me qëllim social dhe të drejtë – japin rreth 7% të PBB-së së botës, sipas Raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kooperativat në Zhvillimin Shoqëror (2017). Kjo është shumë larg kohës kur këto biznese shiheshin si “kushëriri i varfër i tregut dhe i shtetit”.
Në ditët e sotme, filozofia e të qenit pjesë e ekonomisë sociale botërore respektohet si filozofi jete që bazohet tek vlerat e përbashkëta, që vendos njerëzit përpara fitimeve, që parapëlqen qeverisjen demokratike dhe që investon pjesën më të madhe të dividentëve për një qëllim më madhor. Në të gjithë Evropën, ekonomia sociale shihet si aktor i madh ekonomik me 2,8 milionë sipërmarrje, që nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM-të) tek grupet e mëdha Evropiane të biznesit. Kjo ekonomi është e pranishme në të gjithë sektorët, punëson 13,6 milionë njerëz dhe përbën 8% të PBB-së të BE-së. (Sipas të dhënave të https://www.socialeconomy.eu.org/about/)
Sidoqoftë, në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pjesa më e madhe e vendeve vijojnë të kenë vështirësi për kalimin në ekonominë sociale, ndërsa nënvlerësojnë potencialin e saj për rimëkëmbje shoqërore dhe ekonomike, për rritje dhe qëndrueshmëri. Në Shqipëri, për shembull, një studim i sipërmarrjeve sociale i vitit 2019 përllogariste se ka me pak se 400 sipërmarrje sociale me më pak se 2 500 punonjës[1].
Rimëkëmbja e përgjithshme e rajonit nga rënia e shkaktuar prej COVID-19-s vijon të jetë e dobët, pavarësisht disa shenjave pozitive të përmirësimit, sipas Bankës Botërore. “Niveli i papunësisë u rrit në gjysmën e parë të vitit 2021 në pjesën më të madhe të shteteve. Pakësimi i vendeve të punës nga rënia ekonomike dhe nga pasojat e saj kanë ndikuar në mënyrë shpërpjesëtimore tek gratë dhe të rinjtë, çka mund të çojë në hapa prapa të përpjekjeve shumëvjeçare të rajonit për të rritur krahun e punës” (Banka Botërore, 2021). (Të dhëna nga “Banka Botërore. 2021. Raporti Ekonomik Rajonal i Ballkanit Perëndimor, Nr. 20, Vjeshtë 2021 : Lulëzimi i Rimëkëmbjes. Banka Botërore, Uashington, DC. © Banka Botërore. https://openknowledge.worldbank.org/handle/10986/36402 Licenca: CC BY 3.0 IGO).
Tirana është vend shumë i përshtatshëm për organizimin e këtij takimi, si “Kryeqyteti Evropian i Rinisë” për vitin 2022, titull ky i dhënë bashkisë nga Forumi Rinor Evropian për të fuqizuar të rinjtë, për të rritur pjesëmarrjen e tyre dhe për të përforcuar identitetin e përbashkët Evropian. Me parullën “Activate Youth/Aktivizimi i të Rinjve”, bashkia e Tiranës ka prezantuar një program të ngjeshur përgjatë vitit për të përkrahur vullnetarizmin, për të fuqizuar organizatat e të rinjve dhe për të krijuar rrjete të të rinjve nga e gjithë Evropa, për t’i dhënë vëmendje nevojave të të rinjve në të tashmen dhe në të ardhmen. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, iu drejtua të rinjve në ditën e prezantimit të Tiranës si Kryeqyteti i Rinisë dhe kishte shumë të drejtë kur tha se: “Secili prej jush e ka mundësinë të ndryshojë komunitetin.”
Gjithashtu, viti 2022 është shpallur nga Bashkimi Evropian si Viti Evropian i të Rinjve, me qëllim njohjen e sakrificave të të rinjve përgjatë pandemisë, pritshmërive, të drejtave dhe nevojave të tyre, si dhe për të kërkuar ndryshime të qëndrueshme dhe pozitive të politikave.
Përpjekjet e sipërmarrësve të rinj socialë janë vetëm një prej shembujve të rëndësishëm, pasi pjesëmarrësit e grumbulluar në këtë takim po punojnë për të trajtuar vështirësitë kryesore shoqërore, ekonomike dhe mjedisore, duke nxitur ndërkohë rritjen gjithëpërfshirëse, begatinë e përbashkët dhe përfshirjen shoqërore.
Dhe duhet thënë se në një rajon të prekur nga rënia e shpejtë e popullatës dhe nga emigrimi i të rinjve – veçanërisht i atyre të arsimuar – sipërmarrja sociale i përgjigjet mungesës së mundësive që i nxit të rinjtë të largohen. Teksa të rinjtë në moshë dhe në biznes shqyrtojnë se si të mbështesin autoritetet vendore të trajtojnë vështirësitë e rimëkëmbjes pas pandemisë duke shërbyer si katalizatorë të bizneseve sociale novatore dhe me qëndrueshmëri mjedisore, nismat që do të dalin prej kësaj platforme mund të kenë ndikim në rajon dhe më gjerë. Duke parë perspektivën ekonomike që ofrojnë sipërmarrjet sociale, të rinjtë e Ballkanit Perëndimor dhe vendet e tyre vetëm përfitime mund të kenë.
Është e qartë se këto nuk janë fjalë futuriste: të rinjtë nuk janë e ardhmja, të rinjtë janë e tashmja, janë këtu, tani. Dhe të rinjtë po na udhëheqin të gjithëve drejt një të ardhmeje më të ndritur.
[1] Social enterprises and their ecosystems in Europe. Country fiche Albania.pdf





