Konflikti shqiptaro-sovjetik (1960-1961) në optikën e fqinjëve

0

HAMIT KABA

Marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike filluan të ndryshojnë pas vdekjes së Stalinit, ndërsa pas Kongresit XX të PKBS-së mosmarrëveshjet u shtuan, të shoqëruan me acarime, të cilat arritën kulmin me ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike në dhjetor 1961. Pavarësisht nga një lloj konformizmi sipërfaqësor me politikën e Hrushovit, udhëheqja komuniste e Shqipërisë ishte e pakënaqur nga vendimet kryesore të Kongresit XX. Politika e Hrushovit duke pasur në qendër të saj, luftën kundër kultit të individit të Stalinit, ngarkonte me faj edhe stalinistët e tjerë, duke përfshirë edhe Enver Hoxhën e Mehmet Shehun – dy liderët kryesorë të udhëheqjes shqiptare. Rreziku i ndryshimit të udhëheqjes së lartë të Shqipërisë mund të binte sidomos mbi kreun e saj, Enver Hoxhën. Në këtë mënyrë, përveç arsyeve të tjera, vendimet e Kongresit XX të PKBS-së, kishin një motiv të fortë personal për t’u kundërshtuar nga Enver Hoxha – frikën e largimit të tij të detyruar nga udhëheqja e PPSH-së. Një arsye tjetër ishte edhe politika e afrimit të BRSS-së me Jugosllavinë dhe e rishikimit të marrëdhënieve me Titon, duke parë në perspektivë mundësinë e rikthimit të saj, në bllokun e vendeve komuniste. Kjo politikë do të rëndonte mbi Enver Hoxhën dhe udhëheqjen e lartë të Shqipërisë, e cila kishte qenë në vijën e parë të kundërshtimit ndaj tij, pas vitit 1948.
Në vitet 1954-1956, udhëheqja shqiptare bëri disa ndryshime të pjesshme në politikën e saj të jashtme, duke u përpjekur të përmirësojë marrëdhëniet me fqinjët e saj. U arritën në një fare mase të përmirësoheshin marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe Italinë. Me iniciativën e qeverisë shqiptare në vitin 1953 u rivendosën marrëdhëniet diplomatike me Jugosllavinë. Marrëveshje të tjera u arritën edhe për rivendosjen e piramidave kufitare të dëmtuara dhe zgjidhjen e disa mosmarrëveshjeve në lidhje me kufijtë e dy vendeve.1 Gjatë dhe pas vitit 1954 filluan të përmirësoheshin edhe marrëdhëniet me Italinë, ndonëse zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike ekzistonin që nga viti 1949. Në nëntor 1954 erdhi në Shqipëri ministri i ri italian, Govani Revendin di San Marino dhe në dhjetor u arrit një marrëveshje tregtare midis dy vendeve. Pas vitit 1954 ndërmjet dy vendeve u diskutuan dhe u zgjidhën një varg problemesh të mbetura pezull nga paslufta, që kishin të bënin me zbatimin e detyrimeve që rridhnin nga Traktati i Paqes i Parisit i vitit 1947 etj. Qeveria shqiptare inicioi gjithashtu disa lëvizje që synonin përmirësimin e marrëdhënieve me Greqinë, duke kërkuar edhe ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara dhe personalisht të Sekretarit të Përgjithshëm të saj, por pa sukses. Qeveria greke para se gjithash, vazhdoi të shfaqte pretendimin për ekzistencën e ligjit të luftës ndërmjet dy vendeve dhe si rrjedhim, ajo kërkonte të nënshkruante një traktat paqeje me Shqipërinë. Qeveria greke kërkoi të zgjidhte problemin e ushtarëve dhe emigrantëve grekë të mbetur në Shqipëri që nga koha e konfliktit civil në Greqi dhe vazhdoi gjithashtu të shfaqte pretendime për Shqipërinë e Jugut (‘Vorio Epiri’) etj.
Influenca e ndryshimeve që filluan në BS dhe vendet socialiste të Evropës Lindore dhe Qendrore pas vdekjes së Stalinit dhe veçanërisht pas Kongresit XX të PK të BS, nuk kaloi pa u ndjerë në Shqipëri. Një tregues i ndikimit të Kongresit XX ishin ngjarjet që u zhvilluan në Konferencën e Partisë së Tiranës. Në këto vite u zhvillua një luftë e ashpër brenda udhëheqjes së lartë të PPSH-së, e cila përfundonte si gjithnjë, me eliminimin e kundërshtarëve të Enver Hoxhës. Pas ngjarjeve të ndodhura në Hungari dhe Poloni në vitin 1956, Enver Hoxha doli sërish në rolin e tij, të kritizerit të fortë ndaj Jugosllavisë. Vizita e Hrushovit në Shqipëri në vitin 1959, në pamje të parë dukej se i përmbahej normalitetit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve mike, por kjo ishte vetëm dukja. Jo shumë kohë pas saj, në takimin e Bukureshtit, në qershor të vitit 1960, marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike do të pësonin thyerjen e parë të hapur, e cila do të pasohej në muajt e ardhshëm me të tjera evenimente negative në marrëdhëniet dypalëshe dhe shumëpalëshe me anëtarët e tjerë të Bllokut Komunist. Mbledhja e Moskës e partive komuniste dhe punëtore të botës në nëntor 1960, do të shënonte kulmin e acarimit, i cili do të pasohej nga ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.
