Dhjetë rregulla nga një Makiavel i shekullit 21 për Princin Ballkanik

0

Florian Bieber

 

Çfarë do të thoshte Makiaveli për Ballkanin e sotëm? – pyet Florian Bieber. Në këtë letër për një princ ballkanik modern, ai parashtron 10 rregulla që do ta lejonin princin të mbajë pushtetin pavarësisht kushteve. ‘’Të udhëheqësh është si të kërcesh në skajet e një vullkani’’ – paralajmëron ai, duke sugjeruar gjithsesi sa ka ende mënyra për të qenë i sigurt.

 

I dashur Princ Ballkanik,

 

Urime për fitoren në zgjedhje.

 

Po hamendësoj se do të donit të qëndronit në pushtet sa më gjatë të jetë e mundur. Ndërkohë që kjo nuk është më aq e lehtë sa dikur, është ende e mundshme, nëse ndiqni 10 rregullat e mëposhtme.

 

Duhet të mbani mend gjithnjë se të konsiderohesh një demokrat dhe reformator është gjykim që ka më tepër rëndësi nëse vjen nga jashtë, nga Bashkimi Evropian, vëzhguesit dhe organizatat ndërkombëtare. Ata mund të jenë edhe më të rreptë se publiku i brendshëm, por janë gjithashtu më injorantë dhe ka gjasa ta humbasin shpejt interesin.

  1. Kontrollojini zgjedhjet, jo ditën e zgjedhjeve, por më parë

Ndërkohë që disa prej paraardhësve tuaj mund t’i kenë mbushur kutitë e votimit ose të kenë rritur votën e të vdekurve për ju, ose edhe më mirë, të jenë siguruar se nuk keni kundërshtarë që po kandidojnë në zgjedhje, kjo nuk është më e mundur. Duhet t’i fitoni zgjedhjet dhe të njiheni gjithashtu nga të huajt. Këta të huaj mund të jenë më pak përzgjedhës në Kaukaz ose Afrikë, por duhet të dukeni si demokrat i mirë në Ballkan. I dashur princ, kjo nuk do të thotë se duhet të jeni i tillë.Ka ende disa mënyra për t’ia dalë mbanë.

 

Së pari, shikojini zgjedhjet si mënyrë për tu fuqizuar. Planifikojini mirë zgjedhjet: shumë zgjedhje të parakohshme mund t’ju ndihmojnë ta kapni opozitën në befasi dhe për të pasur vota kur popullariteti është në majat më të larta. I ofroni votuesve ca para, ose faljani faturat e energjisë elektrike, ka shumë mënyra për të fituar para duke ofruar pak gjë. Ndonjëherë merrni në konsideratë t’i ofroni para njerëzve për të mos votuar (e dini se do ta hidhnin votën për kundërshtarët tuaj). Ndihmon gjithashtu ta njollosni opozitën sikur është dyshuese, seksualisht devijuese, tradhtare ndaj shtetit dhe në përgjithësi e dyshimtë.

 

Për më tepër referohuni librit tim ‘’Të fitosh zgjedhjet, për budallenjtë’’.

  1. Kontrolloni medien, sigurohuni se keni shumë zëra, që thonë të njëjtën gjë dhe ju mbështesin

 

Media është ajo që ka rëndësi për të ruajtur pushtetin e brendshëm.

Tani, nuk i zotëroni më tepër se princat para jush.Megjithatë, shumë pak media janë ekonomikisht të vetëmjaftueshme dhe mënyra më e mirë për t’i kontrolluarështë të reklamosh vetëm tek ato që raportojnë pozitivisht për ju (dhe mos harroni, ju jeni reklamuesi më i madh). Shumë gazeta dhe stacione televizionesh me shumë mundësi janë në pronësi të ndonjë kompanie perëndimore mediatike, që vlerëson fitimin përkundrejt standardeve ose ndonjë biznesmen i dyshimtë lokal, për të cilin me siguri gjen disa fatura dhe taksa të papaguara.

Ndonjëherë, gazetarët mund të jenë pak të bezdisshëm dhe mënyra më e mirë për tu siguruar se po sillen mirë, është duke i kërcënuar pak, jo në publik por ushtroni presion mbi disa. Shumica do ta censurojnë veten me kënaqësi.

