Në një intervistë me Institutin Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare (AIIS), Arjan Starova, ish-ministër i Jashtëm i Shqipërisë dhe President i Këshillit Atlantik të Shqipërisë, shpjegon pse NATO mbetet relevante në rajon: si një spirancë stabiliteti që promovon standardet, reziliencën dhe bashkëpunimin.
Shpeshherë, “siguria” trajtohet si diçka e largët—për ushtarë, samite e deklarata nga jashtë. Starova e nis argumentin pranë jetës së përditshme. Kur dhuna dhe aktiviteti i paligjshëm prekin komunitetet, ndërsa narrativat e manipuluara korrodin debatin publik, siguria bëhet personale. “Siguria nuk është një koncept abstrakt. Kur rrjetet kriminale dhe dhuna prekin jetën e përditshme, siguria kthehet në çështje të mbrojtjes së jetëve individuale”, thotë ai.
Më tej, Starova thekson se siguria në Ballkanin Perëndimor sot nuk ka të bëjë vetëm me qëndrimin ushtarak. Rëndësi ka nëse qytetarët u besojnë institucioneve, nëse gjykatat janë të pavarura, nëse gazetarët raportojnë lirshëm dhe nëse faktet dallohen nga manipulimi. Kësisoj, relevanca e NATO-s nuk kufizohet tek “siguria e fortë”; ajo qëndron edhe në standardet demokratike, ndërveprueshmërinë dhe reziliencën kundër kërcënimeve hibride që Aleanca pret, forcon dhe ndihmon të ndërtohen. Siç e përmbledh Starova: “Ajo që ka rëndësi në fund nuk është kompleksiteti i rregullave, por siguria dhe standardet demokratike.”
Rezilienca fillon me institucione të besueshme
Në mbarë rajonin, dobësitë lidhen me sundimin e ligjit të brishtë, ndërhyrjen politike dhe brishtësinë institucionale. Këto hendekë hapin rrugë për korrupsion dhe ndikim të papërshtatshëm, duke ulur besimin në vendimmarrjen publike. “Krimi i organizuar nuk është vetëm çështje kriminale; ai bëhet problem sigurie kur minon institucionet dhe besimin publik”, paralajmëron Starova.
Kjo dimension institucionale është tashmë në qendër të planifikimit të NATO-s së bashku me parandalimin dhe mbrojtjen. Koncepti Strategjik 2022 përshkruan një mjedis kërcënimesh ku presioni ushtarak ndërthuret me sfida hibride—sulme kibernetike, sabotim, manipulim informacioni. Samiti i Hagës 2025 e thelloi këtë qasje, duke e zhvendosur fokusin nga premtimet e gjera te zbatimi dhe rezilienca.
Sa më të besueshme e të pavarura institucionet, aq më e vështirë bëhet për aktorët e jashtëm të frikësojnë, përçajnë apo destabilizojnë shoqëritë. Garancitë e forta në prokurime, forcat e zbatimit të ligjit profesionale dhe gjykatat e pavarura nuk janë thjesht objektiva qeverisjeje; ato forcojnë sigurinë kombëtare dhe rrisin besimin në trajektoren euro-atlantike.
Integriteti i informacionit si çështje sigurie
“Dezinformimi është një nga kërcënimet më serioze për shoqërinë demokratike, sepse dobëson lirinë e medias, besimin në institucione dhe debatin e informuar”, paralajmëron Starova. Në një mjedis të polarizuar, narrativat manipuluese thellojnë ndarjet ekzistuese, delegjitimojnë reformat dhe kthejnë zgjedhjet strategjike në polemikë të përhershme.
Kjo nuk do të thotë thjesht “të komunikojmë më mirë”, por të kemi parakushte demokratike: transparencë, përgjegjshmëri, institucione të pavarura dhe një mjedis mediash pa kapje. Partneritetet e jashtme funksionojnë kur përputhen me përgjegjshmërinë e brendshme dhe angazhimin shoqëror afatgjatë, në mënyrë që reformat të zbatohen realisht, jo formalisht.
NATO, si komunitet politik përveçse aleancë ushtarake, mbron demokracinë, sundimin e ligjit e pavarësinë institucionale. “Liria, pluralizmi dhe një gjyqësor i pavarur janë standardet themelore që përcaktojnë komunitetin euro-atlantik”, thekson Starova. Rezilienca, pra, nuk matet vetëm me buxhete mbrojtjeje, por edhe me institucione që i rezistojnë presionit dhe me një hapësirë publike ku debati mbështetet në fakte.