Vendin e sovjetikëve dhe aleatëve të tij do ta zinte gradualisht një tjetër vend i madh komunist – Kina e Mao Ce Dunit, e cila përmbushte disa kërkesa të domosdoshme për të qenë aleate e udhëheqjes komuniste të Shqipërisë. Së pari, udhëheqja kineze gjendej në të njëjtën llogore ideologjike dhe politike me udhëheqjen shqiptare. Të dyja nuk ishin dakord me disa nga tezat kryesore të Kongresit XX, veçanërisht me luftën kundër “kultit të individit” të Stalinit dhe me politikën e afrimit të BS dhe aleatëve të tij me Jugosllavinë. Sjellja politike e Kinës në gjysmën e dytë të viteve 1950-të ishte e kushtëzuar disi nga stadi i saj i zhvillimit politik ekonomik, periudhë e kapërcyer më herët nga Bashkimi Sovjetik. Evolucioni politik i Kinës në rrugën socialiste, do të shoqërohej si rrjedhojë me shfaqjen e simptomave të forta të agresivitetit, dogmatizmit dhe metodave më vulgare se ato të Bashkimit Sovjetik.2 Te udhëheqja kineze, pas vdekjes së Stalinit, kishin filluar të shfaqeshin simptomat e konkurrencës për udhëheqje dhe drejtim në botën komuniste dhe në lëvizjen komuniste ndërkombëtare. Armiqësia e kinezëve ndaj Jugosllavisë, ishte ndër faktorët që e afronte më shumë atë me udhëheqjen shqiptare, por jo i vetmi. Udhëheqja shqiptare e vlerësonte faktin që Kina komuniste ishte një vend i largët, që nuk mund të rrezikonte sundimin e udhëheqjes shqiptare dhe as pavarësinë e vendit. Në këtë kontekst, udhëheqja komuniste e Shqipërisë do të gëzonte një pavarësi relative në marrëdhëniet e saj me udhëheqjen kineze, të cilën nuk e kishte pasur gjatë periudhës së marrëdhënieve miqësore me Jugosllavinë dhe Bashkimin Sovjetik. Por, pavarësisht nga deklaratat dhe propaganda, Kina nuk i siguronte dot Shqipërisë garancitë e duhura për mbrojtjen e vendit në rast rreziku. Kina ishte një vend i largët, më pak i zhvilluar se BS dhe siç dëshmojnë dokumentet shqiptare, ajo nuk u tregua e gatshme për të përfunduar ndonjë aleancë mbrojtëse me Shqipërinë.3
Për të kompensuar deri diku këtë mungesë të rëndësishme dhe për të qenë më e lirshme në veprimet e saj, udhëheqja shqiptare u përpoq të krijonte lidhje të reja, me vendet jo anëtare të dy blloqeve të mëdha ushtarake dhe të “riparonte gardhin” me vendet fqinje të saj. Gjithashtu, udhëheqja shqiptare u shpreh e gatshme të vendoste marrëdhënie tregtare edhe me shtetet kapitaliste.4
Refuzimi i udhëheqjes shqiptare ndaj Moskës, përveç petkut ideologjik u artikulua si qëndrim armiqësor, që rrezikonte fatet e vendit dhe të kombit shqiptar. Në këto vite u bënë përpjekje për të rritur frymën kombëtare në shtresat e ndryshme të popullsisë, të cilat nuk qenë pa rezultate. Një paraqitje e tillë nuk mund të mos zinte vend te populli i thjeshtë, sepse, siç shkruan, studiuesi amerikan William Griffith, “ndërgjegjja politike e shqiptarëve të rritur sot është zhvilluar në truallin e dyshimit, që pavarësia e Shqipërisë është e rrezikuar në mënyrë konstante nga kontrolli ose ndarja e të huajve…, gjë që mund të shmanget nga ndërhyrja e një ose më shumë nga Fuqitë e Mëdha”5. Këtë realitet e konfirmon edhe një dokument amerikan i kohës, në të cilin shkruhet: “do të ishte e ekzagjeruar të thuhej që regjimi gëzon tanimë mbështetje të gjerë popullore, megjithëkëtë, nuk do të ishte e gabuar të flitej për ndjeshmërinë e përgjithshme publike në kuptimin e krenarisë, për qëndrimin e regjimit kundrejt Hrushovit. Disa njerëz, ishin të gatshëm të përballeshin me zemërimin e Moskës, me qëllim që të protestonin për pavarësinë e Shqipërisë.”6
Konflikti shqiptaro-sovjetik i viteve 1960-1961, përbënte çarjen e radhës të Bllokut Komunist, pas atij që kishte ndodhur në vitin 1948 në marrëdhëniet e BS me Jugosllavinë. Ky konflikt do të zgjonte dëshirat dhe interesat e fqinjëve ndaj Shqipërisë, të njohur për planet dhe synimet e tyre ndaj saj. Por duhet theksuar se, politikat e tyre tanimë zhvilloheshin në një kohë dhe rrethana të tjera nga ato të mëparshmet. Si rezultat ato do të shfaqnin dhe artikulonin kërkesa e pretendime, duke marrë në konsideratë rrethanat e kësaj periudhe. Italia dhe Greqia ishin dy vende anëtare të NATO-s, dhe pavarësisht nga synimet dhe dëshirat e tyre, ishin të detyruara të vepronin në përshtatje me rrethanat dhe politikat e përbashkëta të ndërmarra brenda organizatës euro-atlantike. Sjellja e tyre ndaj Shqipërisë, do të kushtëzohej deri në një farë mase, edhe nga politika e SHBA-së, që ashtu si më parë, edhe në këto vite do të vazhdonte t’i përmbahej me vendosmëri parimit të ruajtjes së pavarësisë politike dhe tërësisë territoriale të shtetit shqiptar.
Brenda trinomit të shteteve fqinje, dukej se Jugosllavia ishte shteti më i ndjeshëm dhe më i interesuar për ndryshimin në favor të saj të situatës në Shqipëri. Krahasuar me Italinë dhe Greqinë, Jugosllavia i kishte duart më të lira për të ndërmarrë ndonjë iniciativë të pavarur ndaj Shqipërisë, sepse ajo nuk ishte e anëtarësuar në asnjërin prej dy blloqeve ushtarake më të mëdha të kohës: NATO-s dhe Traktatit të Varshavës. Armiqësia shqiptaro-jugosllave, kishte arritur kulmin e vet në vitet 1948-1953, kur ndërmjet të dy vendeve nuk kishte marrëdhënie diplomatike dhe Shqipëria ishte bashkuar me kryqëzatën e Byrosë Informative kundër Jugosllavisë, ndonëse nuk ishte pranuar si anëtare e saj. Armiqësia shqiptaro-jugosllave dukej si një sfidë personale ndërmjet Hoxhës dhe Titos, dy udhëheqësve kryesorë të dy partive komuniste. Mundësia që Jugosllavia të ndërmerrte ndonjë sulm kundër Shqipërisë, e vetme apo së bashku me BS, ishte temë e diskutueshme në këtë kohë. Jugosllavia, sipas burimeve perëndimore, ishte e aftë që të arrinte të rrëzonte nga brenda regjimin shqiptar, duke llogaritur ndikimin dhe mbështetjen brenda gjirit të Partisë së Punës të Shqipërisë. Situata e veçantë e Shqipërisë gjatë krizës shqiptaro-sovjetike tërhoqi vëmendjen e ambasadorit të sapoemëruar të SHBA-së në Jugosllavi, diplomatit të njohur Zhorzh Kenan (George Kennan).7 Ky i fundit i përcolli Departamentit të Shtetit disa informacione e konkluzione interesante për shkallën reale të përfshirjes së jugosllavëve e sovjetikëve në këtë konflikt dhe mundësitë e ndonjë sulmi të planifikuar prej tyre.
Politika e fqinjëve ndaj Shqipërisë nuk ishte simetrike, por e ndryshme në qëllime, në mënyrat e shprehjes dhe ekzekutimit të tyre. Ajo nuk shtronte si më parë alternativën e ndarjes së territorit shqiptar ndërmjet tyre. Të ndryshme ishin gjithashtu edhe qëndrimet e tyre ndaj regjimit komunist në Shqipëri. Italia, Greqia dhe Jugosllavia, si edhe më parë e shihnin me mosbesim njëra–tjetrën, duke shfaqur hapur dyshimet e tyre, të cilat në mjaft raste i janë paraqitur edhe Departamentit të Shtetit, bile janë diskutuar edhe në organizmat e NATO-s. Diferencat në qëndrimet e shteteve fqinje ndaj Shqipërisë, në kohën e çarjes me BS, janë vënë re edhe nga drejtuesit e shtetit shqiptar, pavarësisht nga propaganda dhe sloganet që i “servireshin” opinionit publik brenda vendit.
