Ekspozita Ndërkombëtare e Importit të Kinës (CIIE) – një event global dhe një dëshmi e politikës së hapjes

0

Sokol Bregu

Kina me peshën e saj të konsiderueshme në ekonominë botërore dhe rolin e saj në tregtinë globale por dhe me fokusin e shtuar mbi inovacionin dhe teknologjinë e së ardhmes është nyja e vëmendjes për të gjithë ata që duan të provojnë të masin pulsin e së ardhmes. 

Kongresi i 20-të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës ishte një eveniment politik i ndjekur me shumë interes në të gjithë botën për të mësuar më shumë mbi prioritetet e politikës së brendshme dhe të jashtme si dhe të zhvillimit ekonomik të Kinës në një kohë ku konteksti global i sigurisë po kalon në një sprovë të rëndësishme dhe ku parashikimet për ekonominë evropiane nuk janë optimiste.

Dukshëm siguria dhe dimensionet gjeopolitike tashmë kanë një rëndësi po aq të madhe sa ato ekonomike. Të dyja janë mëse të ndërlidhura. Megjithatë Kina kërkon më ngulm të mbrojë dhe të cojë më tej ato arritje për të cilat ka impresionuar gjithë globin si dhe të realizojë prioritete zhvillimi të rëndësishme: e para inovacionin, e më pas investimet në infrastrukturë dhe zhvillimin e linjave të zinxhirëve të ofertës- supply chains. Për të gjitha këto duket se guri i themelit mbetet politika e hapjes.

Në fakt eventi me përmasa globale që pasoi direkt kongresin ishte pikërisht Ekspozita Ndërkombëtare e Importit të Kinës (CIIE), e zhvuilluar në Shangai, një sipërmarrje me përmasa mbresëlënëse ku pavione të veçanta i dedikohen investimeve dhe produkteve të ndryshme por dhe temave me rëndësi globale si ndryshimet klimatike dhe adoptimi me to, transporti i rikonceptuar i së ardhmes, inteligjenca artificiale dhe bota metaverse, etj.

Ekspozita Ndërkombëtare e Importit e Kinës (CIIE) është tashmë në edicionin e pestë të saj dhe këtë vit ajo sheh si pjesëmarrëse aktive mbi 280 ndër 500 ndërmarrjet kryesore të botës dhe kompani udhëheqëse në sektorët e tyre. 

Në pesë vitet e ekzistencës së saj kjo ekpozitë është bërë skena ku për herë të parë prezantohen dhe lançohen produkte të reja, teknologji të përparuara dhe shërbime inovative.

Nga 270 mijë në 366 mijë metra katrorë, sipërfaqja e pavijonit të ndërmarrjeve nga CIIE-ja e parë deri në CIIE-në e 5-të është rritur ndjeshëm. Numri i pjesëmarrësve është ruajtur në mënyrë të qëndrueshme në 3000 dhe kjo është dëshmia më e mirë për forcën tërheqëse të CIIE-së. Statistikat tregojnë që në CIIE-në e parë, vëllimi i kontratave të nënshkruara ishte 57.83 miliardë dollarë amerikanë, ndërsa në tre vjetët e fundit janë siguruar porosi me vlerë mbi 70 miliardë dollarë amerikanë, ndërkohë që në katër edicionet e para, vlera e përgjithshme e kontratave arrin mbi 270 miliardë dollarë amerikanë. Vlera e përgjithshme e marrëveshjeve të synuara në Ekspozitën e 5-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës (CIIE) i ka kaluar 4 miliardë dollare.

Edhe vendi ynë përfaqësohet në këtë ekspozitë me shfaqjen e vlerave turistike lokale përmes pjesmarrjes në platformën virtuale:

https://www.ciie.org/hall/f/exhibition-hall/exhibitor/list?exhibition=name.exhibits.food&picture=&locale=en .

Shqipëria me prezantimin e vijës bregdetare, Beratit si një qytet me trashëgimi të vecantë historike dhe arkitekturore si dhe pasurisë së vecantë të këngëve e valleve popullore tradicionale dëshiron të lërë shenjën e saj në këtë eveniment me oportunitete vërtet globale.

Këto zhvillime shënojnë një dëshmi të rëndësishme dhe të mirëpritur  të politikës bazë të Kinës për zgjerimin e vazhdueshëm të procesit të hapjes. Hapja si një garanci për zhvillimin, shkëmbimin dhe inovacionin është rikonfirmuar dhe në raportin e  Kongresit të 20 dhe duket se është çimentuar tashmë ne vizionin e së ardhmes ekonomike të Kinës.

SHPËRNDAJE