Nga Prof. Dr. Paskal Milo
Tri dhjetëvjeçarët pas përfundimit të Luftës së Ftohtë u karakterizuan nga dominimi i një rendi ndërkombëtar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre perëndimorë. I mbështetur në multilateralizëm, ekonomi të hapur, institucione ndërkombëtare dhe promovimin e demokracisë liberale, ky rend krijoi një mjedis relativisht të qëndrueshëm për transformimet politike dhe ekonomike në Europë, përfshirë Ballkanin Perëndimor. Për vendet e rajonit, integrimi euroatlantik u shndërrua në boshtin kryesor të politikës së jashtme dhe të reformave të brendshme.
Vitet e fundit, ky rend po përballet me sfida të thella strukturore. Ngritja e Kinës si fuqi globale, rikthimi i Rusisë si aktor revizionist, dobësimi relativ i hegjemonisë amerikane, fragmentimi i sistemit ndërkombëtar dhe intensifikimi i rivaliteteve strategjike kanë krijuar një konfigurim të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare. Lufta në Ukrainë, përshkallëzimet ushtarake në Lindjen e Mesme, konkurrenca teknologjike, krizat energjetike dhe dobësimi i konsensusit mbi globalizimin kanë përshpejtuar transformimin e rendit ndërkombëtar.
Në këto kushte, Ballkani Perëndimor ka fituar një rëndësi të re strategjike. Rajoni nuk është më vetëm objekt i politikës së zgjerimit të Bashkimit Europian, por edhe një hapësirë ku ndërthuren interesat e fuqive të mëdha. Krahas Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, në rajon janë aktivë Rusia dhe Kina. Kjo konkurrencë shumëdimensionale ndikon në proceset politike, ekonomike dhe të sigurisë në secilin prej vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në të njëjtën kohë, vetë Bashkimi Europian po përballet me dilema strategjike mbi ritmin dhe modelin e zgjerimit, ndërsa lufta në Ukrainë e ka rikthyer zgjerimin në qendër të debatit gjeopolitik europian. Për herë të parë pas shumë vitesh, zgjerimi nuk shihet vetëm si instrument i transformimit demokratik, por edhe si domosdoshmëri strategjike për sigurinë dhe konsolidimin gjeopolitik të kontinentit.
Ky studim analizon ndikimin e transformimit të rendit ndërkombëtar mbi Ballkanin Perëndimor, duke u përqendruar në tri dimensione: konkurrencën ndërmjet fuqive të mëdha, perspektivën e integrimit europian dhe implikimet për stabilitetin rajonal. Argumenti qendror është se zhvillimet në Ballkanin Perëndimor nuk mund të shpjegohen më vetëm përmes dinamikave të brendshme të rajonit; ato duhen analizuar edhe si pjesë e rivalitetit më të gjerë për konfigurimin e rendit të ri ndërkombëtar. Megjithatë, konkurrenca e jashtme nuk i redukton vendet e rajonit në objekte pasive: kapaciteti i tyre institucional dhe zgjedhjet strategjike përcaktojnë në një masë të rëndësishme mënyrën se si ndikimet e jashtme përkthehen në pasoja politike, ekonomike dhe të sigurisë.
Transformimi i rendit ndërkombëtar
Koncepti i rendit ndërkombëtar i referohet tërësisë së normave, institucioneve, rregullave dhe raporteve të fuqisë që organizojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve në një periudhë të caktuar historike. Studiuesit më me emër të kohës tonë kanë dhënë një korpus idesh dhe marrëdhëniesh për këtë çështje në formën e një debati të strukturuar. Henry Kissinger e përkufizon rendin ndërkombëtar si “një marrëveshje mbi natyrën e rrregullimeve të drejta dhe shpërndarjen e pranueshme të fuqisë”, duke theksuar se stabiliteti ndërkombëtar varet nga ekuilibri ndërmjet legjitimitetit dhe fuqisë.1 Kjo do të thotë se një rend është i qëndrueshëm vetëm kur ekziston një përputhje midis strukturës së fuqisë dhe pranimit të saj nga aktorët kryesorë. Por kjo ka qënë e pamundur të arrihet në shkallë universale, “kurrë nuk ka ekzistuar “rend botëror” “global i vërtetë”, nuk ka patur konsensus “midis aktorëve të mëdhenj për rrregullat dhe kufijtë që udhëheqin këtë proces, ose destinacionin e tij të fundit”.2 John Ikenberry argumenton se rendi liberal i krijuar pas vitit 1945 u mbështet mbi institucione shumëpalëshe, rrregulla të përbashkëta dhe kufizimin vullnetar të përdorimit të fuqisë nga vetë Shtetet e Bashkuara. Sipas tij, ky rend nuk u mbështet vetëm në epërsinë ushtarake amerikane, por edhe në aftësinë për të krijuar institucione që prodhonin legjitimitet dhe bashkëpunim afatgjatë.3
Në kontrast me këtë qasje, John Mearsheimer argumenton se rikthimi i konkurrencës midis fuqive të mëdha është pasojë logjike e strukturës anarkike të sistemit ndërkombëtar. Sipas realizmit ofensiv, shtetet synojnë vazhdimisht të rrisin fuqinë e tyre dhe nuk ekziston një rend ndërkombëtar që mund të eliminojë rivalitetin strategjik.4 Lufta në Ukrainë dhe konkurrenca SHBA-Kinë interpretohen nga kjo shkollë si manifestime të rikthimit të politikës klasike të fuqisë.
Graham Allison e përshkruan rivalitetin SHBA-Kinë si një mundësi e lartë për përplasje strategjike, por që nuk nënkupton domosdoshmërisht luftë. Veç, është një tregues që dëshmon intensifikimin e konkurrencës ekonomike, teknologjike, diplomatike dhe ushtarake që po karakterizon sistemin ndërkombëtar.5
Në këtë debat është shtuar edhe kontributi i studiuesve që argumentojnë se sistemi ndërkombëtar po hyn në një fazë multipolariteti kompleks, ku krahas fuqive tradicionale po rritet pesha e fuqive të mesme dhe e aktorëve rajonalë. Në këtë mjedis, Ballkani Perëndimor nuk përfaqëson vetëm një periferi të Europës por një hapësirë ku testohen strategjitë konkurruese të aktorëve të ndryshëm ndërkombëtarë.
Kjo qasje teorike është veçanërisht e rëndësishme për analizën e Ballkanit Perëndimor. Rajoni ka qënë historikisht një zonë ku ndryshimet në strukturën e sistemit ndërkombëtar janë reflektuar më shpejt sesa në shumë rajone të tjera të Europës. Edhe sot, proceset e integrimit europian, rivaliteti ndërmjet fuqive të mëdha dhe zhvillimet e sigurisë janë të ndërvarura dhe nuk mund të analizohen veçmas. Prandaj, transformimi i rendit ndërkombëtar nuk është thjesht sfondi i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, por një faktor shpjegues i drejtpërdrejtë i dinamikave politike, ekonomike dhe strategjike të rajonit.
Unipolariteti në sistemin ndërkombëtar nuk rezultoi një gjëndje e përhershme. Që nga fillimi i shek. XXI, një sërë zhvillimesh strukturore kanë filluar të ndryshojnë gradualisht shpërndarjen e fuqisë në sistemin ndërkombëtar. Këto procese nuk kanë sjell ende një rend të ri të konsoliduar, por kanë krijuar një fazë tranzicioni, ku bashkëjetojnë elementë të rendit liberal me forma të reja të konkurrencës strategjike. Transformimi aktual nuk duhet parë vetëm si një kalim nga unipolariteti në multipolaritet. Ai përfshin një rikonfigurim më të gjërë të marrëdhënieve ndërkombëtare, ku ndryshojnë jo vetëm raportet e fuqisë, por edhe mënyra se si konceptohen siguria, zhvillimi ekonomik, teknologjia dhe legjitimiteti ndërkombëtar.
Henry Kissinger vëren se periudhat e tranzicionit janë zakonisht periudhat më të paqëndrueshme të historisë ndërkombëtare, sepse rendi ekzistues humbet aftësinë për të prodhuar konsensus, ndërsa rendi i ri nuk është ende i konsoliduar. Në këto kushte rritet prirja për rivalitet, keqllogaritje strategjike dhe konflikte rajonale.6
Një interpretim të ngjashëm ofron Graham Allison, i cili duke iu referuar konceptit të “Kurthit të Tuqididit”, argumenton se përplasjet ndërmjet një fuqie dominuese dhe një fuqie në ngritje kanë qënë historikisht burim tensionesh të mëdha. Edhe pse historia nuk mund të përsëritet mekanikisht, konkurrenca SHBA-Kinë përbën shembullin më domethënës të kësaj dinamike në shek. XXI.7
Megjithatë, analiza vetëm nëpërmjet balancës së fuqisë nuk është më e mjaftueshme. Një karakteristikë e rëndësishme e rendit të ri është zgjerimi i fushave të konkurrencës. Nëse gjatë Luftës së Ftohtë rivaliteti përqëndrohej kryesisht në dimensionin ushtarak dhe ideologjik, sot ai zhvillohet njëkohësisht në ekonomi, teknologji, energji, zinxhirët globalë të furnizimit, inteligjencën artificiale, infrastrukturën dixhitale, hapësirën kibernetike dhe kontrollin mbi burimet kritike. Në këtë kuptim konkurrenca strategjike ndërmjet fuqive të mëdha është bërë shumëdimensionale.
