BRICS një pol i rëndësishëm në rritje në arenën ndërkombëtare

0

BRICS, një grupim ekonomik i Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut, vendosi të zgjerohet në mbledhjen e fundit. Nga data 1 janar i vitit 2024, Irani, Arabia Saudite, Egjipti, Argjentina, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Etiopia do i bashkohen grupit. Presidenti kinez, Xi Jinping, e cilësoi si ‘’historike’’ zgjerimin e BRICS, duke qenë ai vetë nxitësi kryesor prej vitesh i këtij zgjerimi, duke e parë atë si një mundësi të jashtëzakonshme që vendet në zhvillim të shtojnë rolin dhe rëndësinë e tyre në skenën ndërkombëtare.
Në fjalimin e tij në mbyllje të Samitit të 15-të BRICS, të zhvilluar në Johanesburg të Afrikës së Jugut këtë vit, Presdienti Xi Jinping theksoi dhe njëherë disa nga prioritetet e rëndësishme për BRICS si sigurimi i zhvillimit dhe prosperitetit përfshirës për të gjithë , siguria universale si dhe angazhimi për të pasur shkëmbime dhe njohuri të ndërsjellta midis qytetërimeve.1
Në të vërtetë vizioni i presidentit kinez përputhet më atë që ai citon si një shprehje e urtë e famshme kineze “Fitorja sigurohet kur njerëzit bashkojnë forcat e tyre; suksesi sigurohet kur njerëzit bashkojnë mendjet.” 2
Vendet e BRICS kanë 41.5% të popullsisë së botës dhe zotërojnë 26.6% të prodhimit botëror, duke e rritur në mënyrë të konsiderueshme peshën e tyre në arenën ndërkombëtare në krahasim me vitin 2006, kur dhe u krijua grupimi. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, vendet e BRICS kishin 18% të GDP-së botërore në vitin 2010, duke u rritur në 26% në 2021, me rritje të vazhdueshme çdo vit. Një rol të rëndësishëm në këtë rritje ka pasur Kina, rritja ekonomike e së cilës ka përbërë rreth 70% të rritjes së vendeve të BRICS.
Për sa i përket eksporteve, në vitin 2021 vendet e BRICS zënë 18% të eksporteve botërore, me rritje në krahasim me vitin 2010, ku Kina përsëri ka vendin kryesor duke qenë eksportuesi më i madh në botë. Rritje të konsiderueshme ka pasur dhe tregtia mes vendeve të BRICS. Veçanërisht tregtia mes Kinës dhe Rusisë u rrit me 80% në vitin 2022, ndërkohë që ka pasur një rritje të konsiderueshme gjithashtu tregtia mes Rusisë dhe Indisë.
Një rritje të madhe kanë pasur dhe investimet e huaja direkte në vendet e BRICS. Në vitin 2001 investimet e huaja direkte ishin 84 miliardë dollarë, duke shkuar në 355 miliardë në vitin 2021, me një rritje katërfishore. Pjesa e tyre në investimet e huaja direkte në nivel botëror është rritur nga 11% në vitin 2001 në 22% në 2021. Veçanërisht dekada e parë e shekullit të XXI-të ka qenë e jashtëzakonshme për investimet e huaja direkte në vendet e BRICS, duke u rritur me 13.5% çdo vit, më shumë se dyfishi i mesatares botërore.
Zgjerimi i grupit duke filluar nga 1 janari i vitit 2024, duke e rrisë edhe më shumë peshën e tij në arenën ndërkombëtare. Veçanërisht e rëndësishme është zgjerimi me vendet të mëdha prodhuese nafte si Arabia Saudite, Irani dhe Emiratet e Bashkuara, gjë që i jep BRICS kontrollin e shumicës së prodhimit të naftës dhe gazit në botë. Përveç zgjerimit, vendet e BRICS vendosën të vazhdojnë dhe thellojnë përdorimin e monedhave vendase në tregtinë mes tyre, duke përshpejtuar kështu çdollarizimin e tregtisë botërore.
Fakti që Irani, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, do të jenë së bashku pjesë e grupit, është një arritje e madhe diplomatike, pasi tre vendet, por veçanërisht Irani dhe Arabia Saudite kanë qenë vazhdimisht rivale gjeopolitike dhe fetare në Lindjen e Mesme. Në këtë drejtim Kina pati një arritje të madhe diplomatike kur më herët këtë vit arriti të ndërmjetësonte mes Arabisë Saudite dhe Iranit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe fillimin e shkëmbimeve të dyanshme pas shtatë vitesh. Kjo arritje e diplomacisë kineze bëri të mundur zgjerimin e BRICS me këto vende.
Statistikat e mësipërme tregojnë jo vetëm rritjen e peshës së vendeve të BRICS në ekonominë dhe tregtinë botërore, por bashkë me të tregojnë dhe rritjen e peshës politike të tyre. Në thelb, grupimi ka ekonominë dhe tregtinë, por ndikimi politik është i pashmangshëm për aq kohë sa pesha ekonomike rritet. BRICS synon gjithmonë e më shumë të bëhet një alternativë ndaj Perëndimit, duke dhënë një model ndryshe bashkëpunimi dhe zhvillimi të bazuar tek respekti i dyanshëm për cilindo shtet, të madh apo të vogël. BRICS është tashmë pa dyshim një pol në rritje të konsiderueshme në arenën ndërkombëtare dhe mbetet në vëmendjen e të gjithë vëzhguesve e vendim-marrësve në vijim.

______________________________________________________________________________________________________________________________

  1. “ Rritja e solidaritetit dhe bashkëpunimit për të kapërcyer rreziqet dhe sfidat dhe për të ndërtuar së bashku një botë më të mirë” Fjalim i Sh.së Tij Xi Jinping, President i Republikës Popullore të Kinës, Ceremonia Përmbyllëse e Forumit të Biznesit BRICS  2023, Johannesburg, 22 gusht, 2023.
  2. “Dorë për dore drejt një komuniteti të zhvillimit të përbashkët”, Fjalim i Sh.se Tij Xi Jinping
    Presidenti i Republikës Popullore të Kinës në Dialogun BRICS-Afrikë dhe BRICS Plus, Johannesburg, 24 gusht 2023.
SHPËRNDAJE