Telashet po shpërthejnë në Ballkan

Është thjesht çështje kohe para se ISIL ta përdorë Ballkanin për të nisur sulme drejt pjesës tjetër të Evropës.

0

Meqë pjesa më e madhe e vëmendjes së Evropës është fokusuar tek Ukraina, do të ishte e pamatur të injoronim sfidat me të cilat po përballet aktualisht Ballkani. Ballkani ka shërbyer prej shumë kohësh si fuçi baruti e Evropës.

Megjithëse siguria në rajon është përmirësuar ndjeshëm që prej viteve 1990’, ndarjet sektare mbeten dhe janë përkeqësuar madje nga ekonomitë e dobëta, përqindjet e larta të papunësisë dhe korrupsioni endemik politik.

Situata sociale, ekomomike dhe politike e bën rajonin të cenueshëm ndaj influencës së ligë ruse, ngritjes së ISIL dhe destabilitetit politik që vjen nga Greqia. Nëse nuk kontrollohet, rajoni mund të kthehet sërish në problem për komunitetin ndërkombëtar.

Rusia ka luajtur rol historik në Ballkan si mbrojtës i vetë-deklaruar i komuniteteve sllave dhe ortodokse. Sot, Moska shfrytëzon tensionet sociale dhe politike në Ballkan si përpjekje për të avancuar një axhendë pro-Rusisë. Rusia ka një qëllim kryesor në rajon: ta mbajë Ballkanin jashtë komunitetit Euro-Atlantik.

Mbrojtësi i Sllavëve

Serbia ka shërbyer prej kohësh si pikëmbështetja e Rusisë në Ballkan. Moska ka mbështetur kundërshtimin serb për pavarësinë e Kosovës, shpallur në vitin 2008 dhe vijon ta përdorë pavarësinë e Kosovës për të justifikuar veprimet e saj në Krime, Osetinë e Jugut dhe Abkazi.

Rusia është gjithashtu aktive në rajonin etnikisht serb të Republika Srpska, një prej dy entiteteve shtetërore brenda Bosnjës dhe Hercegovinës që u shfaq pas luftës civile të viteve 1990’.

Udhëheqësi i Republika Srpska, Milorad Dodik, ka qenë prej kohësh advokues i pavarësisë së Republika Srpska dhe ka përfituar nga një marrëdhënie shumë e ngushtë me Kremlinin.

Ngjarjet e fundit në Ukrainë, veçanërisht aneksimi i Krimesë, kanë frymëzuar një retorikë më separatiste në Republika Srpska.

Ngritja e ISIL

Një tjetër sfidë për rajonin është rritja e pranisë së ISIL dhe ekstremizmit. Fatmirësisht, rajoni nuk ka pësuar ende ndonjë sulm nga ky grup, por Ballkani i ka shërbyer ISIL-it si tokë pjellore për rekrutim.

Kjo nuk duhet të habisë njeri. Papunësia e lartë dhe ekonomitë në stanjacion kanë shtuar presionet sociale në Ballkan. Shumë myslimanë të rinj ndjehen të marxhinalizuar nga shoqëria dhe shohin pak shpresë për të ardhmen e tyre.

Rekrutuesit e ISIL kanë përfituar nga kjo situatë. Ka disa qindra luftëtarë nga Ballkani që po luftojnë në Irak dhe Siri. Këta luftëtarë të huaj kanë formuar edhe të ashtuquajturin Batalion të Ballkanit për ISIL. Një pjesë e mirë e luftëtarëve kanë ardhur nga Kosova, por të tjerët janë gjurmuar në Shqipëri, Bosnje dhe Republika e Maqedonisë.

Rajoni është gjithashtu i rëndësishëm për ISIL për arsye që shkojnë përtej rekrutimit. Ballkani po kthehet në një rrugë shumë të rëndësishme transiti për ISIL duke i lejuar luftëtarët të udhëtojnë drejt Evropës Perëndimore dhe Lindjes së Mesme. Kjo është veçanërisht e vërtetë për Greqinë dhe Kroacinë me vijën e tyre të gjatë bregdetare.

Është vetëm çështje kohë para se ISIL ta përdorë Ballkanin për të planifikuar një sulm drejtuar pjesës tjetër të Evropës.

Greqia – një problem i ri

Ajo që e komplikon situatën në Ballkan është pasiguria rreth qeverisë së re në Greqi, udhëhequr nga Syriza, një parti e ekstremit të majtë (dhe partneri i djathtë i koalicionit, Greqia e Pavarur) qeveria e re ka treguar tashmë se nuk do t’i bëjë gjërat si zakonisht.

Ajo që është më shqetësuese është se qeveria e drejtuar nga Syriza në Athinë ka potencialin të sjellë edhe më tepër destabilitet në rajon.

Ministri i ri grek i financave po bën turne nëpër Evropë duke i thënë kolegëve të tij se terma të reja duhet të paraqiten para se Greqia të paguajë borxhin e saj. E ardhmja e Greqisë në eurozonë është në dyshim. Nëse menaxhohet siç duhet, një rikthim tek dhramia mund të ishte përfituese për ekonominë greke, por pak gjasa ka që qeveria e re të ketë aftësinë ta udhëheqë Greqinë nëpër një tranzicion të tillë të trazuar.

Blerja e influencës

Ambasadori rus në Greqi është parë duke hyrë në zyrat qendrore të Syrizës pak pasi u shpallën rezultatet e zgjedhjeve. Me gjithë vështirësitë ekonomike të Greqisë mund të hamendësohet çfarë influence mund të jetë e aftë të blejë Moska – literalisht – në qeverinë e re greke.

Pak ditë pas marrjes së detyrës ministri i mbrojtjes nxiti kundërshti duke vizituar Kardakun, një ishull të kontestuar pranë bregdetit të Turqisë, që gati e ka çuar Ankaranë dhe Athinën në luftë në të shkuarën, për të vënë një kurorë lulesh. Syriza ka vënë gjithashtu në pikëpyetje nëse Greqia duhet të vijojë anëtarësimin në NATO dhe pritet të vijojë traditën e nderuar të Greqisë për të bllokuar Republikën e Maqedonisë nga anëtarësimi në aleancë.

E gjitha kjo është një recetë për destabilitet, që mund të përhapet në rajonin fqinj.

Gjatë viteve 1990’, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa shpenzuan shumë gjak dhe para për të stabilizuar Ballkanin. Tani nuk është koha që komuniteti ndërkombëtar t’i kthejë shpinën. Mënyra më e mirë për të siguruar stabilitetin në Ballkan është angazhimi.

Duhet të ketë përpjekje të vërteta për t’i mbajtur vendet e rajonit në rrugën e integrimit euro-atlantik. Në fund të fundit kjo do të sjellë prosperitet dhe siguri në një prej zonave më të paqëndrueshme të Evropës.

 

SHPËRNDAJE