nga Albert Rakipi, PhD
Abstrakt
Zgjerimi i Bashkimit Evropian është rikthyer në qendër të debatit evropian, kryesisht si një domosdoshmëri gjeopolitike. Lufta në Ukrainë, ndryshimet në marrëdhëniet transatlantike dhe rivaliteti ndërmjet fuqive të mëdha kanë ndryshuar perceptimin mbi rolin e zgjerimit në të ardhmen e kontinentit. Kjo ese argumenton se zgjerimi mbetet i domosdoshëm për bashkimin politik të Evropës dhe konsolidimin e komunitetit evropian të sigurisë. Megjithatë, ideja se pranimi i anëtarëve të rinj mund ta shndërrojë Bashkimin Evropian në një fuqi strategjike mbështetet mbi një supozim të gabuar. Evropa strategjike kërkon transformimin e vetë Bashkimit Evropian dhe rikthimin te logjika origjinale e integrimit të interesave strategjike. Nga ana tjetër, përparësia gjeopolitike që i jepet zgjerimit nuk duhet të relativizojë kriteret demokratike të anëtarësimit, kriteret e Kopenhagës, siç quhen rëndom në gjuhën e burokratëve të BE-së, por që kanë të bëjnë, para së gjithash, me ndërtimin e shoqërive të bazuara në sundimin e ligjit (rule of law). Për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, integrimi evropian mbetet i lidhur me përgjegjësinë e brendshme për ndërtimin e shteteve dhe demokracive funksionale, zhvillimin ekonomik, çlirimin e shoqërive nga frika dhe funksionimin e tyre mbi bazën e lirisë dhe ligjit.
Çfarë është Evropa?
«Nëse do të na duhej ta fillonim nga e para ndërtimin e Evropës, do të filloja nga kultura.» Kjo thënie, që zakonisht i atribuohet Jean Monnet, është pranuar gjerësisht si një shprehje e rëndësisë së kulturës për projektin evropian. Por, nëse Evropa është një arritje kulturore, çfarë i dallon vendet anëtare të Bashkimit Evropian nga vendet e tjera të kontinentit, si ato të Ballkanit Perëndimor? A përfaqësojnë këto të fundit identitete dhe kultura të ndryshme nga identiteti evropian?Sigurisht që jo. Evropa është një treg i përbashkët në kuptimin ekonomik, por në kuptimin kulturor ajo është një shumëllojshmëri kulturash, që përbëjnë së bashku një identitet evropian, ndonëse ky identitet nuk mund të përcaktohet me kufij të saktë, aq më pak të shprehet në terma matematikorë. Historia ka treguar se popujt që ndajnë të njëjtën kulturë kanë zhvilluar konflikte po aq të ashpra, madje shpesh edhe më të dhunshme, sesa popujt me kultura të ndryshme. Përpjekjet për integrimin politik dhe ekonomik të vendeve arabe, për shembull, nuk kanë prodhuar rezultate të krahasueshme me arritjet e Bashkimit Evropian, megjithëse këto vende ndajnë në një masë të konsiderueshme të njëjtën gjuhë, fe dhe trashëgimi kulturore.
Çfarë është, atëherë, identiteti evropian që konsiderohet kaq thelbësor për integrimin?
Evropa është një model jete dhe kulture, por edhe një model i organizimit dhe funksionimit të shtetit. Ky model mbështetet mbi idenë e një shteti të fortë. Jo të një shteti ushtarak apo autoritar, por të një shteti që është i pranishëm në shoqëri përmes institucioneve, politikave publike dhe shërbimeve që u ofron qytetarëve. Forca e tij buron nga legjitimiteti demokratik, nga aftësia për të zbatuar politika dhe nga marrëdhënia që ndërton me shoqërinë përmes ligjit dhe institucioneve. Demokracia liberale dhe ekonomia e tregut përbëjnë dy shtyllat themelore të këtij modeli. Pax Europeana, paqja e ndërtuar në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, është në një masë të madhe produkt i konsolidimit dhe përhapjes së tij.