Të tre shtetet fqinje e dëshironin ndryshimin e regjimit komunist në Shqipëri, por politikat e tyre kishin nuanca të dallueshme nga njëra tjetra. Politika e Italisë në këtë periudhë tensioni ndryshonte nga ajo e Greqisë dhe e Jugosllavisë. Italia vazhdonte t’u qëndronte parimeve të Traktatit të Paqes të vitit 1947, duke deklaruar se njihte pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë. Pavarësinë e Shqipërisë e njihte edhe Jugosllavia, por ajo nuk hezitonte të shprehej për zëvendësimin e udhëheqjes aktuale me një tjetër udhëheqje të lidhur me të. Edhe përfaqësuesit e lartë të shtetit grek në këto vite u deklaruan për ekzistencën e shtetit të pavarur shqiptar, por duke ruajtur në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë dhe detyrimet që rridhnin prej tij. Greqia kërkoi zyrtarisht që të njihej autonomia e “Vorio Epirit”.

Konflikt interesash: Greqia,
Italia dhe Jugosllavia

Çarja sovjeto-shqiptare krijoi situatë të re për fqinjët e Shqipërisë, të njohur për pretendimet e tyre ndaj vendit tonë. Shqipëria në të shkuarën ishte bërë një mollë sherri për fqinjët e saj, politikat e të cilëve kishin kompromentuar e komplikuar në disa raste edhe marrëdhëniet ndërmjet tyre. Tradicionalisht ato e kishin pasur të vështirë të merreshin vesh ndër veti, që të realizonin pretendimet ndaj Shqipërisë dhe kriza e fundit do të provonte sërish të njëjtën gjë, ndonëse situata e viteve 1960, i gjente ato në kushte dhe rrethana të tjera. Italia dhe Greqia ishin anëtare të NATO-s, ndërsa Jugosllavia ndonëse nuk bënte pjesë as në NATO dhe as në Traktatin e Varshavës, ishte vend anëtar i Paktit Ballkanik, objektivat e të cilit ishin zbehur mjaft në këtë kohë. Jugosllavia kishte marrëdhënie të mira me SHBA-në dhe me vendet perëndimore në përgjithësi, por që në të njëjtën kohë ajo ruante marrëdhënie të mira edhe me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera të Bllokut Komunist. Dyshimi për ndonjë sulm të mundshëm sovjeto-jugosllav apo thjesht jugosllav kundër Shqipërisë, ishte i pranishëm jo vetëm në mendjen e udhëheqësve të Shqipërisë, por edhe të drejtuesve të lartë të Italisë e Greqisë. Ndërmarrja e ndonjë sulmi eventual nga BS përmes tokës jugosllave, do të rrezikonte edhe vetë Jugosllavinë dhe udhëheqjen e saj, të cilët luanin me dy porta.
Kriza shqiptaro-sovjetike e shtoi më tej nervozizmin ndërmjet fqinjëve të Shqipërisë. Më 15 dhjetor 1961, Beogradi ngriti sërish pas shumë vitesh problemin e pakicës sllave në Maqedoninë greke, duke shtuar tensionin në marrëdhëniet e tij me Greqinë.8 Të tre shtetet fqinje të Shqipërisë e dëshironin rrëzimin e regjimit komunist të Shqipërisë, por ai do të provokonte situata mosmarrëveshjesh ndërmjet tyre, për shkak të mospërputhjeve të interesave. Asnjëra prej tyre nuk e donte dominimin e tjetrës. Duke e konsideruar Jugosllavinë si rrezikun më të madh për ndryshimin e qeverisë shqiptare, dy fqinjët e tjerë preferonin më mirë të ruanin gjendjen ekzistuese, sesa të krijohej një qeveri tjetër mike me atë të Jugosllavisë. Si për Italinë ashtu edhe për Greqinë do të ishte e papranueshme që në Shqipëri të vendosej një qeveri pro-jugosllave apo një qeveri pro-sovjetike, e cila mund ta kthente vendin, sërish në gjirin e Traktatit të Varshavës.
Italia dhe Greqia, si dy vende anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut do t’i ndërtonin marrëdhëniet me Shqipërinë, duke u bazuar në dy pista kryesore: duke respektuar interesat e tyre kombëtare dhe duke i harmonizuar ato me vendimet dhe interesat e NATO-s. Politika e jashtme e vendeve fqinje të Shqipërisë ishte mjaft e vëmendshme ndaj zhvillimeve në Shqipëri dhe raporteve politike të Shqipërisë me BS dhe vendet e tjera të Bllokut Komunist. Italia, Franca, Jugosllavia dhe Turqia nëpërmjet misioneve të tyre në Tiranë, informonin rregullisht qeveritë e tyre për zhvillimet më të fundit në Shqipëri. Një pjesë e rëndësishme e informacionit përcillej në Departamentin e Shtetit dhe në Foreign Office-in britanik.
