Nga John Cassidy

 

Për shumë njerëz rreth e rrotull botës, vota e Mbretërisë së Bashkuar (MB) të enjten për t’u larguar nga Bashkimi Europian erdhi si një goditje e madhe. Por rezultati, me pesëdhjetë e dy për qind të votuesve për t’u larguar nga BE, nuk duhej të kishte qenë një befasi e tillë. Fakti është se BE nuk ka qenë asnjëherë mjaft popullore për njerëzit e zakonshëm të Mbretërisë së Bashkuar, sidomos në Angli dhe gjatë javëve para votimit shumë sondazhe opinionesh tregonin palën e Largimit me një përparësi të vogël. Tregjet financiare dhe shumica e komentatorëve, përfshi edhe mua, supozonin se në minutën e fundit, maturia dhe mosdashja e rrezikut do të krijonin një lëkundje në favor të Qëndrimit. Kjo nuk ndodhi.

Mënyra më e lehtë për të kuptuar se çfarë ndodhi është të shohësh disa harta votimi. Me përjashtim të Londrës, Skocisë dhe Irlandës së Veriut, çdo rajon kryesor i Mbretërisë së Bashkuar votoi për dalje nga BE. Vota për Qëndrim ishte sidomos e dobët në zonat e mesme perëndimore dhe në verilindje të Anglisë, dy zona që janë goditur fort nga de-industrializimi. Por edhe në juglindjen relativisht të begatë të vendit, nëse zbret rezultatet e Londrës, shumica e njerëzve votoi për t’u larguar.

Gazeta Guardian ka botuar disa grafikë tregues me hollësira demografike të votës. Ato tregojnë një thellim të ndarjeve klasore. Një nga treguesit më të mirë se si votuan njerëzit ishte niveli i tyre arsimor. Ata që kishin diploma universitare anonin nga Qëndrimi, kurse njerëzit e tjerë anonin nga Largimi. Në grafikët e votimit ishin mjaft të qarta edhe mosha dhe të ardhurat. Sa më të moshuar dhe më të varfër, aq më të prirur për të votuar Largimin. Sa më të rinj dhe më të pasur, aq më shumë gjasa për të votuar Qëndrimin.

Duke i parë të gjitha këto të dhëna së bashku dhe rrjedhojat e tyre, jashtë Skocisë dhe Irlandës së Veriut, që janë raste të veçanta, klasa punëtore britanike dhe klasat e mesme të ulëta, sidomos ato që jetojnë nëpër provinca, i kanë dhënë një qortim të ashpër klasës politike me qendër në Londër, që ishte kryesisht në favor të qëndrimit në BE. Po si shpjegohet kjo revoltë kundër elitave?

Një teori e njohur e vë gishtin te racizmi dhe autoktonia, që karakterizuan dukshëm fushatën kundër BE-së. Pala e Largimit shkoi në kutitë e votimit pasi arriti ta shmangte debatin mbi ndikimin e mundshëm ekonomik të Brexit-it dhe për çështje të emigracionit dhe sovranitetit kombëtar. Megjithëse pjesa më e madhe e emigracionit në MB vjen nga jashtë BE-së, forcat e Largimit ishin në gjendje ta përqendronin vëmendjen te liria e lëvizjes së punonjësve, që është një nga parimet themelore të BE-së.

Gjatë dekadës së kaluar, Britania ka pranuar mijëra emigrantë nga Polonia, Rumania dhe vendet e Europës Lindore, që u futën në Bashkimin Europian pas rënies së Murit të Berlinit. Në shumë zona të klasës punëtore në MB, ka shumë pakënaqësi ndaj këtyre ardhësve të rinj, që shihen si rivalë për vende pune dhe shërbimet e siguruara nga qeveria, si arsimi, shëndetësia dhe mirëqenia. “Shumica e njerëzve mendonin se emigrimi ishte tepër i madh dhe largimi nga BE do ta zvogëlonte,” – tha të enjten, pasi dolën rezultatet, politologu i Universitetit të Stratklajdes Xhon Kërtis (John Curtice).

Një teori tjetër, që e ndesha në një postim të enjten, është se shqetësimet dhe pakënaqësitë ekonomike u shprehën me zemërimin politik që nxiti votën e Largimit. Demagogë të tillë si Nigel Farazh (Nigel Farage), udhëheqësi i Partisë së Pavarësisë në Mbretërinë e Bashkuar, ishin në gjendje t’i shfrytëzonin këto probleme ekonomike, t’i hidhnin ato kundër emigrantëve dhe objektivave të tjera të lehta.

Një argument tjetër është se rezultati i Largimit kishte të bënte vërtet me kulturën dhe vlerat. Duke e vënë theksin te të dhënat e mbledhura nga Studimi i Zgjedhjeve Britanike, Erik Kaufman (Eric Kaufman), një profesor i politikës në Kolegjin e Birkbekut, argumentonte të premte se treguesi më i mirë i shembujve të votimit nuk ishin të ardhurat apo niveli arsimor, por qëndrimet ndaj dënimit me vdekje, të cilat në përgjithësi janë një mjet për qëndrimet autoritariste. “Mundësia e votimit Brexit shkon rreth 20 për qind për ata që e kundërshtojnë më shumë dënimin me vdekje dhe në 70 për qind për shumicën e atyre që janë në favor të tij,” – shkruante Kaufmani në faqen e internetit të Shoqatës Fabian. “Njerëzit e pasur që mbështesin dënimin kapital, mbështesin Brexit-in. Njerëzit e varfër që kundërshtojnë dënimin me vdekje mbështesin Qëndrimin.”