Evropa kishte njohur edhe më parë përpjekje për ndërtimin e një rendi të përbashkët politik. Një prej tyre ishte sistemi i Metternich-ut dhe Koncerti i Evropës, i krijuar pas Kongresit të Vjenës më 1815. Ky sistem siguroi për një periudhë relativisht të gjatë stabilitet ndërmjet fuqive evropiane, por mbështetej mbi ekuilibrin e fuqive dhe jo mbi një model të përbashkët legjitimiteti politik. Britania, me institucionet e saj relativisht liberale, bashkëjetonte në këtë rend me monarkitë autokratike të Austrisë dhe Rusisë.
Bashkimi Evropian i sotëm përbëhet gjithashtu nga vende me gjuhë, kultura, fe dhe përvoja historike të ndryshme. Ajo që i bashkon është modeli i organizimit të shtetit dhe shoqërisë, i mbështetur mbi demokracinë liberale, sundimin e ligjit dhe respektimin e lirive individuale. Pax Europeana përfaqëson suksesin historik të një komuniteti demokracish që kanë arritur të zëvendësojnë rivalitetin dhe luftën me bashkëpunimin institucional. Zgjerimi i Bashkimit Evropian është, në thelb, zgjerimi i këtij komuniteti.
Përse duhet të zgjerohet Evropa?
A ekzistojnë dy Evropa? Evropa si mit, si një hapësirë që qytetarët e Ballkanit vazhdojnë ta përfytyrojnë jashtë vendeve të tyre, dhe Evropa tjetër, Bashkimi Evropian, si realitet politik dhe institucional? Në një kuptim, po. Evropa e parë mbetet një aspiratë, një ideal politik dhe kulturor. Evropa e dytë është konkrete: Bashkimi Evropian, me institucionet, rregullat dhe kufijtë e tij. Historikisht, projekti i Bashkimit Evropian u nxit edhe nga ato që mund t’i quajmë arsye negative: nevoja për t’u mbrojtur nga kërcënimet e jashtme dhe për të parandaluar rikthimin e konflikteve brenda kontinentit. Kërcënimi sovjetik dhe mundësia e ringjalljes së rivaliteteve historike evropiane ndikuan në ndërtimin dhe zgjerimin e institucioneve euroatlantike. Pranimi i Greqisë më 1981 dhe i Spanjës e Portugalisë më 1986 lidhej ngushtë me konsolidimin e demokracisë në Evropën Jugore. Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, këto arsye dukej se kishin humbur një pjesë të rëndësisë së tyre. Megjithatë, zgjerimi vazhdoi.
Austria, Suedia dhe Finlanda, që u anëtarësuan më 1995, ishin tashmë pjesë e asaj që Karl Deutsch e quan pluralistic security community: një komunitet shtetesh me demokraci liberale të konsoliduara, institucione funksionale dhe ekonomi të zhvilluara, ndërmjet të cilave përdorimi i forcës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ishte bërë praktikisht i papërfytyrueshëm. Situata ishte e ndryshme për vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, veçanërisht për Ballkanin Perëndimor. Përfundimi i Luftës së Ftohtë nuk i kishte shndërruar automatikisht këto vende në pjesë të komunitetit evropian të sigurisë. Kufijtë aktualë të Bashkimit Evropian nuk mund të konsiderohen kufijtë përfundimtarë të Evropës politike. Projekti evropian, i nisur nga gjashtë shtete, nuk do të kishte arritur ta transformonte kontinentin nëse do të kishte mbetur i kufizuar brenda kësaj hapësire.
Një Bashkim Evropian që do të kufizohej vetëm në konsolidimin e marrëdhënieve ndërmjet anëtarëve ekzistues mund të krijonte një ishull paqeje dhe prosperiteti, por jashtë tij do të vazhdonte të ekzistonte rreziku i rikthimit të rivaliteteve tradicionale dhe i sistemeve konkurruese të aleancave. Më shumë se dy dekada pas Samitit të Selanikut, Ballkani Perëndimor mbetet një pjesë e papërfunduar e bashkimit politik të kontinentit. Lufta në Ukrainë dhe rikthimi i rivalitetit gjeopolitik e kanë bërë integrimin e rajonit edhe më të rëndësishëm. Por nëse zgjerimi është një domosdoshmëri për paqen dhe stabilitetin e kontinentit, a mund të jetë ai edhe instrumenti që do ta shndërrojë Bashkimin Evropian në një fuqi strategjike? Çfarë mund t’i shtojë, konkretisht, anëtarësimi i Shqipërisë dhe i Malit të Zi kapacitetit strategjik të Bashkimit Evropian?
