Nga Konstantina KAMITSI
Botimi në shqip i koleksionit poetik “Mythistorima” të poetit grek, fitues i Çmimit Nobel, Giorgos Seferis, përbën një tjetër kontribut unik në përhapjen e veprës së një poeti që përcaktoi poezinë greke në gjysmën e parë të shekullit të 20-të. Ambasada e Greqisë në Shqipëri, në bashkëpunim me Albanian Institute for International Studies, me kënaqësi të veçantë i prezanton publikut shqiptar një vepër emblematike të Giorgos Seferis, të përkthyer nga Romeo Çollaku.
“Mythistorima” një koleksion poezish e shkruar rreth 100 vjet më parë, mbetet në mënyrë diakronike aktuale, pasi Seferis trajton tema universale, si mërgimi, endja, kërkimi i atdheut. Siç e ka thënë vetë poeti, “këto janë dy sintetikat që më bënë të zgjedh titullin e kësaj vepre MIT, sepse përdora në mënyrë të dukshme një mitologji të caktuar; HISTORINË, sepse u përpoqa të shpreh, me një rrjedhë të caktuar, një situatë aq të pavarur nga unë sa personazhet e një romani”. Në të vërtetë, pas referencave mitologjike ndaj ekspeditës së Argonautëve dhe Odisesë qëndron historia e kohëve të fundit greke me ekspeditën e Azisë së Vogël dhe katastrofën e Azisë së Vogël, e cila për poetin e lindur në Smirnë përbën një përvojë personale.
Njëzet e katër poezitë, që të kujtojnë njëzet e katër rapsoditë e Iliadës dhe Odisesë, si dhe referencat e shumta për udhëtimet – veçanërisht në det – përforcojnë përshtypjen e lexuesit se ajo që po lexon është “Odisea” e Greqisë moderne, një udhëtim në traditën shekullore historike dhe kulturore greke.
Në një botë ku njerëzit emigrojnë ose zhvendosen, në një epokë ku kërkimi i identitetit po bëhet gjithnjë e më intensiv, “Mythistorima” e fton lexuesin të zhytet në këto çështje, i udhëhequr nga mitet e lashta greke. Edhe pse teksti ndonjëherë bëhet i vështirë për t’u kuptuar për shkak të referencave ndërtekstuale, magjia e tij mbetet e gjallë si në origjinal ashtu edhe në përkthimin e shkëlqyer nga Romeo Çollaku, i cili iu afrua atij me ndjeshmëri të pashoqe, duke i ofruar audiencës shqiptare mundësinë të vihet në kontakt me veprën e laureatit të çmimit Nobel, Giorgos Seferis.
Ky botim përkon me përurimin e Konsullatës së Përgjithshme të Greqisë në Korçë, në ndërtesën ku jetoi poeti dhe diplomati Giorgos Seferis gjatë mandatit të tij në vitet 1936-1937. Një rastësi fatlume që na kujton se Seferi, përveç kontributit të tij në letërsinë greke dhe botërore, i shërbeu Greqisë si diplomat dhe pati mundësinë të njihej me Shqipërinë gjatë mandatit të tij në Korçë.
Ambasada e Greqisë në Shqipëri, në bashkëpunim me Albanian Institute for International Studies, i ofron publikut shqiptar jo vetëm përkthimin e një vepre poetike emblematike, por një dëshmi shpirtërore për nostalgjinë (nostos), kërkimin e atdheut dhe përballjen me të kaluarën e lavdishme, por të rëndë, në përpjekjen e njeriut modern për të gjetur rrugën e tij. Si grekët ashtu edhe shqiptarët, dy popuj me një histori shekullore lëvizjesh dhe emigrimesh, mund të identifikohen lehtësisht me kuptimet dhe melodinë e poezive të tij. Në këtë mënyrë, “Mythistorima” bëhet ura që, përmes përvojave të përbashkëta, flet në shpirtin e grekëve dhe shqiptarëve.
Jam e bindur plotësisht se poezia mund të jetë një mjet tjetër për mirëkuptimin dhe për t’i afruar dy popujt fqinjë, duke përqafuar optimizmin dhe shpresën që shfaqet në fund të koleksionit poetik.
XXIII
Edhe pak
do shohim të çelin bajamet
mermerët të shkëlqejnë në diell,
detin të çojë dallgë
edhe pak,
sa të ngjitemi pak më lart.
Konstantina Kamitsi
Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri