Revista Europa është një burim mediatik që krenohet me mbulimin e saj neutral dhe të saktë. Ne bëjmë më të mirën për të qëndruar asnjanës në një kohë kur sa vjen e po bëhet më e vështirë për të qenë të tillë. Megjithatë ka disa situata dhe disa momente kyçe kur është e qartë cila është e vërteta dhe gjëja e duhur për t’u bërë – dhe të mbash një qëndrim tjetër në situata të tilla do të ishte thjesht e gabuar.
Për këtë i detyrohemi lexuesve tanë t’u japim një sqarim mbi qëndrimin tonë: kjo gazetë dënon rreptësisht ligjin e ri që lejon importin e plehrave në Shqipëri, ne mbështesim dhe e rendisim veten ndër radhët e protestuesve qytetarë që do të protestojnë kundër këtij ligji të shtunën, më 1 tetor 2016 dhe në qoftë se nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta kthyer këtë masë legjislative, ne i inkurajojmë institucionet t’i lejojnë popullit shqiptar të votojnë në një referendum për këtë vendim.
Kemi dëgjuar me vëmendje dhe respekt argumentet e dhëna së fundmi nga kryeministri në sesionin parlamentar dhe nuk jemi aspak të bindur. Thjesht nuk ka asnjë garanci, qoftë faktike apo institucionale që mekanizmat e duhura janë në vend për ta mbrojtur vendin tonë nga një katastrofë mjedisore. Ky ligj mbart potencialin për ta krijuar një katastrofë të tillë, në një vend të brishtë si Shqipëria, ku korrupsioni është i papërmbajtur dhe fuqia e institucioneve është shumë e ulët, në krahasim me trysninë e lartë të ushtruar nga pala e interesuar për të sjellë mbetje të rrezikshme. Eksperienca e vendeve fqinje ka shfaqur rreziqet e trashëguara që fshihen në boshllëqet e ligjit.
Do të donim të ftonim të gjithë aktorët përgjegjës për këtë nismë legjislative të reflektojnë më thellë mbi situatën në Shqipëri, të bëhen më të përgjegjshëm në adresimin e sfidave të brendshme përpara se të importojnë sfida të reja dhe t’i vënë veshin jehonës masive të zërit të popullit që e refuzon këtë ligj.
I bëjmë thirrje Presidentit ta kundërshtojë këtë ligj, edhe pse kjo gjë thjesht do të vononte pak kohë, përderisa Parlamenti do ta rikthente në procedurën e votimit. Pavarësisht kësaj, Presidenti duhet të tregojë simbolikisht se ai e respekton protestën demokratike në kundërshtim të këtij ligji.
Nëse nuk ka asnjë metodë tjetër për të marrë vendim mbi këtë çështje, ne nxisim të dyja palët të shfaqin respekt për dëshirën e popullit shqiptar për t’u shprehur mbi këtë ҫështje me anë të një referendumi. Kjo e drejtë iu dha më 2013 dhe duhet t’u jepet dhe më 2016 meqenëse flitet për të njëjtën çështje dhe përgjigja e popullit është përsëri negative. Shoqëria civile shqiptare dhe grupet e organizuara aktiviste duhet të bashkohen për të mbledhur firmat e nevojshme sa më parë të jetë e mundur pasi koha nuk pret.
Këtu nuk flitet për çikërrima që mund të kalohen me fjalime sesi importi i mbetjeve është një praktikë e zakonshme industriale për riciklimin e materialeve. Të mendosh që Shqipëria është në të njëjtin pozicion me shtetet e tjera europiane që janë të afta të marrin pjesë në një shkëmbim të tillë ndërkombëtar është të jesh ose dashakeq, ose tërësisht i painformuar.
Pozicioni i duhur është fare i thjeshtë: Shqipëria nuk duhet të importojë plehra nga jashtë dhe populli shqiptar duhet të kursehet ose e thënë ndryshe: ta kursejnë veten nga ky kërcënim i pashmangshëm.