Në verën e vitit 1960 marrëdhëniet greko-italiane patën një periudhë të ashpër acarimi, për shkak të incidentit të shkaktuar nga raporti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Italiane mbi Shqipërinë, të paraqitur në takimin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, në Paris, më 2 maj 1960.9 Raporti, që sipas pretendimeve të italianëve nuk ishte gjë tjetër përveç se një studim etnologjik për Epirin e Jugut, shkaktoi një reagim të fortë në Greqi dhe u bë objekt diskutimesh në rrethet diplomatike të Perëndimit. Raporti, sipas komenteve të ambasadorit britanik në Athinë, ngatërronte Epirin me Shqipërinë, duke i konsideruar mjaft qytete të këtij rajoni, si Prevezën, Janinën etj., si qytete shqiptare. Në materialin e paraqitur në NATO përmendej se dy të tretat e popullsisë së Epirit ishin shqiptarë autoktonë, të cilët përbënin elementin më të mirë vendas; se vllaho-romanët ose kuco-vllahët e zonës së Pindit ruanin karakteristika të qarta amtare, pra, ishin një popullsi me identitet të veçantë dhe jo greke; se suljotët ishin në thelb shqiptarë; se kisha dhe priftërinjtë grekë u kishin mohuar elementëve shqiptarë nacionalitetin e tyre kudo ku ata banonin në Greqi; se pretendimet greke për Epirin e Veriut, ishin në fakt pretendime territoriale për Shqipërinë e Jugut; se qeveria greke për shkak të pretendimeve të saj ndaj Epirit të Veriut, i kishte refuzuar të gjitha ftesat e Kombeve të Bashkuara për të organizuar një konferencë ballkanike etj.10
Raporti italian u bë objekt i një fushate të gjerë zyrtare dhe jo zyrtare brenda dhe jashtë Greqisë. Të parat që informuan publikun, mbi raportin italian të lartpërmendur ishin disa gazeta në gjuhën angleze dhe pas tyre, shtypi i brendshëm grek. Në artikujt e botuar kërkohej që qeveria italiane të kërkonte falje publike dhe të dënonte autorin e raportit. Artikulli i parë u botua në anglisht në gazetën “Athens Daily Post – Sunday,” më 29 maj 1960 nga Elias P. Demetrakopoulos,11 ndërsa më 30 maj një tjetër artikull u publikua në “The Times”.12 Shkrime të mbushura me zemërim kundër politikës italiane dhe të shoqëruara me thirrje të forta patriotike, do të botoheshin në disa gazeta brenda Greqisë, te e pavarura konservatore “Kathimerini”, “Vima” etj. Në disa qytete të Greqisë Veriperëndimore, si Janina, u organizuan demonstrata masive të banorëve, ndërsa në të gjithë vendin u organizuan protesta “për të provuar unitetin grek, kur integriteti i atdheut sfidohet”.13 Indinjata greke ndaj raportit u reflektua gjithashtu me bojkotin e zyrtarëve dhe gazetarëve grekë në pritjen e dhënë nga ambasada italiane në Athinë, në ditën e Festës Kombëtare të Italisë, më 2 qershor 1960. Bojkotin e tanishëm ambasadori britanik në Athinë do ta krahasonte me mungesën e zyrtarëve grekë në ambasadën britanike në Athinë, “në ditën më të keqe të konfliktit të Qipros”.14
Raporti italian u bë gjithashtu objekt i një debati të nxehtë dhe patetik, në një seancë të veçantë të Parlamentit grek, më 31 maj 1960, pas kërkesës së firmosur nga 12 deputetë grekë nga rajoni i Epirit.15 Në seancë ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i vendit M. Kanelopulos dhe ministri i Jashtëm i Greqisë, Averof. Në debat u përfshinë të gjitha krahët e politikës greke, të cilat dënuan italianët. Përfaqësuesi i ekstremit të majtë të E.D.A. z. Iliu (Iliou) do ta cilësonte raportin si “manifestim të freskët të imperializmit italian” dhe do të kritikonte qeverinë greke për “fshehje të veprimeve të dëmshme kundër Greqisë me qëllim që të ruanin unitetin e Aleancës Perëndimore”16. M. Kanellopulos do të përgjigjej se dokumenti nuk mund të bëhej publik, për shkak se ai konsiderohej sekret ushtarak, por shtonte se qeveria greke ishte shprehur kundër tij, duke shfrytëzuar kanalet diplomatike. Lideri liberal demokrat Papandreu, do ta cilësonte NATO-n si një “dyqan antik” ku gjithçka është flakur në mënyrë të çrregullt dhe ku minimi reciprok është tashmë rregulli i ditës17.
Ministri i Jashtëm i Greqisë M. Averof, i drejtoi një protestë të fortë ambasadorit italian në Athinë, duke i kërkuar atij shpjegime për raportin e paraqitur nga përfaqësuesit ushtarakë të Italisë në NATO.18 Averofi do t’i dëshmonte ambasadorit britanik në Athinë se raporti italian kishte prekur edhe ndjenjat e tij personale, si një “kucovllah”, të cilët sipas tij “ishin mjaftë të helenizuar” dhe se ai vetë ishte “trashëgimtar i Jorgos Averofit, i cili kishte bërë vepra të mëdha bamirësie për shtetin grek.”19 Ankesa u paraqitën edhe pranë ambasadave amerikane e britanike në Athinë. Për të zbutur qëndrimin grek dhe për të qartësuar pozicionin italian ndaj raportit të përmendur, më 1 qershor 1960 u organizua një takim i veçantë i Këshillit të Atlantikut të Veriut20. Përfaqësuesi italian M. Alessandrini u shpreh se raporti përmbante “pasaktësi të paqëllimshme” dhe se ai nuk përfaqësonte pikëpamjet zyrtare të Italisë. Pas diskutimeve të përfaqësuesit grek M. Melas dhe të drejtuesit M. Spaak, tensioni filloi të bjerë. Por duket se “stuhia” u fashit pas takimit të ministrit të Jashtëm të Italisë z. Senji me ambasadorin grek në Romë, më 3 qershor 1960 dhe faljes së shprehur prej tij për incidentin e ndodhur.21 Ministri italian do t’i shprehej ambasadorit grek se “qeveria italiane nuk kishte pasur kurrë asnjë qëllim që të lëndonte popullin grek dhe qeverinë greke, me të cilët Italia mbante dhe kishte si qëllim të mbante marrëdhënie shumë të ngrohta miqësie dhe aleance”.22
Pas kësaj ngjarjeje përfaqësuesi britanik në Athinë do të komentonte: “Averofi, i cili është një dashnor i zjarrtë i Italisë, do të shprehte keqardhjen e vet personale dhe do ta deklaronte incidentin të mbyllur.”23 Por diplomati britanik në Athinë mendonte se incidenti nuk mund të mbyllej kaq lehtë, sepse raporti i italianëve jo vetëm që largonte vëmendjen nga pretendimet e grekëve për Epirin e Veriut, por përsëriste të ashtuquajturit “fakte”, mbi të cilat bazoheshin pretendimet italiane për Epirin e Jugut. Duke shqyrtuar gjendjen e krijuar, ai do të komentonte: “Grekët priren të humbasin komplet kuptimin e përmasave kur janë të ngacmuar, dhe ky dokument ishte gjëja më e mirë për t’i ngacmuar ata”. Shpjegimet e dhëna nga ndonjë përfaqësues diplomatik italian, se raporti ishte produkt i disa oficerëve italianë, të cilët kishin shfrytëzuar disa dosje të paraluftës pa u konsultuar me Ministrinë e Jashtme të Italisë, nuk i bindi diplomatët perëndimorë.24 Sidoqoftë, nga vendet e Bllokut Komunist nuk pati asnjë koment publik dhe ngjarja u injorua plotësisht prej tyre.
