Greqia mund të jetë ende një aset gjeopolitik për BE-në

2

Për shkak të gjithë problemeve ekonomike, gjeografia e Greqisë e vendos atë në një pozicion shumë të rëndësishëm. Thanos Dakos hedh një vështrim mbi rolin gjeopolitik që duhet të luajë Athina.

Kriza e Greqisë u shkaktua nga dështimi i qeverisjes kombëtare, por edhe nga dobësitë e sistemit të eurozonës: me siguri do të bëhet rast studimi në menaxhimin amator të krizave si nga autoritetet greke ashtu edhe ato të BE-së. Pa minimizuar në asnjë mënyrë përgjegjësinë e Greqisë, dështimi i BE-së në manaxhimin e krizës u pa në gjithë botën si shenjë dobësie, çka ka dëmtuar imazhin e BE-së si aktor global.

Rrjedhimisht, fakti se pasojat gjeopolitike të krizës greke janë injoruar gjerësisht ngjan si simptomë e pafuqisë së politikës së jashtme evropiane. Nuk është për t’u çuditur që analistët shohin se gjithnjë e më tepër Evropa po e humbet influencën globale, ndërkohë që po bëhet më introverte se kurrë ndonjëherë.

Një ‘’Grexit’’ mund të duket sikur ka më pak gjasa krahasuar me dy vitet e fundit, por Greqia ende ka karakteristikat e një shteti të dobët. Një shpërthim social ose ndonjë paralizë sociale, që do të parandalonte reformat nuk mund të përjashtohet. Gjendja e paqëndrueshme dhe e lëvizshme në periferinë e Evropës, që shkon nga kryengritjet e Pranverës Arabe (ku BE-ja ende mungon) te tensionet me Iranin, pasiguritë rreth marrëdhënieve BE-Turqi dhe zhvillimet në politikën e jashtme ruse në periudhën e re presidenciale të Putinit, nënkuptojnë se Evropa nuk mund të përballojë një vakum sigurie në rajonin e saj.

Ndaj, Bashkimi Evropian duhet të ndjekë një politikë pragmatike për të arritur objektivat kryesore gjeopolitike dhe gjeoekonomike, si dhe për të promovuar më mirë interesat e tij. Me fjalë të tjera, një politikë që shkon përtej numërimit të fajeve dhe trajton problemin grek në kontekstin e rolit rajonal dhe global të BE-së dhe jo vetëm politikat ekonomike.

Edhe para se të shpërthente kriza aktuale, Greqia tregohej e padrejtë në pjesën më të madhe të çështjeve të politikës së jashtme dhe sigurisë, duke i lejuar vetes të braktiste aspekte të rolit të saj rajonal në Evropën Juglindore dhe duke lejuar degjenerimin e rolit të saj brenda BE-së. Një mentalitet i politikës së jashtme pasive dhe me vështrimin nga brenda bëri që të kishte shumë pak iniciativa në politikën e jashtme. Athina as nuk i shfrytëzoi mundësitë për iniciativa shumëpalëshe, as nuk vendosi aleanca strategjike dhe taktike. Politika e jashtme greke tashmë ka nevojë t’i përshtatet mjedisit të sigurisë rajonale dhe globale në ndryshim e sipër, ndërkohë që duhet të kontribuojë në përpjekjet kombëtare për të rindërtuar ekonominë. Duhet ta bëjë këtë me burime tepër të kufizuara dhe nën një presion të madh kohor.

Koncepti kyç për politikën e jashtme dhe të sigurisë së Greqisë në vitet e ardhshme do të jetë përdorimi i zgjuar i burimeve energjetike, marrëdhënieve me fuqitë në ngritje, veçanërisht Izraelin, duke mbajtur ndërkohë lidhje me botën arabe, rifitimi i influencës në Evropën Juglindore dhe përdorimi i presidencës së BE-së në gjysmën e parë të vitit tjetër për t’u bërë sërish më aktive brenda BE-së. Për të arritur këto synime prioritare, nevojiten reforma strukturore në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Athinë dhe në mekanizmat më të gjera të politikës së jashtme me një theks te diplomacia ekonomike. Duhet të ketë edhe reforma në sektorin e sigurisë dhe më tepër ‘mbrojtje të zgjuar’’ nëse Greqia dëshiron të mbajë kapacitetet e saj parandaluese me një buxhet tepër të reduktuar të mbrojtjes.

Në periudhën afatshkurtër Greqia duhet të fokusohet te këto tri çështje: zgjerimi i gjurmëve të saj në hartën energjetike, menaxhimi i flukseve emigruese dhe zgjerimi i marrëdhënieve strategjike me Izraelin, pa braktisur lidhjet tradicionale me botën arabe.

