RUN, BABY, RUN

0

Nga Jerina Zaloshnja

Do të vish të vrapojmë me grupin “Camminata Tonificante” nëpër Romë, të martën mbasdite, – më pyet Sabrina.

Po mirë, – i them, duke e ditur se nëse nuk shkoj me Sabrinën, e marta ime mbasdite s’do të ketë pikë ndryshimi nga shumica e mbasditeve të tjera, kur, për orë të tëra mund të rri përbys e pa u shqetësuar mbi lap-top e rrallë mbi ndonjë libër. “Të vraposh” me mendim nëpër kompjuter, të lundrosh nëpër internet, nuk është gjithmonë kaq e bukur.  Ndonjëherë duhen lëvizur edhe këmbët.

Pas një ore udhëtimi me makinë, ngecjesh tipike e ngatërresash nëpër trafik, më 19.30 fiks, arrijmë në Gianicolo, një nga shtatë kodrat e Romës, nga belvederja e së cilës qyteti ngjan si i zhytur e i mbetur në veprat e 1800-ës. Pese hapa larg statujës së Garibaldit, takojmë Francesco-n, që do të udhëheqë në këtë eksperiencë vrapimi grupin “Camminata Tonificante” i cili përbëhet nga pothuaj 20 vetë. Me nga një palë kufje në vesh, nga ku vjen herë zëri i Fransesco-s, herë muzika e butë që ai e ka zgjedhur me shumë kujdes, nisemi njëri pas tjetrit për dy orë stërvitje në natyrë, rrugëve të Romës.

Lëmë pas spitalin Bambino Gesú; zbresim për në San Pietro me shumë pak turistë në këtë orë; përshkojmë Via della Conciliazione, ndalim në muret e Castel Sant’ Angelo-s. Ngjitemi pas murit të kështjellës si hardhuca të vogla, në rrjesht pas njeri tjetrit, për të ushtruar gjymtyrët, sic na udhëzon Francesko-ja, përmes mikrofonit. Ca turistë te ura përballë, qeshin me ne dhe na fotografojnë. Të tjerë na vështrojnë të çuditur. Ne, grupi i Francesco-s herë ecim, herë vrapojmë. Me këtë ritëm, Via della Conciliazione-n e përshkojmë disa herë, derisa hapim krahët dhe mushkëritë në sheshin San Pietro. Sa më shumë ecim, apo vrapojmë, aq më tepër thellohet frymëmarrja, qetësohen mendimet. Paqe. Me errësirën janë tretur edhe zhurmat e makinave nëpër rrugë: ajri është bërë më i lehtë, më i pastër; myshqet nga muret e ndërtesave sikur janë harlisur edhe më shumë. Qetësi. Qyteti është futur në shtëpi.

Pse? Sa është ora?

Është ende herët, por Roma është tërhequr. E bukura e orëve të rrugës nëpër Romë është se shumica e tyre kanë ngecur prej kohe dhe duket se askush s’ka ndër mënd t’i ndreqë. Në qytetin e përjetshëm sikur nuk ua vënë veshin orëve, por kjo nuk është domosdoshmërisht diçka e keqe. Në Romë, me këtë bukuri thithëse të arkitekturës që ka qyteti e me këtë diell kaq bujar, është e vështirë t’i mbash sytë nga ora. Në vend të nxitojnë, disa romanë zgjedhin të shëtisin, apo të ulen për ndonjë aperitiv, “cena”, apo “dopocena”. Të tjerë, si puna e këtij grupi, ka zgjedhur të vrapojë.

Vajtje-ardhje, rruga që përshkoi për dy orë grupi “Camminata Tonificante” nën drejtimin e z Francesco Castiglione-s, nuk është më shumë nga 6-7 kilometra. Por impakti i këtij aktiviteti është me të vërtetë i veçantë. Një vrapim i orientuar, nëpër lagje të ndryshme të Romës, jo vetëm që i bën mirë trupit e mëndjes, por shërben edhe si një miniguidë turistike. Jo vetëm të huajt. Kam përshtypjen se, në orë të ndryshme, edhe vetë romanëve Roma iu shfaqet ndryshe.

E kujt qe idea për krijimin e këtij aktiviteti?

3 vjet më parë, kur pandemia “pushtoi” botën dhe palestrat u mbyllën, dr.  Castiglione, Francesco, roman nga Aurelia, mësues në shkëncat motorike, edukim fizik; profesor i metodologjisë sportive në dy universitete, mendoi të mos i dorëzohej “pushtimit”. Në vënd të kësaj e si një alternativë për t’u stërvitur së bashku me një grup të apasionuarish të volejbollit, ai kreu shëtitjen e parë të dedikuar, natën, nëpër Romë.  Për shkak të pandemisë, ai investoi jo vetëm në kohë, por edhe në kufje e mikrofonë për t’i mbajtur njerëzit nën kontroll e të distancuar njëri nga tjetri. Faqja e internetit “Camminata.Tonificante” e shoqatës sportive “Sport Project” ku dr Castiglione është president, bëri punën e saj: njerëzit u vunë në dijeni dhe, pas tre vjetësh aktiviteti, në fillim tre e tashmë deri dy herë në javë, sot janë mbi 70 persona që aderojnë në këtë grup e që kryejnë rregullisht këtë lloj stërvitjeje; një aktivitet i përshtatshëm për të gjitha nivelet, i përbërë nga ecje e vrap; stërvitje aerobike e stërvitje muskujsh me peshë natyrale.

Të martën e rradhës, rruga që do të përshkojë grupi i Camminata Tonificante” do të jetë tjetër; nga Gianicolo do të zbritet në Trastevere, duke e përshkuar atë përgjatë lumit; do të kalohet në isola tiberina, në Via dei Fori Imperiali, Piazza Venezia, Colosseo e kthim, – thotë Francesco.

Po të martën e dytë të rradhës?

Kush e di?  Roma është e pafund.

 Ajo që tani di me siguri është se s’mund të rrish ulur në një vend, s’mund të rrish ndenjur. Duhet nxituar, duhet vrapuar. Edhe vetë qyteti s’mund të rrijë ulur, ndenjur, ngecur në vend. Vrapo, i dashur, vrapo!

SHPËRNDAJE