Ndaj raportit italian pati reagime të forta nga Federata Pan-Epirote e Amerikës,25 Shoqata e Epirit të Veriut në Francë dhe Evropën Perëndimore, shoqata të ndryshme brenda Greqisë, kisha greke dhe qytetarë të zakonshëm me origjinë greke. Protestat e tyre iu adresuan sidomos Presidentit dhe Zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara, Sekretarit Amerikan të Shtetit, Departamentit të Shtetit, etj. Krahas protestave kundër raportit italian, në kërkesat e tyre u përfshinë edhe çështje të tilla si: përmirësimi i standardeve dhe të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri dhe zgjidhja e problemit të Epirit të Veriut përmes bashkimit të tij me Greqinë.26 Në përgjigje të kërkesave të mësipërme, DSH u përpoq të qartësonte pozitën e shtetit amerikan, duke u shprehur se, sipas pikëpamjes së tij, për zgjidhjen e çështjes (së Epirit të Veriut, H.K.), duhej pritur dhe duheshin peshuar plotësisht opinionet e të dy palëve. Për këtë arsye, theksohej në përgjigjen e DSH, Shtetet e Bashkuara nuk kanë bërë ndonjë marrëveshje apo ujdi me ndonjë komb tjetër të rajonit.27 Ndërsa në lidhje me të drejtat e njeriut në Epirin e Veriut, amerikanët do të deklaronin se, ishte e pamundur për ta, që të ndikonin në vendet e Evropës Lindore dhe veçanërisht në Shqipëri, vend me të cilin Shtetet e Bashkuara nuk kishin marrëdhënie diplomatike, që nga viti 1939. Më 5 prill 1962, Nënsekretari amerikan i Shtetit përmes një memorandumi të posaçëm, do t’u bënte të ditur rretheve irredentiste Vorio Epirote qëndrimin zyrtar të qeverisë amerikane: “Shtetet e Bashkuara nuk i mbështetnin pretendimet territoriale greke kundër Shqipërisë dhe nuk aprovojnë operacionet paraushtarake kundër Shqipërisë, të sponsorizuara nga Komiteti i Epirit të Veriut në Greqi,…aktivitetet e Komitetit Grek nuk janë në të njëjtën linjë me politikën ekzistuese amerikane.”28
Përkeqësimi i marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike e shtoi më tej shqetësimin e qeveritarëve grekë. Më 31 tetor 1961, Palamas – drejtor i përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme të Greqisë, do t’i bënte të qartë konsullit amerikan në Athinë pikëpamjet e qeverisë së tij në lidhje me zhvillimet në Shqipëri.29 Sipas konkluzioneve të qeverisë greke, amerikanët po mbanin ndaj Shqipërisë qëndrim indiferent dhe se ata nuk po tregonin ndonjë interes për regjimin e Hoxhës. Për opinionin e tij, qëndrimi grek dhe amerikan ndaj Shqipërisë nuk përputheshin plotësisht. Palamas do t’i shprehej diplomatit amerikan se qeveria e vendit të tij nuk kishte ndonjë dashuri ndaj Hoxhës, por ajo e vlerësonte dhe kërkonte ta shfrytëzonte kundërshtimin e tij ndaj Moskës. Në këndvështrimin e tij, qëndrimi shqiptar ndaj Moskës kishte shumë ideologji, por sidoqoftë arsyet personale të Hoxhës ishin më të forta se arsyet ideologjike. Për Palamasin, Hoxha ishte një komunist dhe Shqipëria drejtohej prej tij në mënyrë fisnore, me atë dhe të afërmit e tij në krye. SHBA duhej të interesohej për situatën e krijuar dhe të mbështeste rolin e saj përçarës. Nëse Hoxha do të rrëzohej dhe do të zëvendësohej me një “lolo sovjetik”, këta të fundit do të riktheheshin në Shqipëri dhe ndofta do të rihapnin bazën e tyre ushtarake të nëndetëseve në Detin Adriatik. Palamas do t’i fliste konsullit amerikan edhe për interesat e italianëve në Shqipëri, duke vënë në dukje se, nëse italianët do të arrinin sukses në përmbysjen e Hoxhës, Shqipëria mund të kthehej sërish drejt Moskës. Në këtë rast Greqia do të preferonte Hoxhën.30 Sipas tij, italianët nuk kishin ndonjë mirëkuptim “të veçantë psikologjik” për situatën në Shqipëri. Për Palamasin, francezët ndofta mund të ishin më të mirë. Ai shprehu më tej keqardhjen e tij për britanikët, të cilët nuk kishin përfaqësinë e tyre diplomatike në Tiranë. Sipas tij, britanikët do të dinin si të vepronin në një situatë të tillë. Në fund të takimit Palamasi u bëri apel Shteteve të Bashkuara që t’i kushtonin më shumë vëmendje Shqipërisë.31
Pikëpamjet zyrtare të qeverisë greke mbi Shqipërinë u bënë të njohura në dhjetor 1961, nëpërmjet memorandumit special që iu dërgua ambasadës amerikane në Athinë.32 Kryeministri grek Karamanlis e vlerësonte çarjen e Shqipërisë me Moskën në këndvështrimin e sigurisë kombëtare të Greqisë, por edhe si një vend anëtar i NATO-s. Kjo frymë shprehej qartë në memorandum ku: Së pari, qeveria greke dëshironte të vazhdonte të konsultohej me Shtetet e Bashkuara për planet e saj të ardhshme mbi Shqipërinë. Së dyti, Greqia favorizonte ekzistencën e shtetit të pavarur shqiptar dhe preferonte një regjim demokratik në Shqipëri, por në rrethanat aktuale “Greqia ishte e gatshme të pranonte në fakt sundimin e Hoxhës”. Greqia e konsideronte “një çështje teorike” gjendjen e luftës ndërmjet dy vendeve dhe shprehej e gatshme të ndërmerrte hapa për normalizimin e marrëdhënieve me Shqipërinë, por shpallte se nuk do ta ndërmerrte ajo e para iniciativën. Së treti, Greqia do të kërkonte autonominë për grekët e Epirit të Veriut. Së katërti, Greqia do të favorizonte një farë ndihme ekonomike dhe politike për regjimin shqiptar.., por ajo nuk dëshironte të shihte kthimin e Italisë në Ballkan. Së pesti, qeveria greke dhe Kryeministri i saj Karamanlis favorizonin politikën “larg duart” nga Shqipëria. Së fundi, Greqia nuk dëshironte të diskutonte mbi qëndrimin e saj ndaj situatës në Shqipëri me Jugosllavinë, sepse interesat e kësaj të fundit ndryshonin nga ato të Greqisë dhe të botës së lirë. Si konkluzion, mund të thuhet se qeveria greke kishte rezerva të forta ndaj politikës së dy shteteve fqinje të Shqipërisë, Italisë dhe Jugosllavisë; se në ndryshim nga organizatat jo qeveritare brenda dhe jashtë Greqisë ajo nuk kërkonte zyrtarisht bashkimin e Epirit të Veriut me Greqinë, por autonominë e tij; se Greqia e kundërshtonte çdo plan që do të çonte në përmbysjen e qeverisë së Hoxhës nga Jugosllavia dhe zëvendësimin e saj me një regjim të pranueshëm për Titon.