Në të njëjtën kohë, organizata dhe forume si BRICS, G 20, Organizata e Bashkëpunimit të Shangait dhe nisma të tjera shumëpalëshe po fitojnë peshë më të madhe në diskutimet mbi qeverisjen globale. Kjo nuk do të thotë se ato po zëvendësojnë institucionet e krijuara pas vitit 1945, por se sistemi ndërkombëtar po bëhet më pluralist dhe më pak i përqendruar rreth një qëndre të vetme fuqie.
Në këtë kontekst, Amitav Acharya argumenton se rendi i ardhshëm nuk do të dominohet nga një hegjemon i vetëm, por nga bashkëjetesa e disa qëndrave të fuqisë dhe modeleve të ndryshme të zhvillimit që ai e quan “multipleks global”, në të cilin autoriteti, fuqia dhe ndikimi shpërndahen ndërmjet një numri më të madh aktorësh shtetërorë dhe jo shtetërorë. Sipas tij sfida kryesore nuk është vetëm rishpërndarja e fuqisë, por aftësia e aktorëve ndërkombëtarë për të ndërtuar forma të reja bashkëpunimi në një mjedis gjithnjë e më të fragmentuar.8
Nga kjo perspektivë, është e gabuar të interpretohen zhvillimet aktuale si një rikthim i thjeshtë në logjikën bipolare të Luftës së Ftohtë. Ndonëse rivaliteti SHBA-Kinë përbën boshtin kryesor të politikës botërore, sistemi ndërkombëtar i shek. XXI karakterizohet nga një numër shumë më i madh aktorësh me ndikim, nga ndërvartësi ekonomike më të thella dhe nga sfida transnacionale që nuk mund të menaxhohen vetëm përmes logjikës tradicionale të balancës së fuqisë.
Kjo situatë ka pasoja të drejtpërdrejta për rajonet periferike të sistemit ndërkombëtar, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor. Ndryshimi i rendit global nuk është një proces abstrakt; ai ndikon në orientimet strategjike të shteteve, në konkurrencën për ndikim politik dhe ekonomik, në investimet infrastrukturore dhe në mënyrën se si fuqitë e mëdha projektojnë interesat e tyre në rajon.
Pikërisht për këtë arsye, analiza e implikimeve për Ballkanin Perëndimor nuk duhet të kufizohet në përshkrimin e politikave të aktorëve të jashtëm. Ajo duhet të shqyrtojë mënyrën se si transformimi i rendit ndërkombëtar po ndryshon vetë mjedisin strategjik të rajonit dhe, njëkohësisht, gamën e zgjedhjeve që u ofrohen ose u imponohen vendeve të tij.
Transformimi dinamik i rendit ndërkombëtar pas vitit 2022 nga liberal në një sistem më konkurrues dhe multipolar me gjithë progresin që po sjell bart edhe kërcënime dhe rreziqe të shtuara dhe të panjohura për vendet e Ballkanit Perëndimor. Por ai jo domosdoshmërisht duhet gjykuar vetëm nga ky këndvështrim. Ballkano-perëndimorët nuk duhet të mbeten peng i politikave të vjetra të Fuqive të Mëdha por edhe të vetënënshtrimit fatalist për pozitën e tyre prej viktime në lojën e madhe gjeopolitike që po zhvillohet. Aktualisht ata kanë një shans për të rritur peshën strategjike të rajonit, për të bërë një kapërcim nga “fuçia e barotit” në një kontributor lokal modest të rendit të ri global që po vendoset. Por që Ballkani Perëndimor t’i jap vetes shansin e një të ardhmje të tillë dhe të një roli konstruktiv në sigurinë rajonale dhe europiane, duhet që të ruaj dhe të forcoj orientimin euroatlantik, bashkëpunimin rajonal si dhe të zhvillojë kapacitete më të mëdha shtetërore në fushën e sigurisë, teknologjisë dhe ekonomisë.
Ndryshimet gjeopolitike globale kanë sjellë një qasje të re edhe ndaj funksionit strategjik të Ballkanit Perëndimor në arkitekturën euroatlantike dhe në konkurrencën ndërmjet fuqive të mëdha. Rajoni po shfaqet si një nyje strategjike që lidhet njëkohësisht me tri procese: transformimin e arkitekturës së sigurisë europiane pas agresionit rus kundër Ukrainës, rivalitetin global SHBA-Kinë dhe përpjekjen e Bashkimit Europian për ta shndërruar zgjerimin në instrument gjeopolitik.
Ballkani Perëndimor nuk mund të trajtohet më vetëm si periferi ose si objekt i konkurrencës së fuqive të mëdha. Rëndësia e tij në arkitekturën e re të sigurisë europiane është rritur, ndërsa vetë koncepti i sigurisë rajonale po ndryshon: krahas konflikteve tradicionale etnopolitike, ai ndikohet gjithnjë e më shumë nga konkurrenca teknologjike, energjetike, kibernetike, infrastrukturore dhe informative.
Mundësitë që Ballkani Perëndimor të luaj një rol më përfaqësues për interesa rajonale në konjukturat aktuale të zhvillimeve globale ekzistojnë por ato gjithësesi mbeten të kufizuara. Fuqitë e Mëdha në atmosferën e konkurrencës së gjithanshme e strategjike janë rikthyer në Ballkanin Perëndimor gjithësecila me objektivat e vjetra apo edhe të reja dhe kanë për tendencë e synim të ndikojnë në politikën rajonale dhe t’i modelojnë e përshtasin qëndrimet e vendeve përkatëse në përputhje me interesat e tyre.
Strategjia amerikane
Shtetet e Bashkuara kanë qënë aktori ndërkombëtar më i rëndësishëm që ka vepruar në Ballkanin Perëndimor pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Ato kontribuan shumë në disa vende për vendosjen e demokracisë dhe në ndërtimin e arkitekturës së sigurisë pas procesit të disintegrimit të ish Federatës Jugosllave. Gjatë viteve 1990, me ndërhyrjen në luftën në Bosnje-Hercegovinë e nënshkrimin e Marrëveshjes së Dejtonit (1995), me udhëheqjen e fushatës politike e të bombardimeve ajrore të NATO-s kundër infrastrukturës ushtarake të regjimit serbo-jugosllav të Sllobodan Milosheviçit që çoi në çlirimin e Kosovës (1999), me mbështetjen e procesit që solli nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit (2001), në Maqedoninë e Veriut, Shtetet e Bashkuara ishin fuqia kryesore dhe e pazëvëndësueshme që e futën rajonin në rrugën e zhvillimeve demokratike, të ndërtimit të shoqërive pluraliste e multietnike, me respektimin e lirive e të drejtave të njeriut, të minoriteteve e të parimeve të ekonomisë së tregut.
Vitet 1990-të konsiderohen si faza e parë e politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor që kontribuoi në ndalimin e gjakderdhjes e të vendosjes së premisave për një bashkëjetesë demokratike e multietnike. Pas vitit 2000 politika amerikane në rajon u përqëndrua në shtetndërtimin e konsolidimin demokratik, në pavarësimin e Kosovës dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.Po gjatë kësaj faze, Shtetet e Bashkuara nxitën anëtarësimin e disa vendeve në NATO si Shqipëria, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut. Dhe po kështu mbështeti integrimin e tyre në Bashkimin Europian.
Prezenca dhe angazhimi amerikan në Ballkanin Perëndimor gjatë kësaj kohe nuk ka qënë gjithnjë i njëtrajtshëm. Pas vitit 2008, vëmëndja amerikane ndaj rajonit u zvogëlua për shkak të interesave të tjera më të mëdha e më të rëndësishme që u shfaqën në zona të tjera të botës si në Lindjen e Mesme apo të konkurrentëve të tjerë strategjikë si Kina apo rikthimi i Rusisë në ambicje të reja e të gjëra. Gjatë këtyre viteve administratat amerikane e konsideruan me të drejtë Bashkimin Europian si aktorin kryesor në Ballkanin Perëndimor përmes politikës së integrimit. Por Brukseli nuk e pati as fuqinë dhe as vullnetin e kohezionin e plotë për të marrë përsipër vetëm garantimin e stabilitetit të rajonit por përmes një partneriteti të vazhdueshëm transatlantik dhe angazhimit të drejtëpërdrejtë amerikan.9
Në strategjinë e Shteteve të Bashkuara Ballkani Perëndimor gjithnjë është trajtuar si një zonë integrale e kontinentit europian, si pjesë e procesit të integrimit europian dhe euroatlantik dhe pjesë e një fronti më të gjërë të konkurrencës gjeopolitike në rritje me aktorë të tjerë ndërkombëtarë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian për dekada kanë bashkëpunuar në rajon me formulën: Uashingtoni garanton sigurinë, Brukseli ofron transformimin dhe anëtarësimin. Tani kjo ndarje pjesërisht po ndryshon. Shtetet e Bashkuara po i kushtojnë më shumë vëmëndje ekonomisë, energjisë, dhe infrastrukturës, ndërsa BE-ja po bëhet më aktive në siguri dhe mbrojtje.
Në parim politikat amerikane e europiane janë plotësuese, të dyja mbështesin stabilitetin e kundërshtojnë ndikimin diversionist rus e rritjen e influencës kineze, si Uashingtoni e Brukseli kërkojnë normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe respektimin e integritetit territorial të Bosnjë-Hercegovinës. Megjithatë, të dy qasjet nuk janë identike. BE është fuqi transformuese e normative, Shtetet e Bashkuara janë gjithnjë e më shumë fuqi strategjike, sigurie e transaksionale. Ato nuk largohen nga Ballkani Perëndimor por kërkojnë që kostoja dhe përgjegjësia për stabilitetin të ndahet më shumë me aleatët europianë dhe me shtetet e rajonit.