  1. Flisni për BE-në duke dashur t’i bashkoheni asaj, por bëjeni të ftohtë e të ngrohtë

Ndoshta nuk ju intereson ta kuptoni BE-në dhe kjo nuk përbën problem, por të duash t’i bashkohesh BE-sëështë domosdoshmëri. Pa këtë, me siguri nuk do të zgjidheshin duke pasur parasysh se të gjithë votuesit duan anëtarësim në BE. Për më tepër, mund të mbeteni në errësirë nëse nuk e mbështesni BE-në, pasi formimi i një qeverie kërkon një vulë miratimi nga BE-ja. Ndaj, duhet ta doni BE-në, por hidhni edhe një dozë paqartësie. Të jesh pro-evropian me tepri në kohët e sotme duket sikur po përpiqesh më tepër seç duhet me një partner që në të vërtetë nuk të do. Ndaj, shtojini disa dyshime projektit.

 

  1. Flisni për luftën kundër korrupsionit dhe reformave. Flisni, flisni dhe arrestoni disa

Kush është pro korrupsionit? Askush. Ndaj, nuk ka temë më të sigurt mbi të cilën mund të bëhet fushatë dhe për të cilën mund të flitet gjithë kohës. Bëni mirë ta poziciononi veten si një luftëtar i patrembur kundër korrupsionit dhe ta paraqisni çdokënd qëështë i korruptuar sikur është kundër sundimit tuaj, duke hedhur kështu një hije korrupsioni tek opozita.

 

Sigurisht, është e vështirë të qëndrosh në pushtet pa toleruar korrupsionin. Sigurohuni se keni suksese të herë pas hershme, disa arrestime, gjyqe.Mbani parasysh se arrestimet janë më të rëndësishme se vetë dënimet.Gjithashtu, kapni disa nga miqtë tuaj.Ju bën të dukeni edhe më serioz.Raportimet për një stil jetese modeste ndihmojnë dhe deklaratat rreth aseteve mund të merren me pak liri krijuese.

  1. Zgjidhini problemet me fqinjët tuaj për të marrë lëvdata dhe krijoni disa të tjera për t’u bërë popullor

Bashkimi Evropian dhe të huajt duan që të shkoni mirë me fqinjët, ndaj duhet të gjeni kohë t’i vizitoni ata, jo vetëm sepse mund të kenë resorte dhe qytete bregdetare më të bukura: flisni për bashkëpunimin rajonal, se si të gjithë ndajmë të ardhmen evropiane (konsultohuni me librin tim ‘’100 fjalimet për rastin e duhur për princat ballkanikë’’).

 

Tani, problemet e reja ose të vjetra me fqinjët janë shumë të dobishme në shtëpi. Ata tërheqin vëmendjen nga çështje të tjera, ju japin mundësi të bashkoheni rreth flamurit. Asgjë nuk është më e mirë për rritjen e popullaritetit se sa baltosja e fqinjit. Ndaj, është thelbësore të krijohet një balancë ndërmjet kënaqjes së të huajve dhe ushqimit të ndjenjave të brendshme.

  1. Zgjidhni miq të ndryshëm të huaj, disa do t’ju pëlqejnë për atë që jeni, disa për atë që pretendoni se jeni

BE-ja është investuesi, donatori dhe perspektiva më e rëndësishme, por mos u fokusoni vetëm tek ata. Të flirtosh me të tjerët do ta bëjë BE-në disi xheloze duke e detyruar t’ju kushtojë më tepër vëmendje. Plus që mund ta prezantoni veten sikur jeni individualist. Është gjithashtu e rëndësishme të konsideroni se investuesit dhe donatorët e tjerë nuk kanë shumë angazhime.Ndaj, mund të përdorni disa burime për t’u kujdesur për favoret e brendshme politike.Megjithatë, kuptoni se ato mund t’ju përdorin, ndaj përgatituni të braktiseni kur të mos kenë më interes.

 

  1. Punësoni votuesit tuaj. Pushoni nga puna kundërshtarët

Mënyra më  e mirë për të qëndruar në pushtet është duke punësuar votuesit tuaj, ka shumë punë që mund të ofroni, nga këshilltari tek pastruesja.

Nëse është e qartë se përkatësia në partinë tuaj ka rëndësi, kjo do t’ju ndihmojë në terma të mbështetjes për partinë dhe në vota. Shumë prej punonjësve të administratës do të rekrutojnë duzina votuesish thjesht për të mbajtur vendin e punës. Kundërshtarët tuaj mund të pushohen nga puna, nga administrata shtetërore ose nga punët private (në fund të fundit, ju me siguri kontrolloni pjesën më të madhe të financimit në shtet), ose baballarët, nënat, motrat, vëllezërit. Ka shumë mënyra për t’i detyruar të mendohen mirë mbi atë që thonë për ju.