Gjatë konfliktit shqiptaro-sovjetik Italia pranoi të mbështeste Shqipërinë pa kushte. Në dhjetor 1961, ndërmjet dy vendeve u arrit të firmosej një marrëveshje e re tregtare dhe u vendos linja ajrore Romë – Bari –Tiranë. Ndërkaq në vitin 1960 pothuajse u përmbushën të gjitha kushtet e Traktatit të Paqes, të mbetura pezull për vite me radhë. Një ekip ushtarak italian vazhdoi kërkimet e trupave të italianëve të vrarë gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore dhe në vitin 1962 ky proces u mbyll përfundimisht. Qëndrimin e Italisë ndaj Shqipërisë në kohën e çarjes me BS e shprehu qartë delegacioni italian në NATO, gjatë një sesioni të tij në Venecia, në mars 1962. Ai do të këmbëngulte pranë Aleancës së Atlantikut të Veriut që shtetet perëndimore të ndihmonin Shqipërinë, duke i lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre me regjimin komunist dhe duke mos e identifikuar regjimin e Hoxhës me popullin shqiptar.33 Qëndrimin e ndryshëm të politikës italiane ndaj Shqipërisë krahasuar me Greqinë dhe Jugosllavinë, do ta nënvizonte edhe vetë kreu i regjimit, Enver Hoxha. Ai do ta karakterizonte Italinë si vendin më pak të rrezikshëm, më pak antipopullor dhe në të njëjtën kohë më të përshtatshëm për t’i dhënë ndihma ekonomike Shqipërisë. Italia preferonte ekzistencën e një shteti të pavarur shqiptar, në vend të një Shqipërie të ndarë dhe kontrolluar nga Jugosllavia dhe Greqia, por ajo dëshironte të zgjeronte influencën e saj ndërkombëtare.34
Italia ishte dyshuese veçanërisht ndaj politikës që ndiqte Jugosllavia e Titos ndaj Shqipërisë. Ajo e shihte me shqetësim afrimin e fundit të Titos me Hrushovin, i cili mund të prodhonte ndonjë plan për rrëzimin e qeverisë shqiptare dhe zëvendësimin e saj me një regjim pro-jugosllav apo pro-sovjetik. Në fakt, një alternativë të tillë nuk e pëlqenin as qeveria greke dhe as vendet anëtare të NATO-s. Për vendet perëndimore, ishte më i pranueshëm realiteti ekzistues, sepse në këtë mënyrë përmbushej roli që luante Shqipëria si faktor përçarës brenda Bllokut Komunist dhe binomit Kinë-Bashkimi Sovjetik, se sa kthimi i saj në gjirin e vendeve socialiste. Ambasada amerikane në Romë, më 22 janar 1963, i raportonte Departamentit të Shtetit mbi dyshimet italiane, në lidhje me planet jugosllavo-sovjetike për rrëzimin e regjimit të Hoxhës.35 Në raport përmendeshin të tillë tregues si: vështrimet identike ndaj çështjes shqiptare, si në Beograd ashtu edhe në Moskë; vizita e fundit e Dushan Mugoshës në Bashkimin Sovjetik; shtimi i shqiptarëve nga Kosova në ushtrinë jugosllave dhe vendosja e tyre pranë kufijve shqiptaro-jugosllavë; kontaktet më të fundit të oficerëve të UDB-së me grupe të zgjedhura të refugjatëve nga Shqipëria në Belgjikë, Francë etj. Sidoqoftë, vetë Ministria e Jashtme e Italisë nuk i konsideronte këto burime të besueshme, por ajo tërhiqte vëmendjen e politikës amerikane, për kërcënimin që mund të paraqiste një marrëveshje e mundshme Hrushov-Tito, pistë e cila nuk duhej braktisur.
Ndërmjet fqinjëve të Shqipërisë, Jugosllavia dukej se ishte vendi më i interesuar për të ndryshuar situatën e brendshme në Shqipëri. Qeveria jugosllave mbante një qëndrim konstant armiqësor kundër regjimit shqiptar të Hoxhës e Shehut, të cilët kishin qenë për vite të tëra “miqtë” më të mirë të tyre dhe pas prishjes së marrëdhënieve me BS, një nga regjimet më armiqësore. Në dokumentet amerikane dëshmohet se Jugosllavia e krahasuar me shtetet e tjerë fqinje, kishte më shumë mbështetje brenda Shqipërisë dhe ajo mund të ishte e aftë që të rrëzonte nga brenda regjimin e Hoxhës, përmes ndonjë “grushti shteti” apo ndonjë plani ushtarak, të cilin mund ta zbatonte e vetme apo së bashku me Bashkimin Sovjetik. Ideja e rrëzimit të regjimit shqiptar përmes “grushtit të shtetit” u artikulua sidomos në pranverën e vitit 1961.
Burime të bollshme informacioni, por përgjithësisht të pakonfirmuara për Shqipërinë, i përcilleshin Departamentit të Shtetit sidomos nga Ministria e Jashtme e Italisë dhe ambasada e saj në Tiranë. Edhe burimet greke ishin gjithashtu një prurje e rëndësishme për krizën shqiptaro-sovjetike dhe qëndrimin e vendeve fqinje ndaj saj. Ministri italian në Londër i shfaqte shqetësimin e tij Foreign Office-it, për planin sovjetiko-jugosllav. Mendohej se problemi shqiptar ishte diskutuar në verën e vitit 1961, në takimin e ministrit të Jashtëm të Jugosllavisë me Hrushovin në Moskë. Por kriza shqiptare mund të bëhej sërish objekt trajtimi në takimin e pritshëm të Gromikos në Beograd dhe Jugosllavisë mund t’i liheshin duart e lira që të mbështeste përpjekjet për ndryshimin e qeverisë shqiptare.36 Nga zbatimi i planit do të përfitonte në radhë të parë Jugosllavia, e cila do të merrte si kompensim një pjesë të mirë të Shqipërisë, ndërsa Greqia do të përfitonte nga rishikimi i kufirit të jugut të Shqipërisë.37
Italia dhe Greqia e përcillnin me vëmendje dhe shqetësim ekzistencën e supozuar të një plani sovjeto-jugosllav, që do të sillte rrëzimin e regjimit aktual në Shqipëri dhe zëvendësimin e tij me një regjim pro tyre. Por plani i supozuar mund të realizohej edhe duke i lënë dorë të lirë vetëm Jugosllavisë së Titos. Burimi kryesor i informacionit vinte nga ambasada italiane në Tiranë, e cila e artikulonte me forcë rrezikun sovjetik dhe jugosllav ndaj Shqipërisë, por duhet thënë se në listën e përfituesit “të vogël” ajo përfshinte edhe Greqinë.
