Nga Xhenet Sula
Më 1912, shkruan Gazeta “Zëri i Vlorës” më 28-11- 1985, Ali Kalo Luzati detyron telegrafistin turk me revolverin në dorë që telegramin e ardhur nga Ismail Qemali që të bënte të njohur ngritjen e flamurit dhe shpalljen e pavarësisë ta transmetonte dhe në rrethet Përmet, Gjirokastër, Delvinë e Sarandë.
Çdo memorial e pllakatë mermeri me emër, që është e vendosur në sheshe e kodra, rrugëve dhe lagjeve nëpër qytetet e Shqipërisë mbart në vetvete një histori. Një e tillë ndodhet dhe në qytetin e Tepelenës, e vendosur në marsin e vitit 1987 me vendim të Komitetit Ekzekutiv të atëhershëm, në perëndim tërrugës së tretë të kalimit horizontal dhe mban emrin e patriotit, atdhetarit dhe fisnikut ALI KALO LUZATI.
Më tej, në hyrje të po kësaj rruge nga lindja shikon edhe një pllakat tjetër mermeri me ngjyrë të zezë, por pak më e madhe se kjo, ku brenda së cilës shkruhet: “TELEGRAM! Konferencës së Paqes Paris. Presidentit të SH.B. A. W.WILSON. “Lajmërojmë Shkëlqesinë Tuaj se nëqoftëse të drejtat tona për lirinë e plotë nuk merren në sy, po ndahet Shqipëria mes fqinjëve lakmitarë, atëherë kombi shqiptar do të luftojë gjer në fund për të mbrojtur tërësinë e vendit.” Me përunjësi, Ali Kalo Luzati, Kryetari i Partisë Politike Shqiptare Dega: New Bedford, Masst., SH.B.A. Më 12 Mars 1919. “Albania”, nr.48, datë 20.3.1919.
Sa e lexon këtë telegram fillon e kuvendon me vetveten duke menduar e kujtuar se kush ka qenë ky Ali Kalo Luzati dhe ç’aktivitet e kontribut ka pasur e dhënë ai në Tepelenë në kohën që jetoi ? Dhe tek sa interesohesh për të del se Ali Kalo Luzati (Zenelaj) lindi më 1861 në katundin Luzat në një “fshat rebel”, siç e quanin osmanllinjtë, në një familje të varfër, por me tradita patriotike, mbasi gjyshi dhe babai i tij, Kalo Guçe Zeneli, kishin marrë pjesë në çdo përpjekje me luzatarët e tjerë kundër osmanllinjve. Kryen filloren në turqishte në Tepelenë dhe me përpjekjet e të atit, Kalos dhe
ndihmën e dajove nga Turani, ai vazhdoi e mbaroi të mesmen në Janinë. Kthehet në vendlindje, duke zotëruar turqishten, greqishten, arabishten dhe anglishten, emërohet nëpunës monopoli në Tepelenë, detyrë të cilën e mbajti plot 25 vjet. Aktiv dhe veprimtar nga 1900 -1926 ai nuk reshti së luftuari duke kontribuar për një Shqipëri të lirë e të pavarur, e sidomos në vitet kur qëndroi e punoi në Amerikë.
Me punën që bënte ai fitoi simpatinë në të gjitha rrethet nacionaliste të vendit tonë, si pjesë e grupeve kryesore që luftonin për çlirimin e atdheut nga pushtuesi turko-grek. Ai ishte anëtar i organizatës politike në Tepelenë, e cila drejtohej nga Baba Ahmet Turani, që punonte me parrullën ”Ja Vdekje-Ja Liri” e bashkëpunues me patriotët e tjerë Tepelenas si Selam Musai, Ismail Kasua, Arshi Dauti, Gani Shehu, Ali Rakip Salaria, Sheh Ali Bënça etj, dhe anëtar i kryesisë në Degën e Klubit Shqiptar Krahinor që përbëhej nga Gani Shehu, Avni Rustemi Libohova, Ali Rakip Salaria, e Beqir Sami (Mezhgorani) ku drejtohej nga patrioti Dervish Hima, të cilët mbanin korrespondencën me Klubin e Manastirit.
