Mbreti Zog – Themeluesi i shtetit modern shqiptar dhe domosdoshmëria e ballafaqimit me të kaluarën

0

Nga Albert Rakipi, PhD

1

Ribotimi në shqip i librit për Mbretin Zog dhe mbretërinë që ai themeloi dhe udhëhoqi vjen pas më shumë se një çerek shekulli. Sot është e vështirë të gjendet ndonjë kopje e botimit të parë në shqip të këtij libri, botuar nga shtëpia botuese “Çabej”. Në pamje të parë, kjo mund të duket thjesht si një mungesë fizike. Por, në thelb, është një boshllëk që duhet plotësuar, veçanërisht kur bëhet fjalë për vepra serioze shkencore mbi historinë e vendit dhe të kombit tonë.

Rëndësia e librit të Bernd Fischer-it shkon përtej rivlerësimit historik të një mbreti dhe të periudhës së qeverisjes së tij. Ai lidhet me një nga proceset më të rëndësishme në historinë moderne të Shqipërisë: krijimin dhe konsolidimin e institucioneve të shtetit modern shqiptar. Njëkohësisht, ky libër ngre një pyetje me të cilën shoqëria shqiptare dhe bota e saj akademike ende nuk janë ballafaquar në mënyrë të mjaftueshme: si mund të kuptohet historia e një kombi dhe e shtetit të tij, kur periudha të tëra historike janë interpretuar, shtrembëruar apo edhe fshirë përmes narrativave ideologjike të një regjimi totalitar?

Kjo pyetje merr një rëndësi të veçantë kur historia është politizuar në ekstrem për të glorifikuar një histori tjetër politike, atë të regjimit komunist, e cila u paraqit si kapitulli më i rëndësishëm i historisë së kombit dhe të shtetit. Sipas narrativës së diktaturës komuniste, kombi dhe sidomos shteti fillonin me komunizmin dhe Enver Hoxhën, në kontrast me “tradhtarët”, si Mbreti Zog dhe të gjithë ata të tjerët që, sipas propagandës zyrtare, “e kishin shkatërruar, varfëruar dhe shitur Shqipërinë”.

Kësisoj, mungesa e librit për Mbretin Zog nuk është thjesht një mungesë fizike. Tridhjetë e pesë vjet pas rënies së komunizmit, ende nuk ka pasur një rivlerësim mjaftueshëm gjithëpërfshirës dhe kritik të historisë moderne të Shqipërisë, ndërsa elemente të rëndësishme të historiografisë komuniste vazhdojnë të mbeten kryesisht të pasfiduara. Ato vijojnë të ndikojnë në perceptimet publike për të kaluarën, përfshirë edhe gjeneratat e reja, të lindura pas rënies së regjimit komunist.

Prandaj, arsyeja e parë e ribotimit në shqip të librit të Fischer-it për Mbretërinë dhe Mbretin e Shqipërisë moderne është t’i jepet një mundësi tjetër brezit të ri shqiptar për të njohur historinë e shtetit dhe të vendit të vet, historinë e shtetit, por edhe të kombit. Ndoshta rikthimi në vëmendje i kësaj vepre historike mund të nxisë një reflektim, së pari në shoqërinë shqiptare, por edhe në botën akademike, mbi nevojën për një rivlerësim serioz të së kaluarës dhe për kontribute të pavarura shkencore në studimin e historisë.

2

Kur, pothuajse tridhjetë vjet më parë, libri i Bernd Fischer-it, King Zog and the Struggle for Stability in Albania, u botua në shqip, duhet të them se kisha një interes të trefishtë për ta lexuar. Libri për “Mbretin Zog”, njëherazi një libër mbi një nga periudhat më të rëndësishme të historisë moderne të Shqipërisë, ishte botuar në Perëndim më 1984. Por ai nuk kishte mundur kurrë të kalonte perden e hekurt të izolimit ekstrem të Shqipërisë, qoftë politik, intelektual apo të çfarëdo natyre tjetër. Deri më 1990, Shqipëria mbeti një nga bastionet e fundit të stalinizmit në botë.