Shtetet e Bashkuara në vija të përgjithshme kanë patur koherencë në qëndrimet ndaj Ballkanit Perëndimor pavarësisht ndryshimit të administratave në Shtëpinë e Bardhë. Por nuk kanë munguar edhe dallimet në qëndrimet e tyre të diktuara nga perceptimet programore, nga polarizimi i brëndshëm politik dhe nga çvendosja e prioriteteve të politikës së jashtme amerikane në zona të tjera të botës në përputhje me interesat strategjike të momentit. Në fakt sot ka një prani më të reduktuar diplomatike e të sigurisë amerikane aty se pas konflikteve të viteve 1990. Politika amerikane në rajon gjatë viteve të fundit u bë më selektive dhe më pragmatiste duke iu shmangur një angazhimi të drejtëpërdrejtë transformues.
Agresioni rus në Ukrainë dhe rritja në shkallë globale e konkurrencës strategjike të fuqive të mëdha u reflektua edhe në Europë e në Ballkanin Perëndimor si pjesë e saj. Administratat amerikane të katër viteve (2022-2025) e ndoqën në vijimësi dinamikën e zhvillimeve në rajon por nuk pati ndonjë ndryshim cilësor në raport me të shkuarën e afërt.
Në vitin 2026 në politikën amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor u shënua një ndryshim i rëndësishëm i cili është vlerësuar si “ripozicionim strategjik” ose si riformulim i mënyrës së angazhimit. Ky ndryshim që nuk prek thelbin e angazhimit amerikan në rajon dhe që as nënkupton një tërheqje të tij, u deklarua në maj të këtij viti në raportin që Departamenti i Shtetit i dërgoi Kongresit me titull “Politika e Shteteteve të Bashkuara për zhvillimin e Stabilitetit Rajonal dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor”.10
Raporti e konsideron rajonin drejtëpërsëdrejti të rëndësishëm për interesat e sigurisë dhe të ekonomisë amerikane. Ai paralajmëron një lloj tjetër angazhimi të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor, nga politika e shtetndërtimit në atë drejt stabilitetit, ndërtimit të partneriteteve të dobishme reciproke dhe të mbrojtjes së interesave konkrete strategjike dhe ekonomike.11 Shtetet e Bashkuara vazhdojnë tu qëndrojnë objektivave kryesore të tyre në rajon si pengimi i rikthimit të konflikteve dhe i rënies së tij nën ndikimin dominues rus ose kinez, vazhdimësia e lidhjes me NATO-n dhe Perëndimin, sigurimi i korridoreve të qëndrueshme ekonomike dhe energjetike si dhe shmangien e krizave që kërkojnë ndërhyrje të reja amerikane. Ajo çfarë po ndryshon është mënyra e realizimit të këtyre objektivave, po kalohet nga paradigma e “transformimit të Ballkanit Perëndimor” tek ajo e “menaxhimit strategjik të stabilitetit e të partneriteteve”.
Politika amerikane në Ballkanin Perëndimor sipas këtij Raporti do të mbështetet në tri shtylla: në stabilitetin rajonal që shihet si parakusht për të gjitha interesat e tjera amerikane që përfshijnë ruajtjen e paqes në Bosnjë-Hercegovinë, menaxhimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, siguria në Kosovë përmes KFOR-it, forcimi i partnerëve të NATO-s, parandalimi i konflikteve etnike dhe kundërshtimin e aktorëve destabilizues; në bashkëpinimin ekonomik e tregtar, ku me përparësi nënvizohen fusha si investimet, energjia, korridoret infrastrukturore, tregtia, kompanitë amerikane, siguria e zinxhirëve të furnizimit; kundërshtimi i ndikimit rus dhe kinez. Rusia, shihet si aktor që synon më shumë të shfrytëzojë dobësitë e rajonit si korrupsionin, ndarjet etnike, institucionet e dobëta, varësinë energjetike, por pa ofruar model zhvillimi. Kina, në optikën amerikane në dallim nga Rusia nuk bën përpjekje për ta destabilizuar rajonin por e ndërton influencën përmes kredive shtetërore, tregtisë, infrastrukturës, teknologjisë, fuqisë së butë.12
NATO mbetet shtylla kryesore institucionale e strategjisë amerikane në Ballkanin Perëndimor. Vënde të rajonit, Shqipëria, Mal i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë anëtare të tij dhe aleatë të Shteteve të Bashkuara. Anëtarësimi i këtyre tri shteteve në Organizatën e Atlantikut Verior ka ndryshuar ndjeshëm hartën strategjike të rajonit. Në Kosovë Shtetet e Bashkuara janë kontributorë me forca në KFOR që garanton një mjedis të sigurt e lëvizjen e lirë. Gjithashtu ato ndihmojnë zhvillimin e Forcës multietnike të Sigurisë të Kosovës dhe për kthimin e saj në një forcë mbrojtëse territoriale profesionale.
Një ndër objektivat qëndrorë të politikës amerikane në rajon është normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Në Raportin e Departamentit të Shtetit të majit të këtij viti riafirmohet qëndrimi konstant i Uashingtonit që inkurajon të dy palët drejt një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të negociuar të normalizimit.13 Për t’ja arritur këtij qëllimi politika amerikane është bërë më pragmatiste në krahasim me vitet e pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ndonëse Kosova vazhdon të jetë partner strategjik i Shteteve të Bashkuara, Uashingtoni jo gjithnjë gjatë viteve të fundit është pajtuar me qasjen e qeverisë së Kosovës për çështje të caktuara të politikës së brëndshme apo të qëndrimeve ndaj komunitetit serb dhe veçanërisht për mungesën e konsultimeve para vendimmarrjeve të rëndësishme.
Një qasje më shumë transaksionale e më pragmatiste kanë adoptuar Shtetet e Bashkuara gjatë viteve të fundit edhe ndaj Serbisë. Ato në kërkim të një zgjidhjeje të qëndrueshme për stabilitetin rajonal zhvillojnë marrëdhënie edhe me Beogradin pavarësisht se ekzistojnë dallime serioze për Kosovën, Rusinë e për çështje të tjera strategjike.
Në strategjinë e re amerikane për Ballkanin Perëndimor ka edhe një ndryshim tjetër themelor: kërkohet që institucionet ndërkombëtare të kenë një rol më të kufizuar për funksionimin e shteteve të rajonit. Theksi çvendoset drejt përgjegjësisë së elitave lokale, marrëveshjeve reciprokisht të dobishme, interesit konkret amerikan, vetëqëndrueshmërisë, investimit dhe tregtisë.14 Mesazhi është i qartë: kostoja dhe përgjegjësia për stabilitetin e rajonit të ndahet më tepër me shtetet e tij dhe aleatët europianë.
Strategjia aktuale amerikane nuk është mohim i paraardhëses së vet. Ajo ka elemente të forta vazhdimësie si roli i NATO-s, angazhimi për respektimin e Marrëveshjes së Dejtonit, mbështetja për sigurinë e Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, bashkëpunimi me aleatët, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale të narkotikëve. Raporti i qershorit i Departamentit të Shtetit i cilësoi grupet e organizuara kriminale të Ballkanit Perëndimor si një kërcënim direkt për interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara.15 Por strategjia e re sjell edhe ndryshime: më pak shtetndërtim, më pak transformim të drejtëpërdrejtë politik, më shumë stabilitet, ekonomi, energji dhe infrastrukturë, më shumë konkurrencë me Kinën dhe Rusinë dhe më shumë përgjegjësi nga ana e partnerëve lokalë.16
Si përfundim, një analizë krahasuese në vija të përgjithshme e fazave të politikës amerikane pas Luftës së Ftohtë në Ballkanin Perëndimor do të vinte në dukje se: nëse politika amerikane e viteve 1990-2000 synonte të rindërtonte rendin politik, politika e vitit 2026 synon ta bëj atë një rend të qëndrueshëm, ekonomikisht në progres, të lidhur me arkitekturën perëndimore të sigurisë dhe rezistent ndaj depërtimit të fuqive rivale.
Interesat ruse
Një fuqi tjetër e interesuar për Ballkanin Perëndimor dhe me një prezencë konstante aty që në fillim të viteve 1990-të është Rusia. Politika e saj në rajon dallon për nga synimet që ka dhe mjetet që përdor, është e ndryshme nga politika amerikane në veçanti dhe nga ajo perëndimore në përgjithësi. Karakteristikat e kësaj politike janë produkt i historisë, i afërsisë kulturore e fetare, i faktorëve specifikë ekonomikë, i interesave dhe konjukturave nacionaliste, rajonale e ndërkombëtare.