Nuk ka përpjekje më fisnike për njeriun se ajo për lirinë kombëtare
Më 1912, shkruan Gazeta “Zëri i Vlorës”më 28-11- 1985 Ali Kalo Luzati detyron telegrafistin turk me revolverin në dorë që telegramin e ardhur nga Ismail Qemali që bënte të njohur ngritjen e flamurit dhe shpalljen e pavarësisë ta transmetonte dhe në rrethet Përmet, Gjirokastër, Delvinë e Sarandë. Dhe telegrafisti turk, i zënë ngushtë, këtë telegram e transmetoi si rezultat i vendosjes së revolverit në gjoks nga Ali Kalo Luzati. Në fund të vitit 1913 ai arrestohet nga shovinistët grekë së bashku me shokët e tjerë si Daut Shehun, Shefqet Sadullahu, Arshi Daut Shehun dhe demaskohen në prani të 600 ushtarëve e oficereve grekë para sheshit në Tepelenë pse ishin kundër guvernës greke, shkruan revista “Përparimi”, nr.5 – 1917.
Nga djegia dhe mizoritë e shumta që grekët bënë edhe në fshatin Luzat, Ali Kalo largohet nga vatani së bashku me të dy djemtë e tij e luzatarë të tjerë për në Vlorë, pasi kishte varrosur me 13 familjet e fshatit, të cilat i kishte vrarë greku dhe tre fëmijët e tij, një djalë dhe dy vajzat jetime pasi dhe gruaja e tij kishte vdekur më parë.
I detyruar nga gjendja ekonomike e fukarallëku i madh i vitit 1914, ai së bashku me të dy djemtë, Remziun dhe Arshiun, nisen për në kurbet dhe shkojnë në Amerikë e vendosen në qytetin New Bedford, Massachusetts, duke filluar punën si punëtor në fabrikat e tekstileve për shtatë vjet, nga 1914 deri në 1921. Shqiptarët e Amerikës, duke i njohur cilësitë e tij në Shqipëri e zgjodhën disa herë kryetar të kolonisë shqiptare për këtë qytet, e duke u shquar si patriot i flaktë për Shqipërinë kuvendi i “Partise Politike” të shqiptarëve të Amerikës, që u mblodh në Worcherster, Massachusetts, nga 7-12 mars 1919 e zgjodhi inspektor të kësaj partie. Ai punoi pa u lodhur mes shqiptarëve për t’u ngjallur atyre patriotizmin.
Mbajti marrëdhënie dhe bashkëpunoi dhe me partitë e tjera politike shqiptare në Amerikë, të cilat udhëhiqeshin nga Fan.S.Noli, Sevasti Dako (Qirjazi), Hasan Prishtina, Mihal Grameno, e Halil Gjirokastra, duke gëzuar një respekt të veçantë e duke marrë pjesë në kuvende si delegat bashkë me patriotët e tjerë të kohës, dhe në njërin prej këtyre kuvendeve ata zgjodhën edhe delegatët për në Konferencën e Paqes në Paris: Hasan Prishtina, Mihal Grameno, Halil Gjirokastra, Parashqevi Qirjazi, etj. Aliu hartoi dhe firmosi bashkë me tetë delegatët thirrjen: VËLLEZËR SHQIPTARE, shkruan Gazeta Albania, mars 1919, që bënte thirrje për çlirimin e Shqipërisë e veçanërisht të Kosovës e Çamërisë, të grabitura padrejtësisht nga fuqitë e mëdha, çështje për të cilën shkruajti dhe shtypi i kohës. Presidenti i Amerikës Wilson i mbytur me telegrame dhe me apel në emër të Shqipërisë, në Kongresin e Kombeve të Shtypura në Washington, më 4 korrik 1918, ku mbajti fjalimin e njohur mbi “Katërmbëdhjetë Pikat”në lidhje me kombësinë dhe vetëvendosjen, po atë pasdite do t’i premtonte Peshkopit Fan Noli, i cili përfaqësoi Shqipërinë në atë kongres për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve: “Në Kongresin e Paqes do ta kem një zë dhe atë zë do ta përdor për të mirën e Shqipërisë! ”Liria”, 27 nëntor 1974, 2.