Së pari, kisha një kuriozitet të jashtëzakonshëm dhe shumë personal për të lexuar “librin për Mbretin Zog”. Interesi im i parë lidhej me familjen time, veçanërisht me nënën time, por mbi të gjitha me babanë e saj, gjyshin tim, një nëpunës të “regjimit antipopullor të Zogut”, megjithëse në të vërtetë kishte qenë një nëpunës jo i ndonjë rangu të lartë.

Për një kohë të gjatë, gjyshi im nga nëna kishte qenë “njolla e zezë në biografinë time politike” gjatë komunizmit. Edhe moshatarët dhe shokët e mi të shkollës tetëvjeçare “Xhafer Tefiku” në Barmash të Kolonjës, megjithëse më donin shumë, e dinin se unë vija nga një familje e “deklasuar” dhe se duhej të ishin të kujdesshëm në shprehjen e dashurisë dhe respektit ndaj meje.

Deri më 1990, gjyshi im, nëpunësi i “regjimit satrap të Zogut”, më ka ndjekur nga pas me një dashuri të patreguar, krejt të ngjashme me atë të nënës sime të ndjerë. Por, tragjikisht, ai ka qenë edhe një barrë politike, krejtësisht e pakuptueshme dhe e pakapërcyeshme, që ndikonte në shkollimin, punën dhe karrierën time gjatë komunizmit.

Kështu, kur mora ftesën për të qenë i pranishëm në prezantimin e librit Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri, u gëzova dhe u drithërova njëkohësisht. Ishte si një ritakim me gjyshin tim, të cilin e kam ende të gjallë në kujtesë, ndonëse nuk kam qenë më shumë se pesë apo gjashtë vjeç kur ai “na bëri një shenjë të gjithëve dhe iku”. Interesi im i parë ishte të njihja “regjimin antipopullor”, regjimin e “satrapit Zog”, për të cilin kishte punuar gjyshi dhe që për mua ishte shndërruar në një enigmë.

Interesi im i dytë ishte thjesht kurioziteti i çdo shqiptari për të njohur historinë e vendit të tij, në mënyrë të veçantë një histori që ishte përshkruar si një nga periudhat më të errëta të së kaluarës së Shqipërisë. Dhe së fundi, por jo për nga rëndësia, kisha një interes të veçantë akademik si student i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe i historisë. Marrëdhëniet ndërkombëtare, historia dhe politika e jashtme ishin pasioni im i ri intelektual atëherë dhe mbeten të tilla edhe sot, kur kanë kaluar më shumë se tri dekada.

Ashtu siç e prisja, libri i Bernd Fischer-it për Mbretin Zog përmbyste narrativat zyrtare të regjimit komunist, por edhe interpretimin e historiografisë komuniste për “regjimin gjakatar të Zogut”. Në të njëjtën kohë, ai ishte një lloj “rehabilitimi” për gjyshin tim të ndjerë, por edhe një tronditje dhe një burim hutimi për shumë prej studentëve të mi të historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ata vijonin të ishin po aq të indoktrinuar nga narrativa komuniste për “regjimin antipopullor të Zogut” sa edhe prindërit e tyre, të cilët, megjithëse nuk kishin jetuar asnjë ditë nën qeverisjen e Mbretit, vazhdonin të besonin në historinë “legjendare” dhe “unikale” të Shqipërisë. Sipas kësaj historie, periudha e Zogut kishte qenë më e prapambetura, më e pazhvilluara, më e varfra dhe më e paditura nga të gjitha periudhat e tjera dhe, sigurisht, një regjim i drejtuar kundër popullit.

Në një këndvështrim tjetër, botimi në shqip i librit të Bernd Fischer-it për Mbretin Zog dhe Shqipërinë politike që ai udhëhoqi ishte një shuplakë për historiografinë shërbyese të periudhës komuniste, e cila, nën terrorin e regjimit, kishte sakrifikuar parimet themelore akademike të shkrimit dhe interpretimit të historisë.

