Ballkani është e ardhmja e Evropës

0

Fati i Evropës në këto mua jt e fundit po luhet, në mënyrë dramatike, përreth Ukrainës. Por e ardhmja e kontinentit tonë është gjithashtu e lidhur edhe me atë çka do të ndodhë në Ballkanin Perëndimor. Historia na mëson rëndësinë strategjike që ky rajon ka për sigurinë tonë. Ndaj, dinamikat ndërkombëtare me të cilat po hasemi nxjerrin edhe më shumë në pah rëndësinë gjeopolitike të Ballkanit Perëndimor për të gjithë Evropën, veçanërisht për vende fqinjë si Italia.

Që në ditën e parë të mandatit tim jam angazhuar për të nxitur veprimtarinë diplomatike italiane përtej Adriatikut. Për Italinë, Ballkani përbën një të ardhme të pamohueshme. Historia jonë, kultura jonë, ekonomia jonë na lidhin në mënyrë të pazgjidhshme me këtë zonë. Prej shekujsh. Jemi të vetëdijshëm se sfidat, me të cilat duhet të përballemi, nga kriza energjetike te lufta ndaj emigracionit të paligjshëm, kërkojnë qasje dhe zgjidhje të përbashkëta. Të synosh fuqizimin e partneritetit të Italisë me Ballkanin Perëndimor do të thotë të investosh për të ardhmen.

Stabilizimi përfundimtar i situatës në Ballkanin Perëndimor kalon përmes lidhjes së fortë me Bashkimin Evropian dhe me vlerat e tij. Italia është plotësisht e bindur dhe e angazhuar në vijën e parë në Bruksel për të garantuar zhvillime konkrete në këtë drejtim. Zgjerimi duhet të vijojë të mbështesë në mënyrë dinamike axhendën reformuese të vendeve të rajonit. E kemi arritur tashmë një rezultat të rëndësishëm në Këshillin Evropian në muajin dhjetor teksa pikërisht falë rolit aktiv të Italisë, Bosnjës dhe Hercegovinës iu njoh statusi i vendit kandidat në BE.

Hapi tjetër që duhet të ndërmerret është përshpejtimi i integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian. E, për ta arritur këtë, duhet të mbështesim rritjen social-ekonomike të tij.

Në rrafshin ekonomik, transferimi i modeleve të vlefshme ekonomike, i nxitur nga pandemia e COVID, përbën një mundësi domethënëse për sipërmarrjet. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, në gjashtëmujorin e parë të 2022 ekonomia e rajonit ka shënuar një rritje të ndjeshme, përtej pritshmërive, si rrjedhojë e rritjes së konsumit dhe investimeve. Me një rritje të PBB prej +3,4%, performanca ballkanike ka tejkaluar atë të zonës euro (+2,5).

Me një program prej 30 miliardë eurosh, kushtuar rritjes ekonomike dhe investimeve në Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian synon zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës dhe rrjeteve rajonale, në dobi të tranzicionit të gjelbër dhe atij dixhital, në mbështetje të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme si edhe të sipërmarrjeve të të rinjve.

Ndërmarrjet tona kanë të gjitha mundësitë ta luajnë këtë ndeshje si titullare. Nga shërbimet financiare tek ato mekanike, nga sektori automobilistik tek ai energjetik, ndërmarrjet tona japin tashmë një ndihmesë të rëndësishme në nivelin e punësimit në rajon. Kjo prani duhet fuqizuar më shumë.

Ndërmarrjet mund të mbështeten plotësisht te qeveria dhe institucionet. Ndaj, për këtë arsye, vendosa të organizoj në Trieste, më datë 24 janar, një konferencë kombëtare mbi partneritetin mes Italisë dhe Ballkanit, me synimin për të ndarë me njëri – tjetrin objektiva dhe mjete operative e për t’i vënë ato në dispozicion të operatorëve tanë, duke vlerësuar mundësitë konkrete që bashkëpunimi me këto Vende është në gjendje t’i ofrojë “Sistema Italia”.

Takimi i Triestes do të jetë një moment përballjeje dhe dialogu ndërmjet Qeverisë dhe ndërmarrjeve prodhuese kombëtare, për të hartuar së bashku një strategji organike, ambicioze dhe me fushë të gjerë veprimi. Ia nisim nga Trieste dhe Friuli Venezia Giulia, zonë e cila ka qenë gjithmonë një urë lidhëse mes Italisë dhe territoreve që lagen nga Danubi si dhe atyre ballkanike, e aftë të afirmohet në tregjet ndërkombëtare falë vizionit dhe shpirtit novator të ndërmarrjeve të saj.

Konferenca e 24 janarit do të jetë vetëm fillimi. Hapi i parë operativ është parashikuar të hidhet në muajin mars në Beograd, me organizimin e Forumit të Biznesit ItaliSerbi, i cili do të ndiqet nga një takim i nivelit të lartë politik, në Romë, me partnerët tanë rajonalë si edhe nga një konferencë mbi Korridorin VIII. Zhvillimi i ekonomisë në Ballkanin Perëndimor është në dobi të mbarë Evropës, e, mbi të gjitha, në dobi të paqes në Evropë.

ANTONIO TAJANI

*Zëvendës Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Italisë

SHPËRNDAJE