GUNTER GRASS
KURRË nuk ka për të ma pranuar gazeta një gjë të tillë. Ata duan vetëm lajka si …” e mori të gjithë fajin përsipër”… apo “ papritur kancelari ra në gjunjë…”, apo ndonjë të fortë si: “ U gjunjëzua për Gjermaninë!”
Papritur i thënçin. Ai hap ishte i stërmenduar. Jam i sigurë që ai skuthi, ai pra, ndërlidhësi dhe negociatori që di si ta kullundrisë e ta paraqesë si fitore në vendin e vet dorëzimin e territoreve kaherë gjermane, ai ia ka mbushur mendjen për një gjë të tillë. Dhe kështu shefi i tij pijanec, sillet si katolik. Gjunjëzohet. Megjithëse nuk beson hiçgjë. E gjitha ishte një shou. Por për syrin e gazetarit – lajm sensacional. Bombë. Ç’është e vërteta çdo gjë shkoi perfekt jashtë protokollit. Të gjithë mendonin se do të ndiqej hap pas hapi protokolli siç bëhej gjithmonë: vendosej kurora me karafila, prekej pak fjongoja, pastaj dy hapa prapa, vinte shenja e përkuljes së kokës në shenjë nderimi, e pas kësaj ngrihej sërish mjekra lart dhe së fundi vështrimi përqendrohej me kokëfortësi larg. Pasi mbaronte kjo punë shkohej me sirena drejt e në Kështjellën Vilanov, në rezidencën aristokratike, ku prisnin shishka dhe gota me konjakun që përkundej Brenda. Po jo, ai i lejon vetes një tur të posaçëm: gjunjëzohet jo në shkallën e parë, sikur të paktën ta kishte bërë këtë nuk do të kishte qenë aq e rrezikshme, por drejt e mbi granitin e lagur, pa e mbajtur fare njërën dorë te tjetra, ulet si i stërvitur mu mbi kupën e gjurit, duke i mbajtur duart para barkut, me një fytyrë si ditën e së Premtes të Madhe, sikur të ishte më papë sesa papa, në pritje të shkreptimave të lukunisë së gazetarëve – dhe me durim qëndron ashtu një minutë të plotë, pastaj ngrihet jo me kujdes e ashtu si duhej – në fillim njërën këmbë, pastaj tjetrën – por brof njëherazi, sikur të kishte bërë për këtë ditë me radhë stërvitje para pasqyrës, tak – fak, qëndron drejt duke parë diku lart përmbi në, me një vështrim sikur atij personalisht t’i ishte shfaqur shpirti i shenjtë dhe sikur donte t’i tregonte jo vetëm Polonisë, jooo, të gjithë botës se sa fotozhenik është kur përgjërohet për falje. Hëm, e zhdërvjellët ishte ç’është e vërteta. Madje edhe moti i ngrysur mori pjesë në teatër. Por një artikull të luajtur kaq bukur e çjerrë në pianon time cinike, gazeta nuk ma blen, edhe sikur shefi ynë lart të mos dojë ta shohë më me sy këtë kancelar gjunjërënës, ta dëshirojë të përmbysur më mirë sot sesa nesër, pak rëndësi ka madje nëse rrëzohet me votë apo pa votë, vetëm të hiqet qafe!
Mirë, po marr edhe një herë yrysh dhe po i lë të oshëtijnë organot. Aty ku dikur ishte getoja e Varshavës, që në maj të vitit 1943 u shkatërrua e u shua si në mënyrë të pakuptimtë ashtu edhe mizore, u gjunjëzua i vetmuar kancelari gjerman para një përkujtimoreje, ku përditë edhe në këtë ditë të lagësht dhjetori vërshëllejnë flakët e shkalafitura nga era të dy shandanëve të bronztë, ai lëshoi pendesën, pendesë për të gjitha krimet e bëra në emër të gjermanëve , duke marrë të gjithë fajin e pamat përsipër, ai, që vetë nuk ishte fajtor, u gjunjëzua…
Ja ku e kemi tekstin e duhur. Këtë e shtyp kushdo. Mbajtësi i fajit, mbajtësi i dhimbjes! Ndoshta duhet t’i shtojmë pak edhe koloritin e vendit? Pak tundje koke. Nuk prish punë. Për shembull diçka si habia e Polonisë, kur burri i lartë i shtetit nuk u gjunjëzua para monumentit të Ushtarit të Panjohur që në Poloni është vend i shenjtë, por ra në gjunjë pikërisht të hebrenjtë. Mjafton vetëm të pyesësh pak, të zhbirosh aty – këtu dhe ja ku na del polaku i vërtetë si antisemitist. Madje nuk është shumë larg, ndodhi para dy vjetësh. Studentëve polakë u shkrepi të bënin çmenduria si studentët tanë apo ata në Paris. Por milicia me në krye ministrin e Brendshëm të këtushëm, Moczar, i kopanisi mirë provokatorët sionistë, siç u tha këtu. Aty rrotull njëmijë vetë, funksionarë partie, profesorë, shkrimtarë apo koka të tjerra të dijes, shumica hebrenj u dëbuan, bënë valixhet gati dhe u nisën për në Suedi apo Izrael. Për këtë nuk e hap më gojën njeri. Por që të na e mballosin fajin të gjithë neve, kjo është të biesh në sy për mirë. Për “sjelljen katolike, të cilën e ka për zemër çdo polak i ndershëm” flitet në tym, kur vetë ky tradhtar i atdheut i veshur me uniformën norvegjeze ka luftuar kundër në gjermanëve, vjen këtu me shpurë të madhe – Silezinë, Prusinë Lindore dhe sikur nuk mjafton kjo, bën edhe një numër tjetër si në cirk, gjunjëzohet.
Është e pakuptimtë. Nuk do të botohet. Gazeta ime më mirë e mban gojën mbyllur për këtë. Një njoftim në agjenci dhe basta. Por ç’më duhet mua në fund të fundit? Unë jam nga Krefeldi, jam natyrë e qeshur e Renanisë. Pse e çaj kokën unë? Vroclav, Shçeçin, Gdansk? Për mua të bëjnë ç’të duan. Do të shkruaj diçka plot atmosferë: për puthjen polake të dorës, se sa e bukur është pjesa e qytetit, se Kështjella Vilanov dhe disa ndërtesa të tjera madhështore janë restauruar, megjithëse kudo që t’i hedhësh sytë gjendja ekonomike është mizerabël… Vitrinat bosh … Radhë të gjata para çdo dyqani mishi… Për këtë arsye Polonia ka shpresë për një kredi njëmiliardëshe, të cilën ky kancelar gjunjërënës ua ka premtuar miqve të tij komunistë. Emigranti! Si m’i ngre nervat. Jo pse është fomi jashtëmartesor jo… kjo ndodh… por… kapardisja e tij… dhe kur u gjunjëzua në shiun e imët … bah, e shpifur… e urrej.
Mirë, mirë, ai do të hapë sytë kur të kthehet në shtëpi. Do ta copëtojnë në media atë me gjithë kontratat e tij me Lindjen. – Por e zhdërvjellët ç’është e vërteta, të biesh ashtu papritur në gjunjë.