Si vizioni i një studiuesi dhe mbështetja e kryeministrit Edi Rama bënë të mundur ardhjen e një prej institucioneve më prestigjioze europiane në Shqipëri

Nga Nora Ahmeti

Në orën 18:00 të 2 dhjetorit 2022, Albert Rakipi, një emër i njohur në qarqet akademike, diplomatike dhe të politikës së jashtme, hyri në zyrën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Takimi ishte dakordësuar vetëm 24 orë më parë, pas një mesazhi të shkurtër që Rakipi i kishte dërguar kryeministrit: “Kam një ide të rëndësishme që dua t’ju paraqes.”

Ideja ishte e guximshme: sjellja e Kolegjit të Europës në Shqipëri dhe hapja e kampusit të tij të tretë në Tiranë.

Katër ditë më vonë, më 6 dhjetor, kryeqyteti shqiptar do të priste Samitin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ishte hera e parë që një samit i këtij formati organizohej jashtë territorit të vendeve anëtare të BE-së. Për një ditë, Tirana do të shndërrohej në kryeqytetin diplomatik europian të Ballkanit, duke pritur drejtuesit e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian, si dhe udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Për Albert Rakipin, kryetar i Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare (AIIS), ky ishte një rast që nuk duhej humbur.

“Ishte momenti i duhur. Nuk mund të kishte një rast më të mirë për t’u kërkuar udhëheqësve të vendeve anëtare dhe institucioneve të Bashkimit Europian hapjen e kampusit të tretë të Kolegjit të Europës në Tiranë”, kujton Rakipi.

Ideja nuk kishte lindur atë dhjetor. “Prej shumë vitesh isha përpjekur të ndërtoja një marrëdhënie bashkëpunimi ndërmjet Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare dhe Kolegjit të Europës. Kisha zhvilluar disa vizita dhe takime. Në njërin prej tyre, me një person të rëndësishëm në hierarkinë e Kolegjit, kisha diskutuar edhe idenë e hapjes së kampusit të tretë në Ballkan. Përgjigjja kishte qenë shumë diplomatike. Aq diplomatike, sa duhej ta kuptoja se propozimi im ishte konsideruar pothuajse një marrëzi.”

Por kur u përmend për herë të parë mundësia e organizimit të Samitit të Bashkimit Europian në Tiranë, mendova se ky ishte rasti që duhej shfrytëzuar. Ishte një mundësi e jashtëzakonshme, ndoshta e papërsëritshme.

Gjithçka mund të kishte ndodhur ndryshe. Kryeministri mund të kishte qenë në udhëtim, mund të kishte qenë i zënë ose, për një apo një mijë arsye, mund të mos më kishte pritur pas mesazhit tim: ‘Kam një ide të rëndësishme që dua t’ju paraqes.’ Por ai iu përgjigj menjëherë kërkesës sime.”

Takimi u zhvillua më 2 dhjetor 2022, vetëm katër ditë përpara Samitit të Tiranës.

“U takuam në zyrën e tij të madhe, me të gjitha ato shkaravinat e tij, në  mure që ai i quan piktura…

Fillova t’i shpjegoja idenë time: hapjen e kampusit të tretë të Kolegjit të Europës në Shqipëri, në Tiranë.

Fola për rreth 15 minuta. I tregova historinë e Kolegjit, themelimin e tij në Bryzh në vitin 1949, hapjen e kampusit të dytë në Natolin të Polonisë në vitin 1992 dhe mesazhin e fuqishëm politik që kishte përcjellë kjo nismë për integrimin e ish-Europës komuniste.

Tani, i thashë, kishte ardhur koha për Ballkanin Perëndimor. Hapja e një kampusi të tretë në Tiranë do të përcillte një mesazh po aq të fuqishëm për të ardhmen europiane të rajonit.

E përfundova prezantimin me një kërkesë të drejtpërdrejtë: qeveria shqiptare, ju si kryeministër, duhet ta paraqisni këtë propozim në Samitin e Bashkimit Europian që do të mbahet këtu në Tiranë.”

