KOLEGJI I EUROPES NE SHQIPERI

0

Marrëveshja për hapjen e Kolegjit të Evropës në Tiranë, një zhvillim ‘historik’ për perspektivën e Shqipërisë në BE

Kolegji i Evropës, (College of Europe ) institucioni më i rëndësishëm arsimor pasuniversitar i BE-së, së shpejti do të vendoset edhe në Shqipëri, një lëvizje që ekspertët e quajnë “historike”.

Lajmi u njoftua në një konferencë për shtyp pas samitit të liderëve të 27 vendeve anëtare të BE-së në Tiranë me homologët e tyre të Ballkanit Perëndimor, ku kryeministri Edi Rama kishte prezantuar një projektin strategjik për të sjellë Kolegjin e Evropës në Shqipëri.
“Diçka fantastike kemi diskutuar dhe kemi marrë mbështetje në parim si nga Presidenti i Këshillit Europian ashtu edhe nga Presidentja e Komisionit Europian dhe me sa kuptoj mbështetja e plotë e udhëheqësve të vendeve anëtare të BE është të punojmë dhe të kemi në Tiranë Kolegjin e Europës”, tha kryeministri Rama gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe Presidentin e Këshillit Europian Charles Michel.
Von der Leyen tha se investimi në gjeneratën e ardhshme që do të ndajë vlerat evropiane është më i rëndësishëm se kurrë.
“Vizioni juaj është që të keni Kolegjin e Evropës këtu, si në Bruges, si në Poloni. Dhe vërtet, ju keni mbështetjen e plotë edhe nga ana ime. Kjo është diçka për të cilën shpresoj se në kohën e duhur, në një nga samitet e ardhshme, ne do të jemi në gjendje të themi se e kemi mbajtur premtimin”, tha von der Leyen në konferencën për shtyp.
Marrëveshja në parim për hapjen e Kolegjit të Evropës në Tiranë u pa si një rezultat madhor në samit dhe “është ndër çështjet jashtëzakonisht konkrete, të cilat kanë një ndikim konkret” dhe “kalojnë përtej fjalëve”, tha Michel.
Kolegji i Evropës aktualisht ka dy kampuse, një në Belgjikë dhe një në Poloni, dhe hapja e një kampusi të tretë në Tiranë është “e jashtëzakonshme dhe historike”, sepse është një hap tjetër në lidhjen e Shqipërisë me Perëndimin, tha Albert Rakipi, kryetari i Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare.
“Sjellja e Kolegjit të Evropës në Tiranë do të thotë të sjellësh institucionin e parë pas universtar perëndimor që nga krijimi i shtetit modern të Shqipërisë. Është zhvillimi më i madh i këtij lloji në arsim në 100 vjetet e fundit dhe do të ketë të njëjtin ndikim në historinë shqiptare, si Liceu Francez i para Luftës së Dytë Botërore në Korçë dhe shkolla amerikane e Harry Fultz në Tiranë”, tha Rakipi.
Kolegji i Evropës është instituti i parë universitar në botë i studimeve pasuniversitare dhe trajnimeve në çështjet evropiane. I themeluar në vitin 1949 nga figura kryesore evropiane në vazhdën e Kongresit të Hagës, ka sjellë krijimin e Lëvizjes Evropiane. Kampusi i tij origjinal është në Bruges, Belgjikë. Një kampus i dytë i kolegjit në Natolin (Varshavë), Poloni u krijua në 1992 përpara negociatave të pranimit të Polonisë me BE-në.
Tirana do të presë së shpejti kampusin e tretë të institucionit të nderuar në Ballkanin Perëndimor, duke shpresuar të sjellë të njëjtin vizion që kishte në fund të viteve ’40 në Evropën Perëndimore dhe në fillim të viteve ’90 në Evropën Lindore.
“Është para së gjithash një sinjal shprese, një simbol i përkushtimit serioz që BE-ja ka ndaj rajonit pavarësisht nga të gjitha dyshimet e hedhura nga vonesat dhe stagnimi i disa momenteve historike”, tha Rakipi. “Gjithashtu, kolegji do të cojë përpara bashkëpunimin akademik, social dhe kulturor midis vendeve në rajon, me kolegët e tyre në BE, si dhe natyrisht do të nxisë procesin e pajtimit.”

SHPËRNDAJE