Projektet që lidhen me energjinë mund të jenë instrumentale në përgatitjen e imazhit të Greqisë, duke rifituar një rol rajonal dhe duke akumuluar ‘’kapital diplomatik’’. Dhe në periudhën afatmesme dhe afatgjatë këto mund të bëjnë shumë për rigjallërimin e ekonomisë. Korridori jugor i gazit mund të luajë një rol të rëndësishëm dhe nëse TAP zgjidhet kjo do t’i japë një shtysë mjaft të madhe ekonomisë së Greqisë dhe rolit të saj si në Ballkanin Perëndimor, ashtu edhe në sigurinë energjetike të Evropës. Ndaj Greqia duhet të përpiqet të zgjerojë gjurmët e saj energjetike jo vetëm përmes projekteve, si Rrjedha e Jugut, por edhe përmes shfrytëzimit të depozitave të hidrokarbureve në Greqinë Perëndimore për moskufizimin e zonës së saj ekskluzive ekonomike (EEZ) si edhe zonave të tjera bregdetare me vendet fqinje, sipas dispozitave të Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtën e Detit dhe kjo nuk duhet të vonojë përpjekjet për të shfrytëzuar burimet e veta natyrore.

Fluksi i emigrantëve nga Azia dhe Afrika mbetet shkak shqetësimesh për Greqinë pasi vendi është ‘’linja e parë e mbrojtjes’’ së Evropës, me Rregulloren 2 të Dublinit të vitit 2003, që ka krijuar një detyrim për vendin të mos lejojë emigrantët e paligjshëm të udhëtojnë në vende të tjera të BE-së. Greqia po përpiqet të ballafaqohet me problemin e një pakete masash që përfshijnë mekanizma më të mira azili, rritje të ambienteve për pritjen dhe mbajtjen e emigrantëve dhe përdorimin e aseteve të FRONTEX në kufirin tokësor në Egje me Turqinë është forcuar me një mur sigurie prej 12.5 km dhe mbështetje më e madhe nga ana e BE-së për të siguruar bashkëpunimin e plotë të Turqisë do të ishte tepër ndihmuese.

Bashkëpunimi energjetik mban çelësin e afrimit strategjik ndërmjet Greqisë, Qipros dhe Izraelit. Athina dhe Nikosia duhet të angazhojnë Tel Avivin në një sërë çështjes, duke vijuar me zell, por edhe me kujdes, pasi i gjithë rajoni po përjeton një transformim të thellë. Të tre vendet përballen me një ekuacion të komplikuar sigurie që ka variabëla të njohur, por edhe shumë variabëla të panjohur. Matrica e sigurisë rajonale përfshin aktorë rajonalë dhe ekstra-rajonalë me marrëdhënie që po ndryshojnë pothuajse vazhdimisht. Mbi negociatat e paqes ndërmjet Palestinës dhe Izraelit një grup kontakti i përbërë nga Franca, Egjipti dhe Greqia mund të punojnë bashkë me BE-në dhe ShBA-në për të rigjallëruar bisedimet me Rusinë, Turqinë dhe Arabinë Saudite në një faze të dytë.

Tri çështje të tjera të politikës së jashtme duhet të jenë prioritet. Greqia ka një marrëdhënie speciale me Rusinë dhe Kinën dhe sapo Athina të rifitojë vetë-besimin mund të sillet si një urë tjetër lidhëse ndërmjet BE-së dhe të dy këtyre vendeve. Për sa i përket marrëdhënieve ndërmjet Greqisë dhe Turqisë, për arsye të ndryshme, asnjëra palë nuk është e përgatitur të bëjë ndonjë lëvizje thelbësore për të zgjidhur diferencat e tyre dhe kjo do të mbetet e tillë të paktën deri në vitin 2014. Athina dhe Ankaraja duhet të fokusohen te përmirësimi i marrëdhënieve të tyre ekonomike duke shmangur konfliktin mbi burimet energjetike në Mesdheun Lindor.

Çështja e tretë është konflikti me FYROM. Greqia mund të ketë humbur shumë mundësi në të shkuarën, por duhet të jetë e qartë se një zgjidhje bazuar te një emër i përzier i tipit ‘’Republika e … Maqedonisë’’ do t’i parandalonte të dyja palët të monopolizojnë identitetin maqedonas duke kënaqur ndërkohë objektivin kryesor të Shkupit dhe duke lejuar të normalizohen marrëdhëniet ndërmjet tyre. E megjithatë përpjekjet për të shmangur shqetësimet greke nuk do të ishin produktive, sepse do të poshtëronin një Greqi tashmë psikologjikisht të lënduar dhe do të shkaktonin një rritje të mëtejshme të nacionalizmit. Do të perceptohej shpërblyes një lidership politik, që është fokusuar te ndërtimi i monumenteve me shije dhe vërtetësi historike të diskutueshme në vend të përballjes me sfidat bashkëkohore të FYROM.

Kjo lloj Greqie e re mund të jetë një instrument i dobishëm në rajone me rëndësi kritike për interesat e përgjithshëm të sigurisë së BE-së. Ashtu sikurse grekët duhet të shmangin një Grexit, që do të rezultonte nga vendimet e tyre të gabuara, ashu ka edhe nevojë për një debat evropian me temën ‘’Kush e humbi Greqinë?’’.

 

Thanos Dokos është Drejtor i Përgjithshëm i ELIAMEP, Fondacionit Helenik për Politikën e Jashtme dhe atë Evropiane thanos.eliamep@gmail.com.

SHPËRNDAJE