Më mbani mend duke qeshur

0

BETIM MUCO

Betim Muçon e kam njohur atje, në selinë e një Lidhjeje Shkrimtarësh, që nuk e di përse u bë kaq famëkeqe dhe që më pas u bë godinë ministrie, e tani nuk dihet se çfarë do të jetë nesër, ashtu si nuk dihet për një shumicë se çka qenë edhe më dje.

Por nëse ne nuk dimë më të përgjigjemi për muret, për njerëzit nuk na falet kurrë. Rëndësi ka për mua në këto çaste, që në ato korridore ka shkelur Betimi. Asnjëherë nuk e kam dëgjuar të flasë atje nëpër mbledhje dhe takime të gjëra.

Mbeti vetëm njeriu që foli me njeriun. Është ndoshta nga shkrimtarët më të rrallë shqiptarë të kësaj privatësie të mrekullueshme që të jep liri dhe të imponon personalitet.

Dhe për këtë, ai ishte i vetëdijshëm dhe krenar. Sepse kjo ishte një betejë e madhe, të cilën ai nuk e reshti kurrë me penën e tij në duar. Ishte ndoshta edhe fizika që ai kishte studiuar, ajo që i jepte një aureolë të rëndë dhe që e veçonte nga filologjiku i letrave të zbardhëlyera.
Anglishtja e tij e rrallë kishte një aureolë tjetër, të ndryshme nga shkallët që me të madhe ishin frankofone. Me këmbënguljen e tij më të shumtë se ajo e të tjerëve, në bibliotekën e Fluturës vinin librat më të fundit të letërsisë anglosaksone.

Betimi e shijonte letërsinë e madhe bashkëkohore, ashtu si edhe misteret e sizmologjisë. Po aq i ndjeshëm mbeti ndaj jetës shqiptare, ndonëse e ndoqi nga larg dhe me gjakftohtësinë e një njeriu të shkencave. Fëmijët shqiptarë kanë libra prej tij, po aq sa edhe të rriturit. Mua më ka çuar të shihja varrin e Alan Edgar Poes, shkrimtari të pasvdekjes. Së bashku me të dhe me Martën dhe Meblanin, u mrekulluam në muzeun e ngritur nga fonacioni “Gala” me veprat e Slavador Dalisë, të cilat betim Muçon e bënë të lumtur.

Në fund të vitit të shkuar, ai shkoi në Sarandë që të shkruante buze Jonit romanin me të cilin u jep lamtumirën Martës, fëmijëve dhe Shqipërisë. I rëndë si gurët e dheut mbeti Betim Muço, por ndoshta edhe njeriu më delikat e i ndjeshëm i kësaj bote dhe i asaj Lidhjeje Shkrimtarësh aq të përfolur prej të gjithëve në kor.

Betimi u lë shqiptarëve talentin dhe ndershmërinë, përmbajtjen fisnike, busullën e anijes letrare që nuk pranon kurrfarë patetizmi dhe profka të mëdha, si edhe modestinë në të jetuarit të thellë.

Ja përse edhe një godinë do të bëhet e shenjtë kur të ruajë edhe emrin e tij të rrallë, pavarësisht se ai shkeli të gjitha anët e botës. Jam krenare që kam shkruar për veprën tënde letrare mik, që ke dashur të afrosh popullin tim me të gjithë shkrimtarët dhe poetët si me një jetë hostenari, larg zhurmave të mëdha.

E dija që të pëlqenin udhëtimet, por nuk e dija që me ngut do ta nisje udhëtimin tënd të fundit. E di që fjala e Betim Muços do ta bekojë popullin tim në jetë të jetëve me një zë prej burri të vërtetë.
Natasha Lako

SHPËRNDAJE