Ndërsa po flisja, vura re se kryeministri po merrej me telefonin. Është një zakon i tij  I llahtarshëm që besoj se edhe shumë të tjerë e kanë përjetuar: ti flet dhe ai merret me telefonin. Mendova se ndoshta nuk po më dëgjonte.

Por, përpara se të mbaroja, më tha:

‘Vazhdo, se po të dëgjoj. Po kërkoj numrin e Mogherinit që të flas me të.’

Bëhej fjalë për Federica Mogherinin, në atë kohë rektore e Kolegjit të Europës, një mike e Shqipërisë dhe e Edi Ramës.

‘Mbarova’, i thashë. ‘Kjo ishte ideja.’

‘Dakord’, tha ai. ‘Më sill dhjetë faqe për propozimin, që t’ua jap udhëheqësve në samit.’

‘Unë kam përgatitur 50 faqe’, iu përgjigja, ‘por mendoj se dy faqe mjaftojnë. Macron, Scholz apo të tjerët dy duar kanë.’

‘Dakord. Po ne çfarë duhet të ofrojmë për Kolegjin?’, më pyeti.

‘Godinën më të bukur, në qendër të Tiranës’, iu përgjigja. ‘Një godinë ku të shkruhet në frëngjisht dhe anglisht: Kolegji i Europës – Kampusi i Tiranës.’

I propozova edhe vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha në Bllok, si për vendndodhjen, ashtu edhe për simbolikën e jashtëzakonshme që do të kishte shndërrimi i saj në një institucion europian. Një tjetër alternativë ishte godina e Rektoratit të Universitetit të Tiranës, një nga veprat më përfaqësuese të racionalizmit italian në arkitekturën e kryeqytetit, pjesë e trashëgimisë së çmuar arkitekturore të Tiranës së viteve 1930–1940.

Takimi zgjati pak më shumë se 40 minuta.

Të nesërmen, rreth mesditës, kryeministri më telefonoi.

‘Fola me Mogherinin’, më tha. ‘Është një ide e shkëlqyer. Keni mbështetjen time. Të ecim përpara.’”

Tre ditë  më vonë më 6 Dhjetor  2022 në orën 11.56  në telefonin tim mbëriti ky mesazh nga  Kryeminsitri Rama:” Iku kjo, e morën me lumturi propozimin 🤣”

Nga propozimi te mbështetja europiane

Për Rakipin, mbështetja e menjëhershme e kryeministrit ishte vendimtare.

“Është një nga ato gjëra që mund të ndodhin një herë në një mijë vjet, ose mund të mos ndodhin kurrë”, thotë ai, duke kujtuar rrethanat në të cilat ideja mori mbështetjen e qeverisë shqiptare.

Rama e përfshiu propozimin në materialet që iu paraqitën drejtuesve europianë gjatë Samitit të Tiranës. Në përfundim të samitit, projekti kishte siguruar mbështetje në parim nga udhëheqës të rëndësishëm të Bashkimit Europian.

Rakipi thekson se kjo nuk do të kishte qenë e mundur pa angazhimin personal të kryeministrit. “Jam shumë mirënjohës kryeministrit Edi Rama për mbështetjen entuziaste që i dha këtij projekti. Jam i bindur se ardhja e Kolegjit të Europës në Shqipëri do të kishte qenë e pamundur pa mbështetjen e tij.” Marrëdhëniet e Ramës me drejtuesit e vendeve anëtare dhe institucioneve të BE-së, si dhe mënyra e tij shpesh jokonvencionale e komunikimit dhe lobimit, luajtën një rol të rëndësishëm në përparimin e nismës.