Siç do të shprehej më vonë vetë Bernd Fischer, “historianët shqiptarë thjesht amplifikuan shpifjet e Enver Hoxhës për Mbretin Zog dhe qeverisjen e tij”. Dhe ndoshta ai ka të drejtë kur sugjeron se, nëse historianët e kohës së komunizmit nuk do ta kishin bërë këtë, thjesht do të kishin përfunduar viktima të regjimit komunist.

Për këdo që ka jetuar në Shqipërinë komuniste, argumenti i Fischer-it është plotësisht i besueshëm. Historianët që do të kishin guxuar të tregonin të vërtetën për Shqipërinë nën Mbretin Zog, për jetën dhe qeverisjen e tij, për idetë dhe vizionin e tij mbi ndërtimin e shtetit, mund të ishin përballur me pasoja shumë të rënda. Dhe, pikërisht sepse mund të përfundonin viktima të regjimit, Fischer sugjeron se nuk mund t’i dënojmë thjesht për këtë.

Megjithatë, ekziston një dallim i rëndësishëm midis të kuptuarit të rrethanave në të cilat punonin historianët gjatë diktaturës dhe pranimit të vazhdimësisë së narrativave të tyre ideologjike pas rënies së saj. Frika dhe detyrimi mund të shpjegojnë kompromiset intelektuale të së kaluarës. Por ato nuk mund të justifikojnë mungesën e një rivlerësimi kritik në një shoqëri që ka rifituar lirinë.

Pavarësisht kësaj, të gjithë kemi një shkallë përgjegjësie për t’u ballafaquar me kulturën totalitare të krijuar gjatë komunizmit. Rishkrimi i historisë përmes librave dhe botimeve të çliruara nga kontrolli ideologjik është i domosdoshëm, jo vetëm për të njohur dhe respektuar historinë e vendit, të shtetit dhe të kombit tonë, si dhe ata që kontribuuan në ndërtimin e tyre, por edhe për të kapërcyer trashëgiminë e kësaj kulture totalitare. Më shumë se tri dekada pas rënies së regjimit shtypës, elemente të kësaj trashëgimie mbeten ende të gjalla dhe vazhdojnë të përbëjnë pengesa për modernizimin, lirinë dhe zhvillimin.

Prandaj ishte e natyrshme që, pas rënies së komunizmit, të pritej një reflektim i thellë në të gjithë shoqërinë dhe, në mënyrë të veçantë, në botën akademike, midis historianëve dhe studiuesve. Një reflektim i tillë duhej të përfshinte rishikimin e “të vërtetave që ata kishin shkruar dhe botuar nën regjimin e hekurt”, kur, në fakt, e vërteta jo vetëm ishte fshehur, por ishte manipuluar qëllimisht.

Kjo vlen për të gjithë historinë moderne të Shqipërisë, duke filluar nga periudha e qeverisjes së Mbretit Zog, duke vijuar me Luftën e Dytë Botërore dhe deri te e ashtuquajtura “periudhë e lavdishme” e Shqipërisë së Enver Hoxhës. Por rivlerësimi që me të drejtë mund të pritej ka mbetur i kufizuar dhe i paplotë.

Tridhjetë e pesë vjet pas rënies së regjimit komunist, historiografia shqiptare ende nuk ka arritur të prodhojë një rivlerësim mjaftueshëm gjithëpërfshirës, të pavarur dhe kritik të monarkisë dhe të rolit të saj në formimin e shtetit modern shqiptar.

Për fat të keq, ka pasur gjithashtu pak përpjekje serioze për të rishikuar dhe modernizuar trajtimin e kësaj periudhe në kurrikulat e historisë në nivele të ndryshme të arsimit shqiptar, përfshirë universitetet. Kur një akademik i ri, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, propozoi botimin e një pulle postare me emrin dhe portretin e Mbretit Zog, propozimi për të nderuar Mbretin u hodh menjëherë në koshin më të afërt të plehrave të Akademisë.

