Shqipëria përballet me problemin e prodhim të marihuanës dhe kontrabandës së saj. Vendi e ka pasur këtë problem për vite me rradhë. Kjo është një çështje që Shqipëria duhet të zgjidhë në një proces gjithëpërfshirës, dhe të luash politikisht me këtë çështje është një qasje e gabuar.
Shqipëria ka qenë një vend prodhues i marihuanës për vite me rradhë. Është lloji i veprimtarisë kriminale që ndodh në shumë pjesë të botës kur një vend i varfër ndodhet pranë disa vendeve të pasura dhe në një ambient ku sundimi i ligjit është i dobët. Por në qoftë se dëgjohet diskursi politik në javët e fundit, duket sikur problemi sapo ka filluar.
Vetëm tetë muaj pas dorëzimit të pushtetit, pas një humbje dërrmuese në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar, opozita e qendrës së djathtë ka marrë tashmë në dorë flamurin e anti-drogës, duke akuzuar qeverinë dhe segmente të shtetit – përfshirë edhe ushtrinë – për bashkëpunim me trafikantët e drogës, ose të paktën mangësi të shumta për të luftuar trafikimin.
Duke kërkuar çdo rrugë të mundshme në luftën e saj politike, Partia Demokratike është duke zhvilluar mitingje proteste përpara parlamentit dhe selisë së qeverisë për të kërkuar që kryeministri të japë dorëheqjen. Në një prej tyre, kreu i opozitës, Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha tha se dorëheqja e qeverisë është imperativë e ditës për të ndaluar valën ogurzezë të narko-trafikut dhe krimit në vend.
Qeveria e drejtuar nga socialistët thotë se po e bën punën e saj në luftën kundër trafikimit dhe se kultivimi lulëzoi nën administratën e mëparshme të demokratëve.
Qeveria e tanishme thotë se ka arritur rezultate më të mira se qeveria e mëparshme e udhëhequr nga Partia Demokratike sa i përket luftës së trafikut të drogës, duke kapur sasi të mëdha pothuajse çdo ditë.
Kryeministri Rama tha se opozita po përpiqet “të bëjë pis imazhin e vendit” nëpërmjet akuzave të saj, në mënyrë që Shqipërisë të mos i jepet statusi i kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në gjithë këtë debat, menjëherë pas opozita akuzoi strukturat shtetërore për lehtësimin e trafikimit të marihuanës përmes avionëve të vegjël, një mjet i vogël fluturimi i drejtuar nga një pilot italian u ul në një plazh të Divjakës dhe një automjet i mbushur me marihuanë u kap aty pranë.
Opozita tha se akuzat e saj u vërtetuan dhe ajo u tërhoq nga një komision hetimor në parlament që ishte formuar me kërkesë të opozitës. Organet e medias të krahut të majtë pranë qeverisë nga ana tjetër sygjeruan se incidenti i aeroplani u thur nga opozita për arsye politike.
Akuzat politike dhe teoritë e konspiracionit lënë mënjanë, është e qartë të dyja palët janë duke luajtur politikë me luftën kundër drogës.
Të gjitha qeveritë shqiptare, pavarësisht nga kush është në pushtet, janë dhe duhet të jenë të përkushtuara për të luftuar prodhimin e të marihuanës dhe trafikimin e saj. Ndërsa mund të ketë zyrtarë dhe individë të korruptuar në struktura shtetërore të cilët përfitojnë nga trafikimi, akuzat e përgjithshme kundër qeverisë dhe institucioneve të tjera shtetërore si ushtria janë një lidhje pa shumë baza. Qeveria aktuale duhet të fajësohet nëse trendi që shohim sot me marihuanën vazhdon këtë vit e më vonë, por qeveria e mëparshme nuk është pa faj as për lejimin e mbjelljes dje të bimëve që janë në pakot qe kapen sot nga policia.
Vendi ka nevojë për të bërë çrrënjosjen e kultivimit të marihuanës dhe të kondrabandës së saj një përparësi përmes zbatimit të sundimit të plotë të ligjit në çdo cep të vendit, duke balancuar dënimin e krimeve me zhvillimin ekonomik në zonat ku kultivimi i drogës ndodh.
Ndërsa do të ketë mjaft kohë për qeverinë socialiste të përballet me gabimet e saj që sa po kanë filluar, shqiptarët duhet të jenë gjithashtu të shqetësuar për qasjen opozitare të Partisë Demokratike.
Basha, kryetari zyrtar i PD-së, të cilin janë të shumtë ata që e perceptojnë si një udhëheqës modern, të ekuilibruar, të zgjuar dhe të aftë, në të vërtetë nuk është ai që po i kryeson përpjekjet e opozitës për të përfituar nga çdo gjë negative që po ndodh në Shqipëri për të ulur mbështetjen për koalicionin qeverisës.
Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe drejtuesi i hekurt historik i PD-së, Sali Berisha, vazhdon të jetë protagonisti. Ai vazhdon të dominojë debatin në parlament dhe media duke folur në emër të demokratëve duke përdorur një gjuhë agresive dhe popullore që i bën shqiptarët progresivë, të mirë-arsimuar dhe të rinj të mbyllin veshët.
Nëse sondazhet e fundit janë për tu besuar, Berisha po dëmton demokratët në vend që t’i ndihmojë ata. Ai gjithashtu është duke lënë në hije Bashën, njeriun që ai vetë e zgjodhi si pasardhës.
Ndërsa është detyrë e çdo opozitë politike që të mbajë qeverinë të përgjegjshme, sa i përket demokratëve, është ende e qartë që nuk e kanë kuptuar ende mesazhin e dhënë nga votuesit vitin e kaluar.