Një kontribut po aq i rëndësishëm ishte ai i Federica Mogherinit, rektore e Kolegjit të Europës në atë periudhë. “Jam mirënjohës Federica Mogherinit, një mikeje të Shqipërisë, e cila tha ‘po’ pa hezitim dhe iu përkushtua këtij projekti me një pasion të veçantë”, thotë Rakipi. “Kolegji ndoshta nuk do të kishte ardhur në Shqipëri nëse rektore nuk do të kishte qenë Mogherini.”

Mbështetja e presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe e drejtuesve të tjerë të BE-së i dha projektit peshën politike dhe institucionale të nevojshme.

Për Bashkimin Europian, hapja e kampusit të tretë në Tiranë ishte një investim afatgjatë në edukimin e brezave të rinj dhe në perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor.

Një ceremoni që shënoi fillimin e një kapitulli të ri

Në ceremoninë zyrtare të hapjes së zyrës së Kolegjit të Europës në Piramidën e Tiranës, Federica Mogherini nuk e fshehu entuziazmin.

“Po inaugurojmë sot, në Tiranën e bukur, zyrën e parë të Kolegjit të Europës, e cila do të hapë rrugën për krijimin e kampusit tonë, që do të fillojë aktivitetin në vitin akademik 2024–2025”, deklaroi ajo.

“Është vërtet një nder për mua. Jam shumë krenare. Shikoni buzëqeshjen time: është një buzëqeshje e vërtetë. Dua të falënderoj, së pari, të gjithë ata që e bënë të mundur këtë.”

Kampusi i Tiranës do të priste studentë nga Shqipëria, Ballkani Perëndimor dhe vendet e Bashkimit Europian. Në fazën fillestare u fol për një grup prej 31 studentësh.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cilësoi hapjen e Kolegjit si një zhvillim me rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe rajonin.

“Kjo është fantastike”, tha ajo. “Së pari, sepse një institucion i ekselencës në arsimin e lartë si Kolegji i Europës mund të kontribuojë në zhvillimin dhe prosperitetin e Shqipërisë dhe të rajonit. Por edhe sepse Kolegji do të forcojë përpjekjet për ta afruar Shqipërinë dhe rajonin me Bashkimin Europian.”

Në ceremoninë e 16 tetorit, von der Leyen e përshkroi kampusin si një dhuratë të ndërsjellë mes Europës dhe Shqipërisë.

“Këtu do të kemi studentë nga Shqipëria, nga i gjithë Ballkani Perëndimor dhe nga Bashkimi Europian. Ata do të hedhin themelet si udhëheqësit e së ardhmes”, deklaroi ajo.

Presidentja kujtoi se Kolegji i Europës kishte kampusin e tij të parë në Belgjikë dhe të dytin në Poloni, ndërsa Tirana po bëhej selia e kampusit të tretë.

“Kolegji erdhi në Poloni përpara se ajo të bëhej shtet anëtar i Bashkimit Europian dhe jam e bindur se e njëjta gjë do të ndodhë edhe me Shqipërinë.”

Ajo e cilësoi kampusin “një dhuratë të madhe nga Europa për Shqipërinë”, por njëkohësisht edhe “një dhuratë të madhe që Shqipëria i bën Europës”.

Kryeministri Rama, në fjalën e tij gjatë ceremonisë, u shpreh i befasuar nga shpejtësia me të cilën ishte realizuar projekti.

“Kush do ta kishte menduar se kjo do të ndodhte kaq shpejt? Dje presidentja e Komisionit njoftoi hapjen e aplikimeve, sot hapen dyert e zyrës përfaqësuese dhe vitin e ardhshëm studentët do të fillojnë studimet në Kolegjin e Europës në Tiranë. Diçka po ndodh dhe është vërtet e mrekullueshme.”

Rama e lidhi rëndësinë e projektit me nevojën për ndërtimin e institucioneve demokratike dhe forcimin e lidhjeve me Bashkimin Europian.

“Dija është dhurata më e jashtëzakonshme që Bashkimi Europian mund të na japë”, theksoi kryeministri.

