Revizionizmi Rus

1

Plani i Putinit për të përmbysur rendin evropian

Ivan Krastev

Vullneti i Rusise për të dhunuar sovranitetin territorial të Ukrainës përbën sfidën më të rëndë për rendin evropian në mbi një gjysmë shekulli. Konflikti vë përballë një superfuqi nukleare kundër një shteti me sipërfaqe territoriale të njëjtë me Francën, një regjim autokrat kundër një qeverie revolucionare. Ndërhyrja ruse në Ukrainë ngre disa pikëpyetje mbi garancitë që Përëndimi i dha Ukrainës mbi sigurinë e kësaj të fundit, kur vendi hoqi dorë nga arsenali nuklear në 1994, ndërkohë që përbën një shuplakë të rëndë në fytyrat e të gjithë evropianëve që besonin, gjatë viteve të fundit, se një luftë kontinentale ishte bërë diçka e pamundur. Rezultati perfundimtar mund të jetë lindja e një perandorie të tretë ruse ose një shtet ukrainas i dështuar në qendër të Evropës.

Agresioni rus në Ukrainë nuk duhet të merret si një shfrytëzim oportun për të fituar pushtet. Në fakt, kemi të bëjmë me një përpjekje për t’i rezistuar Perëndimit në aspektin politik, kulturor dhe ushtarak. Rusia zgjodhi të përdorte forcën ushtarake sepse kërkonte të sinjalizonte ndryshime në rregullat e lojës, jo sepse nuk kishte mundësi të tjera në dorë. Në fakt, Rusia kishte plot alternative të tjera për të ushtruar presion mbi Kievin, përfshi kërcënimin nëpërmjet Flotës Ruse të Detit të Zi në Sevastopol, qyteti ukrainas ku ka bazën flota; të luante me çmimet e gazit; t’i kërkonte Ukrainës të paguante borxhin që qeveria i ka Rusisë; dhe të nxiste ndjenjat anti-ukrainase mes popullsisë të konsiderueshme ruse në Ukrainë. Për më tepër, zyrtarët e lartë amerikanë vunë në dukje që në fillim se kriza ukrainase nuk mund të zgjidhej pa Rusinë dhe udhëheqësit evropianë shprehen pakënaqësinë e tyre mbi ligjin e ri (dhe të pafat), që qeveria e përkohshme e Ukraines futi në fuqi sapo erdhi në pushtet, një ligj që degradonte statusin e gjuhës ruse. E thënë ndryshe, përdorimi i forcës ishte e panevojshme.

Por ishte gjithashtu e rrezikshme: Ukraina është një vend i madh dhe publiku i saj, ende i përfshirë nga fryma revolucionare, është gati të luftojë për një çështje patriotike. Ndërhyrja e Moskës do të provokojë ndjenja të forta anti-ruse në Ukrainë dhe ndoshta do ta shtyjë vendin edhe më afër BE-së dhe NATO-s.  Ndërhyrja ushtarake në Ukrainë rrezikon gjithashtu të krijojë një krizë të rëndë humanitare brenda Rusisë. Sipas burimeve ruse, pothuajse 700,000 ukrainas janë arratisur në Rusi gjatë dy muajve të fundit. Rreth 143,000 prej tyre kanë kërkuar azil politik. Një luftë në Ukrainë mund ta trefishojë numrin. Së fundmi, është e lehtë të parashikohet se përdorimi i forcës nga ana e Moskës do të rrisë izolimin politik të Rusisë. Që tani ka rezultuar në disa sanksione ekonomike dhe politike, të cilat mund t’i japin një grusht shkatërrimtar ekonomisë ruse në stagnacion. Sipas disa vlerësimeve, kostot direkte për Rusinë në rastin e një lufte me Ukrainën mund të arrijnë deri në tre përqind të PBB rus, ose rreth $60 miliardë dollarë.

E megjithatë Putini zgjodhi ta flakte maturinë nga dritarja. Zemërimi është një nga arsyet pas veprimeve të tij. Derimëtani Putini ka humbur dy herë në Ukrainë: së pari gjatë revolucionit portokalli në 2004-ën, i cili solli në pushtet një koalicion pro-perëndimor të udhëhequr nga Julia Tymoshenko, dhe së dyti gjatë protestave të fundit, të cilat rrëzuan nga pushteti Presidentin Viktor Janukoviç, një politikan pro-rus. Moska e kishte mbështetur të gjithë politikën e saj mbi Janukoviçin dhe qe përpjekur ta mbante peng të interesave të tij këtë të fundit. Për shembull, Moska ushtroi presion mbi të që të refuzonte nënshkrimin e Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit me BE-në (dështimi i tij për të nënshkruar ishte shkëndija që shpërtheu protestat në Ukrainë) dhe i dha hua Ukrainës pothuajse $15 miliardë dollarë, duke e bërë vendin të varuar ndaj Rusisë. Por në të vërtetë ishte Putini ai që ngeli peng i Jakunoviçit, të cilit po i shkiste pushteti nga duart, dhe buratinëve të tij të paaftë. Kur Janukoviçi e humbi pushtetin, Putini humbi papritur e papandehur partnerin e tij strategjik. Rritja e agresivitetit putinian, të paktën pjesërisht, është në thelb një përpjekje për të fshehur dështimet e tij në politikën e ndjekur në Ukrainë.