Kjo është një teori interesante, por nuk shpjegon me domosdo arsyen se përse është shtuar armiqësia ndaj BE-së në MB gjatë disa dekadave të kaluara. Mos vallë publiku britanik është bërë më autoritarist dhe rezistues ndaj ndryshimit gjatë kësaj periudhe? Unë nuk mendoj kështu, por gjithsesi, qëndrimet ndaj martesave homoseksuale dhe çështjeve të tjera shoqërore flasin për një ndryshim në drejtimin liberal.

Ajo që ka ndodhur me siguri është se dekadat e globalizimit, liberalizmit dhe ndryshimeve politike që favorizojnë të pasurit, e kanë lënë Britaninë në një vend më të pabarabartë, me pabarazi të mëdha rajonale. “Është forma e pabarazisë sonë gjeografike, kombëtare, të qëndrueshme e të ngulitur thellë, që sjell diferenca në shembujt e votimit,” – komentonte në mëngjesin e së premtes, Torsten Bell, Drejtor i Fondacionit të Zgjidhjeve, një organizatë studimore bipartizane. “Trashëgimia e shtimit të pabarazisë kombëtare e viteve 1980, përqendrimi i madh i këtyre kostove në disa zona dhe dështimi ynë kolektiv për ta trajtuar atë flet më shumë rreth asaj që ndodhi natën e kaluar se sa vlerësimet me terma më të shkurtra për krizën financiare apo ndryshimin e valëve të emigrimit.”

Ky argument mua më duket bindës. Natën e së enjtes, pati që herët një njoftim për një votë të madhe Largimi në Sandërlënd, një qytet i dëshpëruar në Verilindje, që pat qenë një qendër e madhe e ndërtimit të anijeve, gjë që tregonte mënyrën se si po shkonte nata dhe shkaktoi rënien e sterlinës në tregjet aziatike. Ndërkohë, vota e Qëndrimit ishte vazhdimisht më e fortë në zonat e begata. Ekonomia peshon.

Megjithatë, përqindja e fitores ishte e vogël dhe ia vlen të shihet mënyra se si u zhvilluan fushatat për Qëndrimin dhe Largimin dhe të vlerësohet se si gjërat mund të kishin shkuar ndryshe. Në qoftë se pala e Qëndrimit, e drejtuar nga Kryeministri David Kameron (David Cameron), do të kishte arritur të bindte dy më shumë në njëqind votues për të pranuar argumentet e tij, ai do të kishte fituar. Por fushata e Qëndrimit nuk ishte frymëzuese fare.

Duke hedhur vështrimin pas, mund të thuhet se gabimi i Kameronit nis që në vitin 2013, kur në përpjekje për të kënaqur euroskeptikët brenda Partisë së tij Konservatore, premtoi të mbante një referendum në një moment para vitit 2017. Në atë kohë ai premtim mund të bëhej lehtë: Kameroni besonte se nuk mund ta jepte atë. Atëherë ai udhëhiqte një koalicion qeveritar krahas me demokratët liberalë pro-BE-së, që nuk donin të ishin pjesë e një referendumi dhe kishin fuqinë e vetos kundër tij. Por kur konservatorët arritën rezultatin e befasishëm në maj 2015, në zgjedhjen e përgjithshme ku fituan shumicën e Dhomës së Komuneve, kryeministri e ndjeu se nuk kishte rrugë tjetër, por të mbante premtimin e dhënë.

Por edhe pasi kishte caktuar një datë për referendumin, Kameroni sigurisht që mund të kishte bërë një punë më të mirë duke sjellë një vizion të pakundërshtueshëm për BE-në, një vizion që ta kishte Britaninë si një anëtare entuziaste dhe aktive. Në vend që të theksonte anët pozitive, Kameroni dhe Xhorxh Osborni, Sekretari i Thesarit, kërkuan ta trembin elektoratin duke votuar me mënyrën e tyre, duke argumentuar se një votë Largimi do ta zhyste ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar në recesion dhe do t’u kushtonte familjeve mesatarisht rreth gjashtëmijë e dyqind dollarë në vit.

Pothuajse të gjithë ekonomistët argumentojnë se BE ka qenë e mirë për Britaninë. Por shifra gjashtë mijë e dyqind në vit ishte aq e madhe dhe aq specifike sa shumë njerëz nuk e besonin. Duke folur te BBC të premten në mëngjes, Stiv Hiltoni, një ish-këshilltar politik i Kameronit, pranoi se fushata negative, që u dyfishua nga Frika e Projektit, u kthye në dështim. Në vend që t’i fitonte njerëzit, ai ftohu shumë votues që kishin shqetësime legjitime ndaj BE-së. “Njerëzit kanë shprehur një zemërim të vërtetë se janë injoruar nga sistemi dhe unë mendoj se ky është thelbi i asaj që ndodhi,” – tha Hiltoni.

Duke vështruar përpara, fati i fushatës së Qëndrimit duhet të shërbejë si mësim mbi kufijtë e fushatave negative – një mësim që Hilari Klinton duhet ta mbajë mirë parasysh ndërkohë që shkon kundër Donald Trampit. Kundërvënia ndaj demagogjisë populiste nuk mjafton për të sulmuar përkrahësit e saj. Për t’i fituar njerëzit, për të votuar në favorin tënd, duhet t’u japësh diçka pozitive që ata të vinë nga pas. Fushata e Largimit me gjithë gënjeshtrat dhe keqinformimin ishte një karrem i tillë. Ajo pretendoi se Britania e çliruar nga vargonjtë e BE-së do të ishte në gjendje të rifitonte lavdinë e saj të dikurshme. Në fakt, pala e Qëndrimit argumentoi se megjithëse BE nuk është madhështore, Britania do të ishte më keq pa të. Kjo rezultoi se ishte një histori humbëse.

 

SHPËRNDAJE