Periudha e qeverisjes së Mbretit Zog është një kapitull kyç në historinë moderne të shtetit dhe të kombit shqiptar. Një rivlerësim serioz i një periudhe kaq themelore ka rëndësi të veçantë, dhe një libër i një historiani të talentuar dhe autoritativ si Bernd Fischer ofronte një mundësi të shkëlqyer.

Por libri i Fischer-it u “refuzua” në një masë të madhe nga një pjesë e “elitës intelektuale të Shqipërisë postkomuniste”, e cila, për fat të keq, herë-herë ngjante si dy pika uji me “inteligjencien revolucionare”, siç e quante Enver Hoxha dhe institucionet e tij të propagandës.

Në vend që libri të bëhej pjesë e kurrikulave të departamenteve të historisë në universitetet shqiptare, ai u la kryesisht në hije. Një arsye ishte padyshim indoktrinimi komunist dhe ndikimi i vazhdueshëm i narrativës komuniste shumë kohë pas rënies së regjimit. Por një arsye tjetër, jo e parëndësishme dhe jo lehtësisht e kapërcyeshme, lidhej me hierarkinë akademike në Shqipëri: shumë historianë dhe akademikë shqiptarë kishin ndërtuar karrierat e tyre dhe ishin ngjitur në shkallët e hierarkisë akademike duke propaganduar një histori të shtrembëruar ideologjikisht të Shqipërisë nën Mbretin Zog.

Rishikimi i kësaj historie do të kërkonte, pra, shumë më tepër sesa ndryshimin e interpretimit të një periudhe të caktuar. Ai do të nënkuptonte edhe vënien në pikëpyetje të themeleve intelektuale mbi të cilat një pjesë e institucioneve dhe elitës akademike të vendit kishte ndërtuar autoritetin e vet.

3

Ismail Kadare ka një tregim sa të thjeshtë, aq edhe të jashtëzakonshëm, “Koha e shkrimeve”, në të cilin, përmes një konteksti dhe një detaji të vetëm, mund të kuptosh shkallën e paimagjinueshme të indoktrinimit nën komunizëm, kur ishte fjala për Mbretin Zog dhe qeverisjen e tij.

Vehapi, mësuesi i botanikës dhe i historisë, kishte zakon t’u kërkonte nxënësve ta lidhnin mësimin e historisë me të tashmen. Dhe kjo kërkesë e zakonshme e profesor Vehapit synonte të nxirrte në pah kontrastin e madh midis historisë së periudhave të mëparshme të Shqipërisë, sigurisht “periudhave të errëta”, dhe historisë “së ndritur” të Shqipërisë Socialiste nën komunizëm.

Është njëkohësisht komike dhe tragjike kur Genci, i cili kishte marrë një dysh në matematikë, ngrihet në mësim edhe në orën e botanikës, përballë profesor Vehapit, ku duhej të shpjegonte asimilimin e klorofilit. Duke qenë krejtësisht i papërgatitur, “tapë topi”, siç thotë Kadare, Genci priste që Vehapi t’i kërkonte ta lidhte temën e asimilimit të klorofilit me të sotmen. Dhe meqenëse profesor Vehapi nuk po e bënte këtë, nxënësi vendosi ta bënte vetë lidhjen, duke e vendosur asimilimin e klorofilit në raport “me të shkuarën dhe të sotmen” dhe duke deklaruar me një ndjenjë triumfi:

“Asimilimit të klorofilit nuk i është kushtuar fare rëndësi nën regjimin antipopullor të Zogut.”

