Takime Lindje – Perëndim në librin “Pema e Harlisur” të autores saudite Umaima Al-Khamis

0

Alban Reli

Si përkthyesi nga arabishtja në shqip i romanit “Pema e harlisur” të shkrimtares saudite Umaima al-Khamis, kam kënaqësinë dhe shansin e veçantë t’i prezantoj lexuesit shqiptar botimin në gjuhën shqipe të këtij libri, të botuar nga Tirana Times. Libri u përcoll për herë të parë para publikut gjatë Javës së Kulturës Saudite në Tiranë (16–20 shtator), në Pallatin e Kongreseve, duke shënuar një hap domethënës në dialogun letrar mes Shqipërisë dhe botës arabe.
Al-Khamis, një nga zërat më të njohur të letërsisë bashkëkohore saudite – shkruan me një stil që lëviz me mjeshtëri ndërmjet realizmit dhe alegorisë, duke i dhënë zë botës së brendshme të gruas përgjatë transformimeve shoqërore të Riadit në fund të shekullit të 20-të. Ky botim e fton lexuesin shqiptar të prezantohet me një histori të rrënjosur lokalisht por me jehonë universale.

​Romani është i shkruar në vetën e parë dhe ka në qendër Xheuharën, një mjeke saudite në një spital të Riadit, zëri i brendshëm i së cilës mban pezull rrëfimin. Libri lëviz në mënyrë jo lineare përmes fëmijërisë, formimit dhe jetës profesionale, kështu që lexuesi përjeton jo aq një varg ngjarjesh, sa një teksturë të jetuar kujtimesh, emocionesh dhe reflektimesh.

Ky roman na sjell një rrëfim prekës që të bën të ndjesh, të përjetosh të mendosh dhe të kuptosh. Një rrëfim original për jetën dhe vdekjen, shpresën dhe zhgënjimin, gëzimin dhe trishtimin, suksesin dhe dështimin, përpjekjet dhe ngadhënjimin. Një rrëfim mahnitës për jetën dhe shoqërinë njerëzore me dimensionet e saj të ndryshme kulturore dhe shpirtërore, që shpërfaqen përmes rrugëtimit jetësor të heroinës së romanit, Xheuharës – një rrugëtim nga zemra e Gadishullit të lashtë Arabik, në qytetin e Riadit, e deri në ‘Botën e Re’ në qytetin e Torontos. Të gjitha këto vijnë në roman përmes përshkrimit të një larmie karakteresh që autorja Umaima Al-Khamis, na i sjell nëpërmjet personazheve nga vende të ndryshme të botës, nga Lindja dhe Perëndimi, të cilët e shoqërojnë heroinën e romanit gjatë fazave të ndryshme të rrugëtimit të saj jetësor, rritjes, formimit dhe vetë-afirmimit.

Larmia e karaktereve dhe personazheve nga vende të ndryshme të botës në roman është vërtetë e madhe duke i dhënë frymëmarrje romanit i cili arrin të na prezantojë histori të ndryshme njerëzore, të cilat janë të ndryshme pikërisht se personazhet vijnë nga botë të ndryshme gjeografike dhe kulturore e si të tillë kanë eksperienca dhe sfida të ndryshme në jetë. Mund të thuhet se romani është një hartë demografike-psikologjike e botës. Adriana nga Zelanda e Re, Keriman Buhari nga Azia Qendrore, Xhija nga Toronto, Libermani, një ashkenazit kanadez me prejardhje nga Evropa, personazhe që i bashkon profesioni i mjekut, por që vijnë nga kultura dhe mendësi krejt të ndryshme, të cilat bashkohen në një fill lidhës në historinë e Xheuharës, përmres rrëfimit të saj dhe mënyrës se si ajo e percepton botën. Po kaq interesante janë edhe personazhet e njerëzve të thjeshtë, Pablo, shoferi nga Filipinet, Ani dhe Seida, dy shërbyeset indoneziane, Ubejdi me origjinë afrikano-Sudaneze. Disa kapituj të librit mbajnë pikërisht emerat e këtyre personazheve kontrastive të cilët rrëfimi i Xheuharës, vajzës nga lagja Ulejsha në Rijad, i vendos në një kontekst të dallimit por edhe të dialogut midis civilizimeve. Përballja e këtyre personazheve kaq të larmishëm që vijnë nga botë të ndryshme, të kujtojnë takimet me Tjetrin, takime që ngrenë jo vetëm pyetje ekzistenciale, por shërbejnë edhe si një vënie në provë e integritetit të vetes dhe zbulojnë se sa e brishtë, por edhe sa këmbëngulëse mund të jetë autonomia.

​Një vlerë e shtuar e romanit është se ai na sjell gjithashtu një realitet thuajse të panjohur për lexuesit shqiptar, duke bërë një përshkrim mjeshtëror të shoqërisë arabo-saudite në përgjithësi, dhe të gruas saudite në veçanësi. Romani, shpalos para lexuesit shqiptar botën e gruas saudite me të gjitha dimensionet e saj; shpirtërore, emocionale, familjare dhe profesionale. Autorja nuk e idealizon botën e femrës saudite, ajo e sjell atë me gjithë kompleksitetin e saj nërpmjet personazheve të ndryshme femërore, ndonjëherë kontrastive, të cilat edhe pse jetojnë në të njëjtin qytet, kanë botën e tyre dhe na përcjellin shndërrimin e pashmangshëm në kohë dhe në hapësirë. Hapësira private zë një vend qendror në roman. Heroina, Xheuhara, përpiqet të sigurojë “një dhomë më vete” – si në kuptimin fizik ashtu edhe intelektual, një dhomë të vetën përmes të cilës të sigurojë edhe autonominë e saj. Në roman kjo hapësirë private, tërësisht e heroinës, negociohet pareshtur në pavionin e spitalit, në oborrin e shtëpisë, në klasë dhe në rrugë. Çdo hapësirë na paraqitet si një test i asaj që lejohet, i asaj që është e mundur dhe që është e domosdoshme për një grua që kërkon ta përcaktojë vetë jetën e saj.

​Përballë kësaj bote femërore, autorja vendos një botë mashkullore saudite të parë nga këndvështrimi femëror. Përmes personazheve të ndryshme që vijnë nga shtresa të ndryshme shoqërore dhe me profesione të ndryshme, autorja na paraqet një tipologji mashkullore, që nuk është e panjohur edhe për ne në Shqipëri.

​Për lexuesit shqiptarë të letërsisë botërore, libri është një derë e hapur në letërsinë bashkëkohore Arabe. Ai zgjeron horizontet përtej letërsisë perëndimore. Libri është pasqyrë e një kulture pak të njohur, që na lejon ta shohim botën arabe përtej lajmeve dhe stereotipeve. Romani është gjithashtu një përvojë e pasur estetike e rrallë, një letërsi që ndërthur poezinë me narrativën, kujtesën dhe filozofinë. Romani “Pema e Harlisur” është një histori saudite por, njëkohësisht edhe universale, që ja vlen të lexohet, dhe të rilexohet.

SHPËRNDAJE