Këto ditë, Asociacioni Amerikan i Historianëve me seli në Washigton DC, e ka pranuar historianin tonë, Jusuf Buxhovi, si anëtar të rregullt të këtij asociacioni që ka mbi 11 mijë anëtar. Pranimi i Buxhovit në këtë asociacion, tashmë është bërë publik, që do thotë se është një arritje e madhe kombëtare. Në këtë mes, është përfshirë edhe Shtëpia botuese “Jalifat Publishing”, me seli në Houston të SHBA-ve, botuese dhe promovuese e vlerave tona historike.
Së pari, do të doja të theksoja se kur e kemi themeluar Shtëpinë botuese “Jalifat Publishing” në Houston, e kemi bërë vetëm me një mision të pastër kombëtar: t’i ofrojmë publikut amerikan (pikë së pari), por edhe atij botëror, historinë dhe rrëfimet e së vërtetës për Kosovën në veçanti, e shqiptarët në përgjithësi.
Në kuadër të këtij misioni, projekti më i madh ka qenë përkthimi në anglisht, dhe mandej botimi i librit “KOSOVA”, e shkruar nga Jusuf Buxhovi. Ky libër voluminoz është përkthyer me shumë profesionalizëm e kujdes nga z. Avni Spahiu, Faton Bislimi e Getoar Mjeku. Pas botimit, ne jemi angazhuar në distribuimin e tij nëpër qarqe kryesore akademike në SHBA dhe në promovime kudo në trojet shqiptare.
Ky botim i ka shkaktuar kokëçarje të madhe Serbisë, sepse në librin “KOSOVA” të Buxhovit, dokumentohet falsifikati i historisë serbe dhe vërtetohet vazhdimësia etnike e kombit tonë nga kohët më të lashta, e deri më tani.
Nga kulminacionet e arritjes do thosha ka qenë promovimi i librit “Kosova” në kupolën e vlerës akademike botërore, në Universitetin e Harvardit, në shkurt të vitit të kaluar (2022). Ky promovim në këtë Universitet u mundësua nga miku im, ish-studenti i Texsasit, Faton Bislimi, i cili vet ka studiuar dhe ka magjistruar në Harvard. Ky promovim i ka dhënë vulën e madhe të pranimit akademik, librit të Buxhovit.
Edhe së fundi, anëtarësimi i Buxhovit si anëtar meritus në Asociacionin e Historisë së SHBA-ve me seli në Uashington- DC, është një ngjarje që e nderon, jo vetëm veprën e Buxhovit, por krejt Kosovën. Ka shumë kohë që si shtëpi botuese, jemi angazhuar për të arrit deri tek ky anëtarësim. Dhe, më në fund ia dolëm suksesshëm, falë punës dhe angazhimit të Faton Bislimit.
Nuk mundem pa e thënë se, nëse shqiptarët e kanë një çelës të artë në SHBA, që e ka fituar respektin dhe vlerësimin e figurave më të larta politike e akademike të Amerikës, është pikërisht Faton Bislimi. Ju e keni parë edhe vet punën e Fatonit, me aq pak sa ai e bën publike, që është më e madhe, e më me shumë vlerë, pothuajse sa e krejt klasës politike të Kosovës. Por, ka edhe shumë punë të interesit madhor kombëtar, që Fatoni i bën, e nuk i publikon.
Ai, këtë mision e nisi qysh në moshë të re, si student në Texas, kur u angazhue në Kongresin e SHBA-ve, respektivisht në Komitetin për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Kongresit në Uashington-DC. Pra, për më shumë se dy dekada, Fatoni nuk iu nda këtij angazhimi. Arriti të krijoj lidhje e respekt, me zyrtarët më të lartë të Departamentit të Shtetit, e veçanërisht me liderët e politikës së jashtme në Kongresin dhe Senatin e SHBA-ve. Krejt këto, në bashkëpunim të ngushtë dhe angazhim vetëmohues, me Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane të udhëhequr nga Joe Dioguardi e Shirley Cloyes.
Unë, edhe sot e kësaj dite mbetem i habitun tejmase, se si është e mundur që Qeveria e Kosovës, edhe ato paraprake, nuk e afrojnë një njeri, si Fatoni. Nuk i ofrojnë përkrahjen e parezervë për punën që bën në favor të vendit. Jam thellësisht i befasuar edhe me partinë e tij, LDK-në!? Qysh është e mundur që e kanë një aset kombëtar, dhe e anashkalojnë?! Qysh është e mundur që një njeri, që ta njehë e ta vlerëson Departamenti i Shtetit dhe Kongresi i SHBA-ve, të cilin e ftojnë dhe e konsultojnë, thuaja se për gjithçka që ka të bëjë me Kosovën, të mos kishte qenë pjesë e vizitës së LDK-së, nën Abdixhikun në SHBA? Kjo besoj, s’ka arsye. Mund të ketë inate e mospranim të suksesit të tij, por nuk ka forcë që e ndal angazhimin e Fatonit, për vendin dhe kombin. E shoh të ndritur të ardhmen e këtij vendi, sa të kemi djem si Fatoni, koha e të cilit po vjen, më shpejtë se sa që disa mendojnë. E, disa që s’duan hiq, do jenë të parët që ta përqafojnë!
Si shqiptaro-amerikan, aktivist i kauzës sonë kombëtare, si bartës i nderit më të madh civil, të dekoratës për “Arritje Jetësore” të ndarë nga Presidenti i SHBA-ve, flas nga zemra e përvoja ime direkte me punët tona në SHBA, dhe nga njohja e drejtpërdrejt e kontributit të Fatonit. Dhe, uroj që koha e tij të vij sa më shpejt, këtu në Kosovë, e atëherë do e shihni ndryshimin përnjëmend që i duhet këtij vendi, e jo atë që veç përfolet.
Ramiz Tafilaj, është themelues dhe drejtor i shtëpisë botuese “Jalifat Publishing” në Houston-Texas, si dhe aktivist i kauzës kombëtare në SHBA për gati pesë dekada, i nderuar me çmimin për Arritje Jetësore nga Presidenti i SHBA-ve.