Premtimi i gabuar: a mund ta ndërtojë zgjerimi Evropën strategjike?
Rendi evropian i sigurisë pas vitit 1991 mbështetej mbi supozimin se luftërat ndërmjet shteteve evropiane i përkisnin së kaluarës, se ndërvarësia ekonomike do ta kufizonte rivalitetin gjeopolitik dhe se aleanca transatlantike do të vazhdonte të garantonte sigurinë e kontinentit. Për më shumë se tri dekada, Bashkimi Evropian e mbështeti ndikimin e tij ndërkombëtar kryesisht mbi fuqinë ekonomike, tregun e përbashkët, normat juridike dhe diplomacinë. Sot, këto supozime janë tronditur. Lufta në Ukrainë ka rikthyer konfliktin ushtarak në shkallë të gjerë në Evropë. Marrëdhëniet transatlantike po kalojnë ndryshime të thella, ndërsa rivaliteti ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës po ndryshon ekuilibrat globalë. Energjia, teknologjia, tregtia dhe zinxhirët e furnizimit janë bërë instrumente të konkurrencës gjeopolitike.
Në këtë dinamikë të re, Bashkimi Evropian ndodhet përpara një dileme që lidhet me vetë të ardhmen e tij: të zhvillohet si një fuqi strategjike, e aftë të mbrojë interesat dhe sigurinë e vet, apo të mbetet kryesisht një organizatë ekonomike dhe rregullatore, me një rol politik ndërkombëtar gjithnjë e më të kufizuar. Pikërisht në këto rrethana, procesi i zgjerimit (widening) ka marrë përparësi politike, ndërkohë që thellimi i integrimit (deepening) vazhdon të përballet me vështirësi serioze. Por a mund të ndërtohet një Evropë strategjike përmes pranimit të anëtarëve të rinj?
Argumenti se Bashkimi Evropian mund të bëhet një fuqi strategjike duke pranuar Shqipërinë, Malin e Zi dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor është vështirë të mbrohet. Anëtarësimi i këtyre vendeve do të kishte rëndësi gjeopolitike, duke konsoliduar praninë e Bashkimit Evropian në një rajon ku Rusia vazhdon të kërkojë ndikim dhe ku rivalitetet ndërkombëtare shfaqen edhe përmes aktorëve lokalë. Por Shqipëria dhe Mali i Zi janë tashmë anëtarë të NATO-s. Përfshirja e tyre në sistemin euroatlantik të sigurisë është një realitet prej vitesh.
Nga pikëpamja ekonomike, kontributi i tyre në fuqinë e përgjithshme të Bashkimit Evropian do të ishte modest. Bëhet fjalë për dy ekonomi të vogla, me tregje të kufizuara dhe probleme strukturore që ndikojnë në konkurrueshmërinë e tyre. Është vështirë të argumentohet se pranimi i këtyre vendeve do t’i jepte ekonomisë evropiane kapacitetet që i mungojnë sot në konkurrencën me Shtetet e Bashkuara apo me Kinën. Edhe kontributi ushtarak do të ishte i kufizuar. Shqipëria dhe Mali i Zi kanë kapacitete modeste mbrojtëse dhe janë tashmë pjesë e strukturave të sigurisë së NATO-s.
