“Me aneksimin e Krimesë, Vladimir Putin u soll si Godfather-i. Ai i tha Rusisë dhe botës: ose trutë ose firma juaj do të jenë në atë kontratë. Kjo politikë ka rezultuar e suksesshme, por askush nuk e di edhe për sa kohë.”
Adam Michnik
Në fjalimin e tij të djeshëm, Putin foli hapur: regjimi i tij nuk i trembet asnjë ndëshkimi dhe do të bëjë çfarë të dojë. Krimea është vetëm hapi i parë në ëndrrën e tij për madhështi. Megjithatë, ai nuk i tha të gjitha.
Çdo paragraf i fjalimit të tij ishte i mbushur me gënjshtra dhe manipulime, sepse gënjeshtrat dhe manipulimet janë të pandashme nga botëkuptimi i Putinit. Një analizë e thellë e fjalimit do të ishte humbje kohe. Fakti i thjeshtë është që presidenti i Rusisë, një shtet sa i fuqishëm aq dhe i vetmuar sot, i është nisur një rruge përplasjesh me pjesën tjetër të botës. Ai do të ftojë partnerë për bisedime vetëm për t’i akuzuar më pas për të vepruarit e tyre në “mënyrë brutale, të papërgjegjshme dhe jo profesionale”. Kjo paralajmëron Demonët e Dostojevskit, duke krijuar për pasojë një botë që nuk ekziston dhe nuk ka ekzistuar kurrë.
Çfarë ka të përbashkët Kosova, ku shqiptarët vuajtën persekutimin, me situatën e njerëzve në Krime, të cilët nuk kanë qënë kurrë të shtypur? Cili është argumenti për përbuzjen e qeverisë dhe parlamenit të Ukrainës? Cili është argumenti për etiketimin e autoriteteve ukrainase si “fashiste dhe anti-semite”? Tartarët e Krimesë do t’i injorojnë përrallat rreth fashistëve që drejtojnë Ukrainën; ata munden akoma të kujtojnë shpërnguljet masive, brutale dhe vrastare të bashkëatdhetarëve të tyre, të cilat u urdhëruan nga Stalini dhe u ekzekutuan nga NKVD-ja.
Putin risjell historinë e një Rusie të cilën e gjithë bota e ka mënjanuar gjatë tri shekujve të fundit. Kështu, është e vështirë të imagjinosh një mënjanim më të ashpër sesa ato të kohërave të despotëve gjakatarë: Katerina II, Nikolla I apo Jozef Stalin.
Putini gjithashtu paralajmëroi rusët dhe ukrainasit që “ne dhe ju, rusët dhe ukrainasit, mund ta humbim Krimenë tërësisht”. Ndërkohë ai dështon të specifikojë se kush ─ ndoshta polakët dhe lituanezët përsëri ─ po e shton oreksin e tyre për Sevastopolin.
Ne nuk mund ta linim popullin e Krimesë “vetëm në situatën e tyre”, thotë Putin. Këto fjalë të bëjnë të qeshësh me një buzëqeshje të hidhur; ky është një citim nga Leonid Brezhnevi, i cili e bëri këtë deklaratë në gusht të 1968-ës kur po justifikonte ndërhyrjen në Çekosllovaki.
“Ne duam që Ukraina të jetë një vend i fuqishëm, sovran dhe i pavarur”, thotë Putin. Kjo nga ana tjetër është një vërejtje që Stalini bëri për Poloninë në 1945-ës. Po evitoj të përmend këtu fjalët e thëna nga Hitleri gjatë Anshlusit dhe pushtimit të Çekosllovakisë, miqtë e mi. Demokratët rusë tashmë e kanë bërë këtë gjë.
Historia e ka plotësuar një cikël të plotë. Ky është fundi i vërtetë i historisë ─ i historisë së ëndrrave rreth një bote të qeverisur nga vlera demokratike dhe ekonomia e tregut. Nëse bota demokratike dështon ta kuptojë se tani nuk është koha e besimit tradicional tek kompromisi diplomatik dhe se duhet të gjejmë një përgjigje aq të fortë sa të ndalojmë politikën imperialiste dhe të dhunshme të Putinit, atëherë një e tillë seri ndodhish do vihet në punë që do të na frikësojë të mendojmë edhe për të sotmen. Duhet forca për të ndaluar një dhunues.
Unë e përgëzoj dhe krenohem me politikën e Polonisë dhe qëndrimin e shoqërisë polake. Politika e kujdesshme dhe e vendosur e Polonisë na jep nder. Megjithatë, ne duhet të kuptojmë se çerek shekulli më i mirë në katër shekujt e fundit të historisë polake po shkon drejt fundit përpara syve tanë. Një kohë zhvendosjesh tektonike ka filluar. Le të vlerësojmë atë çfarë kemi arritur dhe le të mësojmë ta mbrojmë atë.
Ne të gjithë kujtojmë që Godfather-i pati një fund të hidhur dhe nuk mendoj se ky kopjues rus do përfundojë më mirë.