 

  1. Sundimi I ligjit, sundimi juaj, ligji juaj

Ndërkombëtarët do të flasin e do të flasin për sundimin e ligjit. Për këtë, i dashur princ ballkanik, rekomandojmë një sërë plan veprimesh dhe strategjish. Megjithatë, në realitet, është e rëndësishme të siguroheni se ligji është mjaftueshëm i ndërlikuar që nuk mund të aplikohet universalisht, por që të ketë gjithmonë një hije jashtë ligjshmërie që mund të përdoret kur të jetë e nevojshme. Demonstruesit mund të gjobiten se bllokojnë trafikun dhe rregulla të tjera të vogla mund t’ju ndihmojnë t’i kujtoni atyre se ligji juaj sundon.

 

  1. Nuk duhet të keni ideologji. Vetëm sa ju dëmton

 

Nuk duhet të keni një ideologji të qartë, kjo thjesht ju detyron të mbani disa qëndrime që mund të krijojnë problem më pas.Fokusohuni tek qëllimet e përgjithshme si Evropa, liria, mirëqenia dhe mos parashtroni ambicie shumë specifike.

 

Tani, është në interesin tuaj t’i bashkoheni një familjeje partiake evropiane ose ndërkombëtare, si Socialistët Ndërkombëtarë ose Partia Popullore Evropiane si një anëtar i asociuar ose vëzhgues. Do t’ju japin legjitimitet ndërkombëtar dhe të moderojnë ndonjë kritikë të mundshme ndërkombëtare. Megjithatë, mos e ngatërroni këtë me ideologjinë – askush nuk do t’ju votojë për shkak të ideologjisë, ata do t’ju votojnë prej jush dhe punën që i keni gjetur hallës së tyre.

  1. Premtoni ndryshim, por sigurohuni se gjërat do të mbeten njësoj

Ndryshimin e duan të gjithë, votuesit tuaj kanë jetuar përmes krizave ekonomike për 28 ose 35 vitet e fundit. Ata duan që situata të bëhet më mirë, ndaj mos premtoni se do t’i mbani gjërat siç janë, por ofroni një panoramë se si do të jenë. Megjithatë, ndryshimi është i rrezikshëm.Ndaj mbajini gjërat njësoj, ndryshimi është një premtim i thjeshtë, por realitet i rrezikshëm. Tani, ndryshim do të thotë fushatë e vazhdueshme. Drejtojeni zyrën tuaj sikur të jeni duke garuar për post. Kjo do t’ju bëjë të dukeni energjik, do t’ju përgatisë për çdo zgjedhje të parakohshme dhe do t’ju bëjë të dukeni sikur jeni ende në opozitë edhe nëse nuk jeni. Ndaj, ndryshimi i përbërjes sëqeverisë, ndryshimi i politikave dhe shpallja e planeve të mëdha janë mënyra të mira për të folur për ndryshimin.

 

I dashur princ ballkanik,

 

Të sundosh është si të kërcesh në skajet e një vullkani. Mund të sundoni vetëm nëse pretendoni se jeni demokrat në favor të integrimit në BE. Por mund ta vazhdoni sundimin tuaj për një kohë të gjatë duke mos i qëndruar besnik këtyre pretendimeve. Të dyja këto do të sjellin njerëz të tjerë në pushtet dhe mund t’ju dërgojnë në burg. Ndaj, duhet të ecni nëpër vijën e hollë ndërmjet: t’ju thuash votuesve dhe BE-së gjërat e duhura dhe të bëni diçka tjetër ndërkohë.

 

Paçi fat, disa po ja dalin mbanë ndaj me pak aftësi mund t’i bashkoheni klubit.

Shënim: Ky artikull paraqet pikëpamjet e autorit dhe jo pozitën e LSEE Research on South Eastern Europe, as the London School of Economics.

 

 _________________________________

Dr Florian Bieberështë profesor i Studimeve për Evropën Juglindore dhe Drejtor i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Gracit në Austri. Fushat e tij të interesit përfshijnë kompozimin institucional të shteteve shumë etnike, nacionalizmindhe konfliktin etnik si edhe sistemet politike të Evropës juglindore.

 

 

SHPËRNDAJE