Për momentin Moska kërkon të rrëzojë regjimin e ri në Kiev, të cilin e gjykon si të përbërë nga disa radikalë që nuk do të mbijetojnë më shumë se disa javë në pushtet. Duke ushtruar presion mbi regjimin me kërcënimin e pushtimit dhe duke shtuar frikën e rusfolësve në jug dhe lindje të Ukrainës, Putini ka gjasa të arrijë atë çka kërkon. Synimi i tij strategjik nuk është të shkëpusë Krimenë, siç sugjerojnë zhvillimet e fundit, por të shkaktojë një krizë kushtetuese që do ta kthente Ukrainën në një shtet konfederativ me një pushtet qendror shumë të dobët, ku pjesa lindore e të cilit do të jetë më e integruar me Rusinë dhe pjesa përëndimore më e integruar me Poloninë dhe BE-në. Me pak fjalë, pasi ka kuptuar se e ka humbur Kievin, tashmë duket se Putini kërkon që trasnferojë qendrën e pushtetit në Ukrainë diku tjetër.

Më e keqja në këtë mes është se Putini e di që mund t’ia dalë mbanë pa u lagur. “Çfarë mund të bëjmë?” pyet Fiona Hill, një akdemike në Brookins Institute, e cila ka qenë një nga zyrtaret kryesore të inteligjencës amerikane në Rusi gjatë luftës me Gjeorgjinë, në një intervistë të fundit me The New York Times. “Do të flasim për sanksione. Do të flasim për vija të kuqe. Me pak fjalë do të tregojmë zell të madh. Dhe ai vetëm sa do të rehatohet mbas e do të na shikojë i patrazuar. Ai e di se askush prej nesh nuk do luftë.”

Por ndoshta ne të tjerët duhet ta duam. Putini i 2014-ës nuk është Putini i 2004-ës, madje as Putini i 2008-ës. Ai nuk është më thjesht një autokrat i pamëshirshëm, të cilit i interesojnë vetëm pushteti dhe paratë, apo të rikthejë Rusinë në skenën globale. Putinit i interesojnë idetë. Atij i pëlqen t’u flasë këshilltarëve të tij për shkrimet e Ivan Ilinit, një filozof rus dhe ideologu i Bashkimit Pan-Ushtarak Rus. Putini drejton personalisht shkrimin e teksteve të historisë. Gjatë viteve të fundit dhe sidomos pas shpërthimit të protestave në Moskë në dimrin 2011-12, Putini ka filluar ta shohë veten gjithnjë e më shumë si bastioni i fundit i rendit dhe vlerave tradicionale. Ai është i bindur se liberalizmi është infektues dhe se vlerat dhe institucionet perëndimore përbëjnë një rrezik të vërtetë për shoqërinë ruse dhe shtetin rus. Ai pa dyshim ëndërron për kohët që i paraprijne 1914-ës, kur Rusia ishte një vend autokratik, por që pranohej nga të tjerët, ku revolucionet nuk toleroheshin dhe Rusia mund të ishte pjesë e Evropës nderkohë që ruante traditat dhe kulturën e saj karakteristike.

Nisur nga ky këndvështrim, revolucioni ukrainas është një simbol i gjithçkaje që nuk shkon me Evropën e ditëve tona. Ai flirton me pushtetin popullor dhe relativizmin moral, ai ushqen pasionet dhe shfaq një mospërfillje therëse përballë ambicieve gjeopolitike të Rusisë. Dhe me aventurën e tij në anën tjetër të kufirit, Putini ka sinjalizuar se nuk ka për ta toleruar këtë. Duket se Putini është i gatshëm të braktisë idenë se Rusia mund të jetë një shtet evropian paqësor dhe korrekt –  më mirë nëse Rusia bëhet një qytetërim më vete – dhe ka dhënë prova se zotëron vullnetin e nevojshëm për të sakrifikuar interesat ekonomike të vendit që të përmbushë synimet e tij.

E thënë ndryshe, marshimi i Putinit në Krime ndryshon kryekrej nga lufta e Rusisë në Gjeorgji në 2008-ën. Gjatë asaj krize, Moska përdori forcën për t’u bërë të ditur kryeqyteteve perëndimore se ç’domethënë “kufiri të thana” dhe pse nuk duhëj të bënin gabim ta shkelnin atë. Në Krime, Moska ka shfaqur vullnetin e saj për të shkelur vijën e kuqe të vendosur nga Perëndimi dhe të vërë në pikpyetje normat ligjore dhe strukturën e rendin evropian të pas-Luftës së Ftohtë. Veprimet e tij janë një sfidë: A janë Shtetet e Bashkuara ende të gatshme për të garantuar sigurinë e demokracive evropiane, apo do të preferonin më mirë t’i transferonin politikat e tyre të balancimit dhe diktimit në Azi? A ka Gjermania forcën e duhur për t’u përballur me një Rusia të painteresuar për t’u bërë evropiane?

Cilatdo qofshin përgjigjet, kundërpërgjigjja ndaj Putinit do të jetë e vështirë. Ai ka refuzuar të luajë sipas rregullave perëndimore. Ai duket se nuk i trembet izolimit politik; ai e fton atë. Ai duket se nuk shqetësohet për kufijtë që po mbyllen; ai shpreson për këtë. Politika e jashtme e tij shumohet në një refuzim të thellë të vlerave perëndimore moderne dhe në një përpjekje për të hequr një vijë të qartë mes botës së Rusisë dhe asaj të Evropës. Për Putinin, ka gjuasa që Krimea të jetë vetëm fillimi.

 

SHPËRNDAJE