Fjalëkalimi – Ed Park

0

I merr me rradhë të gjitha fjalëkalimet. Ato tregojnë një histori. Çfarë ka më shumë rëndësi për ty, gjërat që nuk mund t’i deshifrosh dot. Fjalë dhe numra të ruajtura në fabrikën e zemrës tënde.

Emri i tët bije.

Emri i tët bije mbrapsht.

Emri i tët bije mbrapsht plus viti i ditëlindjes së saj.

Emri i tët bije mbrapsht plus dy numrat e fundit të vitit të saj të ditëlindjes.

Ato vazhdojnë të ndryshojnë. Shkrihen sëbashku në një mjegullnajë në tru. Çdo ditë ti shtyp dy ose tre nga këto fije kujtese për të hapur laptopin e shtëpisë, laptopin e punës. E-mail-in, Facebook-un, postën zanore. Llogarinë e kilometrave falas që ke grumbulluar duke fluturuar. Çdo javë të kërkohet të ndryshosh të paktën njërin prej tyre, të rritësh nivelin e sigurisë. Ndihesh një virtuoz i arrirë kur matësi i sigurisë ndërron ngjyrë nga e kuqe në jeshile.

Qyteti ku banon mbrapsht.

Qyteti ku banon plus viti kur ke lindur.

Qyteti ku banon mbrapsht plus viti kur ke lindur.

Olaf Fub 1970.

Ka të dhëna ndihmëse kur harron. Emri i vajzërisë i mamasë. Makina e parë, ngjyra e preferuar, shkolla fillore.

Vajza e parë që ke puthut – kjo duhet të jetë patjetër njëra prej tyre.

Djali i parë.

Pse të dhënat mos të jenë fjalëkalimet vetë?

Mjaft u zvarrite.

Hera e parë që ke bërë seks. Ti kujton ditën, muajin, vitin. Vitin e plotë, apo vetëm dy numrat e fundit?

Koncerti i parë që ke parë.

Emri i spitalit ku ke lindur.

Pyet veten se kush i shkruan këto pyetje. Dikush duhet t’i shkruajë.

Mos harro: Mos përdor kurrë të njëjtin fjalëkalim për më shumë se një llogari.

Katër numrat e fundit të numrit të telefonit tënd të parë.

Kater numrat e fundit të numrit të telefonit të punes tënde të parë.

Emri mbrapsht i shoqes së ngushtë të vajzës tënde.

Emri i shefit tënd.

Mbiemri i shefit tënd të parë plus viti kur ke lindur.

 

Nëse do të mundje të rreshtoje të gjitha fjalëkalimet e tua, të gjithë historinë e tyre të heshtur, ata do të mbushnin një libër që do të mund ta lexoje brenda një minute.

Katër numrat e celularit tënd mbrapsht.

Skuadra sportive e preferuar.

Skuadra sportive e preferuar mbrapsht.

Serbas.

Emri i kafshës shtëpiake.

Ti njeh dikë që kishte një qen të quajtur Serbas.  Ti njeh dy tipa me qenë të quajtur Serbas. Ata nuk e pëlqenin njëri tjetrin. Ata tipat, jo qentë. Qentë, kushedi. Je mëse i sigurtë se njëra ishte femër, tjetri mashkull.

Emri mbrapsht i kafshës shtëpiake plus viti aktual.

Vëllai/motra që ke më për zemër – që s’të la kurrë në baltë – plus dy numrat e fundit të vitit akutal.

Një përzierje shkronjash kapitale dhe të vogla.

Gjashtë deri në tetë karaktere i gjatë.

Dhjetë deri në katërmbëdhjetë.

Mjaft u zvarrite.

Përzierje numrash dhe shkronjash.

Të paktën një simbol: #, %, *, !.!

Vendlindja e babait.

Emri i vajzërisë së mamasë mbrapsht.

Ajo vajza në punë që nuk e heq dot nga mendja.

Ajo vajza në punë plus viti aktual.

Ajo vajza në punë mbrapsht dhe me shkronja të vogla plus dy numrat e fundit të vitit aktual.

 

Fjalëkalimet nuk kanë asnjë domëthënie për makinerinë. Makineria të lejon të bësh çfarë të duash. Ajo nuk të gjykon. Ajo nuk do t’ia dijë.

Fjalëkalimi yt duket si një rresht pikash.

Filmi i preferuar. Por ai vazhdon të ndryshojë.

“Vertigo.” “Groundhog Day.”

Aktori i preferuar.

Aktorja që ta ngriti për herë të parë, mbrapsht, plus viti aktual.

Shoku i ngushtë nga shkolla e mesme.

Shoku i ngushtë nga kolegji.

Mjaft u zvarrite.

Vitin e fundit që ke parë tët bijë.

Vitin e fundit që ke parë tët bijë plus emrin e saj.

Ka një dosje në kompjuterin tënd të punës që titullohet FJALËKALIME. Po sikur të harrosh fjalëkalimin për të hyrë në kompjuterin tënd të punës?

Lodra e saj e preferuar.

Si e kishte quajtur biçikletën e saj.

Vajza e parë me të cilën ke dalë në kolegj dhe me shkronja të vogla.

“The shop around the corner.” “Buffalo ’66.”

Dita e vdekjes së parë në familje.

Emri i gjyshit mbrapsht plus viti i lindjes.

Viti kur më në fund e mblodhe veten.

“Citizen Kane.” “Ace Ventura: Pet Detective.”

Viti i pagëzimit të parë plus emri i priftit.

Mjaft u zvarrite.

Shkrimtari i preferuar mbrapsht dhe me shkronja të vogla, ku shkronja e mesit kapitalizohet për asnjë arsye përveç rastësisë.

Adresa e shtëpisë ku je rritur.

Vëllai/motra me të cilin/ën nuk flet.

Gruja/burri e/i vëllait/motrës me të cilën/in nuk flet, por që i dërgon mesazhe kur je i pirë.

Mjaft u zvarrite.

 

Mbiemri yt mbrapsht plus dita, muaji dhe viti kur e gjete veten përpara ATM-së në cepin e dhjerë të Bulevardit Hertel, me tytën e një arme të ngulitur mes shpatullave të tua, arma në dorën e një tipi që të ka ndjekur gjatë gjithë rrugës, paksa topall, një tip trupmadh me xhaketë të zezë dhe kapele “Bill Starter” me strehë, i cili u shfaq pas teje me heshtjen e hijes, një tip trupmadh me sy të vdekur pas xhamave të errët të syzeve pesë-dollarëshe që tashmë ka nën zotërim celularin, portofolin tënd dhe shishen e verës për të cilën kujtove se ishte një ide e mirë të dilje jashtë dhe ta blije në orën dhjetë të darkës, ajo tha se do të rrinte brenda dhe ti the se do të ktheheshe sa hap e mbyll sytë, dhe ishte një natë e mirë për të shëtitur, kështu që, tek je duke shijuar freskinë e ajrit të mbrëmjes, përse të mos marrësh ca kartëmonedha për javën që po vjen?

Tipi trupmadh me armën e madhe që po thotë Fjalëkalimin dhe Këtë moment dhe Mjaft u zvarrite.

 

Përktheu: Dhimitër Gjodede

SHPËRNDAJE