Ndërsa vetë diplomacia greke shprehte shqetësimin e saj për rrezikun që do të sillte zbatimi i planit të lartpërmendur. Diplomatët italianë dhe grekë i paraqitën ankesat dhe shqetësimet e tyre në Uashington, në Londër dhe në organizmat e tyre të përbashkëta. Sidoqoftë, asnjëra prej tyre nuk ishte në gjendje të paraqiste fakte konkrete për ekzistencën e planit sovjeto-jugosllav. Kreu i diplomacisë greke Averof, do t’i karakterizonte marrëdhëniet e Titos me Hrushovin në vitin 1961 si “flirt i rëndë, por që ende nuk kishin rënë në krevat.38” Ministri i Jashtëm i Italisë, në takimin që zhvilloi me Sekretarin Amerikan të Shtetit, më 18 nëntor 1961, do të shprehej: “ka thashetheme, ndoshta jo të besueshme, se sovjetikët kanë dhënë në heshtje aprovimin për një sulm të mundshëm jugosllav kundër Shqipërisë… dhe më tej shtonte “Italia mund të shikojë mundësinë e afrimit me Shqipërinë ”.39
Është e vështirë t’u japësh përgjigje të qartë dyshimeve nëse ka ekzistuar vërtet një plan i veçantë apo i përbashkët sovjeto-jugosllav, që do të çonte në rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri. Dokumentet amerikane, britanike, por edhe ato shqiptare, që kemi në dispozicion, sjellin të dhëna të pakonfirmuara dhe jo rrallë kontradiktore. Megjithatë, në dokumentacionin që disponojmë nuk mungojnë thëniet për dëshirat e jugosllavëve, të cilët e konsideronin të mundshëm rrëzimin e Hoxhës. Por edhe një regjim shqiptar i varur nga Bashkimi Sovjetik do të ishte më i pranueshëm se sa regjimi i tanishëm i lidhur me Pekinin. Ambasadori jugosllav në Bukuresht do t’i bënte të ditur një anëtari të misionit diplomatik francez se “qeveria e tij kishte bërë mjaft për pavarësinë e Shqipërisë” dhe shtonte më tej: “nuk është shumë vonë për ndarjen e Shqipërisë ndërmjet Greqisë dhe Jugosllavisë.”40 Punisa Peroviç – anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë dhe njëherazi sekretar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Asamblenë e Republikës Federative, nuk e mohonte mundësinë e një ndërhyrjeje sovjetike në Shqipëri apo të një revolte brenda vendit të inspiruar e drejtuar nga sovjetikët. Por ai do të komentonte se revolta do të ishte e pasuksesshme, sepse sovjetikët nuk kishin grupe apo personalitete që t’i mbështesnin ata brenda vendit. “Miqtë e sovjetikëve dhe tanët gjithashtu,- u shpreh Peroviç, – u kapën verën e shkuar dhe jugosllavët e dinë me siguri që konspiratorët e ekzekutuar majin e shkuar po komplotonin në emër të BRSS.”41 Diplomati amerikan mendonte se politika më e mirë e jugosllavëve ishte ajo e të priturit dhe jo e të nxiturit të revoltës dhe ky qëndrim ishte bërë prezent nga ministri i Jashtëm i Jugosllavisë, së fundi, në ambasadën amerikane në Beograd.
Në shtypin qendror jugosllav u botuan disa artikuj për raportet e tensionuara sovjeto-shqiptare dhe gjendjen në Shqipëri. Në artikujt e botuar, theksohej rrezikshmëria e situatës shqiptare për Ballkanin, mospëlqimi i Jugosllavisë për shfrytëzimin e hapësirës ajrore jugosllave nga aeroplanët sovjetikë që mund të sulmonin Shqipërinë, preferencat jugosllave për të pasur një regjim pro tyre dhe në mungesë të tij, një qeveri shqiptare pro-sovjetike se sa pro-kineze. Përfaqësues të rëndësishëm të politikës jugosllave u shprehën publikisht se e mbështetnin politikën e Shqipërisë për shtimin e lidhjeve të saj me Perëndimin, si dhe përmirësimin e marrëdhënieve me fqinjët italianë dhe grekë. Diplomatë jugosllavë reaguan negativisht ndaj artikullit të gazetarit amerikan të New York Times, Sulzberger, i cili shkruante për një marrëveshje të Hrushovit me Naserin e Egjiptit, e cila drejtohej kundër Shqipërisë. Diplomati jugosllav, Branko Karagjorgje do të deklaronte në ambasadën amerikane në Beograd, se nuk kishte pasur asnjë bisedim zyrtar dhe jo zyrtar për arritjen e një marrëveshjeje sovjeto-jugosllave mbi Shqipërinë.42 Sidoqoftë, të tjerë diplomatë jugosllavë si këshilltari i ambasadës jugosllave në Uashington, z. Ruziç, do të pranonte se, sovjetikët ishin përpjekur të bënin kauzë të përbashkët me Jugosllavinë kundër Shqipërisë.43 Bile propozime të tilla ishin bërë edhe nga Bullgaria. Sipas diplomatit Ruziç, ato ishin refuzuar nga jugosllavët, sepse ata donin të ruanin paqen dhe stabilitetin në Ballkan, ndërsa Rusia po përpiqej që të largonte Hoxhën nga pushteti. Jugosllavia dhe Greqia e konsideronin mosndërhyrjen në punët e Shqipërisë, si politikën më të mirë që duhej të ndiqnin. Por diplomati jugosllav do të nënvizonte se jugosllavët kishin mendim të ndryshëm nga ai i grekëve, kur vlerësonin shkallën e rrezikut që sillte prezenca e Kinës në Shqipëri. Duket se jugosllavët ishin të vendosur kundër pranisë së kinezëve në Shqipëri. Por të dy këto vende kishin pika takimi kur binte fjala për mundësinë e ndërhyrjes së ndonjë shteti tjetër fqinj të interesuar për Shqipërinë. Diplomati amerikan kujton se Roziç në këtë rast nënkuptonte Italinë. Roziçi shprehu dyshimin e qeverisë jugosllave për mundësinë e përdorimit të emigracionit politik shqiptar në Itali me qëllim që të rrëzonin regjimin e Hoxhës. Dyshimet konkrete u hodhën mbi sekretarin e dytë të ambasadës amerikane në Romë, shqiptarin Stefen Peters. Sidoqoftë, qeveria jugosllave e përshëndeste ofertën e Shqipërisë për të normalizuar marrëdhëniet e saj me vendet kapitaliste.
Si konkluzion, mund të thuhet se, konflikti shqiptaro-sovjetik i viteve 1960-të, krijoi një situatë të veçantë dhe të rrezikshme për sigurinë e Shqipërisë dhe tërhoqi vëmendjen e shteteve fqinje të saj. Jugosllavia, Greqia dhe Italia, përpunuan politikat e tyre specifike ndaj Shqipërisë, të bazuara në interesat e tyre kombëtare dhe pozitën e tyre ndërkombëtare gjatë Luftës së Ftohtë. Të tre shtetet u shprehën se e njihnin pavarësinë e Shqipërisë, por ndryshe nga Italia dhe Jugosllavia, qeveria greke paraqiti kërkesën për njohjen e autonomisë së minoritetit grek në Shqipëri. Ato e dëshironin ndryshimin e regjimit komunist në Shqipëri, por secila prej tyre dëshironte të krijonte një qeveri që do të mbështeste interesat e saj, gjë që i çoi ato në mosmarrëveshje dhe në përpjekjet e tyre për ruajtjen e gjendjes ekzistuese në Shqipëri. Modelimi i politikës italiane dhe greke ndaj Shqipërisë u arrit nën ndikimin e fortë të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat u shprehën për ruajtjen e pavarësisë kombëtare dhe territoriale të shtetit shqiptar, si dhe përcaktimit prej tyre të rolit të Shqipërisë si “faktor përçarjeje” në konfliktin kino-sovjetik dhe brenda botës komuniste në përgjithësi. Ndër vendet e trinomit ballkanik, Jugosllavia u pa si vendi më i interesuar, për të sjellë ndryshimin e regjimit komunist në Shqipëri, përmes “grushtit të shtetit” apo ndërhyrjes së armatosur, me ose pa Bashkimin Sovjetik.