Duhet bërë e qartë që në fillim të analizës që Ballkani Perëndimor nuk është ndër prioritetet e politikës së jashtme të Rusisë sot. Në opinion e në propagandë ka qënë krijuar një përshtypje e kundërt dhe jo rastësisht. Rusia nuk i ka patur dhe nuk i ka objektivat dhe kapacitetet për të patur një interes prioritar në rajon. Një synim i tillë nuk ndeshet as në dokumentet zyrtare ruse që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor. Ky ndryshim mes perceptimit dhe vendit e rolit që ka ky rajon në politikën e jashtme ruse është argumentuar plotësisht nga studiuesit.17
Fakti që Ballkani Perëndimor nuk përbën një objektiv në vetvete nuk do të thotë se Moska është e tërhequr, jo aktive e pa synime të qarta në rajon. Përkundrazi, ajo ka disa, të cilat ndiqen njëkohësisht ose alternohen me njëri tjetrin, disa janë strategjike e të tjera taktike. Në tërësinë e saj politika ruse në Ballkanin Perëndimor shërben si një instrument për të rritur peshën e Rusisë në arkitekturën europiane të sigurisë dhe në marrëdhëniet e saj me Perëndimin.18
Tradicionalisht interesimi i Rusisë për Ballkanin Perëndimor është motivuar nga lidhjet historike, ortodoksia dhe pansllavizmi. Ky ka qënë dhe mbetet një nga boshtet qëndrore të politikës ruse në rajon, veçanërisht në marrëdhëniet me Serbinë, Republika Srpska, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut. Gjatë viteve 1990 e veçanërisht pas vitit 2010 diplomacia fetare ruse u zgjerua në rajon dhe zbatimi i kësaj strategjie e ka bazën në komunitetet e gjëra ortodokse që jetojnë në disa vende të rajonit: në Serbi 88 për qind e popullsisë është e besimit ortodoks, në Mal të Zi 72 për qind, në Maqedoninë e veriut, 65 për qind dhe në Bosnjë-Hercegovinë 31 për qind.19
Këto faktorë në të kaluarën kanë patur një peshë dhe një rol më të madh në politikën ruse por që aktualisht ndonëse mbeten të rëndësishme janë spostuar në plan të dytë nga pragmatizmi dhe oportunizmi që ndërthur interesat politike, ekonomike e strategjike të Moskës me elitat politike lokale.20 Rusia zbaton një strategji me kosto relativisht të ulët, ajo nuk bën investime të mëdha dhe as tenton ta udhëheqë në mënyrë të centralizuar atë. Ajo ushtron një “ndikim të shpërndarë”, që do të thotë në shumë drejtime dhe përmes instrumenteve të ndryshme.21
Studiuesit kanë vënë re një shpërpjestim mes ndikimit politik të Moskës dhe përdorimit prej saj të burimeve materiale në Ballkanin Perëndimor. Për më tepër ata janë përpjekur që ta analizojnë e ta argumentojnë këtë asimetri edhe në kushtet kur pas agresionit kundër Ukrainës në 2022, burimet politike, ekonomike dhe ushtarake të Rusisë janë zvogëluar.
Zakonisht faktori ekonomik, investimet, ndikimet e kreditë kanë një ndikim politik të konsiderueshëm në vendet që i marrin ato. Por Rusia ka një prezencë modeste ekonomike në Ballkanin Perëndimor, kryesisht në Serbi e në Republika Srpska në sektorin energjetik e në Mal të Zi në pasuritë e paluajtshme, në turizëm e hoteleri. Deri para luftës në Ukrainë, vendet e Ballkanit Perëndimor eksportonin në drejtim të Rusisë 2.8 deri 4.2 për qind të volumit të përgjithshëm të eksporteve. Në vitin 2024 të dhënat e tregtisë së mallrave tregojnë se Serbia mbetet partneri ekonomik kryesor i Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Eksportet serbe drejt tregut rus arritën rreth 962 milion dollarë, ndërsa importet nga Rusia 1.39 miliard dollarë; Në Bosnjë-Hercegovinë, eksportet drejtë Rusisë ishin 51.2 milion dollarë dhe importet rreth 183.9 milion dollarë; në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht 47.4 dhe 126.6 milion dollarë. Shqipëria dhe Mali i Zi kishin nivele shumë më të ulta të shkëmbimit, veçanërisht në eksporte. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kishin një deficit tregtar me Federatën Ruse.22
Shifrat e mësipërme modeste dëshmojnë më së miri asimetrinë mes prezencës ekonomike dhe ndikimit politik të Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Janë faktorë të tjerë ato që përcaktojnë fuqinë e influencës politike ruse në rajon, mes të cilave edhe dobësitë e brendshme dhe cilësia e demokracisë aty. Moska shfrytëzon aktorët vendorë të cilët për të ruajtur e konsoliduar pushtetin e tyre shkelin liritë e të drejtat demokratike, minojnë institucionet dhe modelojnë qeverisje autoritare.23 Në këmbim të mbështetjes që u jepet, individë e regjime të tilla si ai i Vuçiçit në Beograd apo në Republika Srpska i lejojnë Rusisë hapësira të gjëra influence politike. Aleksandar Vuçiç dhe Milorad Dodik janë vizitorë të shpeshtë të Vladimir Putinit në Kremlin.
Politika e Rusisë në Ballkanin Perëndimor është karakterizuar nga një funksion konstant diversionist.24 Ajo për një kohë të gjatë u përpoq të pengojë në forma e mënyra të ndryshme zgjerimin e NATO-s në rajon, anëtarësimin e Malit të Zi e të Maqedonisë së Veriut në këtë organizatë. Gjithashtu ka bërë çmos që të pengojë ose të vonojë procesin e integrimit të këtyre vendeve në Bashkimin Europian. Ajo u ka bërë jehonë gjithë vështirësive e pakënaqësive që janë shfaqur në integrimin euroatlantik të rajonit sepse ky proces në mënyrë objektive ngushton hapësirën ruse të veprimit në Ballkanin Perëndimor.
Rusia jo vetëm për shkak të angazhimit të saj tradicional por edhe për faktin se është anëtare me status të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ka marrë pjesë aktive në administrimin e konflikteve në Ballkanin Perëndimor dhe në përpjekjet për zgjidhjen e tyre. Pas fillimit të procesit të shpërbërjes së Federatës Jugosllave në vitin 1991 në rajon shpërthyen konflikte të armatosura mes Serbisë/ Jugosllavisë dhe republikave përbërëse të saj që kërkuan shkëputje dhe krijimin e shteteve të pavarura kryesisht mbi baza etnike. Kështu nisën e përfunduan luftimet mes Kroacisë e Jugosllavisë së rrudhur federative të dominuar nga regjimi serb i Sllobodan Milosheviçit që çoi në pavarësinë e këtij vendi dhe po kështu edhe të Sllovenisë.
“Kutia e Pandorës” jugosllave e sapo hapur vijoi me luftën e Bosnjë-Hercegovinës (1992-1995), me konfliktin në Kosovë (1998-1999) dhe me luftimet e pranverë-verës të vitit 2001 në Maqedoninë e Veriut. Në të gjitha këto zhvillime konfliktuale, Rusia ka qënë Fuqi aktive e vijës së parë në emër të pansllavizmit e për të mbajtur në këmbë aq sa të mundej strukturën e rrënuar federative jugosllave dhe për të mbrojtur interesat e Serbisë. Ajo ishte pjesëmarrëse në bisedimet që çuan në Marrëveshjen e Dejtonit në vitin 1995 për Bosnjë-Hercegovinën, morri pjesë në forcën zbatuese të saj me një formulë të posaçme, kundërshtoi zgjidhje që mund të perceptohej si imponuese ndaj serbëve dhe siguroi një rol në arkitekturën e sigurisë pas konfliktit. Moska ka mbetur përgjatë gjithë viteve pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit një avokate e hapur e qarqeve nacionaliste serbe në Banja Luka. Interesi i saj strategjik nuk pajtohet me një Bosnjë-Hercegovinë të qëndrueshme e funksionale por si një vatër e përhershme tensioni e krize që justifikon e “legjitimon” praninë e saj në rajon.
Në aspektin gjeopolitik Rusia kundërshtoi Marrëveshjen e Prespës të vitit 2018 mes Maqedonisë së Veriut e Greqisë për çështjen e emrit. Ajo e pa këtë marrëveshje si parakusht për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, dobësimin e pozitave ruse në vend për të ndikuar në orientimin strategjik të tij si dhe si zgjerim i prezencës institucionale perëndimore në rajon.
Rusia ka zbatuar një politikë edhe më aktive kundër integrimit euroatlantik të Malit të Zi. Duke patur lidhje të njohura historike, kulturore e fetare, investime e kapital sidomos në turizëm e pasuri të paluajtshme si dhe marrëdhënie me forca politike proserbe të këtij vendi, Moska ushqeu shpresa se mund të pengonte anëtarësimin e Malit të Zi në NATO por edhe në BE. Është pretenduar se në vitin 2016 u bënë përpjekje me pjesëmarrjen edhe të disa shtetasve rusë për të kryer një grusht shteti në këtë vend me objektiv qendror pengimin e anëtarësimit të tij në NATO.Kjo tentativë dështoi dhe Mali i Zi në qershor 2017 iu bashkua Organizatës Veriatlantike. Rusia e përjetoi atë si një humbje të ndikimit të saj në një hapësirë strategjike të Ballkanit Perëndimor.
Në politikën e Rusisë në rajon një vend të veçantë zë Kosova. Ajo është baza kryesore politike e marrëdhënieve ruso-serbe.25 Rusia nuk e ka njohur pavarësinë e saj dhe vazhdon ta konsiderojë atë si pjesë e territorit të Serbisë, mbështet rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe pengon anëtarësimin në këtë organizatë dhe në institucione të tjera ndërkombëtare. Me këtë qëndrim Moska ushtron ndikim në politikën e jashtme të Serbisë, e kushtëzon atë në çështje të tjera për të patur mbështetje ose neutralitetin e Beogradit. Në thelb e në pikëpamje strategjike Rusia nuk është e interesuar që të zgjidhet konflikti Serbi-Kosovë jo vetëm se ajo mban peng Beogradin por se është edhe një arsye më shumë që justifikon praninë e saj në masën e mundshme në Ballkanin Perëndimor.