Sigurisht, kjo ishte edhe mënyra e Kadaresë për të përqeshur regjimin. Ishte viti 1984 dhe Hoxha ishte ende gjallë. Megjithatë, tregimi arriti të kalonte filtrat vigjilentë dhe censurën e regjimit. Ai u botua përpara novelës “Nata me hënë”, e cila u kritikua në heshtje, duke e vënë shkrimtarin edhe një herë në shënjestër.

Por, përtej sarkazmës së Kadaresë, ky tregim ilustron me një qartësi të jashtëzakonshme shkallën e frikshme të indoktrinimit. Dhe ne, “moshatarët” e Gencit, protagonistit të tregimit, jemi të gjithë dëshmitarë të këtij indoktrinimi ekstrem.

Por jo vetëm ne. Të paktën tri gjenerata, që nga ardhja e komunistëve dhe Enver Hoxhës në pushtet, kanë qenë dëshmitare të një fushate propagandistike agresive dhe shumëplanëshe, që synonte të përbaltte, të nënçmonte dhe të dënonte historinë e mëparshme të Shqipërisë dhe protagonistët e saj, përfshirë Mbretin Zog dhe kontributin e tij në hedhjen e themeleve të një shteti modern, duhet ta përsëris, të Shqipërisë moderne.

Hoxha dhe komunistët ngritën legjendën e tyre, dhe ardhja e tyre në pushtet shënonte vitin zero për shtetin, kombin dhe atdheun. Gjithkush që kishte qenë përpara tyre u shpall injorant, antidemokrat, shtypës i popullit dhe, sigurisht, tradhtar i atdheut.

Të gjithë e mbajmë mend narrativën shtypëse, thuajse të përditshme, të regjimit, sipas së cilës “arritjet e shkëlqyera të Shqipërisë Socialiste” krahasoheshin me vitin 1938, pra me “regjimin e prapambetur të Zogut”. Pikërisht në këtë rishkrim sistematik të së kaluarës duhet kërkuar shpjegimi se përse narrativa e Enver Hoxhës për Mbretin Zog ka rezultuar kaq jetëgjatë, duke vijuar të ndikojë në perceptimet edhe të gjeneratave të reja.

Historiani Bernd Fischer, autori i këtij libri, shkruante në shtator 2025 se ndihej shumë i habitur nga fakti “që kaq shumë njerëz në Shqipëri, madje edhe nga brezi i ri, kanë një mendim negativ për Mbretin Zog, ose të paktën dinë shumë pak për të”.

Një historian si Fischer, që ia ka kushtuar jetën e tij akademike Shqipërisë dhe ka sjellë disa vepra të shkëlqyera mbi historinë tonë të njëqind viteve të fundit, ka edhe një shpjegim për këtë. Gënjeshtrat dhe mitet shpifëse të Enver Hoxhës dhe regjimit të tij për Mbretin Zog përbënin një proces të thellë indoktrinimi. Narrativa negative u përhap nëpër shkolla dhe në çdo lloj mediumi, jo vetëm në histori, por edhe në letërsi, arte dhe filma.

Por sigurisht ka edhe arsye të tjera përse kjo kulturë totalitare dhe narrativa komuniste për Zogun dhe vitet e qeverisjes së tij mbeten ende të gjalla. Së pari, nuk do të ishte e pavërtetë të thuhej se ekziston një mungesë vullneti për t’u ballafaquar me të kaluarën, në mos gjendja është edhe më e rëndë se kaq. Mjafton të kujtojmë, për shembull, propozimin e bërë në Parlament në vitin 2025 për të nderuar Enver Hoxhën. A ishte ky thjesht një aksident?

Mungesa e studimeve serioze shkencore, e veprave dokumentare dhe e interpretimeve kritike për periudha të ndryshme të historisë moderne të Shqipërisë ka ndikuar në mbijetesën e miteve të vjetra. Në rastin e Mbretit Zog, vepra e Fischer-it mbetet ndër kontributet më të rëndësishme shkencore. Akoma më për të ardhur keq është fakti se disa interpretime vijojnë të riprodhojnë elemente të narrativës komuniste, përfshirë edhe pjesë të komunitetit akademik shqiptar, brenda dhe jashtë vendit.

