Sot, Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare (AIIS) organizoi një forum të rëndësishëm diskutimi mbi temën “Shqyrtimi i Investimeve të Huaja Direkte si një Instrument për Mbrojtjen e Interesave Kombëtare dhe Rritjen e Përafrimit me Bashkimin Evropian”.
Ky forum mblodhi së bashku ekspertë të fushës, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe aktorë të shoqërisë civile për të thelluar diskutimin mbi nevojën urgjente të krijimit të një kuadri të qartë dhe të efektshëm për shqyrtimin e Investimeve të Huaja Direkte (FDI) në Shqipëri.
Forumin e hapi Drejtoresha Ekzekutive e AIIS, znj. Alba Cela, si dhe Drejtoresha Ekzekutive e Estima, znj. Ana Krstinovska. Gjatë fjalëve të tyre përshëndetëse, ato nënvizuan rëndësinë e krijimit të mekanizmave të mirëfilltë për shqyrtimin e FDI-ve, si një instrument jetik për mbrojtjen e interesave kombëtare, nxitjen e rritjes ekonomike dhe garantimin e një procesi të qëndrueshëm të integrimit evropian.
Në kuadër të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Shqipëria është e detyruar të përfundojë brenda vitit të ardhshëm hartimin dhe miratimin e legjislacionit të ri mbi investimet e huaja. Në këtë drejtim, gjatë forumit, Znj. Jorida Tabaku, Kryetarja e Komisionit të Integrimit në Kuvendin e Shqipërisë theksoi afatet konkrete të këtij procesi dhe rëndësinë që ai ka për përafrimin e vendit me standardet evropiane. Bashkimi Evropian ka theksuar qartë se Shqipëria aktualisht nuk disponon një kuadër ligjor dhe procedura të mirëpërcaktuara për shqyrtimin e investimeve të huaja, duke e bërë këtë një domosdoshmëri për të siguruar harmonizimin me rregullat dhe praktikat e BE-së.
Diskutimi u pasurua nga një panel i shquar ekspertësh, përfshirë z. Zef Preçi, Drejtor Ekzekutiv i ACER, dhe znj. Jorida Tabaku, Kryetarja e Komisionit të Integrimit në Kuvendin e Shqipërisë dhe Deputete e Kuvendit të Shqipërisë. Kontributet e tyre theksuan rëndësinë e krijimit të mekanizmave transparentë dhe efektivë për të siguruar që investimet e huaja të jenë në përputhje me prioritetet strategjike të Shqipërisë dhe angazhimet e saj ndaj Bashkimit Evropian.
Ky event u mundësua me mbështetjen financiare të National Endowment for Democracy (NED).
📢 #AIIS #FDI #IntegrimiEvropian #Shqipëria #InteresatKombëtare #PërafrimiMeBE #InvestimetEHuajaDirekte #FDIScreening