Një nga shtyllat kryesore të arsimit të lartë cilësor dhe të qëndrueshëm ne Shqiperi konsiderohet integriteti akademik, i cili lidhet ngushtë me transparencën, ndershmërinë dhe respektimin e standardeve etike, të cilat garantojnë besueshmërinë e ketyre institucioneve arsimore. Në Shqipëri, sfida të shumta si plagjiatura, korrupsioni dhe mungesa e mekanizmave efektivë të kontrollit kanë ndikuar negativisht në reputacionin e universiteteve. Përballë këtij realiteti, koncepti i koalicioneve për universitete të pastra del si një nismë e domosdoshme për të rritur integritetin dhe për të promovuar një kulturë të re akademike.
Koalicionet për universitete të pastra konceptohen si rrjete bashkëpunimi ndërmjet universiteteve, studentëve, pedagogëve, shoqërisë civile dhe institucioneve shtetërore, me qëllim vendosjen e standardeve të qarta dhe zbatimin rigoroz të tyre. Universitetet duhet të adoptojnë politika të rrepta kundër plagjiaturës dhe të investojnë në sisteme të teknologjisë së informacionit për digjitalizimin e procesit akademik. Studentët si aktorë kryesorë duhet të përfshihen aktivisht në mbrojtjen e integritetit, duke raportuar shkeljet dhe duke refuzuar praktikat e pandershme.
Sipas nje studimi te kryer mbi korrupsionin ne arsimin e larte, theksohet se mungesa e organizimit të mekanizmave studentore është një nga shkaqet kryesore të mos-aktivizimit të studentëve kundër fenomenit të korrupsionit. Nevojitet zhvillimi i zgjedhjeve dhe riorganizimi i Këshillave Studentore në universitetet publike të pajisur me organizma shtesë për evidentimin e korrupsionit në fakultete. Edhe shoqëria civile dhe media luajnë rol monitorues e sensibilizues, duke rritur presionin publik për transparencë. “Organizatat e shoqërisë civile duhet të depërtojnë në universitete për të ndihmuar studentët të denoncojnë, të reagojnë dhe të demaskojnë fenomenin e korrupsionit. Qëndresa ndaj pedagogëve dhe administratës të korruptuar ka nevojë për bashkëpunim nga brenda dhe jashtë auditorëve,” thuhet ne studim. Nderkohe nga ana tjeter Qeveria dhe institucionet e akreditimit kanë përgjegjësinë për të krijuar kuadër ligjor të qartë dhe mekanizma efektivë kontrolli. Keshtu Koalicionet, nuk shërbejne vetëm si struktura formale, por edhe si mekanizma për të krijuar një kulturë kolektive të ndershmërisë akademike. Shqiperia ka aktualisht 14 universitete publike.
Arsimi i lartë shqiptar, ndonëse ka bërë hapa të rëndësishëm drejt reformimit pas procesit të Bolonjës, vazhdon të përballet me problematika të trashëguara. Studime të ndryshme kanë treguar se korrupsioni në nota, pranime dhe plagjiatura në punime shkencore shikohen si një fenomen i përhapur kjo sipas raporteve te organizates Transparency International. Gjithashtu sipas nje raporti te Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale rezulton se më shumë se 40% e studentëve shqiptarë kanë perceptuar raste të korrupsionit në marrëdhënien pedagog–student.
Nderkohe qe raportet më të fundit të institucioneve ndërkombëtare, si ai i Parlamentit Evropian dhe Departamentit të Shtetit të SHBA, e kanë vlerësuar korrupsionin në arsim si një nga pengesat kryesore për përparimin e Shqipërisë në drejtim të integrimit të plotë në Bashkimin Evropian dhe për përmirësimin e imazhit të saj në arenën ndërkombëtare. Sipas dy raporteve të dy viteve fundit të Parlamentit Evropian, korrupsioni mbetet një sfidë e rëndësishme për Shqipërinë, duke pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në sistemin arsimor dhe duke minuar besimin e qytetarëve tek institucionet publike. Po ashtu, Departamenti i Shtetit në Raportin vjetor për Shqipërinë ka theksuar se korrupsioni në arsimin e lartë është një fenomen që kërkon reforma të thella dhe angazhim të vazhdueshëm nga autoritetet për të garantuar një sistem arsimor më të drejtë dhe të ndershëm. Gjithashtu këto problematika krijojnë një hendek të madh mes universiteteve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare, duke ulur besueshmërinë e diplomave dhe duke penguar konkurrueshmërinë e të diplomuarve në tregun global të punës.
Disa nga strategjitë për rritjen e integritetit akademik mund te jene përdorimi i softuerëve kundër plagjiaturës në çdo punim akademik, pasi plagjatura rezulton nje fenomen gjeresisht i perhapur ne universitett shqiptare. Keshtu sipas një studimi qe shqyrtoi prodhimin shkencor të 26 lektorëve universitarë, ku përfshiheshin njëmbëdhjetë profesorë dhe individë të tjerë me doktoraturë rezulton se nga 59 artikuj kërkimorë, 52 kishin praktika të pamjaftueshme citimi, ndërsa 23 përmbanin përmbajtje të plagjiaturës pa asnjë atribuim burimi. Ndersa pedagogu dhe ish-zv.ministri i Arsimit, Taulant Muka, në qershor të këtij ka depozituar në SPAK dosjen me 400 faqe për plagjiaturë për rektorin e Unverisitetit të Tiranës (UT) dhe mbi 50 profesorë në UT.
Gjithashtu ketu perfshihen kodet e etikës dhe ndëshkimi real i shkeljeve për studentët dhe pedagogët, digjitalizimi i sistemit të provimeve dhe notave, duke reduktuar ndërhyrjet manuale dhe korrupsionin, trajnime mbi etikën akademike për pedagogët dhe studentët, duke promovuar vlera të reja apo ndërkombëtarizimi i universiteteve dhe bashkëpunimi me institucione të huaja që kërkojnë standarde të larta etike. Disa prej ketyre strategjive kane nisur te implementohen se fundmi.
Përfitimet qe rrjedhin nga koalicionet për universitete të pastra jane shume planesh, rritet besimi i publikut te universitetet dhe diplomat e tyre, forcohet cilësia e arsimit dhe rritet konkurrueshmëria ndërkombëtare e studentëve shqiptarë, shmangen praktikat e padrejta që dekurajojnë studentët e ndershëm, ndërtohet një shoqëri më e drejtë dhe e bazuar në dije, ku meritokracia vlerësohet mbi çdo formë tjetër.
Koalicionet për universitete të pastra përfaqësojnë një domosdoshmëri strategjike për të ardhmen e arsimit të lartë në Shqipëri. Integriteti akademik nuk mund të mbetet përgjegjësi individuale, por duhet të ndërtohet si një kulturë kolektive, ku secili aktor ka një rol të qartë. Vetëm nëpërmjet bashkëpunimit të gjerë dhe zbatimit rigoroz të standardeve etike, universitetet shqiptare mund të fitojnë besueshmëri, të forcojnë cilësinë e arsimit dhe të përgatisin gjenerata të afta për të kontribuar në zhvillimin e një shoqërie demokratike dhe të bazuar në dije.
Ky artikull është përgatitur nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare (AIIS) në kuadër të një nën-granti të dhënë nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), si pjesë e projektit “Shoqëria civile kundër korrupsionit: nga një sfidë vendore në një përgjigje evropiane”, i mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian. Përgjegjësia për përmbajtjen i takon vetëm Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare(AIIS) dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian apo të Komitetit Shqiptar të Helsinkit