Kosova në politikën ruse shkon përtej solidaritetit me Serbinë. Ajo ka dimension rajonal por edhe europian. Kosova mbetet një çështje sigurie përsa kohë që nuk është përcaktuar përfundimisht statusi i saj ndërkombëtar, kur në territorin e saj janë vendosur forca të KFOR-it dhe përfaqësi të institucioneve ndërkombëtare të sigurisë. Moska e shfrytëzon Kosovën shpesh edhe si precedent për të justifikuar ndërhyrjet e saj në Abkhazi, Osetinë e Jugut dhe sidomos në Krime në vitin 2014. Por ajo mbetet kontradiktore në qëndrimet ndaj Kosovës kur çështjen e saj e interpreton si shkelje të parimeve të sovranitetit, të mosndërhyrjes në punët e brendshme dhe të respektimit të tërësisë territoriale të Serbisë.
Objektivat e qasjes kineze
Një Fuqi tjetër e madhe aktualisht prezente në Ballkanin Perëndimor është Kina. Ka patur dhe ka ende mospërputhje midis perceptimit të pranisë kineze dhe realitetit në rajon. Studiuesit vazhdojnë të mbeten të ndarë në këtë çështje, ndërkohë që kanë arritur edhe në përfundime të njëjta për zhvillime të caktuara.
Ballkani Perëndimor nuk është një prioritet strategjik për Kinën por gjithësesi zë një vënd të rëndësishëm në qasjen globale kineze për zgjerimin e ndikimit ekonomik, politik e diplomatik në Europë. Qasja kineze është një kombinim i pragmatizmit ekonomik, i neutralitetit politik dhe i ndërtimit të projekteve afatgjata në rajon.Në objektivat strategjike të Kinës, Ballkani Perëndimor vlerësohet si “urë kalimi” drejt Bashkimit Europian, si nyje logjistike e Iniciativës “Belt and Road” (BRI), si pjesë e korridorit detar që lidh portin e Pireut me Europën Qëndrore, pra jo nga madhësia e tregut por gjeografia e tij ekonomike.26 Për të realizuar objektivat e saj strategjike Kina përdor disa instrumente. Në mes tyre, i pari është diplomacia ekonomike që përmban kredi shtetërore, investime infrastrukturore, kompani shtetërore, banka zhvillimi dhe partneritete industriale.
Instrumenti i dytë i përdorur prej vitesh është Iniciativa “Një brez një Rrugë” e cila në mendimin e studiuesve është “një plan ambicioz, transformues, i konceptuar nga Kina për të projektuar fuqinë e saj ekonomike dhe politike në rritje në mbarë botën”.27 Kjo Iniciativë përmes platformës së saj të njohur “17+1” zhvilloi lidhje euroaziatike, transporti, energjie, zinxhirë globalë furnizimi, dialog politik, investime, bashkëpunim universitar dhe shkëmbime kulturore me synimin që “t’i shërbejë ambicies më të gjërë rajonale për ndërtimin e një rendi euroaziatik sinocentrik”.28
Zyrtarisht Kina nuk afishon objektiva politike në Ballkanin Perëndimor. Ajo shprehet për marrëdhënie bashkëpunimi, për ruajtjen e stabilitetit të rajonit, për partneritete afatgjata, për mosndërhyrje në punët e brëndshme dhe në mosmarrëveshjet politike dhe për mbështetje të ndërsjelltë në organizmat ndërkombëtare. Në dallim nga Rusia, Kina është kundër ndryshimit të kufijve, lëvizjeve nacionaliste ekstreme dhe destabilizimit politik. Gjithashtu Pekini u kërkon vendeve të rajonit të respektojnë politikën e “një Kine”, të mos njohin Tajvanin dhe të mirëkuptojnë konceptin dhe praktikën kineze të të drejtave të njeriut.
Prania dhe ndikimi kinez në Ballkanin Perëndimor është një proces kompleks që përcaktohet nga faktorë të ndryshëm, nga objektivat që ka vetë Kina, nga vullneti dhe interesat e qeverive dhe elitave politike vendore si dhe nga qëndrimi apo edhe konkurrenca e Fuqive të tjera në rajon. Nga analiza që studiues të ndryshëm i kanë bërë këtij procesi dallohen dy qasje: njëra maksimaliste që ndikimin ekonomik dhe politik kinez e konsideron si kërcënues për të ardhmen e rajonit dhe orientimit euroatlantik të tij, dhe tjetra minimaliste dhe realiste që shikon një marrëdhënie normale me interes të ndërsjelltë.
Politika kineze në Ballkanin Perëndimor nuk është uniforme. Ajo është një strategji e diferencuar sipas rëndësisë gjeografike, kapaciteteve ekonomike, orientimit në politikën e jashtme dhe gatishmërisë së elitave politike të secilit vend për bashkëpunim me Pekinin. Serbia përbën nyjen kryesore të kësaj strategjie në rajon, jo vetëm për shkak të marrëdhënieve të ngushta politike Pekin-Beograd, por edhe për shkak të pozitës së saj në korridoret tokësore që lidhin Mesdheun me Europën Qëndrore. Kjo u konfirmua edhe gjatë vizitës së Presidentit të Kinës Xi Jinping në Beograd në 8 maj 2024 ku lideri kinez kërkoi që të dy vendet “të thellojnë bashkëpunimin strategjik” ndërkohë që Presidenti serb A. Vuçiç konfirmoi se Serbia do “të qëndrojë në koordinim të ngushtë strategjik me Kinën në forumet shumëpalëshe”.29
Prania aktuale ekonomike kineze në rajon ka ngjallur një debat që i përmban të dy qasjet e përmëndura më sipër. Para se të analizohen argumentet e tyre është me interes që të njihen përmasat reale të kësaj pranie ekonomike. Sipas burimeve të besueshme europiane, Kina në vitet 2009-2021 kishte investuar drejtëpërsëdrejti ose përmes kontributeve të tjera rreth 32 miliard euro nga të cilat afërsisht 10.3 miliard në Serbi.30 Prania ekonomike kineze është e lartë kur krahasohet me atë të aktorëve të tjerë ndërkombëtarë por është larg përmasës së mbështetjes që vendet e Ballkanit Perëndimor sigurojnë nga Bashkimi Europian. Investimet kineze kanë dukshmëri atje ku ato janë bërë në Serbi, Bosnjë-Hercegovinë e Mal të Zi.Kina ofron financime të shpejta dhe pa kushtëzime politike por ato nuk krahasohen me peshën e Bashkimit Europian në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor përmes tregtisë, FDI-ve, bankave, kredive, granteve, zinxhirëve të furnizimit, remitancave, standardeve rrregullatore dhe perspektivës së hyrjes në tregun unik.
Faktet e bëjnë të vështirë që të besohet se Kina është sot një alternativë ekonomike e krahasueshme me BE-në në Ballkanin Perëndimor Ajo nuk synon zëvendësimin e BE-së në rajon dhe as është kundër integrimit europian të vendeve të tij por është një fuqi konkurruese që synon të ketë hapësirën e saj të interesave ekonomike aty, të ndërtojë ndikim gradual afatgjatë përmes ekonomisë.31
Megjithatë kjo nuk e ka penguar debatin jo vetëm politik por edhe akademik mbi praninë ekonomike kineze në rajon. Studiues të veçantë kanë ngritur tezën e “pushtimit ekonomik” të Ballkanit Perëndimor nga Kina, se rritja e varësisë ekonomike u shërben interesave strategjike kineze, se në këtë mënyrë sfidohet fuqia normative e BE-së dhe dobësohet agjenda e reformave demokratike në rajon.32 Kundërshtarë të kësaj teze argumentojnë se ndikimi i Kinës mbivlerësohet, se ajo është aktor i rëndësishëm por jo dominues, prania e saj ekonomike mbetet shumë e kufizuar dhe se perceptimi nuk përputhet me realitetin.33
Pjesë e debatit akademik është edhe teza nëse ka ose jo ndikim politik të Kinës në Ballkanin Perëndimor. Nuk ka një dokument publik kinez që të ketë shpallur një strategji politike për Ballkanin Perëndimor por kjo nuk do të thotë se kanë munguar ose mungojnë objektivat politike kineze në rajon. Asnjë fuqi e madhe nuk mund të jetë neutrale nga objektiva të tillë në marrëdhëniet me jashtë e veçanërisht për rajone e vende me interes strategjik. Mund të ndryshojnë taktikat dhe mjetet për realizimin e tyre, por ato mbeten objekti final. Politika kineze në Ballkanin Perëndimor nuk synon dominim të drejtpërdrejtë të rajonit por formësimin gradual të orientimit të tij politik në funksion të interesave më të gjëra rajonale, europiane por edhe strategjike të lidhura me ndryshimin e rendit ndërkombëtar.34
Analistët e marrëdhënieve të Kinës me vendet e Ballkanit Perëndimor kanë arritur në përfundimin se Pekini ka “një strategji të ndërtimit të mbështetjes politike”.35 Të tjerë argumentojnë se “objektivat afatgjata të Pekinit janë strategjike, politike dhe gjithnjë e më shumë ideologjike”.36 Serbia përfaqëson formën më të avancuar të kësaj strategjie që u konfirmua edhe gjatë vizitës së Presidentit Xi Jinping në Beograd në maj 2024.Bazat e Partneritetit Strategjik mes dy vendeve qëndrojnë jo vetëm në bashkëpunimin ekonomik, tregtar, në “fuqinë e butë”, por edhe në mbështetjen e ndërsjelltë që të dy palët japin për çështje me rëndësi politike të brendëshme por edhe për ato që kanë rëndësi prioritare në politikën e tyre të jashtme. Beogradit i intereson mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga Kina dhe deklarimet e saj për mbështje ndaj sovranitetit e tërësisë territorial të Serbisë dhe për zgjidhjen e çështjes mbi bazën e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Studiues të veçantë kanë arritur në përfundimin se çdo zgjidhje tjetër jashtë kësaj kornize dhe që njeh shtetësinë e Kosovës është e papranueshme për Kinën se mund të krijojë precedent që e implikojnë Pekinin në çështje të sovranitetit kombëtar. Ndaj edhe sipas tyre ndonëse Kina nuk është kundër dialogut Serbi-Kosovë, ajo ka qasjen e saj që e dallon nga ajo perëndimore, e shikon atë si një proces të ruajtjes së status quo-së, si “një rrezik që duhet menaxhuar”, por jo të zgjidhet apo të normalizohet në kuadrin e integrimit europian e të dialogut të iniciuar nga Bashkimi Europian.37
Qasja kineze në Ballkanin Perëndimor nuk është kundër integrimit europian të rajonit dhe nuk ka asnjë dokument publik kinez që e mbështet atë. Bashkimi Europian është partneri kryesor i vendeve të Ballkanit Perëndimor për nga investimet, kreditë, ndihmat e tregtinë e mbi të gjitha ka marrëdhënie kontraktuale në nivele të ndryshme me to që synojnë anëtarësimin e plotë në familjen europiane. Por vështirësitë e ndeshura në këtë proces për arsye të brëndshme, të vonesave në plotësimin e standardeve e të kritereve europiane, të korrupsionit apo edhe të pengesave të ardhura nga vetë ecuria e BE, ka sjellë ritme të ulta integrimi në rajon, pakënaqësi e mosbesim. Kjo bëri që vende të rajonit, e veçanërisht, elita drejtuese të tij të mirëprisnin BRI-në dhe ta shihnin atë si një alternativë më të shpejtë zhvillimi e kushte më të favorshme. Ato e panë atë edhe si një instrument presioni në negociatat me Brukselin.38
Kina nuk ka përcjellë mesazhe se kërkon të zëvëndësojë praninë amerikane në Ballkanin Perëndimor, as edhe të sfidoj NATO-n aty në çështjet e sigurisë.39 Strategjia kineze i njeh vetes kufijtë e konkurrencës legale, masën e veprimit dhe instrumentet e përdorimit në zbatim të saj.