Po kështu, nga pikëpamja demografike, çfarë ndryshimi strategjik do t’i sillnin Bashkimit Evropian rreth gjashtëqind mijë banorët e Malit të Zi dhe pak më pak se dy milionë banorët e Shqipërisë (nëse kanë mbetur edhe kaq), dy vende që prej vitesh përballen me emigrimin dhe tkurrjen e popullsisë? Zgjerimi do të ndihmonte në konsolidimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, por kjo nuk është e njëjta gjë me ndërtimin e Bashkimit Evropian si fuqi strategjike globale. Edhe zgjerimi drejt Ukrainës dhe Moldavisë, ndonëse me pasoja shumë më të mëdha gjeopolitike, nuk do t’i zgjidhte automatikisht problemet strukturore të fuqisë evropiane. Një Bashkim Evropian me më shumë anëtarë nuk është domosdoshmërisht një Bashkim Evropian më i fuqishëm. Problemi i Evropës nuk qëndron te mungesa e hapësirës gjeografike apo e popullsisë, por te aftësia e kufizuar për ta shndërruar fuqinë e saj ekonomike në kapacitet politik dhe ushtarak. Bashkimi Evropian mbetet një nga ekonomitë më të mëdha të botës, por vazhdon të ketë vështirësi në formulimin dhe zbatimin e një politike të jashtme dhe sigurie të përbashkët. Vendimmarrja strategjike kushtëzohet nga interesat kombëtare dhe nga mekanizmat institucionalë që shpesh pengojnë reagimin e shpejtë dhe të unifikuar. Shtimi i anëtarëve, pa ndryshuar mënyrën e vendimmarrjes, mund t’i ndërlikojë më tej këto probleme. Këtu qëndron premtimi i gabuar që krijohet kur zgjerimi paraqitet si rruga kryesore drejt Evropës strategjike. Për të kuptuar se çfarë i duhet sot Evropës, ndoshta duhet të rikthehemi te logjika origjinale e projektit evropian.
Evropa strategjike: Back to the Future
Bashkimi Evropian nuk lindi thjesht si projekt ekonomik. Në themel të tij qëndronte një ide politike dhe strategjike: të bëhej e pamundur një luftë tjetër ndërmjet fuqive kryesore evropiane. Krijimi i Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut më 1951 ishte një vendim me rëndësi strategjike. Qymyri dhe çeliku përbënin bazën industriale të fuqisë ushtarake. Integrimi i prodhimit të tyre nën një autoritet të përbashkët synonte ta bënte një konflikt të ri ndërmjet Francës dhe Gjermanisë politikisht dhe materialisht më të vështirë. Sot, qymyri dhe çeliku i shekullit XXI janë teknologjitë e avancuara, gjysmëpërçuesit, inteligjenca artificiale, lëndët e para kritike, energjia dhe industria e mbrojtjes. Varësia nga aktorë të jashtëm në këta sektorë krijon dobësi që nuk mund të kapërcehen përmes zgjerimit. Evropa strategjike kërkon një shkallë më të lartë integrimi në mbrojtje, teknologji, industri, energji dhe politikë të jashtme, si edhe institucione të afta për të marrë vendime të përbashkëta. Kjo nuk presupozon shkëputjen nga Shtetet e Bashkuara apo zëvendësimin e NATO-s. Një Evropë me kapacitete më të mëdha strategjike do të ishte një partner më i besueshëm brenda aleancës transatlantike. Back to the Future nënkupton rikthimin te logjika që e bëri të mundur projektin evropian: integrimi i interesave strategjike si instrument i paqes, i sigurisë dhe i fuqisë së përbashkët
Të ndërtojmë Evropën në shtëpinë tonë: integrimi si përgjegjësi kombëtare
Më 14 korrik 2026, Shqipëria mbylli përkohësisht tre kapituj të negociatave me Bashkimin Evropian: kapitullin 25, për shkencën dhe kërkimin shkencor; kapitullin 26, për arsimin dhe kulturën; dhe kapitullin 30, për marrëdhëniet me jashtë. Më 13 tetor u mbyll edhe kapitulli 20, për politikat e ndërmarrjeve dhe industrinë. Dy prej tyre, kapitujt 25 dhe 26, lidhen drejtpërdrejt me arsimin, universitetet, shkencën dhe kërkimin akademik. Mbyllja e këtyre kapitujve u paraqit si një arritje e rëndësishme në rrugën e anëtarësimit. Por çfarë na thotë ajo për gjendjen reale të arsimit dhe të kërkimit shkencor në Shqipëri? Mbyllja e një kapitulli nënkupton përmbushjen e kritereve të negociatave. Ajo nuk është një certifikatë që universitetet apo kërkimi shkencor kanë arritur standardet dhe cilësinë e vendeve evropiane.