Një institucion europian në zemër të Ballkanit

Kolegji i Europës është një nga institucionet më të vjetra dhe më prestigjioze të arsimit pasuniversitar në fushën e studimeve europiane. Ai u themelua në vitin 1949, pas Kongresit të Hagës të vitit 1948, nga personalitete që besonin në domosdoshmërinë e bashkimit politik dhe institucional të Europës.

Kampusi i parë u vendos në Bryzh të Belgjikës. Në vitin 1992, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, Kolegji hapi kampusin e dytë në Natolin, pranë Varshavës.

Hapja e kampusit në Poloni kishte një kuptim që shkonte përtej arsimit. Ajo shprehte vullnetin e Europës Perëndimore për të përfshirë vendet e ish-bllokut komunist në projektin e integrimit europian.

Tri dekada më vonë, një mesazh i ngjashëm do të përcillej nga Tirana.

Për Rakipin, zgjedhja e kryeqytetit shqiptar nuk ishte rastësi.

“Samiti i dhjetorit 2022 krijoi një mundësi të jashtëzakonshme. Procesi i zgjerimit në Ballkan kishte kaluar periudha të gjata ngadalësimi dhe ngecjeje. Europa kishte nevojë të përcillte një sinjal të ri besimi dhe angazhimi ndaj rajonit. Kolegji i Europës në Tiranë ishte pikërisht një projekt i tillë.”

Ai beson se Tirana ishte vendi i duhur për kampusin e tretë, jo vetëm për shkak të pozicionit të Shqipërisë në Ballkan, por edhe për simbolikën historike dhe politike të kësaj zgjedhjeje.

“Presidentja Ursula von der Leyen, presidenti Charles Michel dhe drejtues të tjerë në Bruksel mund ta shohin sot Kolegjin e Europës në Tiranë si një investim dhe një vizion strategjik për Ballkanin”, thotë Rakipi.

“Por ideja dhe projekti lindën në Tiranë, në Institutin Shqiptar për Studime Ndërkombëtare.”

Për të, ardhja e Kolegjit të Europës ka edhe një dimension personal.

“E gjithë kjo është si një ëndërr. Brenda një periudhe shumë të shkurtër, një ide që dukej pothuajse e pamundur u kthye në realitet. Jam shumë krenar që munda të ndihmoj vendin tim me një ide dhe një projekt të bukur, të dobishëm dhe  kaq të rëndesishme”

Një lidhje e përhershme e Shqipërisë me Perëndimin

Në vlerësimin e Rakipit, ardhja e Kolegjit të Europës në Tiranë përbën një prej zhvillimeve më domethënëse në historinë e arsimit shqiptar dhe në marrëdhëniet e vendit me Europën.

“Është një ngjarje me rëndësi historike, sepse përbën një tjetër hap drejt lidhjes së përhershme të Shqipërisë me Perëndimin”, thotë ai.

Kampusi i Tiranës e vendos Shqipërinë në një hartë të re akademike dhe institucionale europiane. Ai krijon mundësi për formimin e brezave të rinj të profesionistëve, diplomatëve, studiuesve dhe drejtuesve të ardhshëm, të cilët do të kontribuojnë në zhvillimet politike dhe institucionale të kontinentit.

Rakipi e krahason rëndësinë e këtij projekti me disa prej nismave më të njohura arsimore perëndimore në historinë moderne të Shqipërisë.

“Të sjellësh Kolegjin e Europës në Tiranë do të thotë të sjellësh një institucion arsimor perëndimor të klasit të parë. Në këtë kuptim, është ndoshta zhvillimi më i rëndësishëm i këtij lloji në arsimin shqiptar gjatë një shekulli, pas institucioneve të tilla si Liceu Francez i Korçës dhe Shkolla Amerikane e Harry Fultz në Tiranë.”

Megjithatë, rëndësia e kampusit nuk kufizohet vetëm te Shqipëria.

“Kolegji i Europës në Tiranë është, para së gjithash, një sinjal shprese dhe një simbol i angazhimit serioz të Bashkimit Europian ndaj Ballkanit Perëndimor”, thotë Rakipi.