Bashkimi Europian: zgjerimi si instrument gjeopolitik
Ballkani Perëndimor zë sot një vend të veçantë në strategjinë e Bashkimit Europian për konsolidimin e rolit të tij si aktor politik, ekonomik e gjeopolitik ndërkombëtar. BE-ja ka një sfidë jo të vogël në Ballkanin Perëndimor: të provojë se është në gjëndje ta shndërrojë epërsinë e saj ekonomike, normative dhe institucionale në ndikim strategjik të qëndrueshëm.
Agresioni rus kundër Ukrainës shënoi një moment kthese në politikën e jashtme të sigurisë e të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Në korrik 2022 Këshilli Europian miratoi Kornizat Negociuese për hapjen e negociatave të pranimit për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut mbi bazën e një vendimi politik të marrë prej tij që në mars 2020.40Ndërsa në dhjetor 2022 kur Bosnjë-Hercegovinës iu dha statusi i vendit kandidat për në BE dhe që në mars 2024 u vijua me vendimin për hapjen e negociatave për pranimin e saj.41
Bashkimi Europian gjatë këtyre viteve (2022-2026) përpunoi dhe është në proces për të përfunduar plotësisht një strategji që u përgjigjet sfidave bashkëkohore gjeopolitike. Një komponent kryesor i saj është politika e re e zgjerimit e cila u formësua përmes dokumenteve strategjike të institucioneve qëndrore të BE-së, veçanërisht gjatë dy viteve të fundit (2025-2026) si Komunikimi mbi Politikat e Zgjerimit të BE-së i 4 nëntorit 2025, Deklarata e Samitit të BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel në 17 dhjetor 2025, Rezoluta e Parlamentit Europian e 11 marsit 2026 për Strategjinë e Zgjerimit të BE-së, si dhe Konkluzionet e Këshillit Europian në 18-19 qershor 2026.42
Në strategjinë e re të BE-së ndryshimi më i madh është se zgjerimi nuk trajtohet më vetëm si një politikë teknike për të nxitur progresin e kandidatëve por është kthyer në një instrument gjeopolitik e sigurie. Deklarata e Brukselit e 17 dhjetorit 2025 e quan zgjerimin një “investim gjeostrategjik për paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet”.43 Parlamenti Europian e përkufizoi në 11 mars 2026 zgjerimin si “një përgjigje strategjike të realitetit gjeopolitik në zhvillim”.44 Për rrjedhojë është bërë një ndryshim cilësor: zgjerimi nuk shihet më thjesht si shpërblim për reforma por si interes strategjik i vetë Bashkimit Europian.
Strategjia e re ecën në dy shina ose zhvillohet në dy procese paralelisht. Shina e parë nënkupton negociatat klasike për anëtarësim që përfshijnë plotësimin e kritereve të Kopenhagës të vitit 1993, respektimin e acquis të Bashkimit Europian, kapitujt dhe cluster-at, sundimi i ligjit, institucionet demokratike, luftën kundër korrupsionit dhe kriterin e meritës individuale. Shina e dytë që përbën edhe risinë më të madhe të kësaj strategjie të re është ajo që quhet integrimi gradual përpara anëtarësimit. Komisioni Europian në komunikimin e tij të nëntorit 2025 u shpreh për “integrim gradual përmes krijimit të lidhjeve më të forta midis BE-së dhe vendeve kandidate e kandidate potenciale…duke u ofruar atyre pjesëmarrje në disa politika dhe programe para anëtarësimit në BE”.45 Këto janë: SEPA (Zona unike e Pagesave në Euro), Roaming (përdorimi i shërbimeve të telefonisë celulare jashtë vendit), korridoret e gjelbra, energjia, transporti, tregu dixhital, etj. Me pak fjalë strategjia e re është integrim përpara anëtarësimit, por jo në vend të anëtarësimit.
Strategjia nuk kërkon reforma vetëm nga vendet kandidate por edhe nga vetë Bashkimi Europian, përfshirë edhe sistemin e vendimmarrjes. Pra, ka një kushtëzim të dyfishtë: kandidatët duhet të jenë gati për në BE, por edhe Brukseli duhet të jetë gati për kandidatët, të reformojë vetveten.
Doktrina aktuale e BE-së për zgjerimin është unifikuar në nivel strategjik por vetëm pjesërisht në nivel institucional e politik. Ende nuk është i qartë mekanizmi politik për ta bërë atë të pakthyeshme. Ajo ka disa kundërthënie të brendshme si gjeopolitika me meritokracinë, plotësimi i standardeve e kritereve me veton kombëtare (me marrëdhënie dypalëshe), integrimi gradual me rrezikun e ngecjes në “dhomën e pritjes” së anëtarësimit si dhe diferencimi i vendeve kandidate në proces.
Deri para disa vitesh politika e BE-së përkufizohej si “lodhje nga zgjerimi”. Aktualisht ajo mund të konsiderohet si zgjerim gjeopolitik me integrim gradual dhe kushtëzim strikt. Kjo është formula që bashkon dokumentet e Komisionit, Këshillit Europian dhe Parlamentit Europian në vitet 2025-2026. Si përfundim mund të thuhet se BE-ja sot ka një strategji më koherente për ta afruar Ballkanin Perëndimor sesa një strategji plotësisht të arrirë për ta pranuar atë.
Instrumentet për afrimin ekzistojnë dhe janë bërë të njohura e kanë filluar të vihen në zbatim. Ato janë: Plani i Rritjes, Instrumenti për Reformë dhe Rritje, Tregu Unik, SEPA, Roaming, infrastruktura, financimi, reformat. Por mekanizmi për momentin final të pranimit ende nuk është përcaktuar. Ai është në varësi të tre faktorëve: të unanimitetit politik në vendimmarrje, të gadishmërisë institucionale të BE-së dhe të ratifikimeve kombëtare. Sot nuk shtrohet pyetja a do t’i pranojë BE-ja vendet e Ballkanit Perëndimor si anëtare? Përgjigjja për këtë pyetje është dhënë që në Samitin e Selanikut në vitin 2003 dhe është përsëritur edhe në samite të tjera të BE-së, përfshirë atë të dhjetorit 2025 dhe qershorit 2026. Por ajo mbetet një përgjigje në parim përsa kohë ende nuk ka një kalendar pranimi nga vetë BE-ja, reforma të brendëshme të tij dhe veçanërisht shmangien e vetove kombëtare.
