GABRIELE STEINHAUSER
Partitë nacionaliste dhe kundër Bashkimit Evropian kanë korrur fitore të mëdha në zgjedhjet evropiane. Në Francë e Fronti Nacional, parti e të djathtës ekstreme, mori çerekun e votave ndërkohë që Partia e Pavarësisë e Mbretërisë së Bashkuar (UKIP) fitoi 27.5%.
Partitë kundër BE-së apo ato euroskeptike fituan pjesën më të madhe të votave në Francë- ku çereku i votave shkoi për Frontin Nacional – si edhe në Mbretërinë e Bashkuar, Greqi dhe Danimarkë, sipas rezultateve të para.
Në përgjithësi, partitë centriste, pro-evropiane pritet ende të mbajnë shumicën e 751 vendeve në legjislaturën e re, që vendos mbi ligjet e BE-së së bashku me qeveritë kombëtare. Por ligjbërësit euroskeptik dhe kundër BE-së mund t’i komplikojnë masat e kalimit mbi të cilat ndahen partitë kryesore, duke përfshirë një marrëveshje tregtie të lirë me Shtetet e Bashkuara.
Partia Evropiane Popullore, ose EPP, pritet të mbajë 212 vende në Parlamentin e ri, më pak se 274 vendet që kishte më parë, ndjekur nga Social Demokratët e qendrës së majtë me 186 vende, më pak se 196 vendet që kishin më parë. Aleanca e Liberal Demokratëve pro tregut të lirë projektohet të marrë 70 vende në krahasim me 83 që kishte më parë ndërkohë që të Gjelbërit dërgojnë 55 delegatë, dy më pak krahasuar me zgjedhjet e vitit 2009.
Këto parti evropiane bashkojnë delegatë nga parti të ngjashme kombëtare, megjithëse disa parti kanë mbetur deri më tani të pa anëtarësuara diku. Sipas projektimeve të para, do të ketë 107 ligjbërës të pa anëtarësuar – shumë prej tyre kundër BE-së ose euroskeptikë – në Parlamentin e ri.
‘’Njerëzit sovranë kanë deklaruar se duan të marrin në dorë fatin e tyre’’ – tha Marine Le Pen, udhëheqësja e Frontit Nacional, që projektohej të fitonte 25% të votës në Francë. ‘’Populli ynë kërkon vetëm një politikë. Politikën e francezëve, për francezët’’. Zgjedhjet e para evropiane pas vitesh të krizës së borxhit, theksojnë se si masat shtrënguese dhe paketat e shpëtimit e kanë gërryer qëndrimin e një institucioni që ndihmon në qeverisjen e mëse 500 milion njerëzve dhe një prej ekonomive më të mëdha në botë. Shumë votues thonë se fajësojnë BE-në që ka kërkuar shkurtime të ashpra në shpenzime dhe rishikime ekonomike që kanë kontribuar në papunësinë e lartë përgjatë vendeve të BE-së.
Rezultatet do të vendosin presion tek qeveritë kombëtare për të tërhequr pushtet nga Brukseli dhe për të kërkuar frenimin e migrimit ndërmjet vendeve të BE-së.
Në Francë, paraqitja e Frontit Nacional i dha një goditje Presidentit Francois Hollande, socialistët e të cilit fituan vetëm 14%.
Martin Schulz, gjermani që priu socialistët evropianë në zgjedhje, tha se suksesi i Frontit Nacional në Francë, duhet të merret seriozisht nga partitë pro Bashkimit Evropian. “Arsyeja nuk ëshë se njerëzit jane ekstremistë të linjës së ashpër. Ata janë të zhgënjyer. Ata kanë humbur besimin dhe shpresën. Tha zoti Schulz për reporterët në Bruksel.
Në Greqi, partia e majtë Syriza, e cila kundërshton masat shtrënguese të kërkuara nga programi ndërkombëtar i shpëtimit, mori 27 % të votave, duke mundur kështu Demokracinë e Re të qendrës së djathë të Antonis Samaras. Partia e ekstremit të djathtë Agimi i Artë mori 9% të votave, sipas projeksioneve të ministrisë së brendshme greke.
Partia Britanike e Pavarësisë, e cila do që Britania të largohet nga BE-ja, ishte forca më e madhe në Mbretërinë e Bashkuar. Rezultatet paraprake sugjeruan se mbi 27% e votuesve votuan për UKIP. Në vende të tjera, zgjedhjet sollën komfort për partitë qeverisëse. Në Itali, Partia Demokratike e qendrës së majtë, e drejtuar nga kryeministri i ri Matteo Renzi mblodhi 41% të votave, sipas parashikimeve të anketuesit Italian GSP për SkyTG24. Vota shënoi sukses të madh për Renzin, i cili po përballet me testin e tij të parë elektoral, pas ardhjes në pushtet në shkurt, pas një grushti shteti.
Lëvizja kundër sistemit “Pesë yje” e drejtuar nga ish komediani Beppe Grillo, fitoi rreth 21.5 % të votave, nën 25.5% e mbledhur në zgjedhjet e përgjithshme të shkurtit.
“Votova për lëvizjen “Pesë yjet”, sepse ndjej se qendra e djathtë nuk më përfaqëson më”, tha Alessio Paratore, 27 vjec, mbas hedhjes së votës së tij në Romë. “Ata vazhdojnë llomotisin e premtojnë, por në fund nuk bëjnë asgjë konkrete”.
Në Gjermani, vendi më i madh i BE-së, rezultatet e përkohshme treguan një fitore për Kristian Demokratët e Kristian Socialistët e Kancelares Angela Merkel, me 35% të votave, përpara Social Demokratëve, me 27 %. Euroskeptikët AFD, që kandiduan për herë të parë në zgjedhjet evropiane, morën 7 % të votave.
Zgjedhjet parlamentare mund të kenë një impakt më afatgjatë në një tjetër institucion kyç të BE-së: Komisionin Evropian. Për keto zgjedhje, partitë më të mëdha të BE-së kanë emëruar kandidatë pan-evropianë të drejtojnë fushatat e tyre dhe të kandidojnë për president të komisionit.
Deri tani, presidenti zgjidhej nga liderët e BE-së, ndërsa parlamenti kishte vetëm votën e pranimit ose jo. Komisioni është i vetmi institucion i BE-së i cili ka të drejtën të propozojë ligje. Por partitë drejtuese kanë argumentuar se kandidati drejtues i partisë më të madhe në parlament, duhet të jetë presidenti i ardhshëm i komisionit, pavarësisht kundërshtimit të disa qeverive të BE.
Me fitoren e partisë popullore evropiane, shanset që Jean-Claude Juncker, ish kryeministri i Luksemburgut dhe kandidati më i fortë i partisë, të marrë postin duket se janë përmirësuar të djelën. Z. Juncker është mbështetur gjithashtu nga David McAllister, i cili kryesoi listën e CDU në Gjermani. “Në duam që Jean Claude Juncker të bëhet presidenti i ri i Komisionit Evropian”, iu tha ai mbështetësve. Kjo është mbështetja më ë zëshme për Zotin Juncker nga një aleat i ngushtë i znj Merkel.
Vlerësimet fillestare sugjerojnë se propozimi i kandidatëve drejtues, nuk pati sukses në rritjen e pjesëmarrjes së përgjithshme, me rreth 43% të votuesve, që hedhin të njëjtën votë të pandryshuar si në vitin 2009. Ndërsa pjesmarrja u përmirësua në disa shtete, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, ka rënë në vende të tjera, përfshirë një rënie rekord prej 13% në Sllovaki.





