Tiranë, 13.12.2024
Të rinjtë kërkojnë një rajon ku zërat e tyre dëgjohen, ku mund të vendosin për të ardhmen e tyre dhe ku paqja dhe bashkëpunimi kulturor mbizotërojnë mbi ndarjet, gjuhën e urrejtjes dhe paragjykimet. Integrimi Evropian, si një mjet i reformave dhe stimujve të rëndësishëm, mund të jetë vendimtar për arritjen e këtyre qëllimeve fisnike.
Këto ishin pikat kryesore të theksuara në një deklaratë të nënshkruar, të cilën të rinjtë nga Shqipëria dhe Serbia e bashkëhartuan si pjesë e Akademisë Evropiane të mbajtur në Tiranë nga data 9 deri më 12 dhjetor.
Ky mesazh frymëzues është edhe më i rëndësishëm në një kohë polarizimi dhe pasigurie në rritje, si dhe sfidash të mëdha gjeopolitike në kontinent.
Aktiviteti ishte pjesë e projektit të mbështetur në kuadër të Fondit Rinor për Nisma Lokale Rinore, pjesë e programit RYDE – Dialogu Rinor Rajonal për Evropën, financuar nga Bashkimi Evropian. RYDE menaxhohet nga një konsorcium rajonal i shoqërisë civile, i udhëhequr nga Fondacioni Qendra për Demokraci në Beograd.
Rreth 22 të rinj nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe Serbisë, të ndihmuar nga lektorë, moderatorë dhe fasilitatorë, u përfshinë në një javë plot me leksione, seminare interaktive, vizita muzeale dhe aktivitete sociale. Temat e tyre përfshinin eksplorimin e përbashkësive në përballjen me të kaluarën, si dhe shqyrtimin e sfidave aktuale në arenën ndërkombëtare që ndikojnë të ardhmen e BE-së dhe për rrjedhojë zgjerimin e saj.
AIIS, në bashkëpunim me Lëvizjen Evropiane në Serbi, ka krijuar një traditë vjetore të edicioneve të Akademisë Evropiane. Edicioni i parë u mbajt që në vitin 2016.
Akademia u hap nga Drejtoresha Ekzekutive e AIIS, Alba Cela, dhe Sekretarja e Përgjithshme e EMINS, Dragana Djurica, të cilat riafirmuan përkushtimin e tyre afatgjatë për të punuar me të rinjtë, duke promovuar vlerat evropiane, zhvillimet që kontribuojnë në një të ardhme të përbashkët evropiane dhe nxitjen e pjesëmarrjes së të rinjve në proceset demokratike.
Fjalimi kryesor u mbajt nga shefi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, ambasadori Silvio Gonzato, i cili theksoi rëndësinë e punës së vazhdueshme me të rinjtë dhe dha një përmbledhje të programeve të Bashkimit Evropian që adresojnë këtë grup specifik demografik në Shqipëri dhe rajon. Ambasadori Gonzato vlerësoi aktivitetin si një mundësi të veçantë për t’u angazhuar në dialog dypalësh dhe rajonal.
Gjatë ditëve në vijim, pati seanca të shumta prezantimesh dhe diskutimesh. Ambasadori i Spanjës, Renedo Zalba, iu drejtua gjithashtu studentëve mbi temat e marrëdhënieve transatlantike dhe pritshmëritë për të ardhmen. Lektorë të tjerë ishin profesorë nga universitetet e Tiranës dhe Durrësit, ekspertë të shoqërisë civile, etj. Studentët, si pjesë e komponentit të kurikulës për përballjen me të kaluarën, vizituan muzetë: Bunk’Art dhe Shtëpia e Gjetheve, të cilat janë vende kujtese të dedikuara sistemit të survejimit dhe persekutimit të disidentëve gjatë regjimit komunist.
Deklarata Rinore, e hartuar nga studentët, në mënyrë frymëzuese thekson se “dëshira jonë e përbashkët është që kombet e rajonit të jetojnë në paqe, duke njohur të kaluarën, por jo duke jetuar në të, dhe duke ndërtuar së bashku një të ardhme të begatë evropiane.”
Në përputhje me këtë aspiratë, të rinjtë kërkojnë platforma më gjithëpërfshirëse për angazhimin e të rinjve në vendimmarrje dhe shumë më tepër investime në luftimin e dezinformimit korroziv, si dhe përfshirjen e narrativave për ndërtimin e paqes në kurikulat e arsimit formal.
Në një kohë kur paqja e kontinentit është e cënuar dhe kur mbizotërojnë pasiguritë e mëdha, ky mesazh i të rinjve është një qasje freskuese dhe qetësuese, si dhe një sinjal shprese që duhet marrë seriozisht.