Bashkimi Europian megjithë specifikën që ka në marrëdhëniet me vendet e Ballkanit Perëndimor ende zyrtarisht është një aktor ndërkombëtar, një fuqi e jashtme. Por me një dallim cilësor nga fuqitë e tjera, sepse është me pozitën strukturore më të fortë në rajon. Ballkani Perëndimor është një hapësirë e brendshme gjeopolitike e Europës. Ai është gjeografikisht i rrethuar pothuajse tërësisht nga hapësira e BE-së, i cili është i vetmi aktor i madh ndërkombëtar që mund t’u afrojë vendeve të rajonit jo vetëm partneritet, por anëtarësim në strukturën e vet politike, juridike dhe ekonomike. Kjo është epërsia strategjike themelore e BE-së në raport me fuqitë e tjera në rajon. Presidenti i Këshillit Europian, António Costa në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, më 5 qershor 2026 e përkufizoi anëtarësimin e vendeve të rajonit si një “investim gjeopolitik vendimtar”.46
BE ka disa avantazhe të tjera në Ballkanin Perëndimor ku më kryesori e më i prekshmi është epërsia ekonomike. BE është partneri kryesor tregtar, investitori dhe donatori kryesor i Ballkanit Perëndimor. Ai zotëron 62 për qind të volumit të përgjithshëm të tregtisë së rajonit. Në vitin 2025, tregtia e mallrave mes tyre arriti në 88 miliard euro, ndërsa tregtia e shërbimeve në 20 miliard euro në vitin 2024, dyfishin e volumit të dhjetë viteve me parë. Në vitin 2021-2027 BE ka vënë në dispozicion të vendeve të Ballkanit Perëndimor 9 miliard euro grante të cilat parashikohet të gjenerojnë 29 miliard euro investime. Plani i Rritjes që ka filluar nga zbatimi në vitin 2024 parashikon që deri në vitin 2027 t’u disbursojë të gjashtë vendeve të rajonit 6 miliard euro prej të cilave 2 miliard euro grante dhe 4 miliard kredi.47 Krahasimi i shifrave në këto fusha dëshmon se as Kina, as Rusia, as SHBA nuk i afrohet BE-së në shkallën e integrimit ekonomik strukturor me rajonin.Ky fakt i jep atij një instrument të fuqishëm ndikimi: fuqinë e tregut.
Avantazhi tjetër i BE-së është fuqia transformuese e tij. Ai është një model institucional që ndikon nëpërmjet procesit të anëtarësimit në të gjitha hallkat e shteteve të vendeve kandidate. Asnjë nga fuqitë e tjera të pranishme në rajon nuk zotëron një instrument të krahasueshëm. Nga kjo pikëpamje fuqia e BE-së është transformuese dhe jo vetëm influencuese.
Avantazhi i tretë i BE-së në rajon është perspektiva e anëtarësimit, i cili konsiderohet edhe si instrumenti më i fuqishëm gjeopolitik i tij. Rezoluta e Parlamentit Europian e 11 marsit 2026 e quante zgjerimin si “një nga mjetet më të forta gjeopolitike e të politikës së jashtme të BE-së”.48 Anëtarësimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE ngushton hapësirën konkurruese strategjike për Rusinë dhe Kinën në rajon.
Avantazhin e katërt e siguron risia për të cilën është folur se integrimi i vendeve kandidate në Ballkanin Perëndimor fillon para anëtarësimit. BE ka ndryshuar logjikën: nga premtimi i anëtarësimit të ardhshëm te përfitimet konkrete të integrimit sot.
Avantazhi i fundit që njihet për BE-në është plotësia me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n në rajon. BE është pjesë e botës perëndimore, partner në fushën e sigurisë për hapësirën euroatlantike me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n. Tre vende të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë vende anëtare të NATO-s por edhe kandidate për anëtarë në BE. Pra, ka një ndërthurje rolesh dhe politikash perëndimore në rajon që shkojnë në favor të strategjisë së BE-së dhe që u mungojnë fuqive rivale, Rusisë dhe Kinës.
Epërsia strukturore që ka BE-ja në Ballkanin Perëndimor nuk përkthehet automatikisht në epërsi gjeopolitike. Sfida kryesore e Brukselit nuk është të fitojë konkurrencën ekonomike me fuqitë e tjera të pranishme në rajon sepse në një masë të madhe e ka fituar atë. Kryesorja është qëepërsinë e vet ekonomike, normative dhe institucionale ta shndërrojë në ndikim strategjik të qëndrueshëm. Këtu qëndron edhe një nga dobësitë kryesore të BE-së, burimet e fuqisë jo gjithnjë konvertohen me efikasitet në ndikim politik. E kundërta ndodh me Rusinë, Kinën por edhe me Shtetet e Bashkuara që mund të kenë ndikim politik dispropocional me peshën e tyre ekonomike.
Një dobësi tjetër që ka dëmtuar instrumentin më të fuqishëm të BE-së, kredibilitetin e perspektivës së anëtarësimit është proces i gjatë i tij. Shëmbull tipik është rasti i Maqedonisë së Veriut. Në vitin 2005 ajo mori statusin e vendit kandidat, ndërsa katër vite më vonë Komisioni Europian rekomandoi hapjen e negociatave. Por, mosmarrëveshja me Greqinë për çështjen e emrit të vendit vonoi procesin disa vite deri në arritjen e Marrëveshjes së Prespës në 17 qershor të vitit 2018, ndërkohë që ajo me Bullgarinë për njohjen kushtetuese të minoritetit bullgar e ka bllokuar nisjen e negociatave për anëtarësim.
Një dobësi tjetër e BE-së që po bëhet “thembra e Akilit” është e drejta e vetos që gëzojnë vendet anëtare në emër të mbrojtjes të interesave kombëtare dhe që shtrihet edhe në çështjet e zgjerimit. Interesi dypalësh i një shteti anëtar mund të mbaj peng interesin gjeopolitik të BE-së. Brukseli nuk është një qëndër vendimmarrëse si Uashingtoni, Moska apo Pekini. Është një fuqi sui generis që vendimet kyçe i merr me konsensus, negocion fillimisht me vetëveten dhe në mjaft raste krijon ngecje apo vonesa strategjike. Kjo nuk ndodh me Kinën, Rusinë apo edhe me Shtetet e Bashkuara ku vendimet strategjike merren më shpejtë. Pluralizmi që përbën forcën normative të BE-së është njëkohësisht edhe dobësi e saj gjeopolitike.
BE është akuzuar si edhe Shtetet e Bashkuara se toleron në Ballkanin Perëndimor qeverisje deficitare demokratike në emër të stabilitetit, fenomen ky i njohur si “stabilocracy”. BE-ja është një fuqi normative par excellence që afishon e zbaton parimet e demokracisë, të sundimit të ligjit, lirisë së medias dhe të luftës kundër korrupsionit. Por tolerimet për shkak të “stabilocracy” vendos në konflikt BE-në normative me BE-në gjeopolitike. Nëse kushtëzimi demokratik zbatohet në mënyrë selektive, BE-ja humbet një nga avantazhet kryesore që e dallon nga Kina e Rusia që është fuqia normative.
BE në Ballkanin Perëndimor përveçse është një aktor kryesor ekonomik e normativ ka edhe një rol gjithnjë në rritje në çështjet e sigurisë rajonale. Në Samitin e Tivatit në qershor 2026 u diskutua bashkëpunimi në politikën e sigurisë e të mbrojtjes, forcimi i ushtrive të partnerëve, mbrojtja kibernetike, lufta kundër manipulimit dhe ndërhyrjes së huaj në informacion, etj. Presidenti i Këshillit Europian António Costa e bëri edhe njëherë të qartë se “bashkimi i plotë i partnerëve tanë të Ballkanit Perëndimor me Politikën e Jashtme e të Sigurisë së Përbashkët mbetet një shprehje esenciale e unitetit tonë”.49 Veçanërisht kjo bëhet më e rëndësishme në raport me Rusinë sepse dihet që Serbia nuk i është bashkuar kësaj politike, sidomos në çështjen e vendosjes të sanksioneve kundër saj. Zgjerimi mbetet një proces qartësisht strategjik: një shtet kandidat nuk vlerësohet vetëm për reformat e brendshme, por edhe për zgjedhjet e tij gjeopolitike.
Pozita e BE-së në Ballkanin Perëndimor mbetet ende paradoksale megjithë progresin e bërë kohëve të fundit. Thelbi i këtij paradoksi qëndron në mospërputhjen e fuqisë dhe prezencës ekonomike dhe institucionale që ka në rajon, që është sa e gjithë konkurrentëve të tij të marrë së bashku, me ndikimin politik joproporcional. Është një sfidë për BE-në që mbetet për të parë sesi do të përfundojë.
Transformimi i rendit ndërkombëtar ka ndryshuar kontekstin në të cilin zhvillohet politika e Ballkanit Perëndimor. Rajoni nuk është më vetëm një hapësirë e tranzicionit postkonfliktual dhe e zgjerimit euroatlantik, por edhe një zonë ku reflektohen rivalitetet e sistemit ndërkombëtar në ndryshim. Megjithatë, pesha e aktorëve të jashtëm nuk është simetrike dhe as instrumentet e tyre nuk janë të krahasueshme.
Bashkimi Europian ruan epërsinë strukturore në rajon falë tregut, investimeve, instrumenteve financiare, fuqisë rregullatore dhe, mbi të gjitha, perspektivës së anëtarësimit. Sfida e tij kryesore është ta shndërrojë këtë epërsi ekonomike dhe normative në ndikim strategjik më të qëndrueshëm. Kredibiliteti i zgjerimit, aftësia për të kufizuar përdorimin e vetove dypalëshe dhe koherenca ndërmjet kushtëzimit demokratik dhe interesave të sigurisë do të jenë përcaktuese për këtë proces.