Qe ky zë që dëgjoi dhe qindra dhe mijëra zëra që dilnin dhe vinin nga thellësitë e të gjitha zemrave shqiptare e bashkë me ta dhe zëri i fuqishëm i patriotëve të Jugut të Shqipërisë që “bindën” Presidentin Uillson në Konferencën e Versajës të “largonin” synimin lakmitar të shteteve fqinjë për grabitjen dhe ndarjen e trojeve tona në tri pjesë.
I mençur është ai njeri që veç punës di e aktivizohet edhe me veprimtari politike në dobi të jetës shoqërore e të atyre në lidhje me interesat e përbashkëta që kanë të bëjnë për të mirën e popullit dhe vendit
Me këtë mençuri patriotike veproi dhe Ali Kalo Luzati, i cili u anëtarësua në partinë politike ku ai militoi dhe vetë si kryetar i degës Nr.21 e të degës Nr.7, shkruan gazeta Albania Nr.32 e dates 21.11.1918. Përshkruhet si njeri i pajisur me cilësi të veçanta e të njohura mirë nga bashkëkohësit e më tej si burrë i zgjuar e i ndershëm me kulturë, patriot e atdhetar. Është po kjo gazetë, e cila më 8.01.1920 do të shkruante: ”U këndua një letër prej zotit Ali Kalo, inspektorit të partisë, i cili këshillonte delegatët të mbarojnë punë si e do nderi i partisë” etj, etj. Veprimtari si këto janë të pasqyruara edhe në dokumentet zyrtare të asaj kohe e që ndodhen në Bibliotekën Kombëtare Tiranë.
Pasi kishte kaluar pragun e të 60-ve Ali Kalo Luzati merr vendim dhe kthehet në atdhe me të dy djemtë e tij, Remziun e Arshiun, në vitin 1921, duke u vendosur përsëri në vendlindjen e tij, Luzat, dhe vazhdoi përsëri aktivitetin e tij atdhetar. Kështu, më 1923 në Tepelenë Ali Kalo pret mikun e tij, Fan Nolin, dhe ndihmon në regjistrimin e 600 vullnetarëve Tepelenas për Revolucionin Demokratiko –Borgjez.
Shtëpia e Kalos gjendej në qendër të Luzatit. Plaku i shtëpisë quhej Kalo Guçe Zenelaj, dhe i biri Ali. Aliu u soll në jetë nga gruaja e Kalos, Fatimeja. Për fatin e tij të keq Aliu martohet dy herë. Me Xhevrien ai lindi dy djem, Remziun dhe Arshinë. Fatimeja vdes dhe të dy këta djem ngelën jetim. Aliu i detyruar edhe nga dy djemtë e tij martohet përsëri, po në Tepelenë ku me gruan e dytë ai pati tre fëmijë, Muzaferin, Barien dhe Sadeten. Për të nderuar të atin meqë i dha shkollë Aliu mbajti si mbiemër nga Zenelaj në Kalo, llagap ky i pakthyeshëm.
Aliut i qëlloi fati që të jetonte periudhën e trazuar kur shqiptarët të vetëdijshëm kishin filluar të zgjoheshin, dhe u ngritën në këmbë duke kërkuar nëpër kancelaritë e botës vendosjen e drejtësisë së munguar kombëtare shumëshekullore për liri, mëvetësi dhe autonomi.
Libri “100 Familjet e mëdha Shqiptare” pjesa e dytë me autor Donika e Zenel Anxhakut e radhit familjen KALO jo pa qëllim të katërmbëdhjetën, sepse jetëshkrimi i kësaj familje është tipik i një familjeje atdhetare shqiptare, që nëpër breza ka jetuar dhe punuar me sakrifica, me djersë, ndershmëri e urtësi. Nga trungu i saj kanë dalë bij e bija patriotë e të shquar në luftën çlirimtare për liri, por dhe në punë e në shkencë. Njërit ndër ta, profesor Isuf Kalo, mjek i njohur në Shqipëri e në Europë, ish drejtues në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, të cilit i është akorduar edhe tituli “Qytetar Nderi i Tepelenës “.