Sikur këta të kishin qenë kapitujt e fundit të negociatave, Shqipëria do të ishte shumë pranë përfundimit të procesit të anëtarësimit. Por a do të ishte njëkohësisht arsimi shqiptar i krahasueshëm me arsimin evropian? A do të ishin universitetet tona institucione konkurruese në hapësirën akademike evropiane? Vështirë të besohet. Shqipëria është një vend ku shumë familje shpenzojnë shuma të konsiderueshme për arsimimin privat të fëmijëve jashtë vendit, shpesh me sakrifica të mëdha ekonomike. Kjo dëshmon edhe mungesën e besimit te cilësia dhe te perspektiva që ofron sistemi universitar vendas. Gjendja e kërkimit shkencor dhe akademik është edhe më problematike. Financimi i kufizuar, infrastruktura e dobët kërkimore dhe emigrimi i studiuesve e kanë bërë të vështirë krijimin e institucioneve që mund të konkurrojnë në hapësirën shkencore evropiane.
Ndërkohë, Shqipëria ka një numër të habitshëm politikanësh, ministrash, deputetësh dhe zyrtarësh të lartë që mbajnë grada shkencore. Por vlera e këtyre titujve vihet në pikëpyetje nga rastet e shumta të plagjiaturës, nga cilësia e dobët dhe nga mungesa e mekanizmave të besueshëm të kontrollit akademik. Në një vend ku janë ngritur vazhdimisht shqetësime për tregtimin e diplomave dhe abuzimet me titujt akademikë, mbyllja e kapitujve të arsimit dhe shkencës krijon një paradoks që meriton më shumë vëmendje sesa ceremonia politike e radhës. Ky paradoks bëhet edhe më i dukshëm nëse shohim mënyrën se si funksionon universiteti në Shqipëri. Rreth një muaj përpara mbylljes së kapitujve të arsimit dhe shkencës, në universitetet shqiptare ishin zhvilluar zgjedhjet për rektorë, dekanë dhe përgjegjës departamentesh. Në një pjesë të konsiderueshme të këtyre garave, kandidatët nuk kishin rivalë. Zgjedhjet u zhvilluan në shumë raste me vetëm një kandidat.
Dhe këtu mund të përfytyrojmë një skenë pothuajse absurde: një ditë pas mbylljes së kapitujve të shkencës dhe arsimit, një student paraqitet në postën nr. 6 të kryeqytetit për t’i dërguar një telegram kryeministrit.
«I nderuar Kryeministër, nuk mund të lejojmë që zgjedhjet në universitetet tona të zhvillohen pa kandidatë alternativë. Ky është një film i vjetër, që e kemi parë në Shqipërinë komuniste. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe po negocion anëtarësimin në Bashkimin Evropian.»
Por telegrami do të vinte shumë vonë. Kapitujt ishin mbyllur. Zgjedhjet universitare, gjithashtu. Me nga një kandidat.
Është e vështirë të flitet për universitete evropiane kur konkurrenca për drejtimin e tyre mbetet e kufizuar dhe kur autonomia universitare shpesh funksionon më shumë si privilegj institucional sesa si garanci e lirisë akademike. Ky shembull tregon kufijtë e procesit formal të negociatave. Një vend mund të përmbushë kriteret për mbylljen e një kapitulli dhe të miratojë legjislacionin përkatës, ndërkohë që problemet e funksionimit të institucioneve mbeten pothuajse të pandryshuara. Në diskutimet e sotme mbi zgjerimin, konsideratat gjeopolitike rrezikojnë ta zhvendosin në plan të dytë transformimin demokratik të vendeve kandidate: ndërtimin e shteteve funksionale, të ekonomive konkurruese dhe të shoqërive ku sundon ligji.