Çfarë ofron NATO në praktikë
Të vlerësosh rolin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor shtron një pyetje praktike: çfarë sjell Aleanca konkretisht në terren?
Së pari, NATO funksionon si një spirancë stabiliteti. Përmes anëtarësimit, partneriteteve dhe misioneve, Aleanca rrit koston e përshkallëzimit dhe ngushton hapësirën për detyrim. Ky rol nuk është thjesht simbolik: ai formëson pritshmëritë dhe sjelljet, nxit planifikimin dhe koordinimin, dhe u garanton shteteve më të vogla një nivel sigurie që nuk do ta arrinin dot të vetme.
Së dyti, NATO mbështet ndërtimin e kapaciteteve dhe gatishmërinë. Në Ballkanin Perëndimor kjo vihet re në bashkëpunime praktike: trajnime, ndërveprueshmëri, gatishmëri emergjence dhe forcimin e institucioneve të mbrojtjes që të funksionojnë në mënyrë profesionale e transparente. Këto kontribute janë shpesh pak të dukshme, por me kalimin e kohës reduktojnë dobësitë dhe forcojnë zakonet e bashkëpunimit ndërmjet agjencive dhe kufijve. Starova vëren gjithashtu se bashkëpunimi në fushën e sigurisë është një nga pak fushat ku angazhimi pragmatik mund të vazhdojë edhe kur dialogu politik është i tensionuar, duke ruajtur kontaktet profesionale kur politika ngec.
Së treti, NATO forcon standarde që shkojnë përtej pajtueshmërisë formale. Thelbi i argumentit të Starovës është se vlerat bëhen domethënëse vetëm kur zbatohen në qeverisjen e përditshme, jo kur trajtohen thjesht si rreshtim simbolik. Strategjikisht, shoqëritë që internalizojnë standardet demokratike janë më pak të prekshme nga manipulimi dhe kapja, duke forcuar në këtë mënyrë sigurinë kolektive të NATO-s.
Mundësia rajonale: bashkëpunoni dhe përshpejtoni
Ballkani Perëndimor ka një mundësi të qartë për ta përkthyer përafrimin euro-atlantik në përfitime konkrete për qytetarët. Rajoni është i vogël dhe i ndërlidhur, ndaj bashkëpunimi mund të sjellë rezultate të shpejta—nga reagimi ndaj krizave te koordinimi ndërkufitar. Kur vendet investojnë në këto zakone, ndërtohet reziliencë e dukshme dhe e matshme: institucione më të forta, shërbime publike më të besueshme dhe besim më i madh i investitorëve.
“Nuk duhet të humbasim kohë. Procesi i integrimit duhet të përshpejtohet”, nënvizon Starova. Përshpejtimi nuk është vetëm diplomatik; ai kërkon zbatim të brendshëm që i kthen angazhimet strategjike në progres të qëndrueshëm dhe i bën standardet e NATO-s të prekshme në qeverisjen e përditshme.
Mesazhi Kryesor
Mesazhi thelbësor i Starovës është besimi në kornizat ekzistuese. NATO i ofron Ballkanit Perëndimor një model të provuar që lidh bashkëpunimin në siguri me standardet institucionale, reziliencën dhe parashikueshmërinë. Kjo ka ndihmuar në ankorimin e stabilitetit duke mbështetur progres të matshëm në të gjithë rajonin.
Duke e vendosur sigurinë rajonale brenda një sistemi më të gjerë pritjesh të përbashkëta euro-atlantike, NATO forcon institucionet kombëtare dhe reziliencën kolektive. Angazhimi i saj i vazhdueshëm rrit besimin, profesionalizmin dhe bashkëpunimin—themele kyçe për stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.
Ky artikull është prodhuar në kuadër të projektit “Pas Samitit të Hagës: Përkushtimi i palëkundur i NATO-s ndaj mbrojtjes dhe parandalimit,” i zbatuar nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare (AIIS) me mbështetjen e Divizionit të Diplomacisë Publike të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO). Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e AIIS-it dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e NATO-s.
![]()