* Prof. As. Dr. Hamit Kaba, Drejtues i Departamentit të Studimeve Bashkëkohore në Institutin e Historisë, Tiranë.

1 National Archives and Record Administration (NARA), RG 59, Report No. 6860, “Review of Developments in Albania in 1954”, prepared by Division of Research for USSR and Eastern Europe, February 28, 1955.
2 Vallace Carroll, “Albania Mirrors Soviet-China Rift”, New York Times, June 6, 1961
3 Arkivi Qendror Shtetëror i Republikës së Shqipërisë (më tej: AQSH), Fondi i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë: Marrëdhëniet me PK të Kinës, Dosja nr. 7, Lista nr. 15, f. 1-91, Nga takimet e delegacionit shqiptar të kryesuar nga Beqir Balluku, me delegacionin kinez të kryesuar nga Ten Hsiao Pin, Pekin, 10-24 shtator 1963. Gjatë tre takimeve të zhvilluara ndërmjet të dy delegacioneve Beqir Balluku paraqiti disa propozime në emër të KQ të PPSH, të tillë si: Qëndrimi i PPSH ndaj Traktatit të Varshavës dhe Traktatit të Miqësisë dhe të Ndihmës Reciproke ndërmjet Shqipërisë dhe Bullgarisë si dhe idenë për mundësinë e nënshkrimit të një Traktati Miqësie dhe Ndihme Reciproke, ndërmjet RP të Kinës dhe RP të Shqipërisë. Ten Hsiao Pin-i e refuzoi propozimin e fundit duke argumentuar se: situata e përgjithshme në botë ishte e tillë që nuk sillte rreziqe për sulme ndaj Shqipërisë; se Kina nuk mund të ndihmonte direkt Shqipërinë në rast rreziku dhe së fundi, nënshkrimi i Traktatit të kërkuar nga pala shqiptare do t’i shtonte pretekstet për të sulmuar Shqipërinë dhe për të futur në luftë Kinën.
4 Zëri i Popullit, 5 Maj 1960.
5 William E. Griffith, Albania and the Sino-Soviet Rift, Cambridge: “The M.I.T. Press”, Massachusetts, 1963, p. 9.
6 NARA, File 767, American Embassy in Rome to Department of State “Italian Minister Gabrici’s Evaluation of Albania Situation”, July 31, 1962.

7 John Lewis Gaddis, George F. Kennan, an American Life, (New York: The Penguin Press, 2011), 553. Kennan, vlerësohej për karrierën e tij diplomatike në BS, për njohjen e zhvillimeve në Bllokun Komunist dhe sidomos për idetë e tij, të formësuara tek “Politika e Frenimit”, të zbatuara nga SHBA gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë. George Kennan në Beograd krijoi mundësinë e krijimit të një kanail komunikimi konfidencial me BS sidomos për problemin e Berlinit.

8 Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë (më tej: AMPJ), viti 1962, dos. 477, fl. 1-2, C.U. Sulzberger, “New York Times”, January 3, 1962.
9 NARA, File 767, American Embassy in Athens to D.C., Italian Military Report to NATO on Albania, June 1, 1960; The National Archives of the United Kingdom (NAUK), File 152817, British Embassy in Athens to F.O., June 1, 1960.
10 NAUK, File 152817, British Embassy in Athens to F.O., No. 55, June 10, 1960.
11 Elias P. Demetracopoulos, Italian Govt’s Report on Albania to shape completely inaccurate and damaging to Greece”, Athens Daily Post – Sunday”, May 29, 1960.
12 The Times, May 30, 1960, “Greek anger at Italian report on Albania”.
13 NAUK, File 152817, British Embassy in Athens to F.O., June 3, 1960.
14 Po aty.
15 NARA, File 767, American Embassy in Athens to D.C., Italian Military Report on Albania, June 1, 1960.
16 NAUK, File 152817, British Embassy in Athens to F.O., June 3, 1960.
17 NARA, File 767, American Embassy in Athens to D.C., Italian Military Report to NATO on Albania, June 1, 1960.
18 NAUK, File 152817, British Embassy in Athens to F.O., June 1, 1960.
19 Po aty.
20 Po aty, United Kingdom Permanent Delegation to NATO-Paris to Foreign Office, June 1, 1960.

21 Po aty, British Embassy in Athens to F.O., June 10, 1960.
22 Po aty.
23 Po aty, p. 5.
24 NAUK, File 152818, June 1 1960.
25 Record of the U.S. Department of State Relating to Internal Affairs of Albania, 1960-1963, Roll 1, Protest of Pan-Epirotic Federation of America to the President, June 7, 1960.
26 Po aty, Chris P. Leventis and Associates to State Department, September 29, 1960.
27 NARA, File 767, John S. Hoghland – Acting Assistant Secretary for Congressional Relations to Philip J. Philbin, House of Representative, October 31, 1961.
28 Record of the Department of State relating to Internal Affairs of Albania, 1960-1963, Memorandum of the United States Government, April 5, 1962.
29 Record of the Department of State relating to Internal Affairs of Albania, 1960-1963, Roll 1, Memorandum of Conversation, Participants: H.E. Christian Xanthopo ulos-Palamas, Director General, Royal Ministry of Foreign Affairs , W. Tapley Bennetr, Jr., Minister –Counselor, October 31, 1961.
30 Po aty.
31 Po aty.
32 NARA, F. 767, Brigs,( form Athens) to Secretary of State,nr. 737, December 14, 1961; Philips Talbot to Mr. McGhee, The Greek Aide Memoire on Albania, December 21, 1961.

33 NARA, Owen Jones (Belgrade) to D.C., March 9, 1962.
34 W. E. Griffith, Albania and Sino-Soviet Rift.., op. cit., p.169.
35 NARA, File 767, A-1049, Julian P. Fromer-American First Secretary in Rome to D.C., January 22, 1963.
36 Record of the Department of State relating to Internal Affairs of Albania, 1960-1963, Roll 1, File 767, Reinhard, American Embassy in Rome to Secretary of State, Nr. 1677, November 14, 1961.
37 NAUK, File 160341, Evelyn Shuckeburgh to Central Department, May 16, 1961.

38 NARA, File 767, Briggs (Athens) to Secretary of State, nr. 648, November 18, 1961.
39 NARA, File 767, Memorandum of Conversation, November 18, 1961.
40 Record of the U.S. Department of State relating to Internal Affairs of Albania, 19601963, Roll 1, Memorandum of Conversation on Situation in Albania, July 11, 1961.
41 Po aty, William D. Broderick – Second Secretary of American Embassy in Beograd to the Department of State, December 5, 1961.
42 Record of the U.S. Department of State relating to Internal Affairs of Albania, 1960-1963, Roll 1, Ambassy Belgrade to Department of State, January 11, 1962.
43 Po aty, File 767, Memorandum of Conversation, February 2, 1962.

 

SHPËRNDAJE