Për Shqipërinë dhe Malin e Zi, integrimi evropian nuk mund të kufizohet në negociatat me Brukselin apo në hapjen dhe mbylljen e kapitujve. Ai lidhet me mënyrën se si ndërtohet dhe funksionon shteti. Dobësia e institucioneve, ekonomia informale, korrupsioni dhe ndikimi i interesave private mbi vendimmarrjen publike kanë kufizuar konsolidimin demokratik të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria ka ndërmarrë reforma të rëndësishme institucionale, veçanërisht në drejtësi. Megjithatë, përqendrimi i pushtetit politik, dobësia e mekanizmave të kontrollit dhe balancës, korrupsioni dhe marrëdhëniet problematike ndërmjet politikës dhe interesave ekonomike vazhdojnë të ndikojnë në funksionimin e shtetit.Shteti i së drejtës nuk mund të matet vetëm me numrin e hetimeve, të arrestimeve apo të vendimeve gjyqësore. Ai provohet në mënyrën se si pushteti politik i nënshtrohet ligjit dhe sa efektivisht mbrohen qytetarët nga arbitrariteti i shtetit. Edhe Mali i Zi, megjithëse ka përparuar më shumë në negociatat e anëtarësimit, vazhdon të përballet me probleme në funksionimin e institucioneve demokratike, në pavarësinë e drejtësisë dhe në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Në të dyja vendet, përparimi në negociata nuk është gjithmonë tregues i besueshëm i cilësisë së qeverisjes. Një vend mund të përafrojë legjislacionin me atë të Bashkimit Evropian dhe të përmbushë kritere teknike, pa ndryshuar domosdoshmërisht mënyrën se si ushtrohet pushteti politik. Nëse konsideratat gjeopolitike mbizotërojnë mbi kriteret demokratike, Bashkimi Evropian rrezikon të pranojë shtete që i kanë institucionet evropiane në formë, por jo domosdoshmërisht në funksionim.
Përgjegjësia kombëtare për transformimin demokratik, ajo që në gjuhën e politikave ndërkombëtare quhet local ownership, mbetet për këtë arsye një element thelbësor i integrimit. Evropa nuk mund të ndërtohet në Shqipëri nga Komisioni Evropian apo nga institucionet ndërkombëtare. Mbështetja e tyre ka rëndësi, por nuk mund të zëvendësojë përgjegjësinë e institucioneve kombëtare dhe të vetë shoqërisë.
Në Shqipëri, integrimi evropian është shndërruar gjithnjë e më shumë edhe në një burim legjitimiteti politik për qeverisjen. Përparimi në negociata paraqitet si provë e suksesit të reformave, edhe kur probleme serioze në funksionimin e demokracisë dhe të institucioneve mbeten të pazgjidhura. Shembulli i kapitujve të arsimit dhe shkencës është domethënës. Ai tregon se një vend mund të bëjë përparim në negociatat me Bashkimin Evropian dhe, njëkohësisht, të vazhdojë të ketë universitete ku konkurrenca është e dobët dhe kërkimi shkencor ka kapacitete të kufizuara.
Për Bashkimin Evropian, zgjerimi mbetet një interes strategjik. Integrimi i Ballkanit Perëndimor mund të konsolidojë Komunitetin Evropian të sigurisë, por pranimi i anëtarëve të rinj nuk i zgjidh problemet që e pengojnë Bashkimin Evropian të veprojë si fuqi strategjike. Zgjerimi dhe ndërtimi i Evropës strategjike mbeten dy procese të lidhura, por me kushte dhe objektiva të ndryshëm. Për Bashkimin Evropian, sfida është thellimi i integrimit strategjik; për vendet kandidate, ndërtimi i shteteve funksionale. Për Shqipërinë, çështja thelbësore nuk është vetëm kur do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por çfarë shteti do të jetë në momentin e anëtarësimit.
__________
Ky shkrim botohet në kuadrin e një serie artikujsh me temë “Media dhe Integrimi Evropian” të Institutit Shqiptar të Medias.