Gënjeshtrat, shpifjet dhe demonizimi i Mbretit, si për shembull se “Mbreti vodhi floririn”, “u arratis nga Shqipëria”, “nuk hodhi asnjë pushkë kundër pushtuesve fashistë” dhe “vodhi arkën e shtetit dhe u arratis”, janë ndër akuzat që vazhdojnë të qarkullojnë edhe sot.

Një autore shqiptare, libri i së cilës u botua në Perëndim, jep një ilustrim të vazhdimësisë së këtyre narrativave. Ndërsa në pjesën e parë të librit mësuesja e autores përfaqëson narrativën zyrtare komuniste për Zogun, “që vodhi thesarin e shtetit dhe u arratis”, në pjesën e fundit të këtij libri, diçka midis një eseje dhe një ditari, vetë autorja përsërit të njëjtin interpretim për Mbretërinë dhe Mbretin, duke shkruar:

“Fushata elektorale e Princit Leka, më 1997, duket shumë e pasur, dhe me siguri janë paratë që Mbreti Zog u vodhi shqiptarëve ditën e arratisjes nga vendi në prill 1939.”

Nëse gjatë komunizmit ishte e pamundur të konsultoheshin të gjitha dokumentet dhe historianët e shkencëtarët politikë të kohës ishin të detyruar të ndiqnin versionin zyrtar të historisë, sot nuk ka asnjë justifikim për të përsëritur akuza të tilla pa shqyrtuar provat historike.

Për shembull, akademikët e sotëm mund të konsultonin edhe një dokument tjetër: dëshminë e ambasadorit amerikan në Tiranë, të sjellë në një libër të Ilir Ikonomit, botuar nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare. Ish-ambasadori shkruan se ishte thirrur në një audiencë të veçantë nga Mbreti Zog dy ditë përpara pushtimit italian dhe se Mbreti, me lot në sy, i kishte kërkuar t’i thoshte Presidentit të Shteteve të Bashkuara të shpëtonte Shqipërinë, sepse “vetëm Shtetet e Bashkuara mund ta bënin këtë”.

Edhe akuza se Zogu u arratis pa bërë asnjë rezistencë kundër pushtuesve meriton një shqyrtim historik shumë më serioz, në vend të përsëritjes së një narrative politikisht të leverdishme.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, disa monarkë dhe familje mbretërore europiane zgjodhën rrugën e mërgimit pas pushtimit të vendeve të tyre. Largimi i tyre nuk nënkuptonte domosdoshmërisht braktisjen e kombeve që përfaqësonin. Në një numër rastesh, mërgimi shërbeu si një mënyrë për të ruajtur përfaqësimin politik, vazhdimësinë juridike të shtetit dhe rezistencën ndaj pushtimit të huaj.

Rrethanat nuk ishin identike dhe zgjedhjet e monarkëve europianë ndryshonin nga njëri vend në tjetrin. Megjithatë, përvojat e monarkive norvegjeze, holandeze, greke dhe jugosllave tregojnë se largimi nga një vend i pushtuar mund të kuptohej edhe në kuadrin e ruajtjes së vazhdimësisë së shtetit.

Në prill 1939, kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë, Mbreti Zog I refuzoi të nënshkruante dorëzimin dhe u largua nga vendi së bashku me familjen dhe një pjesë të qeverisë. Ai nuk abdikoi kurrë zyrtarisht dhe vijoi ta konsideronte veten kryetarin legjitim të shtetit shqiptar në mërgim. Ai kërkoi mbështetje në Greqi, Turqi, Francë, Britani dhe Egjipt për organizimin e rezistencës shqiptare, megjithëse rrethanat ndërkombëtare dhe kufizimet politike me të cilat u përball nuk lejuan që këto përpjekje të jepnin rezultatet që ai synonte.

