Libri “Udhëtimi i djaloshit Najdi” si një urë letrare midis Arabisë Saudite dhe Shqipërisë – I pari roman saudit në gjuhën shqipe

0

Nga Jerina Zaloshnja

Botimi në shqip i librit “Udhëtimi i djaloshit Najdi” (Tirana Times, 2025) duket se shënon një hap të rëndësishëm në historinë e kulturës mes dy vendeve, Arabisë Saudite dhe Shqipërisë: ai është vepra e parë e letërsisë saudite e përkthyer në shqip. Ky botim vjen si rezultat i bashkëpunimit mes Kalemat Agency-t në Riad dhe shtëpisë botuese Tirana Times. Ai i prezanton lexuesit shqiptar rrëfimin e një prej shkrimtarëve më të njohur sauditë, Yousef Al-Mohaimeed.

Përmes një subjekti të thjeshtë – aventurës së Salehut, një djaloshi të vogël nga Najdi që braktis fshatin e tij dhe udhëton me qëllimin për të zbuluar kuptimin e një ëndrre që i shfaqet natë pas nate dhe nuk e lë të qetë – romani çel një dritare të vogël, të panjohur e tepër tërheqëse mbi mitologjinë beduine, spiritualitetin islam dhe etnografinë arabe, tema që, me sa dimë, rrallë janë trajtuar në librin shqip. Për këtë arsye, kjo dritare pak e njohur për lexuesin shqiptar e bën subjektin, që në dukje është i thjeshtë, në fakt të ndërlikuar në nëntekst.

Cila është ngjarja?

Salehu, një djalë i ri dhe biri i një këpucari, dridhet dhe rrënqethet sa herë që fëndyelli i babait – gjilpëra e trashë me të cilën i ati qep lëkurat e kafshëve për t’i shndërruar në këpucë – çan lëkurën e regjur. Është një rrënqethje që e ndjek ditë e natë, pasi i ati di të bëjë vetëm këtë punë: të nxjerrë këpucë nga lëkurat e kafshëve. I veleritur nga kjo pamje, djaloshi jo vetëm që kundërshton ta trashëgojë zanatin e të atit, por shqetësohet aq shumë sa i turbullohet edhe gjumi i natës. Tre net me radhë, atij i fanepset e njëjta ëndërr – në pamje të parë pa shumë kuptim – e cila i shkakton një gjendje ankthi dëshpërues.

Në këtë ëndërr, Salehu i ri, në vend që të ecë në këmbë si gjithë të tjerët, fluturon si zog mbi pemë, çati, pullaze, fshatra, madje edhe qytete. Por kur lodhet, si çdo fluturak, zbret për t’u çlodhur dhe nuk bie përdhe, por pikërisht mbi një kafshë të therur. Kështu, nga qielli dhe retë, në këtë çlodhje tokësore për pak, ai e gjen veten të zhytur në një vorbull jashtëqitjesh e gjaku të kafshës së therur. Aty, midis frikës dhe magjepsjes, i shfaqet një plak i veshur me mantel gri, i cili i jep një këshillë enigmatike: “Udhëto, pa të kuptosh” – në udhëtim do të gjesh kuptimin e ëndrrës që të shqetëson. Pa e zgjatur, djaloshi i lë pas të gjitha (shtëpinë, familjen, shokët, fshatin) dhe niset për ta kuptuar.

Nga shkretëtirat e Najdit në portet e Omanit, prej pyjeve të Karnatakës deri te lagjet e Bombeit, çdo ndalesë i fal djaloshit një copëz përgjigjeje që e çon më thellë në kërkimin e vetvetes. Historia përmbyllet me një kthim ciklik, në stilin homerik të “nostos”, ku kuptimi i vërtetë i ëndrrës i shfaqet sërish atje ku nisi rrugëtimi.

Vepra si mozaik simbolesh

Është e qartë se kjo vepër e Yousef Al-Mohaimeed përmban simbole që, ashtu si gurët e një mozaiku, ngjajnë si pjesë pa ndonjë kuptim kur i sheh veçmas, por enigma zgjidhet sapo autori i bashkon të gjitha. Ja disa prej simboleve të përdorura:

Së pari, përdorimi i ëndrrës si motor narrativ. Romani fuqizon traditën arabe të ru’ya-s (shpalljes nëpërmjet ëndrrës), duke e kthyer imazhin e kufomës dhe jashtëqitjes së kafshës në metaforë për thesarin e fshehur: pasuri shpirtërore dhe materiale që kërkon guxim e sakrificë.

Së dyti, përdorimi i dualitetit qytet/shkretëtirë. Lëvizja, udhëtimi i personazhit kryesor nga Najdi, një fshat asketik, drejt Indisë polifonike, i jep veprës një ngjyrim oriental, por njëkohësisht sfidon stereotipet: India këtu nuk shfaqet si “Tokë tjetër” ekzotike, por si pasqyrë ku Salehu mëson humanizmin (plaku i lumit që “shlyen” mëkatin ndaj peshqve).

E fundit, motivi i këpucës. Dy këpucët prej argjendi lidhen me nocionin profetik të “sandaleve të udhëtimit”: njëra jepet, falet, tjetra fitohet përmes rrezikut. Të dyja qëndrojnë bashkë vetëm kur protagonisti kalon provën e vdekjes (nepërka helmuese).

Gjuha dhe stili

Kritika vendase e ka lavdëruar prozën lirike të Al-Mohaimeed-it për fjalitë e zgjatura, ritmin poetik dhe imazhet e dendura. Përkthimi në shqip është përpjekur të respektojë pikërisht këtë kadencë; të ruajë frymëmarrjen orientale pa e ngurtësuar sintaksën shqipe. Zgjedhja e disa fjalëve të huaja (thobë, sheh, Bajram) synon t’i japë tekstualitet dhe autenticitet librit, ndërsa fusnotat e shkurtra shmangin shterimin akademik. Është bërë gjithashtu përpjekje për ta sjellë dialogun sa më natyral, veçanërisht në skenat ku Salehu diskuton me nënën apo debaton me peshkatarin hindu.

Me një rrjedhshmëri befasuese, natyrshmëri, por edhe pakëz frymë magjie e fantastike; me të papritura jo gjithmonë të këndshme, Udhëtimi i djaloshit Najdi ngjan si një rrëfim rrëmbyes për guximtarët, ëndërrimtarët dhe ata lexues që, si personazhi i këtij libri, janë në kërkim të kuptimit të jetës. Përtej narrativave klanore apo polemikave morale që shpesh i atribuohen prozës saudite, autori fokusohet në formimin personal, në universalitetin e ëndrrës dhe në pyetjen ekzistenciale: “Kush jam unë?”

Pra, kush jam?
Udhëtimi i djaloshit Najdi jep një përgjigje.

SHPËRNDAJE