Shtetet e Bashkuara mbeten aktori kryesor i sigurisë dhe partneri strategjik i pazëvendësueshëm i orientimit euroatlantik të rajonit, ndonëse angazhimi i tyre po bëhet më selektiv, pragmatik dhe i lidhur më ngushtë me stabilitetin, energjinë, ekonominë dhe konkurrencën me fuqitë rivale. Rusia, përkundrazi, ushtron një ndikim politik që shpesh tejkalon peshën e saj ekonomike, duke shfrytëzuar çështjet e pazgjidhura, lidhjet identitare dhe dobësitë institucionale. Kina ndjek kryesisht një strategji ekonomike dhe infrastrukturore afatgjatë, me Serbinë si nyjen më të rëndësishme të pranisë së saj rajonale.
Për vendet e Ballkanit Perëndimor, sfida kryesore është të mos mbeten thjesht objekte të konkurrencës së jashtme. Cilësia e institucioneve, sundimi i ligjit, aftësia për bashkëpunim rajonal dhe qartësia e orientimit strategjik do të përcaktojnë nëse transformimi i rendit ndërkombëtar do të prodhojë më shumë pasiguri apo do të krijojë mundësi për konsolidimin e rajonit brenda arkitekturës europiane dhe euroatlantike. Në këtë kuptim, e ardhmja gjeopolitike e Ballkanit Perëndimor nuk do të vendoset vetëm nga rivaliteti i fuqive të mëdha, por edhe nga kapaciteti i vetë vendeve të rajonit për të vepruar si subjekte politike dhe jo vetëm si hapësirë influence.
Shënime
- Henry Kissinger. World Order. New York. Penguin Press, 2014, p. 9. ↑
- Po aty. ↑
- G. John Ikenberry. Liberal Leviathan: The Origins, Crisis and Transformation of the American World Order: Princeton: Princeton University Press, 2011, p. 18-25. ↑
- John J. Mearsheimer. The Tragedy of Great Power Politics. Updated Edition, W. W. Norton, New York, 2014, p. 20-40. ↑
- Graham T. Allison. Destined for War: Can America and China escape Thucydides’s Trap? Houghton Mifflin Harcourt. Boston, 2017, p. 28-29. ↑
- Henry Kissinger. World Order… p. 363-372. ↑
- Graham T. Allison. Destined for War…p. 29-52. ↑
- Amitav Acharya. The End of American World Order, 2 nd ed. Cambridge: Polity Press, 2018, p. 103-135. ↑
- A New Transatlantic Approach for the Western Balkans. Time for Change in Serbia, Kosova and Bosnia-Hercegovina. Report by Heather A. Conley, Mihaela David, Terry Toland and Janusz Bugajski. Published November 21, 2011. Csis.org. ↑
- U.S. Department of State, Report to Congress on United States Policy to Promote Regional Stability and Prosperity in the Western Balkans (Washington, DC: U.S. Department of State, May 2026), submitted pursuant to section 7019(e) of the National Security, Department of State, and Related Programs Appropriations Act, 2026. ↑
- Po aty. ↑
- U.S. Department of State, Report to Congress on United States Policy to Promote Regional Stability and Prosperity in the Western Balkans (Washington, DC: U.S. Department of State, May 2026). ↑
- Po aty. ↑
- Po aty. ↑
- U.S. Department of State, Report to Congress on United States Policy to Promote Regional Stability and Prosperity in the Western Balkans (Washington, DC: U.S. Department of State, May 2026). ↑
- Po aty. ↑
- Wouter Zweers, Niels Drost, and Baptist Henry, Little Substance, Considerable Impact: Russian Influence in Serbia, Bosnia and Herzegovina, and Montenegro (The Hague: Clingendael Institute, August 2023); Eleonora Tafuro Ambrosetti, “Russia’s Pervasive Influence in the Western Balkans,” ISPI, November 20, 2025. ↑
- Dimitar Bechev. Rival Power: Russia’s Influence in Southeast Europe. New Haven: Yale University Press, 2017, p. 5, 49; Mark Galeotti. “Do the Western Balkans Face a Coming Russian Storm”? European Council on Foreign Relations. Policy Brief 255, 4 April 2018, p. 1. ↑
- Stanislav Secrieru. Russia in the Western Balkans. Tactical Wins, strategic setbacks.iss. Europa.eu ↑
- Angelica Vascotto. External Influences in the Western Balkans: Where Are We At? Balcan Focus Policy Brief. Brussels: Foundation for European Progressive Studies, Karl-Renner Institute, and CentroStudi di Politica Internazionale, March 2024; Dimitar Bechev. Rival Power…p. 4-5. ↑
- Eleonora Tafuro Ambrosetti. Russia’s Pervasive Influence in Western Balkans… ↑
- United Nations Statistics Division, UN Comtrade Database, annual merchandise trade data for 2024. ↑
- Tihomira Donçeva and Sanda Svetoka. Russia’s Footprint in the Western Balkans…; Eleonora Tafuro Ambrosetti, “Russia’s Pervasive Influence in the Western Balkans… ↑
- Stanislav Secrieru. Russia in the Western Balkans…; Anna Caprile, and Branislav Stanicek. Russia and the Western Balkans… ↑
- Eleonora Tafuro Ambrosetti. Russia’s Pervasive Influence in Western Balkans… ↑
- Vuk Vuksanovic. The Dragon Lands in Belgrade. The drivers of Sino-Serbian Partnership (London: LSE IDEAS, 2021), p. 8; Valbona Zeneli. “China’s Exploitation of Europe’s Western Balkans. Flank” IWMPost, 2022. ↑
- Plamen Tonchev. China’s Road: into the Western Balkans. EU Institute for Security Studies (EUISS), Brief No.3, February 2017, p. 1. ↑
- Nadège Rolland. China’s Eurasian Century? Political and Strategic Implications of the Belt and Road Initiative. Seattle and Washington D. C. National Bureau of Asian Research (NGR), 2017, p. 3. ↑
- Ministry of Foreign Affairs of the People’s Republic of China, “President Xi Jinping holds talks with President A. Vučić of Serbia”, May 8, 2024. ↑
- Angelica Vascotto. External Influences in the Western Balkans…; Branislav Stanicek. Interests in the Western Balkans. European Parliamentary Research Service (EPRS), European Parliament June 2022. ↑
- Vuk Vuksanovic. The Dragon Lands in Belgrade…; Plamen Tonchev. China’s Road: into Western Balkans… p. 13-15. ↑
- Nadège Rolland. China’s Eurasian Century?… p. 3; Valbona Zeneli. China’s Exploitation of Europe’s Western Balkans Flank… ↑
- Richard Q. Turcsányi. China and Frustrated Region: Central and Eastern Europe’s Repeating Troubles with Great Powers. China Report 56, no.1 (2020) p. 60-77; Anastas Vangeli and Richard Q. Turcsányi. “Chinese Influence in Central and Eastern Europe? Diffusion of a Meme”? Në: Conditioning China’s Influence: Intentionality, Intermediaries, and Institutions, Routledge, 2026, p. 177-199. ↑
- Ramadan Ilazi, Delmin Saljunovic, and Matt Delvoye, How Does China View the Western Balkans, Kosovo, and the Normalization Dialogue? (Prishtina: Kosovar Centre for Security Studies, July 7, 2025), 17. ↑
- Plamen Tonchev. China’s Road: into Western Balkans… p. 2. ↑
- Valbona Zeneli. China’s Exploitation of Europe’s Western Balkans Flank… p. 8. ↑
- Ilazi, Saljunovic, and Delvoye, How Does China View the Western Balkans, 24–25. ↑
- Vladimir Dordević, Richard Q. Turcsányi and Vladimir Vučković. “Beyond the EU as the “Only Gamc Town”… p. 29-30; 40. ↑
- Vuk Vuksanovièć. The Dragon Lands in Belgrade… p. 8. ↑
- Barbara Lippert, EU Enlargement: Geopolitics Meets Integration Policy (Berlin: Stiftung Wissenschaft und Politik, November 1, 2024); Frauke M. Seebass, Making the Enlargement Momentum Work – the Case for Timelines: Towards a More Strategic Enlargement Policy amid New Geopolitical Realities, SWP Working Paper No. 01/2025 (Berlin: Stiftung Wissenschaft und Politik, January 2025). ↑
- European Commission, 2025 Communication on EU Enlargement Policy, November 4, 2025; European Council, Brussels Declaration, EU–Western Balkans Summit, December 17, 2025; European Parliament, Resolution of 11 March 2026 on the EU Enlargement Strategy (2025/2110(INI)), P10_TA (2026) 0077; European Council, Conclusions, 18–19 June 2026. ↑
- European Council, Brussels Declaration, EU–Western Balkans Summit, December 17, 2025, para. 4. ↑
- European Parliament, Resolution of 11 March 2026 on the EU Enlargement Strategy (2025/2110(INI)), P10_TA (2026) 0077. ↑
- European Parliament. EU enlargement: a strategic investment in Europe’s security and stability…11.03.2026… ↑
- European Commission, 2025 Communication on EU Enlargement Policy, November 4, 2025. ↑
- António Costa, “Remarks at the Press Conference Following the EU–Western Balkans Summit of 5 June 2026,” European Council, June 5, 2026. ↑
- Council of the European Union, “EU–Western Balkans Investment and Trade,” data extracted May 2026, last reviewed June 4, 2026. ↑
- European Parliament, Resolution of 11 March 2026 on the EU Enlargement Strategy (2025/2110(INI)), P10_TA (2026) 0077. ↑
- European Council, EU–Western Balkans Summit, Tivat, June 5, 2026; António Costa, “Remarks at the Press Conference Following the EU–Western Balkans Summit of 5 June 2026,” June 5, 2026. ↑