Nëse vendimet e tij ishin më të efektshmet apo më të përshtatshmet në rrethanat e kohës, kjo është një pyetje legjitime për historianët. Por një pyetje e tillë nuk mund të marrë përgjigje përmes formulave të thjeshtëzuara të propagandës komuniste.

Vlerësimi historik i Mbretit Zog, përfshirë edhe largimin e tij në prill 1939, kërkon shqyrtimin e rrethanave politike, ushtarake dhe diplomatike të kohës. Vetëm një qasje e tillë mund të dallojë përgjegjësinë historike nga mitologjia politike.

4

Prej kohësh kam menduar se titulli Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri i rri pak ngushtë një libri që përshkruan, analizon dhe dokumenton, përmes një qasjeje kritike, procesin e ndërtimit të shtetit modern shqiptar.

Kështu e kam kuptuar librin që në leximin e parë dhe kështu e kam diskutuar me autorin sa herë që kemi folur për këtë periudhë historike dhe për rolin e Mbretit Zog.

Me këtë ide në mendje, i propozova Bernd Fischer-it ribotimin në shqip të librit të tij të vitit 1984, edhe si një mënyrë për t’iu përgjigjur nevojës për të njohur hapat e parë, ose më saktë, vetë themelet e shtetit modern shqiptar.

Është i njëjti libër, por me një parathënie të re nga autori, ku, ndër të tjera, ai thekson pikërisht rolin e Mbretit në hedhjen e themeleve të shtetit. Ndoshta kjo mund të shërbejë edhe si një thirrje për të gjithë në Shqipëri që të reflektojnë mbi historinë dhe t’u japin vendin e merituar të gjithë atyre që kontribuuan, dhe mënyrës se si kontribuuan, në bërjen e Shqipërisë.

Edhe titulli është i ri. Mbreti Zog dhe themelet e Shqipërisë moderne është, në fakt, fryt i një “konsultimi trepalësh”: i Bernd Fischer-it, si autor; i Ilir Ikonomit, një historiani që, me integritet të admirueshëm akademik, ka sjellë monografi për rivalët dhe kundërshtarët e Mbretit, si Konica dhe Noli; dhe i imi, të cilit ende nuk i është zbehur pasioni për kërkimet mbi ndërtimin e shtetit. Ky konsultim u zhvillua në Librarinë “Tirana Times”, gjatë javës së tretë të tetorit 2025.

Dëshiroj të theksoj se këto shënime, që shoqërojnë botimin e ri të këtij libri, nuk synojnë të idealizojnë apo të glorifikojnë rolin e Mbretit Zog në historinë e Shqipërisë. Përkundrazi, ato synojnë të ftojnë lexuesit, studiuesit dhe studentët e historisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare ta lexojnë librin e Fischer-it për “Mbretin” nga këndvështrimi i formimit të shtetit modern shqiptar.

Pas shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912, Shqipëria ishte, në kuptimin më themelor të fjalës, “një shtet pa shtet”: pa një administratë të konsoliduar, pa një ushtri kombëtare funksionale, pa financa publike të organizuara, pa kontroll efektiv mbi territorin e vet dhe me statusin ndërkombëtar e kufijtë ende të varur nga vendimet dhe rivalitetet e fuqive të mëdha. Këto ishin kushte sine qua non për ekzistencën dhe funksionimin e një shteti sovran.

Në këtë kontekst, Zogu, që nga viti 1920 dhe më pas si kryeministër, president dhe, më vonë, Mbret i Shqiptarëve (1928–1939), luajti një rol qendror në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve të shtetit shqiptar. Në një vend që karakterizohej ende nga struktura të fuqishme fisnore, ndarje krahinore, institucione të dobëta dhe besnikëri politike konkurruese, ai synoi të vendoste një autoritet qendror funksional dhe ta transformonte Shqipërinë në një shtet modern.

