Vajzë

0

JAMAICA KINCKAID

Të hënën laji teshat e bardha dhe vendosi mbi pirgun me gurë; të martën laji teshat me ngjyra dhe vari në tel për t’i tharë; mos ec këmbëzbathur nën diellin zhuritës; skuqi fetat e kungullit me vaj të nxehtë e të ëmbël; vendosi në ujë rrobat e tua të vogla pasi t’i kesh hequr; kur të blesh pambuk për t’i bërë vetes një bluzë të mirë, sigurohu të mos ketë çamçakëz në të, sepse pastaj nuk do të ruajë formën pasi të lahet; vëre në ujë peshkun e kripur para se ta gatuash të nesërmen; vërtetë këndon benna në shkollën e së dielës?; konsumoje gjithmonë ushqimin në atë mënyrë që të mos u trazosh stomakun të tjerëve; të dielave përpiqu ta mbash veten si zonjë dhe jo si zuska që je aq e vendosur të bëhesh; mos këndo benna në shkollën e së dielës; mos fol me rrugaçët e portit, as për t’i ndihmuar për ndonjë adresë; mos ha fruta në rrugë…kanë për të t’u qepur mizat: por unë nuk këndoj benna të dielave dhe kurrë në shkollën e së dielës; kështu qepet një kopsë; kështu hapet një vrimë për kopsën e porsa qepur; kështu duhet të qepësh buzët e fustanit, kur sheh se po të bien palët, në mënyrë që të mos dukesh si ajo zuska që e di se je aq e vendosur të bëhesh; kështu hekuroset këmisha prej doku e babait, që të mos ketë asnjë rrudhë; kështu hekurosen pantallonat prej doku të babait, që të mos kenë asnjë rrudhë; kështu rriten bamjet…larg shtëpisë, sepse bima e bamjes strehon milingonat e kuqe; kur të rrisësh dasheen , sigurohu ta ujisësh mirë, ndryshe do të të kruhet fyti kur ta hash; kështu fshihen këndet e shtëpisë; kështu fshihet e gjithë shtëpia; kështu fshihet oborri; kështu i buzëqeshet dikujt që nuk e ke me aq sy të mirë; kështu i buzëqeshet dikujt që nuk e ke fare me sy të mirë; kështu i buzëqeshet dikujt që e ke me sy të mirë; kështu përgatitet tavolina për të shërbyer çajin; kështu përgatitet tavolina për darkë; kështu përgatitet tavolina për një mik me rëndësi; kështu përgatitet tavolina për drekë; kështu përgatitet tavolina për mëngjes; kështu duhet të sillesh përpara burrave që nuk të njohin mirë, në këtë mënyrë nuk kanë për ta kuptuar menjëherë se je ajo zuska që të paralajmërova të mos bëheshe; sigurohu të lahesh çdo ditë, edhe nëse përdor vetëm pështymën tënde; mos u ul galiç të luash me zare…ti nuk je djalë, kupton; mos shkul lulet e të tjerëve…mund të të ngjitet ndonjë sëmundje; mos gjuaj me gurë mulizezat, sepse mund të mos jenë fare mulizeza; kështu gatuhet pudingu me bukë; kështu gatuhet doukona ; kështu gatuhet tava me piperka; kështu përgatitet bari i mirë kundër ftohmës; kështu përgatitet bari për të hequr një fëmijë përpara se të bëhet fëmijë; kështu kapet peshku; kështu hidhet në ujë peshku që nuk të pëlqen, që mos të të zërë e liga; kështu frikësohet një burrë; kështu të frikëson një burrë; kështu dashurohet një burrë dhe nëse kjo nuk funksionon, atëherë ka rrugë të tjera, por dhe nëse këto nuk funksionojnë mos të të vijë keq që hoqe dorë; kështu mund të pështysh në ajër nëse të vjen për mbarë dhe kështu duhet të lëvizësh me shpejtësi të mos të bjerë mbi surrat; kështu i dilet mbanë me ato që ke; gjithmonë shtrydhe bukën për të parë a është e freskët; po nëse bukëpjekësi nuk më lë ta prek bukën?; mos do të më thuash se pas gjithë këtyre ke për t’u bërë me të vërtetë ajo farë gruaje që bukëpjekësi nuk e lë t’i afrohet bukës?

SHPËRNDAJE