Ai beson se institucioni do të nxisë bashkëpunimin akademik, shoqëror dhe kulturor ndërmjet vendeve të rajonit, si dhe marrëdhëniet e tyre me vendet anëtare të Bashkimit Europian.

Në një rajon ku trashëgimia e konflikteve dhe ndarjeve politike vazhdon të ndikojë marrëdhëniet ndërmjet shteteve, një institucion i përbashkët europian mund të luajë edhe një rol të rëndësishëm në afrimin e brezave të rinj dhe forcimin e pajtimit rajonal.

Instituti ku lindi projekti

Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare (AIIS), ku u konceptua dhe u përgatit propozimi për ardhjen e Kolegjit të Europës, është një organizatë kërkimore e pavarur, e përqendruar në marrëdhëniet ndërkombëtare, politikën e jashtme, sigurinë dhe integrimin europian.

I themeluar nga një grup akademikësh dhe ekspertësh të politikës së jashtme, AIIS është zhvilluar gjatë tri dekadave në një nga qendrat kryesore të kërkimit dhe analizës së politikave publike në Shqipëri.

Instituti ka kontribuar në debatet mbi sigurinë, demokracinë, integrimin euroatlantik, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe bashkëpunimin rajonal. Ai ka ndërtuar marrëdhënie me institucione akademike, organizata ndërkombëtare dhe qendra kërkimore në Europë, Shtetet e Bashkuara dhe më gjerë.

Përmes studimeve, botimeve, konferencave dhe forumeve të politikës së jashtme, AIIS ka sjellë në debatin shqiptar perspektiva dhe ekspertizë ndërkombëtare, duke përfshirë studiues, diplomatë dhe vendimmarrës nga vende të ndryshme.

Që prej vitit 2023, AIIS është pjesë e rrjetit të institucioneve akademike të Kolegjit Europian të Sigurisë dhe Mbrojtjes (ESDC).

Instituti është vlerësuar gjithashtu në renditjet ndërkombëtare të qendrave kërkimore, përfshirë Global Go To Think Tank Index të Universitetit të Pensilvanisë, ku është renditur ndër qendrat më të njohura të këtij profili në Shqipëri dhe rajon.

Profesori i Universitetit Johns Hopkins, Daniel P. Serwer, ka vlerësuar rolin e AIIS në transformimin demokratik dhe ndërkombëtar të Shqipërisë.

“Shqipëria ka bërë një përparim të jashtëzakonshëm gjatë 30 viteve të fundit dhe po lëviz me mençuri drejt shtëpisë së saj europiane. AIIS është njëkohësisht shkak dhe pasojë e këtij zhvillimi”, është shprehur ai.

“Fokusi i tij i mprehtë analitik mbi botën përtej Tiranës ka ndihmuar një vend dikur ndër më të izoluarit në botë të shndërrohet në një kontribues aktiv në rendin ndërkombëtar.”

Një ide që la gjurmë

Historia e ardhjes së Kolegjit të Europës në Shqipëri tregon se si një nismë akademike mund të shndërrohet në një projekt me rëndësi politike dhe institucionale kur gjen mbështetjen e duhur.

Nisma e Albert Rakipit, mbështetja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama, angazhimi i Federica Mogherinit dhe përkrahja e drejtuesve të Bashkimit Europian krijuan kushtet për realizimin e një projekti që vetëm pak vite më parë dukej i vështirë për t’u përfytyruar.

Kolegji i Europës në Tiranë është tashmë një realitet institucional. Përtej godinës ku zhvillohen studimet dhe numrit të studentëve që ndjekin programet e tij, ai mbart një kuptim më të gjerë: praninë e një institucioni të rëndësishëm europian në një vend që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.

Për Albert Rakipin, është gjithashtu dëshmi se një ide e guximshme, e paraqitur në momentin e duhur dhe e mbështetur me vendosmëri, mund të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve.

SHPËRNDAJE