Gjatë qeverisjes së tij, administrata, ushtria, sistemi gjyqësor dhe ai financiar u riorganizuan dhe u konsoliduan. U krijua një monedhë kombëtare dhe Kushtetuta e vitit 1928 vendosi një kuadër të ri institucional për monarkinë, duke u mbështetur në modelet kushtetuese europiane. Shteti shqiptar fitoi një shkallë më të lartë kohezioni administrativ, stabiliteti politik dhe aftësie për të ushtruar autoritetin e tij në të gjithë territorin e vendit.

Reformat e Zogut në arsim, drejtësi, ekonomi dhe kulturë kontribuuan në hedhjen e themeleve të modernitetit shqiptar. U hapën shkolla, u themelua Banka Kombëtare, u kodifikuan ligjet dhe u forcua administrata civile. Përpjekjet e tij për të afirmuar sovranitetin e Shqipërisë, për të ruajtur një ekuilibër diplomatik midis fuqive të kohës dhe për ta afruar vendin me Europën përbënin një pjesë të rëndësishme të këtij procesi.

Asgjë nga këto nuk do të thotë se sistemi politik i vendosur nga Zogu ishte demokratik, apo se modernizimi i shtetit shqiptar ishte pa kufizime dhe kundërthënie serioze. Qeverisja e tij ishte autoritare, konkurrenca politike ishte e kufizuar dhe varësia gjithnjë e më e madhe financiare dhe politike e Shqipërisë nga Italia fashiste vendosi, në fund, kufizime të rënda mbi sovranitetin e vendit.

Por karakteri autoritar i një regjimi politik dhe kontributi i tij në ndërtimin e shtetit nuk e përjashtojnë domosdoshmërisht njëri-tjetrin. Krijimi i institucioneve, konsolidimi i autoritetit shtetëror dhe modernizimi i administratës publike duhen dalluar në rrafshin analitik nga demokratizimi i jetës politike. Një vlerësim serioz historik kërkon që të dyja këto dimensione të shqyrtohen, në vend që njëri të përdoret për të mohuar tjetrin.

Pikërisht ky dallim e bën kaq të rëndësishëm kontributin e Fischer-it. Libri i tij ofron mundësinë për ta shqyrtuar qeverisjen e Zogut jo përmes kategorive ideologjike të trashëguara nga komunizmi dhe as përmes një glorifikimi jokritik të monarkisë, por duke u mbështetur në realitetet politike dhe institucionale të Shqipërisë gjatë një prej periudhave më përcaktuese të historisë së saj moderne.

Zogu nuk ishte thjesht një monark. Ai ishte një nga arkitektët kryesorë të shtetit modern shqiptar, që synonte t’i jepte kombit institucione të qëndrueshme, stabilitet politik dhe një identitet politik europian. Arritjet, dështimet dhe kundërthëniet e tij i përkasin së njëjtës histori dhe duhen shqyrtuar së bashku.

Pikërisht në këtë kuptim, Mbreti Zog meriton njohjen historike që sugjeron Bernd Fischer: “Babai themelues i shtetit modern shqiptar”.

Njohja e këtij roli nuk kërkon që ne të idealizojmë Mbretin apo periudhën e qeverisjes së tij. Ajo kërkon diçka shumë më të rëndësishme: vullnetin për t’u ballafaquar me historinë tonë pa paragjykime ideologjike, për të dalluar procesin e ndërtimit të shtetit nga mitologjia politike që e ka shoqëruar dhe për të njohur kontributet e atyre që ndihmuan në ndërtimin e Shqipërisë moderne, pavarësisht regjimeve që erdhën pas tyre.

Tridhjetë e pesë vjet pas rënies së komunizmit, kjo mbetet jo vetëm një përgjegjësi akademike, por edhe një domosdoshmëri intelektuale dhe qytetare. Një shoqëri nuk mund ta kuptojë plotësisht shtetin që ka trashëguar, apo shtetin që dëshiron të ndërtojë, pa u ballafaquar më parë me historinë e krijimit të tij.

SHPËRNDAJE