K. Petriti është një ndër ata krijues që mendojnë se “muzika është gjendje zanafillore e mendimit poetik” (A. Gamoneda). Për këtë arsye, një nga veçoritë e poezisë së tij është muzikaliteti metrik (P. Alfieri), i cili e afron me mjeshtër të tjerë të traditës sonë letrare, si N. Frashëri, N. Mjeda, L. Poradeci.
Aliteracioni është një ndër figurat më të funksionalizuara në poezinë e këtij autori: “bredh brenga e mbrëmjes, bryma brigjet zbardh” , “ pres të plasë nga pjekja i pari pjepër”, “kalimthi shkund shapka shavar e shelgjishta”, “shkel shtërgu bisht zhapinjsh e shtrat shtërpinjsh,/ e bën të heshtë pellgjeve bretkosa.”
E kam quajtur përmbledhjen “Lirikat e majit’ një ndër botimet përfaqësuese të poezisë së re shqipe.Nuk u nisa vetëm nga fakti se ajo i ka bërë ballë shoshitjes së pamëshirshme të kohës, nuk u nisa vetëm nga pasuria e saj filozofike dhe estetike, mbi të cilën jam munduar të hedh dritë sadopak, nuk u nisa vetëm te fryma e saj antikonformiste, por edhe nga një arsye tjetër: nga homogjeniteti i theksuar ideor e estetik.
Në qoftë se sot, apo në të ardhmen, mund të bëhen gjithfarë eksperimentesh poetike, të imitohen deri në plagjiaturë teknika moderniste apo pseudomoderniste, një vepër si “Lirikat e majit” nuk mund të shkruhet më, sikundër nuk mund të shkruheshin “Lulet e verës” të Naim Frashërit, “Vallja e yjve” e L. Poradecit, apo “Vargjet e lira” të Migjenit.
Anton Papleka