Progres-Raporti i Komisionit Europian, 2020, mbi Shqipërinë dhe ai i vendeve të tjera të rajonit tonë pritej me një lloj kureshtjeje, megjithëse pas kaq shumë vitesh, po bëhet më e vështirë që ata t’i presësh me zell. Gjithsesi, metodologjia e re, që u njoftua në fillim të këtij viti, kishte të paktën “adhuruesit” e integrimit, që prisnin të shihnin nëse ajo do të sillte një frymë të re për dokumentin kryesor, që vlerëson “rrugën e përshkuar” në 12 muajt e fundit. Pritja, fatkeqësisht, nuk ishte e përligjur. Raporti mbi Shqipërinë tregonte edhe njëherë “progresin mesatar” në shumicën e fushave dhe pavarësisht se jepte rekomandimin për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, ai nuk pasqyronte dot shumicën e ngjarjeve të fundit, dramatike, të politikës shqiptare.

Raporti vinte në dukje polarizimin e vendit deri në ekstrem, por megjithatë, nuk arrinte dot të vinte në dukje se konsensusi i arritur nga Këshilli Politik më 5 qershor, me ndërhyrjen e fortë të ndërkombëtarëve, u hodh në erë këtë javë me ndryshimet e njëanshme të rregullave elektorale. Në raport thuhet se në fushën e lirisë së shprehjes dhe të drejtave themelore nuk ka progres, por pa kritikuar në mënyrë specifike regresin faktik: këmbënguljen e shumicës parlamentare për të miratuar projektligjin e diskutueshëm të medias. Ky kuadër i ri, rregullator, i medias, me censurimin drakonian, u konsiderua i papërshtatshëm nga Komisioni i Venecias dhe u kthye për rishikim. Si për t’i futur thikën drejt e në zemër  ketij Progres-Raporti, Kryeministri Rama, në të njëjtën ditë me publikimin e raportit, shprehu përsëri vendosmërinë e tij për të miratuar po atë ligj.

Ngjarje të tjera, të cilat flasin për shtimin e autoritarizmit, si prishja e Teatrit Kombëtar gjatë muajve më të këqij të karantinës për pandeminë e Covid-19 dhe ushtrimi i forcës policore kundër protestuesve, mungojnë krejtësisht nga teksti i raportit.

Përballë një lloj errësirë të tillë informative apo një lloj indiferentizmi të tillë, të hapur, lidhur me zhvillimet e vendit, qytetarët mund të justifikohen se “iu kanë hedhur hi syve” me këtë lloj raportimi dhe nga toni i përgjithshëm i raportit.

Kjo mungesë lidhjeje me realitetin mund të shihet e shumta si mungesë largpamësie, kurse më e keqja duket  “sikur ju hedh hi syve” qytetareve në mënyrë plotësisht të pavullnetshme. Dhe duket se Shqipëria nuk është shembulli i vetëm. Kritika të ngjashme u bënë edhe nga vetë euro-parlamentarët, gjatë diskutimit të raporteve, si për shembull, për përkeqësimin e klimës politike në Serbi apo për shkeljen e të drejtave të njeriut në Turqi.

Por kjo gjë nuk i shërben as objektivit mediokër të ruajtjes së stabilitetit, që komentohet shpesh si qëllimi Kryesor i BE-së në rajon, le pastaj ndihmës për konsolidimin e demokracisë në vendet tona. 

SHPËRNDAJE