LUC BESSON
Vëllai im, sikur ta dije sa dhimbje ndjej sot për ty, ty dhe fenë tënde të bukur njollosur në këtë mënyrë, të poshtëruar, të treguar me gisht. Janë harruar forca jote, energjia jote, humori yt, zemra jote, vëllazëria jote. Kjo është e padrejtë dhe ne do ta riparojmë bashkë këtë padrejtësi. Jemi miliona që të duam dhe do të të ndihmojmë të gjithë. Fillojmë nga fillimi. Cila është shoqëria që të propozohet?
E bazuar mbi paranë dhe përfitimin, segregacionin, racizmin. Në disa lagje të periferisë papunësia e të rinjve nën 25 vjeç, kap 50%. Lihesh mënjanë për shkak të ngjyrës së lëkurës apo emrit tënd. Kontrollohesh dhjetë herë ditën, të rrasin në ca blloqe pallatesh shumëkatëshe dhe askush nuk të përfaqëson. Kush mund të jetojë dhe të realizohet në kushte të tilla? Lidhni një fëmijë apo një kafshë, pa ushqim dhe pa dashuri për disa muaj, dhe do të përfundojë duke vrarë këdo.
Përfitimi është bërë parësor. Pritet pema, shitet druri dhe pastaj habitemi pse s’bën më fruta. Ky është problemi i vërtetë dhe na takon neve ta zgjidhim.
I bëj thirrje të pushtetshmëve, pronarëve të mëdhenj, të gjithë drejtuesve. Ndihmojeni këtë rini, të poshtëruar, të atrofizuar, që nuk kërkon veçse të jetë pjesë e shoqërisë. Ekonomia është në shërbim të njeriut dhe jo e kundërta. Të bësh mirë është më i bukuri nga përftimet. Të dashur të fuqishëm, a keni ju fëmijë? I doni? Çfarë doni t’u lini? Para? Pse jo një botë më të mirë? Kjo do t’i bënte fëmijët tuaj krenarë për ju.
Nuk mund të ndërtohet lumturia jote mbi fatkeqësinë e tjetrit. Kjo nuk është as në fenë e krishterë, as hebreje, as myslimane. Eshtë thjesht egoiste, dhe e çon shoqërinë dhe planetin tonë në rrugë pa krye. Ja puna që duhet të bëjmë që sot, për të nderuar kujtimin e të vdekurve tanë.
Dhe ti vëllai im, ke edhe ti punë për të bërë. Si ta ndryshosh këtë shoqëri që të propozohet? Duke punuar, duke studiuar, duke marrë një laps në vend të një kallashi. Kjo është e mira e demokracisë, që ofron mjete të fisme për t’u mbrojtur. Merre fatin tënd në dorë, merre pushtetin.
Kushton 250 euro për të blerë një kallashnikov, por e shumta 3 euro për të blerë një stilolaps, dhe përgjigjja jote mund të ketë njëmijë herë më shumë impakt.
Merr pushtetin dhe luaj sipas rregullave. Merre pushtetin demokratikisht, ndihmoji të gjithë vëllezërit e tu. Terrorizmi nuk do të fitojë kurrë. Historia është aty për ta provuar. Dhe imazhi i bukur i martirit funksionon nga të dy krahët. Sot ka mijëra Cabu dhe mijëra Wolinski që po lindin. Merre pushtetin dhe mos lejo askënd të ketë pushtet mbi ty. Dije që këta dy vëllezërit gjakatarë të sotëm nuk janë vëllezërit e tu, dhe këtë e dimë të gjithë.
E shumta ishin dy njerëz pa mend në kokë, të braktisur nga shoqëria, pastaj të mashtruar nga një predikues që u shiti përjetësinë… Predikuesit radikalë që bëjnë biznesin e tyre dhe luajnë me fatkeqësinë tënde, nuk kanë asnjë qëllim të mirë. Ata shfrytëzojnë fenë tënde vetëm për qëllimin e tyre. Ky është biznesi i tyre, ndërmarrja e tyre e vogël. Nesër, vëllai im, ne do të jemi më të fortë, më të lidhur, më solidarë. Ta premtoj.
Por sot, vëllai im, unë qaj me ty.
Përktheu: Endri Xhafo