Apokalips

0

JACK HANDLEY

Është viti 2042. Bota është zhytur në apokalips. Qielli qëndron i ngrysur ditën dhe natën e dëgjohen kuisje dhe ulërima. Banda grabitësish gëlojnë fushave, duke gjuajtur… dhe duke ngrënë njerëz të tjerë. Posta vjen vetëm njëherë në javë, dy herë nëse je me fat. Më së shumti përmban broshura marketingu. S’e di si, por jam i abonuar në një revistë të tmerrshme, Kanibalizmi Sot. Ajo përmban foto dhe receta të makthshme. I kam shkruar departamentit të qarkullimit të revistës, duke u lutur të ma anulojnë abonimin, por çdo muaj më vjen numri më i ri bashkë me një shënim, “Mirë se vini, abonent i ri!” Tashmë asgjë nuk ka më kuptim.
Sot dëgjoj qentë e egër, që ndjekin diçka apo dikë. Dëgjohet një klithmë rrëqethëse, pastaj heshtje.
Po kështu më vjen lajmi se revista ime e preferuar, Kopshtaria e Mbijetesës do të mbyllet. Ia kisha pasur frikën kësaj. Numri i faqeve, por edhe madhësia e tyre, kishte ardhur duke u zvogëluar nga numri në numër. Ndihem i mjerë dhe i braktisur. E ç’botë është kjo ku një revistë informative dhe ndihmuese si Kopshtaria e Mbijetesës lejohet të falimentojë, ndërsa fundërrina të tilla si Përdhunimi dhe Hitleri! janë plot me reklama farfuritëse me modele groteske?
Nxjerr një skicë humoristike që ia kisha nisur revistës. Vizatimi tregon një fermer me një shat në dorë. Një asteroid gjigant gati po përplaset mbi arën e tij. “Ja ku ikën dhe karotat,”- thotë fermeri. Revista nuk e bleu skicën, por të paktën më dërguan një letër të këndshme refuzimi. Lajmërimi nga Kopshtaria e Mbijetesës thotë se shpresojnë ta rinisin botimin e revistës në një datë të mëvonshme, porse do të përqendrohen më pak mbi kopshtarinë dhe më shumë mbi torturat.
Pavarësisht kërkesës sime për anulimin, vazhdoj të marr numrin e radhës të Kanibalizmi Sot. Në radio dëgjoj se Udhëheqësi i Madh ka rimarrë në zotërim pjesë të madhe të territorit të kanibalëve. Po atëherë pse nuk ka pushtuar edhe Uiçitan, ku janë zyrat qendrore të revistës Kanibalizmi Sot? Kjo më çudit pa masë.
Dielli, gjiganti ynë drithërues, shfaq për herë të parë fytyrën e tij pas shumë javësh. Çfarë ndjesie e mrekullueshme!
Ndihem edhe më në humor kur më vjen falas një numër i një reviste të titulluar Strofulla Sekrete. Mendoj se do të më tregojë se si të ndërtoj dhe të siguroj një strehim të fshehtë. Por jo, e si mund të ishte ndryshe…bëhet fjalë si të gjesh vrimat e fshehta të të tjerëve dhe si t’i nxjerrësh prej andej, më së shumti duke përdorur bomba tymuese.
Stuhitë me rreze X më detyrojnë të strehohem në bunkerin e veshur me plumb. Dëgjoj një makinë të blinduar që ndalon përballë, pastaj vazhdon rrugën. Ishte postieri.
Nuk më mban vendi sa të lexoj materialin e ri, ndaj nxitoj jashtë për të marrë postën, kur zbuloj se bëhet fjalë për reklama të tjera dhe një numër të dyfishtë të revistës Kanibalizmi Sot. Teksa qëndroj aty, nën retë si vorbull kërcënuese, me shiun acid që më pikon në fytyrë, nuk arrij t’u besoj syve. Kapaku i revistës tregon një malok me pamje kafshërore, duke ngrënë një foshnjë! Fëmijën e pjekur në hell e mban përpara gojës së shqyer si të ishte një fetë shalqini. Titulli lexon: “ÇFARË SHKON MË SHUMË ME PATATET? BEBET!” Më vjen për të vjellë.
Jam i vendosur ta anuloj patjetër abonimin me këtë plehrë. Ia dal mbanë të lidhem në terma-fon me departamentin e qarkullimit. Por më lënë në pritje. Një regjistrim i Sinatrës, “Eja fluturo me mua”, luan me këmbëngulje në anën tjetër të receptorit.
Po mendoj të vras veten.
Pastaj ndodh diçka e çuditshme: stuhitë me rreze X pushojnë papritur. Gjithashtu, pasi marr edhe disa numra të tjerë të revistës Kanibalizmi Sot, zbuloj se ajo nuk është një revistë dhe aq e keqe. Po, ka receta dhe foto të tmerrshme, por ka gjithashtu edhe disa rubrika të lezetshme, si kolona për të kundruar yjet. Artikujt mund të jenë interesantë edhe nëse nuk je një kanibal, si, p.sh., artikulli që trajton arsyet pse mishi i njeriut është më i mirë për ty se ai i kaut apo qenit. Për më tepër, ka edhe disa tregime të arrira.
Kanibalizmi Sot nuk vjen më. Nuk është revista më e mirë në botë, por pas ca kohësh njeriu mësohet me çdo gjë. Përpiqem të rinovoj abonimin me telefon, por nuk arrij të lidhem. Pas disa ditëve plot me ankth, më vjen një letër e shkruar me dorë nga “Zyra e Redaksisë.” Më thotë se revista ka humbur lejen për shpërndarjen me postë dhe nëse doja numrin e fundit, atëherë duhet të shkoja në një fermë të braktisur rreth një milje larg, pasi të binte nata. Dhe të kisha me vete edhe disa miq.

 

SHPËRNDAJE